Organizatat e Soros “detyruan” Xhafën të ripërsërisë garën për Avokatin e Popullit

Në ditët e fundit të vitit të shkuar Komisioni i Ligjeve vendosi që të rihapë edhe një herë garën për kandidimin e atyre që synojnë të marrin postin e rëndësishëm të Avokatit të Popullit. Por duket se ashtu si fillimisht në Reformën në Drejtësi, edhe në këtë “puç institucional” kanë dorë organizatat e Sorosit në Tiranë. Është zbuluar së fundmi një dokument, në të cilin tregohet se kanë qenë pikërisht këto klone të Sorosit që kanë ndërhyrë te kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, për të rihapur edhe një herë procesin e regjistrimit të kandidatëve pasi ai ishte mbyllur një herë, në kundërshtim të plotë me ligjin. Dhe në fakt ashtu u bë, siç donin sorosianët e Tiranës. Tashmë në lojë janë futur, edhe ata që kërkon kryeministri Rama me çdo kusht, që të bëhen Avokat i Popullit.
Në atë kohë ishte Partia Socialiste që këmbënguli në rihapjen e garës për aplikimet për Avokat të Popullit me pretendimin se të interesuarit nuk ishin njoftuar siç duhet. Në një mbledhje jashtë radhe, Komisioni i Ligjeve, që është dhe komisioni përgjegjës, vendos mes debatesh rihapjen e garës dhe shtrirjen e afatit për aplikimet me 20 ditë. Lëvizja Socialiste për Integrim përmes anëtarit të saj në Komisionin e Ligjeve, Petrit Vasili, kundërshtoi socialistët që argumentonin se kishte më shumë të interesuar se sa 3 personat që kishin aplikuar brenda afateve ligjore. Anëtarët e LSI në Komisionin e Ligjeve votuan kundër rihapjes së garës, që siç shihet u ka dhënë mundësinë të aplikojnë edhe shumë të interesuar të tjerë.
Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, ndërsa PD tha se kandidati për Avokat të Popullit i takon asaj sipas një marrëveshjeje të bërë vite më parë kur PS ka qenë në opozitë. Përveç pretendimeve të Partisë Demokratike, se sipas një marrëveshjeje të bërë 5 vjet më parë Avokati i Popullit i takon opozitës, duket se ka një rivalitet të hapur edhe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta mbështet hapur Igli Totozanin dhe Lefterie Luzin.
Por Edi Rama me futjen në lojë të Genci Gjonçajt dhe kunatës së ministrit Bled Çuçi, i ka lënë për të kuptuar aleatit të tij se Avokatin e Popullit e do për vete dhe vetëm për vete. Edhe ky luan me gur rezervë, sepse në listë është edhe një familjar i një prej ministrave të tij. Në fakt ajo që e bën Ramën të hapë këtë lloj lufte të re ndaj aleatit të tij janë kompetencat e reja kushtetuese, që merr ky institucion pas Reformës në Drejtësi. Kjo përplasje nuk bëhet për emra, por për të pasur njerëzit e tyre dhe kontroll në procesin e Vettingut.
Prandaj duket se Rama e ka ndarë mendjen, që ta shkelë marrëveshjen e kërkuar vetë 5 vite më parë kur ishte në opozitë që Avokati i Popullit të propozohet gjithmonë nga opozita. Dhe kjo u duk që kur këmbënguli në rihapjen e garës me pretendimin, se të interesuarit nuk ishin njoftuar siç duhet, duke shkelur hapur ligjin. Pavarësisht kundërshtimeve edhe votave kundër të aleatit të saj LSI-së, e cila e kishte nuhatur qëllimin e vërtetë të kryeministrit, me shumicë votash u vendos shtrirja e afatit për aplikimet me 20 ditë. Dhe kështu ndodhi, shtyrja u bë vetëm për një emër që në fakt siç del edhe nga dokumenti që po botojmë sot, ka dalë nga rrjeti i organizatave të Sorosit që veprojnë fuqishëm në Tiranë.

Exit mobile version