Opozita paska trembur SPAK për Veliajn, por s’po e tremb dot për Berishën

Nga Desada Metaj

Protestat e përjavshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës me gjasë po shkojnë drejt mbylljes. Jo se patën ndonjë sukses të madh veç tymit të gomave dhe shashkave të zhurmshme, por të paktën për disa javë ato shërbyen si e vetmja shkëndijë e shpirtit opozitar, edhe pse fitili nuk ndezi kurrë dhe pjesmarrja ishte nga më të voglat e PD në vitet e fundit.

Thirrjet e protestës së Këlliçit për SPAK “hetoni Veliajn”, i përgjigjej jehona e Berishës në mbrëmje “Dumani kreu i bandës së prokurorëve”. Konfuzioni dhe mungesa e moralit të opozitës nuk prodhoi gjë tjetër veç demotivimit dhe uljes së numrit të protestuesve.

E si rrjedhojë duhej gjetur një arsye për të mbyllur një protestë që nuk qullosi asgjë të prekshme. Dhe duket se PD tashmë me vulë e gjeti arsyen.

Dhe për këtë ishte caktuar Luçiano Boçi. Sot ai e gjeti arsyen që detyroi SPAK të vendosë sekuestro pasurive të drejtorëve të Bashkisë pikërisht tek presioni i madh i protestës së PD para zyrës së Erion Velisë. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme është detyruar nga disa dhjetra protestues të marrë masa urgjente jashtë agjendës së saj për drejtorët e Veliajt. Ndaj qëllimi i protestës ishte arritur.

Aq i sigurtë dukej ish- deputeti Boçi në këtë arsyetim dhe mbështetje të SPAK për aksionin e sekuestrimit, sa duket e vështirë të gjejë fjalët nëse sot apo nesër në mbrëmje do t’i duhet të flasë tek “Rrugica e Shpresës”.

Dhe atje lavdet për SPAK nuk pijnë ujë. Atje nuk ka ç’bën tjetër veç se të rendisë të gjithë shkeljet dhe abuzimet që bën SPAK dhe Altin Dumani. Që për eksponentët e PD-në pasi perëndon dielli bien nga froni i heronjve që luftojnë korrupsionin e mazhorancës dhe shndërrohen në fajtorët e krizës së besimit dhe organizimit që ka sot opozita.

Tani që kanë probleme me koherencën dhe qëndrimet kjo nuk është as e re dhe as do shumë mend për ta kuptuar. Që besojnë se me shkarpa mund të ndezin motorrët e SPAK edhe këtë e kuptojmë.

Po si ka mundësi që ky SPAK u tremb nga protesta para Bashkisë njëherë në javë e nuk po lëviz nga vendi për një tjetër protestë të përnatshme me shumë zhurmë e turfullime? Mos ndoshta Këlliçi është zë dhe krah më i fortë se Berisha?

Dhe meqë me këtë arsyetim nuk bindin dot as veten, mirë është që t’i japin pak më shumë krahë fantazisë për të sajuar një arsye më bindëse për mbylljen e protestës para Bashkisë.

Por dhe të përgatiten mirë, me slogane, shashka, foni dhe bluza të printuara “free Berisha” për protestën e datës 11. Se ku i dihet, ndoshta ja dalin këtë herë dhe e detyrojnë SPAK-un të ndryshojë vendim dhe qëndrim për Berishën… e në mos ja dalin dot me një herë, ta zhvendosin protestën nga dera e Bashkisë tek dera SPAK-ut.

Se me këto ritme, mund t’ju duhet të ngrenë dhe një çadër provizore atje. E të ndajnë kohën dhe shpenzimet me ata që ditën janë me “regjimin e Ramës” ndërsa natën japin leje dhe financojnë kullat e opozitës!

Exit mobile version