Opozitarët duan fitore në zgjedhje, jo disa vende pune në Parlament për njëjtët fytyra të 34 viteve

Nga Naim Hasani
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë
(Dega Britani e Madhe)

Me shumë gjasë, pak më shumë se 7 muaj na ndajnë nga dita kur qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur edhe për 4 vitet e ardhshme ata që do t’i qeverisin deri në vitin 2029.
Logjika e do që, pas 12 viteve pushtet, tejet konsumimit në drejtim, skandaleve të pafundme, PS dhe Rilindja ta kenë të sigurt humbjen. Me çfarë ka ndodhur në Shqipëri prej vitit 2013 ku Rama dhe Rilindja nuk ka mbajtur asnjë premtim, kanabizuan Shqipërinë, përballen me skandale korruptive që sa vijnë dhe shtohen, prangave të hedhura nga SPAK ndaj drejtuesve të mazhorancës, deri tek shpallja në kërkim e zv.kryeministrit, nuk duhet që PS të fitojë një mandat tjetër.
Por çfarë po ndodh në politikën e ditës në Shqipëri?!
Që PS të largohet nga pushteti duhet që opozita të jetë në lartësinë e saj, të jetë e besueshme tek shqiptarët. Besimi përçohet përmes figurave të pakonsumuara dhe të pakorruptuara, të palidhura me krimin, të distancuar qartë nga e shkuara. Politikanët opozitarë kanë mjaft mëkate në kurriz të qytetarëve shqiptarë! Për fat të keq opozita në Shqipëri, po tentohet të merret peng nga disa persona që e konsiderojnë politikën me “tapi”. Kjo është një sjellje komuniste aspak e ngjashme me asnjë vend në botën perëndimore, madje edhe në rajon po të doni. I fundit që ka hapi krahun për të mos mbajtur peng zëvendësimin e elitave në rajon ishte Milo Gjukanoviç në Malin e Zi.
Ah, në fakt dy vende ku elitat politike nuk ndërrohen prej dekadash janë Shqipëria; me partitë e Ramiz Alisë me trashëgimtarët (Rama-Berisha-Meta) të cilësuar tashmë nga i vetmi politikan perëndimor  Lulzim Basha si; Trekëndëshi i Bermundës, duke i cilësuar këto forca si zbatuese me përpikmëri të KATOVICËS, por dhe SERBIA me pasardhësin e Slobodan Milloshevicit ish-zëdhënësin e tij Vuçiç! Në të gjitha vendet e tjera elitat politika janë transformuar dhe reformuar!
Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Ish-drejtuesit politik të tranzicionit përmes mekanizmave të tyre të cilat nuk iu mungojnë duke qenë se kanë qenë “zotër” të kontrollit të territorit në këto 34 vite, karrierave, por dhe jetës së shqiptarëve, duan të mos lëshojnë pe. Së fundmi pa pikën e turpit madje u kthyen tek veset e vjetra siç është pazari (ndodhur më parë në vitin 2008) për llokmat e tyre, pa pasur epiqendër qytetarin shqiptar.
Ajo çfarë është e pakuptimtë dhe e patolerueshme për shqiptarët e ndershëm është pazari i “gjësë së gjallë”, ku Sali Berisha i cili ka marr peng opozitarizmin duke e ditur që nuk vjen në pushtet, për faktin sepse është braktisur nga shqiptarët të cilët nuk do të bëjnë hapa pas me rikthimin e tij, por edhe se është “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe ka zero marrëdhënie të tjera ndërkombëtare, pranoi t’i fal pushtetin në tavolinë Edi Ramës përmes rënies dakord për miratimin e Kodit Zgjedhor.
Deputetët e PD vënë tashmë nën kontrollin e Berishës që ndiznin flakadanë e hynin dritaresh nga Kryesia e Kuvendit për gjënë më koti, nuk gjetën kohë ta bënin këtë gjë për të kërkuar rikthimin e koalicioneve si dhe listat e hapura në zgjedhjet e vitit 2025, si një ndër garancitë për fitoren e opozitës, sepse maksimizon çdo votë. Votimi në bllok si dele ishte turpi i tyre, tradhtia ndaj demokratëve por dhe opozitarëve, por dhe falja e pushtetit Ramës!
Lulzim Basha ka deklaruar që Sali Berisha i pati thënë kur e shpalli non grata SHBA se nuk do të pyeste për asgjë përpara fatit personal dhe familjes së tij. E kështu ka ndodhur, opozitarizmi nisi përmes strategjisë së partive të Ramizit të merret peng. Edi Ramës sigurisht që i intereson Sali Berisha si kundërshtar për ta shitur si delen e zezë para shqiptarëve sikur në fakt e përdori edhe në vitin 2021 (votoni Lulin por do keni Saliun dhe Metën), por që tashmë e ka edhe më të lehtë, teksa Berisha është i izoluar në arrest shtëpie në katin e 8, por dhe nga ndërkombëtarët politikisht. Pas 3 mandatesh në opozitë kërkohet që figurat e konsumuara të PD të cilat prej 1992 nuk iu kanë ikur nga sytë të hapin krahun dhe të lejohet konkurrencë në parti. Kjo është mjaft e rëndësishme të ndodh më qëllim që intelektualët, profesionistët, të rinjtë që duan angazhim në politikë të vijnë dhe japin kontributin e tyre pa u penguar dhe duke pasur garanci që nesër do jenë ata zbatuesit e ideve dhe projekteve që sjellin për një Shqipëri Europiane.
I vetmi politikan që deri më tani ka treguar qartësi në raport me atë çfarë kërkon të arrijë dhe bëjë është Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë. Zoti Basha ka gati programin përgatitur nga ekspertët më të mirë të cilin edhe e ka prezantuar duke iu bërë thirrje profesionistëve, intelektualëve, studentëve, mjekëve arsimtarëve etj, të vijnë dhe t’i bashkohen për zbatimin e tij.
Zoti Basha flet për një Shqipëri ndryshe, të zhvilluar, ai është i hapur ndaj shqiptarëve për të dhënë secili kontributin e tyre, është për konkurrencë në politikë dhe kudo ndaj dhe është pro listave të hapura sikurse në mënyrë kategorike është shprehur kundër moskthimit të koalicioneve.
Dy partitë me përfaqësuesit e Ramiz Alisë votuan të mbyllin listat, të mos ketë koalicione sikurse dhe asgjë më rëndësi nuk është bërë në Kodin Zgjedhor për votën e emigrantëve.
Sali Berisha dhe tabori i tij pasi i falën mandatin e katërt Edi Ramës, gjithnjë nëse SPAK si shpresa e shqiptarëve nuk do të godasë këta të korruptuar, kujdesen vetëm për ca vende pune në Kuvend ku prioritet do të jenë bërja deputet e besnikëve të qëndrimit probunker Sali, antiperëndim, antiSHBA dhe antiBritani e Madhe!
Nuk është ky halli i opozitarëve, as i shqiptarëve. Opozitarët dhe shqiptarët duan ndërrim të pushtetit,  jo disa vende pune në Parlament për të njëjtat fytyra të 34 viteve që i kanë gënjyer në mënyrë sistematike dhe i njohin shumë mirë.
Për të arritur këtë qëllim duhen rregulla të qarta loje, që partitë politike të shkojnë para shqiptarëve me emra të pakonsumuar dhe të pakorruptuar si dhe PD të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, Britani e Madhe dhe BE. E kundërta vetëm sa e fut në bunker PD dhe mban Ramën në pushtet!

Artikulli paraprakMos u ngatërro me SPAK-un dhe kujdes kujt i jep tenderë! Mesazhet që dha zyrtarja e DASH-it…
Artikulli tjetërKëto 7 ushqime ndihmojnë në uljen e kolesterolit në gjak