Opozitë alla Frankenshtajn…

Nga Ardi Stefa

“Shqiptarët janë një popull, që lexon shumë gazetën!”,- i thotë një moment prifti gjeneralit në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur!” Të Kadaresë.

E vërtetë është!
Shqiptarët kanë qenë një popull tejet i politizuar, i cili dikur të vetmin burim informacioni kishte të vetmen gazetë që botohej apo radio që dëgjohej.
Edhe sot jemi njerëz të politizuar, por edhe pse nuk lexojmë apo lexojmë vetëm titullin e lajmeve në FB e portale; duke qenë se nuk dëgjojmë, sepse përtojmë, vazhdojmë të komentojmë e gjykojmë nëpër kafene apo plazh.

Padyshim që vera ka nevojë për llogje që të shtyhet dita në plazh.

Por nuk është fenomen ekskluzivisht yni, ky!
Në gjithë botën merren me qeveritë e tyre. Çfarë bënë, çfarë nuk bënë dhe çfarë do të bëjnë.
Madje edhe në ato vende, të cilat nuk kanë qeveri, përpiqen të kenë qeveri.

Ndryshe nga gjithë bota, në Shqipëri merremi me opozitën.
Çfarë bëri, çfarë do të bëjë, si do ta bëjë…

Çështje këndvështrimi.

Në një këndvështrim është e drejtë të merresh me opozitën, pasi ajo do të jetë qeveria e nesërme dhe po nuk u pastrua e rregullua opozita ndryshimi nuk vjen.

Ndërkohë mediat janë të mbushura me shkrime, kronika, ide, propozime dhe llogje të tjera se çfarë u tha Berisha poshtëballkonistëve; çfarë deklaroi Basha përpara strukturave; në cilën strukturë apo mal e lëndinë shkeli Meta; a u bë më në fund “amazonë me taka” Monika; çfarë leksioni për demokracinë dhenë muli, Albana apo djali i të ndjerit Gaqo Nesho…

Disa duan që dy ose më shumë pjesët të bëhen një. Të tjerët duan që të bëjnë të dyja një të tretë, disa kërkojnë që të ndiqet metoda e Frankenshtajnit, që copat e vdekura të bëjnë një të gjallë!

Por të kesh “mendjen” te “politika” kur zhytesh në det është e çuditshme.

Atëherë?

Shumë nga ata që merren me opozitën shqiptare mendojnë, se ajo është diçka serioze dhe e rëndësishme! Dhe njerëzit kanë interes për të!

Budallallëqe! As serioze është, as e rëndësishme!

Të gjitha vendet në botë ecin përpara kur kanë një qeveri të mirë. Asnjë vend nuk u zhvillua ndonjëherë ngaqë kishte opozitë të mirë. Opozita e mirë i bën presion qeverisë të bëjë punë të mira.

Por qwveria në Shqipëri nuk ka ndërmend të bjerë!

Nga ana tjetër kujt i intereson se sa opozita do ketë vendi? Dy, tre apo shtatë?

Kujt i intereson se cila është opozita e vërtetë, opozita peng, e shitur dhe e pashitur?

Pasi ky lloj diskutimi përcakton rëndësinë dhe seriozitetin e saj.

Në Shqipëri flasim për opozitën, ngaqë pafuqia dhe pazotësia e saj nuk është një gjë që i përket vetëm asaj, por të gjithëve ne.

Sepse populizmi i opozitës, nuk do të bëjë që, si me magji ajo të bëhet më e fortë, të bien çmimet, të ulet papunësia, të ndalet shpopullimi dhe të hamë me lugë floriri.

Por, kjo çështje kaq serioze e humbet rëndësinë dhe seriozitetin kur shikon se cilët përfshihen në debat!

Dhe nuk dua të përmend emrat e udhëheqësve të opozitës, sepse i kam përmendur shumë herë dhe duket sikur faktorizoj idiotësinë dhe gjuhën e drunjtë me atë fjalorin 100 fjalësh të tyre…

Këtu qëndron thelbi. Të gjithë ata (bie fjala)… debatojnë se “kush” që nuk ekziston. Dhe refuzojnë të diskutojnë se “si” dhe kryesisht “pse”, të cilat janë thelbi i diskutimit.

Dhe pastaj bëjnë teori për bashkimin e opozitës.

Por, edhe po u bashkua sipas modelit të Frankenshtajnit, prapëseprapë e vdekur është!

Artikulli paraprakBasha: Me taksën e sheshtë 9% i japim fund tiranisë mbi shtresën e mesme dhe sipërmarrjen, sigurojmë mirëqenie për familjet shqiptare
Artikulli tjetër“Mora një plumb për demokracinë”- Donald Trump flet sërish për atentatin: Jam gati të marr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë