Ndryshimi i ligjit për menaxhimin e mbetjeve, që parashikon rikthimin e importit të mbetjeve, është pritur me shqetësim nga mjedisorët. Projektligji, është diskutuar në një tryezë të përbashkët mes organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit dhe medias, thirrur nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-Plan).
Në datë 20 gusht 2024, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hodhi për konsultim publik, projektligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” i cili do të qëndrojë i hapur deri në 17 shtator 2024.
Përfaqësuesit e organizatave panë me shqetësim mungesën e një dëgjese publike, pasi sipas tyre ligji ka nevojë për t’u riparë.
“Nga njëra anë promovojmë turizmin në Shqipëri, nga ana tjetër menaxhimi i mbetjeve ka nevojë për përmirësim. Ky përmirësim kalon edhe nga rishikimet e legjislacionit”,- u shpreh Erni Kocani, menaxher i projektit “Green.al” pranë Co- Plan.
Sipas Kocanit, koha e lenë në dispozicion për marrjen e komenteve në regjistrin elektronik është minimumi i mundshëm.
“Për njoftimin publik, minimalisht 20 ditë pune që ligji duhet të qëndrojë në këtë portal për të marrë komente. Nga ana tjetër, parashikohet se nëse ka ligje që janë me impakt të madh edhe strategjike, të shihet mundësia e një dëgjese. Për mendimin tonë, ky ligj mund të konsiderohet ligj strategjik, pasi impakton një fushë, e cila na prek të gjithëve”,-deklaroi më tej Erni Kocani.
Një nga pikat për të cilat u diskutua në tryezën e përbashkët ishte edhe importi i mbetjeve.
Sipas Abdulla Dikut nga organizata Iliria, propozimet e reja në këtë ligj parashikojnë që të importohen mbetjet dhe të incenerohen. Sipas tij, edhe pse thuhet se është ligj i ri, në fakt baza i përket ligjit të vjetër.
“Ligji i kaluar ka pasur një paragraf që thuhej “importi i mbetjeve të bëhet në rast se vërtetohet se në vend mungojnë kapacitetet”. Ndërkohë që te ligji i ri është fshirë kjo fjali. Pra do të thotë ti hapet rrugë drejtpërdrejt importit. E vetmja gjë që mund të importohet në Shqipëri dhe që mendoj se duhet të importohet si zë në vete, janë mbetjet e papërpunuara të drurit, duke qenë se ne kemi një bilanc negativ të fondit pyjor shqiptar”,-u shpreh Abdulla Diku.
Mentor Kikia nga Forumi i Mendimit të Lirë u shpreh se duhet të saktësohet çështja e incenerimit, pasi sipas tij në formën aktuale të propozuar, incenerimi fshihet.
‘Në nenin 6 në hierarkinë e mbetjeve është e njëjta piramidë klasike që jemi mësuar të shikojmë në të gjitha dokumentet ligjore dhe strategjike. Parandalim, ripërdorim, riciklim, rikuperim dhe asgjësim. Pastaj befas në nenin 37, kur është ezauruar tërësisht hierarkia e trajtimit të mbetjeve, mbin një nen që thotë incenerimi i mbetjeve. Më e pakta incenerimi duhet të përfshihet në këtë hierarki dhe të mos fshihet. ”,-deklaroi Mentor Kikia.
Shqetësim tjetër për Mentor Kikinë është edhe vendosja e gjobave për dëmet mjedisore, që sipas tij nuk janë në proporcion me dëmin e shkaktuar.
“A mjafton që nëse njëri që kryen një aktivitet ekonomik, shkatërron një shpat mali dhe ti e gjobit me 5 milion lek? Ai preferon gjobën, përpara përfitimit ekonomik që ka marrë. Mendoj që duhet të ndryshojë klasifikimi i penalitetit në raport me dëmin që ka shkaktuar dhe jo vetëm ndëshkim financiar. Nëse ai ka prerë pyllin, së pari duhet të detyrohet të rikuperojë dëmin që ka shkaktuar”,- u shpreh Kikia.
Ligji për menaxhimin e mbetjeve ka ndryshuar tre herë prej vitit 2015 deri më tani.
Për këtë arsye përfaqësuesit e organizatave mjedisore u shprehën se duhet të kryhet një analizë se çfarë ka funksionuar mirë dhe çfarë keq me ligjin e mëparshëm.
“Do ishte mirë të bëhej një analizë çfarë nuk ka funksionuar nga ligji i mëparshëm. Nga ato rregullore apo vkm që ka pasur ligji i mëparshëm, për të kuptuar se pse po shkojmë te rishikimi i gjithë ligjit, në një kohë që te ligji i ri pavarësisht, se quhet ligji i ri, ka shumë nene që ka pasur ligji i mëparshëm. Nuk mund të themi se i gjithë ligji ka qenë i pavlefshëm”,- u shpreh Emirjeta Adhami nga Instituti pë Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri.
Sipas Erni Kocanit nga Co- Plan, duhet parë edhe nëse do të ketë mbivendosje kompetencash sikurse ka ndodhur më herët.
“Duhet definuar mirë, sepse sa pashë nga ligji dhe nga struktura e organizimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, mendoj që do të sjellë mbivendosje të kompetencave me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit”,- deklaroi Kocani.
Në tryezë ishin të ftuar edhe përfaqësues të bizneseve që merren me trajtimin e mbetjeve, të cilët sollën shqetësimet e tyre lidhur me ligjin.
Për Ervin Meçjan nga kompania ‘Eco Riciklim” që merret me trajtimin e mbetjeve spitalore është e rëndësishme që në ligj të sqarohet çështja e landfilleve për mbetjet e rrezikshme.
“Duhet të përcaktojmë kush është landfilli i mbetjeve të rrezikshme, diferenca e mbetjeve të rrezikshme nga ajo e mbetjeve jo të rrezikshme. Në dijeninë time nuk ekziston një koncept i landfillit të mbetjeve të rrezikshme. Ne dimë konceptin e landfillit që është nën ose mbi tokë. Nëse ky landfill i mbetjeve të rrezikshme, mund të pranojë një mbetje të rrezikshme dhe ta trajtojë në konceptin e landfillit, për mua nuk e di se sa mund të realizohet”,- u shpreh Mecja.
Ai propozoi heqjen e konceptit të incenerimit të mbetjeve spitalore, pasi nuk mund të incenerohet përveç rasteve të veçanta.
“Nuk ekziston në asnjë vend evropian që të djegësh një lëndë të parë dytësore si mbetjet spitalore. Mbetjet spitalore në asnjë lloj mënyrë nuk duhet të incenerohen, përvec atyre që është e pamundur për tu trajtuar në mënyra të tjera alternative. Masivisht nuk duhet të ekzistojë mbetje spitalore që të digjet duke qenë që ne kemi rikuperimin. Do propozoja që të hiqet incenerimi i mbetjeve spitalore”,– deklaroi Ervin Meçja.
Një tjetër shqetësim i sjellë në tryezë ishte edhe mos përfshirja në konsultime e bashkive të vendit.
“Bashkitë nuk janë pyetur për rishikimin e ligjit. Ose janë pyetur disa bashki, por duhet të ishte një proces më gjithëpërfshirës, ku bashkitë, që janë ofruesit e shërbimeve primare për qytetarët, duhet të ishin pyetur dhe të merrej mendimi i tyre”, -deklaroi Erni Kocani.
Në përfundim të tryezës, organizatat dolën me një deklaratë të përbashkët, ku renditën një sërë sugjerimesh dhe ndryshimesh në ligj, të cilat do ti adresohen Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit./citizens.al