Zonja Kryemadhi e nisi me premtimin e një opozite të fortë kundër qeverisë së Edi Ramës, por Monika Kryemadhi është e detyruar të tregohet e dhembsur me ata, që po i sabotojnë kauzën e opozitës.
Heshtja që shoqëron tradhtinë e dy këshilltarëve të LSI-së, Agim Kraja dhe Genta Mezini, hedh dyshime të forta se gjithçka ishte e stisur, përfshirë edhe prononcimet evazive të Luan Ramës në telefonata, se ai nuk e njihte këshilltaren e LSI-së.
Qytetarët e Tiranës panë dje sesi u mor vendimi i rritjes së çmimit të ujit, me votat e PS-së, të PDIU-së dhe të dy këshilltarëve të LSI-së që sfiduan partinë e drejtuar nga Monika Kryemadhi.
Lojëra të tilla janë mëse të zakonshme në një vend ku votuesit e shesin votën për 5 mijë lekë, por ato tregojnë shumë mbi llojin e opozitës që do të bëjë Monika Kryemadhi në 4 vitet e ardhshme.
Nuk ka asnjë reagim nga kryetarja e LSI-së, herën e fundit u shfaq në publik nga plazhi i Jalës. Heshtja e komprometon. Kur Erion Veliaj përgatiste në Tiranë një prej vendimeve më abuzive kundër qytetarëve, plazhet e Jalës ishin gjëja e fundit që duhet t’i shkonte në mendje një opozitareje.
Janë ditë si këto, që del në pah patetizmi i fjalimeve në sallat e mbushura plot me militantë, por që nuk i fshehin dot pazarllëqet e opozitarëve të rreme.