NGA NERITAN VLADI
Gjykata e Apelit ka lënë sot në fuqi një vendim të Gjykatës së Faktit për Ervin Salianji duke e dënuar me 1 vit burg dhe moskandidim në dy mandate.
Është ky fakti, i pëlqen apo jo deputetit, grupit Parlamentar të Sali Berishës apo kujtdo tjetër dhe vendimet e drejtësisë janë të zbatueshme, të ankimueshme dhe aspak të diskutueshme.
Përtej vendimit të trupit Gjykues, sot ky vendim te jep një lexim politik, nxjerr në pah hipokrizinë e madhe të Rithemeluesve të Sali Berishës që hodhën dhe vazhdojnë të hedhin lot krokodili për dënimin e Ervin Salianjit.
Para nisjes së seancës gjyqësore një turrë deputetësh të opozitës së Sali Berishës ishin “krah” (sepse dihen marrëdhëniet konfliktuale në këtë formacion ushtarak). Ervin Salianjit, gjasme në mbështetje të tij, teksa aty mungonin ca figura kyçe të këtij grupimi e lexuesi mundet të hap fotot dhe ta konfirmojë.
Salianji ende pa u dhënë vendimi fliste për një vendim të paracaktuar nga mazhoranca dhe sipas tij i ndikuar nga njerëzit e Ballukut në drejtësi.
Për transparencë i themi z.Deputet sa kohë nuk i është hequr mandati, që nëse është kështu i bie që edhe vulën e PD Berishës ia paska dhënë Balluku për faktin sepse e njëjta gjyqtare që i dha vulën Saliut me porosi të Ramës duke përdorur si “postiere” Ballukun, dënoi edhe Salianjin.
Zoti Salianji mund të ketë të drejtë, mund ta ketë dhe informacion për çfarë ka ndodhur duke qenë pranë dhe një prej kamikazëve rithemelues, sepse kjo nuk është gjë tjetër veçse një pazar i pastër i Sali Berishës me Edi Ramën: Më jep vulën, të lëshojë Salianjin!.
Sali Berisha tashmë pasi mundi t’i vë në rresht edhe ata deputetë të “pabindur”, ka nisur spastrimin e tyre përmes mjeteve të ndryshme.
Në muajt në vijim ish-kryeministrit i duhen vetëm kamikazë dhe nga ata që janë gati të sakrifikohen për ta.
Konkretisht Gazment Bardhit në Fier i turri Luan Baçin dhe mbështetësit e tij, të njëjtën gjë i bëri Agron Gjekmarkajt në Lezhë e sot i mbylli karrierën Ervin Salianjit duke e çuar dhe në burg, e sigurisht do ta bëj dhe me të tjerë, e kush do t’i mbetet do ta skarcojë në primaret e tij.
E gjitha kjo ndodh që Sali Berisha, i izoluar nga SPAK në banesë t’i hap rrugën vajzës së tij Argita Malltezit për tu ofruar dhe drejtuar repartin ushtarak të tij, por për të ardhur kjo ditë duhen spastrimet siç po ndodhin.
Në atë kamp opozitar të gjithë i dinë marrëdhëniet e Salianjit me këta që deri më tani kanë derdhur lot krokodili dhe përbetohen se do të luftojnë fort kundër këtij vendimi që ta çlirojnë vendin nga diktatura.
Hipokrizia vazhdon, mirë që në pazarin Rama-Berisha në turrën e druve ishte dhe Ervin Salianji, por po vazhdohet ende të përdoret prej tyre si një dru që tu shërbejë për ngrohje për të thirrur protesta ndaj një vendimi të drejtësisë sipas tyre të kontrolluar nga Rama.
Për çudi sërish ndërsa opozita e Sali Berishës është grushtbashkuar ndaj vendimeve të drejtësisë, Edi Rama i relaksuar shfaq të kundërtën.
Kryeministri në reagimin e tij ka luksin të vërë gishtin ndaj opozitarëve të Saliut për t’u thënë shqiptarëve: Ja cili është reagimi i tyre kur iu vihet damka e hajdutit nga drejtësia, ndërsa mazhoranca nuk diskuton dhe komenton vendimet e gjykatave!
E ndërsa Rama e shet veten si një person dhe politikan i hapur ndaj hetimeve të drejtësisë dhe mosndikimit të tyre, opozita e Berishës tani është “grushtbashkuar” kundër drejtësisë në të gjitha shkallët nga prokuroritë tek gjykatat pyetja që lind është: Kush do i përfaqësojë 70% të shqiptarëve?
Janë të gjitha mundësitë dhe gjasat që këtë oqean shqiptarësh kundër mamuthëve të tranzicionit dhe korrupsionit që kanë kapur Shqipërinë prej fyti, ta zgjojnë Demokratët Euroatlantik dhe gjithë forcat e tjera, që janë në kohezion për mbrojtjen e Drejtësisë së re dhe çlirimin e votës.