Një dokument që i ka rënë në dorë agjencisë së lajmeve “Associated Press” detajon një operacion të fshehtë njëvjeçar të agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, e cila dërgoi operativë sekretë në Venezuelë për të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe ngritur padi për trafik droge kundër udhëheqësit të atij vendi. Shtetet e Bashkuara e patën pranuar që në fillim se plani ishte në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Është e nevojshme që ky operacion të kryhet në mënyrë të njëanshme pa informuar zyrtarët venezuelianë”, thuhet në memorandumin prej 15 faqesh të vitit 2018 ku flitet për zgjerimin e operacionit të fshehtë. Autoritetet thonë se hetimi “Operation Money Badger” kishte në shënjestër dhjetëra njerëz, përfshirë Presidentin venezuelian Nicolás Maduro.
Ndërsa nuk ka një mekanizëm të qartë për t’i mbajtur përgjegjëse ligjërisht Shtetet e Bashkuara, dalja në dritë e memorandumit rrezikon t’i dëmtojë marrëdhëniet e tensionuara me qeverinë socialiste të Maduros dhe mund të thellojë pakënaqësitë ndaj Shteteve të Bashkuara në të gjithë Amerikën Latine.
Po ashtu, kjo tregon përpjekjet e rralla të agjencisë amerikane DEA në vendin që i përzuri agjentët federalë amerikanë kundër drogë afro dy dekada më parë.
Gjatë operacionit u përgjuan disa nga aleatët më të afërt të Maduros, përfshirë Alex Saab, biznesmenin e liruar kohët e fundit nga Shtetet e Bashkuara në këmbim të 10 amerikanëve dhe një kontraktori që kërkohej nga drejtësia amerikane. Por deri më tani nuk ishte e qartë se për hetimet ndaj Venezuelës u përdorën taktika të dyshimta ligjore.
“Nuk na pëlqen ta themi publikisht, por në fakt ne jemi policia e botës”, thotë Wes Tabor, një ish-zyrtar i DEA-s, i cili shërbeu si atashe i agjencisë në Venezuelë përpara se të niste hetimi në fjalë.
Zoti Tabor, i cili nuk konfirmoi ekzistencën e ndonjë operacioni të tillë, thotë se veprimet e njëanshme dhe të fshehta mund të jenë një mjet efektiv kur kryhen brenda caqeve të caktuara dhe me përgjegjshmëri, veçanërisht kur flitet për një vend si Venezuela, ku bashkëpunimi i qeverisë me krimin e kanë bërë atë vend një pikë ideale tranziti për rreth 15% të kokainës në botë.
“Ne nuk i respektojmë ligjet e vendeve që kanë qeveri mashtruese dhe vënë në rrezik jetët e fëmijëve amerikanë”, tha ai. “Në rastin e Venezuelës, që po e mbush Amerikën me drogë, ia vlen që të rrezikojmë”.
DEA dhe Departamenti i Drejtësisë nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të dërguara nga agjencia e lajmeve Associated Press në lidhje me memorandumin, se sa shpesh SHBA kryen aktivitete të njëanshme dhe përbërjen e panelit që miraton operacione të tilla. Qeveria e Venezuelës nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Por gjatë ditëve të fundit, Presidenti Maduro e akuzoi DEA-n dhe CIA-n se po përpiqen që ta destabilizojnë Venezuelën. Ai i akuzon rregullisht Shtetet e Bashkuara, një mënyrë të mbledhur mbështetësit rreth vetes.
“Nuk mendoj se Presidenti Biden është i përfshirë”, tha Maduro në një dalje televizive këtë muaj. “Por CIA dhe DEA veprojnë në mënyrë të pavarur si organizata kriminale imperialiste”.
VËNIA NË SHËNJESTËR E MADUROS
Dokumenti u hartua në kulmin e fushatës së Presidentit Donald Trump për “presion maksimal” për të rrëzuar presidentin venezuelian pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2018.
Zoti Maduro bëri një kthesë autoritare në atë kohë, pas rizgjedhjes në postin e presidentit. Administrata e Presidentit Trump i cilësoi zgjedhjet të manipuluara. Brenda disa javësh, zyrtarë të lartë të DEA-s hartuan plane për të vendosur të paktën tre informatorë sekretë për të regjistruar në mënyrë të fshehtë zyrtarët e lartë të dyshuar për tjetërsimin e Venezuelës në një narko-shtet.
Meqenëse plani dukej se binte ndesh me ligjin e Venezuelës dhe atë ndërkombëtar, kërkohej miratimi nga Komiteti i Rishikimit të Aktiviteteve të Ndjeshme, SARC, një grup i fshehtë zyrtarësh të lartë nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë që marrin vendime për rastet më të ndjeshme të DEA-s që kanë të bëjnë me çështje të ndërlikuara etike, ligjore apo të politikës së jashtme.
Kjo shënoi një zgjerim masiv të operacionit “Money Badger” të krijuar në vitin 2013 nga DEA dhe prokurorët në Majami, që do të hetonte rreth 100 venezuelianë të afërt me qeverinë, sipas dy personave me njohuri për operacionin, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Duke autorizuar transferta të paligjshme bankare përmes kompanive dhe llogarive bankare guaska, DEA u përpoq të zbulonte trafikantët kolumbianë të drogës dhe zyrtarët e korruptuar që përdornin sistemin e këmbimit të valutës së huaj të kontrolluar rreptësishtë nga Venezuela për të pastruar paratë e paligjshme.
Por me kalimin e kohës, operacioni u zgjerua duke përfshirë familjen e zotit Maduro dhe aleatët e tij kryesorë, megjithëse ndaj presidentit do të ngriheshin akuza për trafik droge nga prokuroria në Manhatan. Asnjë nga paditë ndaj venezuelasve, para dhe as pas memorandumit të vitit 2018, nuk përmendin aktet e spiunazhit amerikan.
Nuk është e qartë nëse operacioni “Money Badger” vazhdon ende.
Që kur Presidenti demokrat Joe Biden mori detyrën në vitin 2021, administrata e tij i ka hequr sanksionet dhe janë të pakta çështjet e ngritura ndaj rrethit të ngushtë të Maduros, pasi vëmendja e Departamentit të Drejtësisë është përqendruar tek Rusia, Kina dhe Lindja e Mesme.
Administrata e Presidentit Biden është përpjekur që ta joshë zotin Maduro që të zhvillojë negociata me opozitën e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke e kërcënuar se do të rivendosë sanksione gjymtuese ndaj eksportit të naftës nëse vendi i OPEC-ut nuk i bindet një marrëveshjeje për të mbajtur zgjedhje të ndershme dhe të lira këtë vit.
Operacioni i fshehtë ndaj rrethit të ngushtë të Presidentit Maduro nuk është rasti i parë që Shtetet e Bashkuara zhvillojnë operacione të zbatimit të ligjit jashtë vendit pa njoftuar qeverinë e shtetit përkatës.
Në vitin 1998, Meksika i kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara pasi nuk e kishin njoftuar qeverinë e atij vendi lidhur me një operacion trevjeçar hetimesh për pastrim parashë të njohur si “Operacioni Kazablanka”, i zhvilluar pjesërisht në tokën meksikane, duke vënë në shënjestër 160 njerëz, mes tyre disa drejtues bankash.
Ekspertët ligjorë thonë se asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk ka juridiksion për t’i mbajtur përgjegjës Shtetet e Bashkuara ose agjentët e saj për veprime të fshehta të zbatimit të ligjit në vende të tjera.
Evan Criddle, profesor i drejtësisë në Universitetin William & Mary në Virxhinia, thotë se ligji ndërkombëtar i ndalon operacionet e fshehta, si ato të përshkruara në memorandum, që zhvillohen në territorin e një vendi tjetër pa pëlqimin e qeverisë së atij vendi.
Ai pret që publikimi i memorandumit të “shkaktojë telashe për Shtetet e Bashkuara, reagime të rrepta diplomatike nga Venezuela dhe të mund të pengojë bashkëpunimin në të ardhmen”.
PUBLIKIMI AKSIDENTAL
Memorandumi “Operation Money Badger” nuk ishte parashikuar që të bëhej publik.
Dokumenti u ngarkua gabimisht në një faqe interneti për ndarjen e të dhënave nga Zyra e Prokurorit të Manhatanit gjatë gjyqit për konspiracion dhe marrje ryshfeti kundër dy ish punonjësve të lartë të DEA-s, të cilët ishin të përfshirë në operacionin kundër qeverisë së Presidentit Maduro.
Dokumenti u hoq nga interneti disa orë pasi një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press filloi të ngrinte pyetje. Dy ish zyrtarët e DEA-s, Manny Recio dhe John Costanzo Jr. u dënuan me burg. /VOA