Nga Ardi Stefa
A ka rëndësi demokracia për Shqipërinë? A e duam ne vërtet një Shqipëri demokratike? Kësaj pyetjeje pa diskutim që do t’i përgjigjeshim të gjithë: “Po, e duam demokracinë!”
Atëherë të vijmë tek pyetja e radhës: “A është në rrezik demokracia në vendin tonë?” Unë do thosha “Po!”, me plot gojën.
Kush është fajtori?- do të ishte pyetje e radhës. Përgjigjja mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve, por si pozita, ashtu edhe opozita janë përgjegjëse për demokracinë e rrezikuar.
A ka nevojë Shqoipëria për rotacion politik pas 12 vitesh qeverisjeje të socialistëve? Po, pa diskutim do të përgjigjeshin shumica e qytetarëve. Madje rotacioni duhet të kishte ndodhur në 2021.
Por…
Gjithmonë ka një por… Dhe kjo ka të bëjë me opozitën aktuale.
Sa e gatshme është të marrë drejtimin e vendit.
Garancia e vërtetë e demokracisë është padyshim ekzistenca e opozitës. Çdo përpjekje për ta zhbërë opozitën është përpjekje për të zhbërë demokracinë.
Ndryshe mazhoranca mund të shndërrohet fare mirë në një autoritarizëm të papërmbajtshëm e për rrjedhojë, në një sistem autoritar, detyrimisht të rrëzueshëm me revolucion. Sigurisht është e qartë se mazhoranca bën qeverinë, por opozita ka po aq rëndësi, jo vetëm se lufton që të mos lejojë gabime të qeverisjes dhe është pasqyra ku pozita të shohë veten e të korrigjohet, por dhe sepse, në fund të fundit, demokracia është përfaqësuese.
Por, në Shqipëri opozita zgjedh t’i shikojë gjërat me logjikën: “JO për gjithçka”, “të gjitha ose asgjë”. Të refuzojë atë që mund të bëhet me kushtet aktuale, në emër të asaj që duhet bërë në mënyrë ideale.
Këtu nuk po flas për çështje për të cilat ka referenca të respektuara dhe të kuptueshme ideologjike apo vlerash. I referohem çështjeve apo iniciativave me një përfitim përgjithësisht të pranuar për shumë njerëz. Çfarë bën opozita në raste të tilla? Ajo ka vendosur paraprakisht për “JO për gjithçka” apo “të gjitha ose asgjë”, ndërsa në thelb, bie dakord për drejtimin. Pra, duke vendosur paraprakisht se nuk është dakord, shpik pretekste të ndryshme, kërcënon: “nuk është zgjidhje gjithëpërfshirëse”, “nuk mjafton për të gjithë”, “e kush do të thotë që nuk do të ndodhë kështu apo ashtu… “.
Ajo që opozita harron është se shumë probleme nuk mund të presin kërkimin e një zgjidhjeje ideale. Dhe se ato nuk zgjidhen me magji, por hap pas hapi, me prova, ndonjëherë me dështime, me përmirësime. Edhe ato që ne i quajmë “prerje” dhe “kërcime” bëhen sepse janë studiuar mirë paraprakisht. Realiteti kompleks nuk ka zgjidhje as të lehta e as të shpejta. Këtë le ta ketë parasysh opozita, sidomos kur ka ambicie më të larta, qeverisëse…
Nga ana tjetër qeveria çfarë do?
Një opozitë që do t’i thotë “jo” gjithçkaje, që vetëm do të hedhë gurë dhe nuk do të propozojë asgjë, apo një opozitë që do të bëjë amendamente, do të marrë iniciativa dhe do të paraqesë një agjendë politike.
Shumë dyshim kam se qeveria do pikërisht të parën: opozitën konfliktuale, që i thotë “Jo” gjithçkaje, që nuk ka iniciativa apo agjendë politike.
Pikërisht sepse opozita nuk ka një propozim alternativ qeverisjeje shkon në ekstremin e mohimit dhe të denoncimit të gjithçkaje, vetëm e vetëm që të thotë se po bën opozitë ndaj çdo propozimi apo vendimi të qeverisë pa dallim. Në fund të fundit synojnë mosqeverisjen dhe, pikërisht për këtë, është e papërshtatshme të marrë përgjegjësi qeverisëse për të mirën e përgjithshme.
Ekspozohet, anulohet dhe në fund praktikon një kundërshtim të verbër dhe një opozitë të kotë të “jo-së për gjithçka” dhe “po-së për asgjë”. Dhe qytetarët shohin, gjykojnë dhe nxjerrin përfundimet e tyre.
Pa diskutim që Shqipëria ka nevojë për një qeverisje të fortë, por në të njëjtën kohë ka nevojë edhe për një opozitë po të fortë, që mund t’i bëjë ballë, pa kërcënime e ulërima të kota dhe kritika, të cilat kur përsëriten pa argumente shndërrohen në të pabaza.
Opozita duhet tashmë të kuptojë se një opozitë “jo për gjithçka”, pvrësisht se mund të jetë në të drejtën e Zotit, nuk është e pranueshme për shoqërinë shqiptare, e cila në këto 34 vite tranzicion ka kaluar një jetë politike shumë toksike dhe tashmë i percepton nga kilometra larg prirjet partiake dhe populiste që kundërshtojnë të mirën e përbashkët dhe përparimin e saj.
Sepse nuk është normale që opozita të thotë “jo” në çdo gjë. T’u thotë jo personave, ideve, nismave, ligjeve. Të akuzojë e paragjykojë gjithçka e gjithkënd e t’i thotë “PO” gjithçkaje të vjetër e regresive që ka në gjirin e saj: njerëzve, figurave të vjetëruara, të konsumuara, të provuara e humbëse, linçimit të kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm; t’i thotë “PO” regrersit e mungesës së ideve dhe “JO” të resë, njerëzve të rinj, ideve të reja, diversitetit e oponencës së mendimeve.
A kemi nevojë për një opozitë që do të debutonte politikisht me ide e veprim në arenën opozitare, apo një opozitë që ka vendosur të fshihet nën “JO-të” që dëgjohen në sallën e Kuvendit, por edhe në altoparlantët e shoqërisë.
Por një gjë është e sigurtë: Shpesh herë shoqëria i thotë “Jo” një opozite të tillë, që thotë “jo” çdo gjëje, i thotë “jo” një opozite jo të zgjuar dhe jo konkurruese.