Organizatorët e trafikut të drogës ende të lirë

Organizatorët e trafikut të drogës janë ende të lirë. Prokuroria shpreson në zbulimin e tyre nëpërmjet bashkëpunimit të 18 të arrestuarve, 8 doganierë e agjentë doganorë dhe 10 policë. Implikimi i 10 punonjësve të policisë, njëri prej të cilëve drejtues, e thellon skandalin. Shërbimi Informativ Shtetëror, në një raport të vitit të kaluar, njoftonte Ministrinë e Brendshme se drejtues dhe punonjës të policisë bashkëpunonin me grupet e narkotrafikut në mbjelljen dhe kultivimin e drogës. Saimir Tahiri dhe Edi Rama e injoruan këtë raport dhe e mohuan publikisht.
Por Prokuroria e Krimeve të Rënda, e vënë edhe ajo në dijeni nga SHISH, ra në gjurmët e disa grupeve vetëm nga të dhënat e këtij raporti. Arrestimet e fundit janë dëshmi se, trafiku i drogës në shumë raste është kryer në bashkëpunim me drejtues e punonjës të policisë dhe strukturave të tjera shtetërore.
Sipas Prokurorisë, efektivët e policisë tashmë të arrestuar, nuk kanë kryer kontrollin fizik të kamionëve, duke mos kontrolluar atë as me qenin antidrogë, që gjithë kohësh ndodhet pranë Portit të Durrësit. Ky moskontroll, ka hedhur dyshime për përfshirjen e tyre në trafik droge, pasi nuk kanë kryer edhe detyrën minimale të punës, regjistrimin e shoferit të kamionit me 8 tonë hashash dhe kontrollin e hyrjes së tij, nuk kanë bërë kontrollin fizik të mjetit dhe nuk kanë verifikuar procedurat, pasi agjentët doganorë i kishin ndryshuar gjatë rrugës destinacionin e kamionit. Në Qafë Thanë, thuhet nga Prokuroria, kamioni me 8 tonë drogë do të kalonte tranzit në Shqipëri për në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Por pas disa orëve, ky destinacion është ndryshuar me kërkesë të agjentëve doganore, për të kaluar në Potrtin e Durrësit. Ku nuk i është nënshtruar kontrollit nga policia e doganierët, duke lejuar kështu kalimin e tij drejt Italisë, ku edhe u bllokuan.
Më 11 shkurt plot 8 tonë drogë kaloi nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Kjo sasi e madhe droge u sekuestrua nga Guarda di Finanza italiane në Ankona. Mediat italiane shkruanin atëherë se, droga ishte nisur nga Porti i Durrësit me një kamion dhe ka kaluar drejt Italisë pa asnjë problem për policinë shqiptare.
“Një sekuestrim rekord në territorin venecian nga ana e Guardia di Finanaza-s. Në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar, i cili ka zbritur bashkë me kamionin nga një traget nga Porti i Ankonës. Por udhëtimi i tij në një kamion me rimorkio duhet të ishte më i gjatë. Destinacioni përfundimtar i një qytetari maqedonas 38-vjeçar nuk dihet ende. Dihet ndërkohë, se është bllokuar nga agjentët e Guardia di Finanza në ngarjen e një makine në lindje të Venecias ose gjithsesi në territorin e lagunës, ndërsa pak para se rimorkioja e mjetit, siç raportojnë edhe gazetat lokale, ishte lënë në zonat e afërta të shërbimit”.

Exit mobile version