Ndeshja e këtij 8 dhjetori do të mbahet mend gjatë nga Rei Manaj. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u vendos në qendër të kritikave nga opinioni turk, pas një faulli të shkaktuar ndaj lojtarit të Gallatasarajit, Baris Alper Jillmaz.
Ky i fundit mbeti i dëmtuar në minutat e fundit të ndeshjes, që ekipi i tij fitoi 2 me 3 përballë Sivasporit. Dy reagime kanë qarkulluar deri tani nga Jillmaz, që mbeti i dëmtuar.
“Nuk e kuptova se çfarë ndodhi kur mora goditjen. U tremba shumë kur pashë gjurin tim. U përpoqa ta drejtoja. Nuk dija të duroja dhimbjen e këmbës apo të gjurit”, raportohet nga “Fanatik” të ketë thënë lojtari i Gallatasarajit.
Në rrjetet sociale Jillmaz ka ndarë një foto duke festuar me skuadrën një prej golave. “E mira gjithmonë triumfon në fund”, shkruan krahas fotos së postuar.