Muajt e fundit depozitat në sistemin bankar kanë shënuar një sjellje të pazakontë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për periudhën dhjetor 2016-maj 2017, u tërhoqën plot 20 miliardë lekë ose 150 milionë euro nga bankat.
Sipas të dhënave, vetëm në muajin maj dolën plot 5 miliardë lekë nga bankat, para të cilat duket se janë injektuar në ekonomi. Por treguesi më domethënës është se thuajse të gjitha paratë e tërhequra kanë qenë nga depozitat në valutë, kryesisht në euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në valutë ra nga 522.6 miliardë lekë që ishte në prill, në 518.7 miliardë lekë në fund të majit. Ndërsa krahasuar me muajin janar depozitat në monedhën europiane janë ulur me mbi 100 milionë euro.
Këto para duket se kanë përfunduar të gjitha në treg, duke rritur ofertën në valutë. Kjo konfirmohet nga zhvlerësimi dramatik i euros ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në vetëm tre muaj euro është zhvlerësuar me gati 6 pikë ndaj lekut nga 137 lekë që këmbehej në shkurt, në rreth 132 lekë aktualisht.
Sjellja e çuditshme e depozitave në sistemin bankar përkon me fushatën elektorale. Opozita ka akuzuar qeverinë se ka blerë masivisht votat e elektoratit. Tashmë këto akuza përforcohen edhe nga ecuria e treguesve të sistemit bankar.
Shqipëria ishte përballur vetëm një herë me tërheqje të depozitave, në shtator të vitit 2009. Por në atë kohë arsyeja ishte paniku i përhapur nga kriza globale, e cila i nxiti qytetarët që të tërhiqnin paratë për siguri.
Këtë herë nuk ka asnjë arsye për uljen e papritur të depozitave, përveç dyshimit se paratë janë përdorur për të financuar blerjen e zgjedhjeve.
Tani nuk këmbehen më lekë për blerje votash
Leku është dobësuar në ditën e djeshme përkundrejt shportës së monedhave kryesore. Monedha e përbashkët është çmuar përkundrejt lekut edhe në ditën e djeshme (e treta radhazi pas njëzet ditëve në rënie), ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro këmbehet në tregun vendas me 132.59 lekë, rreth 0.2 lekë më shumë se një ditë më parë.
Forcim ka njohur edhe dollari, i cili brenda një jave ra me 3 lekë, i ndikuar edhe prej nënçmimit që po pësonte në bursë ndaj euros.
Ndërsa dje, pas ditësh në rritje në tregjet ndërkombëtare, monedha e përbashkët është zhvlerësuar, ku 1EUR këmbehet me 1.14 USD.
Të martën, Banka e Shqipërisë raportoi një zhvlerësim të të gjitha monedhave kryesore, ndërsa euro kapi nivelin më të ulët që nga gushti i 2009-s duke u këmbyer poshtë 132 lekëve. Ekspertët e argumentuan me qarkullimin e lartë të valutës gjatë fundjavës së zgjedhjeve.
Euro ka pasur një vit të dobët në vend duke shënuar në vazhdimësi rekorde të ulëta që nuk i kapte që nga 2009-a.
Sipas analistëve të tregut, në zhvlerësimin e euros ka ndikuar oferta në rritje në valutë, që ka ardhur kryesisht prej projektit TAP dhe turizmit, por edhe prej aktiviteteve të jashtëligjshme.
Frymëmarrja e euros pas zgjedhjeve
Euro ka vijuar të forcohet edhe dje në tregun vendas duke u këmbyer me 132.39 lekë, rreth 0.24 lekë më shumë se dy ditë më parë. Monedha e përbashkët u zhvlerësua brenda muajit qershor me më shumë se 2 lekë. Sipas ekspertëve ndikimin më të madh në nënçmimin e euros gjatë këtij muaji e dhanë shpenzimet për fushatën elektorale, të cilat, si rrallë ndonjëherë u kryen në valutë.
Sipas ekspertëve të kursit, zgjedhjet kanë qenë shkaku kryesor i nënçmimit të euros të martën, kur euro kapi në vend nivelin më të ulët të këmbimit që nga fundi i gushtit të 2009-ës. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar ditën e martë, kur u hapën bankat.
Megjithatë sipas parashikimeve të ekspertëve, euro do të nënçmohet sërish me shtimin e fluksit të turistëve dhe me ardhjen e emigrantëve.
Prej dy ditësh, ndikuar nga forcimi i monedhës së përbashkët përkundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare, euro ka nisur të forcohet edhe në vend. Euro dje është këmbyer në bursë me 1.14 USD, duke kapur sërish nivele të larta të këmbimit. Verën e shkuar monedha e përbashkët thuajse shkoi në barazim me dollarin, ndërkohë që në Shqipëri këmbehej në nivelin e 137 lekëve.
Nënçmimi i dollarit amerikan në vend, është ndikuar kryesisht nga luhatjet e monedhës së përbashkët. Dollari u zhvlerësua brenda një jave në vend me 3 lekë duke ruajtur raportin e këmbimit në tregjet ndërkombëtare, pasi ndërkohë që monedha e përbashkët forcohej në bursë, në vend po nënçmohej.
Blerja e votave nisi para fushatës, Rama rriti enkas 78 milionë euro borxhin
Historikisht çdo periudhë parazgjedhore në dy dekadat e fundit është shoqëruar me një rritje të parasë jashtë bankave, teksa intensifikohen shpenzimet (zyrtare dhe jo zyrtare) për fushatat e partive politike. Ndonëse ky vit nuk ka qenë normal dhe fushata zyrtarisht ka nisur vetëm pasi Edi Rama dhe Lulzim Basha arritën që marrëveshje ku Partia Demokratike pranoi të hynte në zgjedhje, sërish tendenca e rritjes së parave jashtë banke është konstatuar që në prill. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë sistemit bankar (korporatave depozituese) në muajin prill shënoi një rritje me gati 2 miliardë lekë në prill (13 milionë euro), për herë të parë përgjatë këtij viti, duke arritur në 246 miliardë lekë apo gati 1.8 miliardë euro. Dy periudhat kur tradicionalisht ka rritje të parasë në qarkullim jashtë bankave janë në korrik-gusht kur vijnë emigrantët dhe turistët dhe dhjetor, kur sërish ka prurje nga emigrantë, ndërsa gjatë muajve të tjerë përgjithësisht ky tregues shënon rënie. Përjashtim kanë bërë vetëm periudhat para zgjedhore, kur paraja jashtë bankave shënon rritje të pazakontë. Për shembull, në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill-maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë. Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuar një rritje të pazakontë të përdorimit të euros këtë prag fushate, që ata e cilësojnë dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas. Gjatë kësaj periudhe euro arriti një tjetër rekord në tregun vendas, duke u këmbyer me 134.14 lekë, niveli më i ulët që nga shtatori 2009. Teksa euro në bursa vijonte të mbetej relativisht i fortë, në 1.11 USD, larg nivelit prej 1.05USD ku zbriti në dhjetor të vitit të kaluar, oferta e lartë e brendshme për valutë mbetej arsyeja kryesore që po forconte lekun në vend. Nga ana tjetër, ndërsa periudha zgjedhore afrohej, Rama rriti borxhin e qeverisë edhe me 78 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Gjatë tremujorit të parë të vitit, stoku i BJB u rrit me rreth 96 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 238 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 6% dhe në fund të muajit mars 2017, shënon 3.48 mld euro nga 3.29 mld euro që ishte në fund të 2016-s. Detyrimet e qeverisë së përgjithshme prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.