“Opozita e shkatërruar”, Shemsi Prençi: Lidership i vjetër, nuk ka më çfarë të ofrojë

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, u shpreh se opozita në Shqipëri ndodhet në një krizë të thellë dhe lidershipi aktual është i konsumuar. Sipas tij, vendi ndodhet përpara një rreziku real për destabilizim politik nëse nuk ndërmerren masa urgjente për riorganizim të opozitës.

“Opozita është mëse e shkatërruar me një lidërshpi të konsumuar. Kur them një lidership, nuk e kam fjalën për një person të vetëm. Të gjithë ata që janë konsumuar në politikë, normalisht nuk kanë se çfarë të japin. Nuk duhet që të harxhohet më shumë kohë. Nuk ka më kohë për eksperimente, pasi dalëngadalë në Shqipëri dikush thotë se është duke u instaluar regjimi, e dikush thotë se është instaluar regjimi,”
deklaroi Prençi në emisionin “360 Gradë” në ABC News

Ai përmendi gjithashtu se në diskursin publik po qarkullojnë ide për krijimin e një “fronti antipatronazhist”, që sipas tij, mund të çojë në një përplasje të madhe në vend. Prençi i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri.

“Ka artikulime se në Shqipëri mund të krijohet fronti antipatronazhist, e cila mund të çojë në një përplasje shumë të madhe. Vëmendja e ambasadave në këtë moment në Shqipëri duhet të jetë shumë e lartë, sidomos ajo amerikane. Shërbimi informativ në Shqipëri është ineksident. Opozita ose do të riorganizohet me një lidership të ri, ose përndryshe do të kemi një përplasje të madhe dhe nuk është mirë që Shqipëria të shkojë në këtë përplasje,”
shtoi ai.

Prençi nënvizoi gjithashtu se përmendja e krimit si pjesë e një fronti antipatronazhist është sinjal i qartë se tensionet politike mund të thellohen.

“Fakti që artikulohet krimi si një front antipatronazhist do të thotë që ka përplasje,” përfundoi ai.

Exit mobile version