Organizatat e mediave shprehin shqetësim për publikimin e videove të dhunshme

Një nga lagjet më të populluara të Tiranës u trondit me datë 19 gusht pasi një oficer i policisë së Kufirit (Fatjon Goxhara) plagosi me armë zjarri një shtetas tjetër në mes të rrugës në orët e mesditës.

Ngjarja u trajtua gjerësisht nga media për shkaqet që çuan në këtë krim, por ajo që tronditi dhe më shumë opinionin ishte publikimi i një video me përmbajtje sensitive që autori i krimit i kishte bërë viktimës pasi e kishte qëlluar.

Kjo video u shpërnda në media dhe u publikua në shumë portale online, por dhe nga televizionet në edicionet informative, pasi autori u dorëzua në polici disa ditë pas ngjarjes.

Ky nuk ishte rasti i veçuar, pasi të hënën një tjetër video ku dy vajza shihen që dhunojnë një vajzë tjetër në një restorant të Tiranës u publikua po ashtu në media, ndërkohë që ngjarja e ndodhur disa javë më parë është në hetim dhe autoret e krimit nuk janë kapur akoma nga policia.

Policia e Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN nëse janë marrë masa për të zbuluar nëse videot kanë rrjedhur nga radhët e policisë gjatë hetimit të çështjeve.

Ndërkohë, publikimi i tyre ka ringritur shqetësimin te organizatat e mediave për shkelje të etikës gazetareske dhe cenim të dinjitetit të njeriut.

Në një deklaratë publike Instituti i Medias Online dhe Sociale (IMOS Albania) shpreh shqetësim dhe thotë se publikimi i tyre nuk është në shërbim të interesit publik.

“Kjo organizatë u bën thirrje gazetarëve, redaktorëve, kryeredaktorëve dhe menaxherëve të portaleve dhe faqeve të njohura online, përfshirë ëeb-faqet e televizioneve, që të respektojnë etikën dhe të heqin postimet për videon e plagosjes me armë zjarri të shtetasit L.K nga një efektiv policie dhe të shtetases K.P nga dy shtetase të tjera”, shkruhet në reagim.

Edhe aktivistë të tjerë të medias e quajnë të pavend publikimin e këtyre pamjeve dhe kërkojnë nga kolegët e tyre që të udhëhiqen nga interesi publik dhe jo nga klikimet.

Gazetari Isa Myzyraj nga “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” i tha BIRN-it se “në të gjitha rastet gazetarët dhe mediat duhet të respektojnë jetën e njeriut, dhe dinjitetin e tij”.

“Nuk është në interesin publik transmetimi i i këtyre materialeve që në dukje janë për të thithur klikime, ndërkohë që personi që i ka shpërndarë ato fillimisht e që është detyrimisht një zyrtar shtetëror duhet të mbahet përgjegjës për shkeljen e një sërë ligjesh”, shtoi ai.

Edhe Blerjana Bino, nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt”, kërkon nga mediat që të kenë përparësi mbrojtjen e privatësisë dhe dinjitetit të njerëzve dhe të raportojnë në mënyrë etike dhe profesionale.

“Kur identitetet e viktimave ekspozohen ose kur ata shfaqen në situata që cenojnë dinjitetin e tyre, mediat nuk po raportojnë një ngjarje, por po krijojnë mundësinë që këta individë të bëhen viktima të dyfishta”, i tha ajo BIRN-it duke shtuar se në këto raste, viktimat “janë të ekspozuar ndaj gjykimit publik, stigmatizimit dhe turpërimit”.

Sipas saj, ky lloj “gjyqi publik” është i papranueshëm dhe i padrejtë, duke u përballur me pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe emocional të viktimave apo familjarëve.

Bino sugjeron që redaksitë e mediave të rishikojnë praktikat e tyre të punës dhe dhe të sigurojnë që publikimet e tilla të trajtohen me kujdes të veçantë, duke respektuar parimet e etikës dhe të drejtave të njeriut.

Videot gjenden edhe në platformat online të mediave të rëndësishme kombëtare si Top Channel dhe Tv Klan.

Robert Rakipllari, kryeredaktori i lajmeve në TCH i tha BIRN-it se vendimi për publikim ishte udhëhequr nga arsye profesionale të transparencës mbi ngjarjen dhe se video ishte edituar për të mbrojtur identifikimin e viktimës.

“Censurimi i një dinamike aq të rëndësishme të ngjarjes, që flet edhe për motivet e krimit, në momentin kur ne e disponojmë si informacion, do të kishte qenë joprofesionale,” tha Rakipllari.

“Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një ngjarje e cila përfshin një efektiv të policisë dhe rreth të cilës mund të ketë përpjekje për mbulim ose devijim të informacionit, ne jemi edhe më të kujdesshëm për t’i mbuluar të gjitha dinamikat”, arsyetoi Rakipllari.

Sipas tij, televizioni është kujdesur që editimi i i videos të hedhë dritë mbi elemente të audios që jepnin informacion për motivin e krimit.

“Gjykimi për këtë rast ka qenë pra thelbësisht profesional dhe preokupimi etik është konstant në punën tonë jo vetëm në raport me këtë ngjarje”, përfundoi ai.

Por, krejt ndryshe mendon Fatos Hakorja, kryeredaktor i Tv Klan, i cili i tha BIRN-it se ai kishte vendosur që të mos lejonte publikimin e videove gjatë edicionit të lajmeve.

“Vendosa të mos i publikoj sepse përbëjnë zero interes për publikun, lejojnë denigrim të viktimës, përveç faktit së përmbajnë pamje sensitive”, tha ai.

Por Hakorja nuk dha një arsyetim se pse këto pamje ishin ndërkohë të publikuara në platformën online të këtij televizioni.

“Platforma online është e ndarë nga televizioni dhe secili drejtues redaksie e gjykon vetë vendimin nëse duhet lejuar publikimi apo jo në raste të tilla”, përfundoi ai./BIRN

Artikulli paraprakAdmirali amerikan i NATO-s në Kosovë, diskuton për sigurinë me komandantin e KFOR-it
Artikulli tjetërSi ndikon kafja tek shëndeti i stomakut, kujdesi që duhet të tregoni