Nga Trëndelina Gashi
Korea e Jugut u vu në qendër të lajmeve botërore për shkak të intensitetit të ngjarjeve të ndodhura brenda pak orësh. Presidenti i vendit shpalli ligjin ushtarak. Ushtria u dislokua rreth parlamentit. 190 deputetë (nga 300 që ka parlamenti) arritën të depërtojnë rrethimin ushtarak dhe votuan unanimisht për rrëzimin e ligjit ushtarak. Qytetarët dolën të demonstronin kundër vendimit të presidentit dhe forcave të ushtrisë. Forcat e policisë u rreshtuan në mbrojtje të parlamentit e kundër ushtrisë. Presidenti pezulloi ligjin. Qeveria miratoi rrëzimin e ligjit ushtarak. Partia në pushtet e presidentit kërkoi falje për shqetësimet që u krijuan për njerëzit. Ministri i mbrojtjes ofroi dorëheqjen. Kjo është ngjarja. Veprimet e fjalët e mëpasme janë pasojat, përfshi edhe analizat që do të bëhen për të kuptuar se ç’ndodhi, përse ndodhi dhe çfarë pritet të ndodhë me presidentin dhe të tjera figura politike.
Ndoshta ngjarja nuk do të shpaloset kurrë plotësisht. Me shumë gjasë ajo do të mbetet të shpjegohet me skemën që po konsolidohet deri tani. Një luftë politike e fortë mes presidentit që ka formuar qeverinë dhe opozitës që ka shumicën në parlament. Veprime ekstreme të presidentit për të shuar akuzat që i bëhen për korrupsion, përfshi bashkëshortes së tij, si dhe për të frenuar goditjet që pritej të jepte opozita ndaj prokurorëve (ish-kolegë të presidentit), të cilët nga ana e tyre po përgatiteshin të akuzonin për korrupsion liderin e opozitës, që pritet të jetë presidenti i ardhshëm. Më parë vetë presidenti në rolin e prokurorit ngriti akuzë për korrupsion për ish-presidenten e vendit. Konflikti mbruhej prej disa muajsh dhe u shoqërua me zemërim publik për shkak të mënyrës se si po menaxhoheshin akuzat për korrupsion dhe në veçanti pamjet filmike që tregonin pranimin e një çante të kushtueshme dhuratë nga bashkëshortja e presidentit. Kjo e fundit edhe më herët ishte vënë nën akuza, përfshi edhe atë të plagjiaturës në punimin për marrjen e gradës doktor, aq sa me zgjedhjen president u ndërmor hapi që të shkrihej zyra e zonjës së parë. Ky është konteksti politik dhe i interesit publik i kësaj ngjarjeje.
Korea e Jugut është njëra nga pjesët e Gadishullit të ndarë të Koresë, në kufi me Korenë e Veriut, shtet diktatorial komunist dhe posedues i armëve bërthamore. Korea e Jugut aleat i SHBA-së dhe Korea e Veriut aleat i Kinës dhe Rusisë, i ka ofruar kësaj të fundit forca ushtarake për luftën në Ukrainë. Korea e Jugut po ashtu është në kufi me Kinën komuniste, një tjetër shtet që po shfaqet më i afërt me Rusinë nga momenti i nisjes së konfliktit në Ukrainë. Presidenti i Koresë së Jugut konsiderohet aleat i fortë të SHBA-së. Ndërsa vetë SHBA-ja është në proces kalimtar të pushtetit presidencial dhe ka patur histori akuzash e procesesh për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e kaluara. Më gjerëjanë disa vatra konflikti dhe disa vende me probleme politike (më të fundit rrëzimi i qeverisë në Francë dhe zgjedhjet e parakohshme në Gjermani) në botë me një përballje pothuaj tëdrejtpërdrejtë në mes SHBA-së dhe Rusisë, me Kinën që anon nga Rusia. Ky është konteksti delikat gjeopolitik i kësaj ngjarjeje.
Korea e Jugut nuk është vend i panjohur me situata të tilla kur pushteti politik kalon nga ligji civil në atë ushtarak. Nga themelimi i saj në vitin 1948, kur ligji ushtarak u shpall nga presidenti i parë i vendit për të shtypur komunistët, ka patur njëseri rastesh të shpalljes së këtij ligji. Ajo çka ndryshon këtë radhë është largësia kohore nga hera e fundit kur në Korenë e Jugut u shpall ligji ushtarak, në vitin 1980. Sipas analistëve, të rinjtë në Kore nuk janë madje as të njohur me një koncept të tillë. Ky është konteksti historik i ngjarjes.
Ajo çka pritet më së afërmi është fillimi i procedurave për ngritjen e akuzës ndaj presidentit. Pavarësisht rrjedhës që do të marrin ngjarjet në Korenë e Jugut prej tyre arrihen disa përfundime shumë interesante politike, për raportet e forcave dhe mekanizmat e shteteve demokratike, të cilat bëjnë që këto ngjarje të ngjajnë edhe situatën në Shqipëri, apo të ndriçojnë mëshumë mangësitë që ka politika dhe ngrehina shtetërore nëShqipëri.
Së pari, u konfirmua edhe njëherë se sa i rrezikshëm është korruptimi i klasës politike dhe çfarë pasojash, deri fatale, sjell korrupsioni në një vend. Krijohen përplasje të forta politike dhe ngasje për të shuar me dhunë çdo përpjekje për hetimin e korrupsionit.
Së dyti, u konfirmua që korrupsioni ndër familjarët e politikanëve është një element që e bjerr dinjitetin e politikanit. Konflikti që i krijohet njeriut politikan mes nevojës së mbrojtjes së familjes (nevojë instinktive) dhe mbrojtjes së familjes politike apo institucioneve të shtetit po ashtu çon në përplasje të forta politike dhe institucionale. Dhe kur konflikti i njeriut politikanzgjidhet në favor të mbrojtjes së familjes kjo shkatërron ekuilibret shoqërore dhe besimin, e nxit zemërim.
Së treti, u konfirmua nevoja që institucioni i akuzës publike (prokuroria), sidomos në proceset e luftës kundër korrupsionit të politikanëve, ka nevojë të jetë i pavarur dhe i zhveshur nga çdo motiv politik. Janë dy momente tepër interesante në ngjarjen e Koresë së Jugut që ndërthurin prokurorinë me luftën politike. Vetë presidenti ka mbajtur postin e prokurorit që ngriti akuzën e suksesshme dhe ish-presidentja u dënua për korrupsion. Mbi këtë bazë ish-prokurori arriti të sigurojë mbështetjen për tëmarrë postin e presidentit nga partia kundërshtare me ish-presidenten (pak rëndësi kanë krahët politikë përkatës). I gjendur shumë shpejt me mbështetje publike në rënie për shkak edhe të veprimeve të diskutueshme të bashkëshortes (burimet mediatike tregojnë për shkallë shumë të ulët përkrahjeje prej 19%), presidenti nisi përplasjen e fortë me partinë kundërshtare,që ndërkohë ka shumicën në parlamentin e Koresë. Dhe përsëri ishte nisur mekanizmi i akuzave për korrupsion ndaj liderit tëpartisë kundërshtare. Dukshëm ngërthimi i institucionit të akuzës me luftën politike sjell konflikt dhe përmbys ekuilibra.
Së katërti, u konfirmua që një opozitë e cila mban qëndrim parimor arrin të sigurojë mbështetje popullore edhe përballë ushtrisë, e madje dhe të ketë sukses. Në Korenë e Jugut njerëzit dolën në rrugë në mbështetje të asaj çka e perceptuan si mbrojtje të demokracisë dhe u përballën drejtpërdrejt me ushtrinë.
Së pesti, u konfirmua që kur ka institucione reale qëfunksionojnë në mënyrë të pavarur arrihen më së mirë tëushtrohen kontrollet dhe të ruhen ekuilibrat. Kështu mbrohet demokracia, edhe kur përballë ka ushtrinë.
Së gjashti, u konfirmua që interesi politik i një partie është mbi interesin e ruajtjes së pushtetit afatshkurtër apo të individit tëpushtetshëm politik. Sepse interesi politik i partisë konsiderohet jetëgjatë dhe nuk mund të lihet peng i interesit individual. Ështëpartia e vetë presidentit të Koresë së Jugut ajo e cila më së pari kërkoi falje për shqetësimin e krijuar me shpalljen e ligjit ushtarak.
Së shtati, u konfirmua rëndësia e pasjes së një opinioni publik të fortë dhe reagues si masë kontrolli mbi politikën. Ka qenëzemërimi publik i popullit korean, që nuk ka pranuar si tërregullt qoftë dhe dhuratën e një çante dore për bashkëshorten e presidentit, dhe më pas rreshtimin në përkrahje të parlamentarëve për të rrëzuar ligjin ushtarak. Kështu mbrohet demokracia.
Së fundi, u konfirmua se tashmë është e tejkaluar metoda e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me ligje apo puçe ushtarake. Edhe nëse e gjithë ngjarja më në thellësi ka shpjegimin sipas kontekstit gjeopolitik, përsëri asnjë nga mësimet e mësipërme nuk rrëzohet si i pavlefshëm. Përkundrazi, konfirmohet që për hir të stabilitetit dhe të një interesi gjeopolitik nuk duhet harruar respektimi i pafrimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe tëdemokracisë. E thënë më qartë, nuk duhet të mbrohet individi politik i korruptuar me çdo kusht.
Ngjarja ndodhi në një vend gjeografikisht të largët, në Korenë e Jugut. Por ngjarja nuk është shumë e largët dhe ndryshme nga ngjarjet e përditshme që ndodhin në politikën dhe shtetin shqiptar. Edhe në Shqipëri në fillim të viteve ’90 patëm njëpresident që pas rrëzimit të shtatores së diktatorit komunist dhe me mbështetje të ushtarakëve të zemëruar nxori në rrugëushtrinë dhe shkriu institucionet kushtetuese. Forca reaguese opozitare popullore e asaj kohe arriti të frenojë disi, por joplotësisht këtë vendim antikushtetues. Prej asaj kohe, shteti shqiptar dhe demokracia në Shqipëri janë rrënuar në mënyrësistematike nga “puçe institucionale” të mëdha e të vogla, qëkanë çuar në përqendrimin e pushtetit, në dobësimin e institucioneve, zhvlerësimin e votes dhe shndërrimin e administrimit të vendit në një pazar politik e individësh politikë.Në rrethana të tilla kërkohet një opozitë që udhëhiqet nga objektivat të parimtë dhe organe akuze të distancuar me çdo krah politik. Për momentin këto duket të jenë dy mekanizmat kryesorë që mund të korrektojnë çekuilibrin që ka pësuar raporti pushtet politik me të drejtat e popullit dhe deformimin e demokracisë.