Opozita, djegia e karrigeve si precedent…

NGA NDUE DEDAJ

Kishte kohë që i kishte dalë tymi Kuvendit, tash i doli edhe flaka te shkallët e jashtme, në hyrje. Kjo nuk është një flakë olimpike që të gëzohesh se nga pishtari i ndezur i lojërave sportive, pritet do të ndodhë diçka e bukur, siç është fitorja. Nga “djegia” e mandateve, te djegia e karrigeve të deputetëve të PD-së para Kuvendit është një udhë e gabuar fund e krye, që nuk “prodhon” demokraci për opozitën, por pushtet të pakufizuar për palën tjetër, saktësisht kryeministrin aktual, që ka përqendruar në duart e tij aq shumë pushtet sa nuk di si të sillet me të. Le pastaj ta mendosh flakën si rrugë për të ardhur në pushtet, apo për të shkuar në Europë. Ndaj reagoi menjëherë Ambasada Amerikane, ambasadori i BE-së në Tiranë, ambasadori i Anglisë etj.. Thanë pikërisht këtë, që flaka në Kuvend është e papranueshme dhe nuk të çon askund. Vërtetë dënimi i një deputeti të opozitës është diçka e rëndë, por radikalizimi i opozitës për këtë shkak duhej të ishte ndryshe, politikisht i ashpër në foltoren e Kuvendit e jashtë saj, por jo i dhunshëm me djegie karrigesh që do t’i paguajmë sërish ne që ata, djegësit e tyre, të ulën në to. Nëse aktin e djegies së karrigeve nga deputetët e popullit e shkëpusim për një çast nga politika dhe e kundrojmë në anën sociale, edukative, ligjore, çfarë do të ndodhte nëse një grup adoleshentësh, të irrituar nga përjashtimi nga shkolla i një shokut të tyre, ndonëse padrejtësisht, do të nxirrnin karriget e klasës ku mësojnë dhe t’i digjnin para godinës së shkollës në mënyrë demonstrative? Do të krijohej precedent në të gjithë vendin. Ndërsa deputetëve si duket u “lejohet” çdo precedent…!

Flakës ia kemi parë hajrin sa e herë e kemi ndezur! Edhe në ‘97-ën, edhe në ‘98- ën, edhe në 2011 etj.. Është përpara 7 tetori i lajmëruar nga opozita për protestë masive në Tiranë, a do të dimë të sillemi si opozitë, si qytetarë, si mazhorancë?

Është 18 tetori i rihapjes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian, sërish a do të dimë të sillemi si europianë? Është një vit zgjedhor në prag, a do të dimë t’i shmangim “flakët”? Sa shumë pyetje, sa pak përgjigje!

Një qeverisje e korruptuar në çdo segment e qelizë të saj për tri mandate radhazi kërkon përgjegjshmëri dhe strategji të mirëmenduar të opozitës për ta rrëzuar nga pushteti dhe jo veprime politike (!) emocionale të çastit. Por opozita në të vërtetë nuk e ka prijësin që do t’i duhej në sipërmarrjen e saj drejt pushtetit. Dhe jo vetëm opozita. Si qytetarë e themi me bindje e me dhimbje se vendit tonë i mungojnë liderët politikë, pavarësisht fjalimeve që mbajnë dhe aureolave me të cilat i mveshin mbështetësit e tyre të zjarrtë, nga baza në qendër, për interesa thellësisht vetjake. E nëse mazhoranca përdor pushtetin si “lider” të vetin shpirtëror, pasuror dhe partiak, duke e shpërdoruar rëndshëm jo vetëm atë, por edhe vetë shtetin, opozitës i duhet më të vërtetë një lider frymëzues e fitoresjellës, që nuk e kamuflon problemin e tij me ligjin pas frazash për kinse demokracinë e shqiptarëve! Nuk e paragjykojmë për çfarë ka bërë apo nuk ka bërë kreu i demokratëve lidhur me çështjen “Partizani”, ajo i përket gjykatës, ama duhet kuptuar nga të gjithë se pozita e tij e palirë, fjalimet patetike të të njëjtit stil prej tri dekadash e gjysmë, nuk bëhen dot kauzë e demokratëve në aksionin opozitar për fitore. Sa herë është thënë kjo gjë, por lideri historik nuk tundet nga ballkoni i tij i përnatshëm, për t’ua lënë vendin të rinjve demokratë, që do të ishin një shpresë për ndryshimin dhe jo ca partiakë të lodhur të PD-së apo koalicionit opozitar, që synojnë jetëgjatësinë e tyre në politikë, qoftë dhe në opozitë.

Flaka “olimpike” që do të lajmëronte fitoren e opozitës, nuk duhet lejuar të shndërrohet nga askush në “flakë kashte”…/ Gazeta Panorama

Exit mobile version