Opozita e bashkuar ashtu siç paralajmëroi ka bojkotuar seancën plenare në nisje të sesionit të ri duke u mbledhur në Shkodër. Kryetari i PD, Lulzim Basha së bashku me aleatët janë mbledhur, në një seancë të jashtëzakonshme në Shkodër, si mesazh ndaj qëndrese së krimit me mbështetje të politikës.
Në fjalën e tij Basha u shpreh se, në më pak se tre muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer dy persona për të cilët mendohet më e keqja. Sipas kreut të PD, ‘Shkodra po përjeton situatën më të rëndë kriminale të 27 viteve demokraci’.
“Këtu duhet të ishte kryeministri i Shqipërisë dhe jo për të shitur mend e për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve. Por Rama nuk mund të jetë këtu sepse është në Tiranë me Cyrbjen, Taulant Ballën e Xhafën e shumë eksponentë të rilindjes së faktuar si të lidhur me krimin”, tha Basha.
Basha i ka bërë thirrje drejtorit të Policisë së Shkodrës të japë dorëheqjen pas ngjarjeve të fundit në Shkodër. Basha tha se në lagjet e Shkodrës, nuk lëvizet dot lirisht si të jemi në gjendje lufte.
“Kontrollin e kanë bandat kriminelët dhe jo shteti. Dhe sot kam një thirrje, për drejtorin e policisë së qarkut: Jep dorëheqjen dhe largohu menjëherë ose do jesh fajtor si Rama e Xhafaj. E vetmja që të shpëton nga përgjegjësia morale”.
“Vendi ynë nuk mund të jetë një fole krimi, siç është sot godina e parlamentit. Vendi është pranë njerëzve e qytetarëve e sidomos kur ata janë të dhunuar e të frikësuar.
Mbështetje totale për Shkodrën e qytetarët. Shprehim vendosmëri totale, të vëmë në lëvizje instrumentet e një shteti të ndarë nga krimi për të çmontuar organizatat mafioze.
Situata nuk ka qenë kurrë më kritike se sot, nga njëra anë precipitimi i rendit publik, dhe nga ana tjetër kapja e mediave për t’iu shitur shqiptarëve të vërteta të rreme”, deklaroi Basha.