Mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile kanë kundërshtuar sot vendimin për mbylljen e platformës së TikTok nga qeveria në Shqipëri, duke e cilësuar një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin e TikTok-ut dhe të nisë një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile, organizatat mediatike, avokatët e të drejtave digjitale dhe partnerët ndërkombëtarë”, citohet në deklaratën e përbashkët të organizatave.
Reagimi erdhi nga Rrjeti SafeJournalists (SJN), partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR) dhe organizata të ndryshme, mes të cilave edhe Citizens.al.
Më 6 mars ministrja e Arsimit, Ogerat Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë njoftoi se mbyllja e TikTok-ut do të realizohet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike. Sipas njoftimit, mbyllja parashikohet të ndodhë brenda kësaj jave.
Organizatat i druhen një veprimi të tillë me argumentin se mund të krijojë precedentë shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin. Ky veprim rrezikon t’i hapë rrugën kufizimeve të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e shprehjes dhe qasjes në internet në mënyrë më të gjerë.
“Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale”, vijon deklarata.
Ajo që shihet si shqetësuese është edhe momenti kur erdhi vendimi, rreth dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Mbyllja e kësaj platforme konsiderohet ndikuese në kufizimin e aktivitetit politik, sidomos të të rinjve që votojnë për herë të parë, por edhe për lëvizjet e reja politike, që nuk janë afirmuar.
“Qeveria rrezikon të shtypë këto zëra në zhvillim, të dobësojë pluralizmin politik dhe të krijojë një efekt frikësues që mund të shtrihet përtej përdoruesve të TikTok-ut, duke ndikuar gazetarët, krijuesit digjital, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të procesit demokratik”, theksohet në reagim.
Propozimi për mbylljen e TikTok-ut nga qeveria Rama erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një moshatar, në dalje të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Duke mos analizuar asnjë faktor të problemeve strukturore të shkollave, si numri i pamjaftueshëm i psikologëve, apo i oficerëve të sigurisë, apo edhe duke anashkaluar përgjegjësinë e institucioneve, Rama propozoi si zgjidhje parësore eliminimin ose censurimin e TikTok-ut./citizens.al