ORIGJINA E MENDIMIT

Nga Agron Tufa

A ka vallë një të drejtë për mendimin? Domethënë, // a del dikush (njeri a trajtë arsyetuese) ta përligjë? // Kur u shfaq për së pari, çfarë ishte para çastit të dhënë mendimi i zhveshur, me kuptim për të gjithë…? // Mendimi-ndjenjë, mendimi-ide, mendimi-ekzistencë – // ai, që përbën të Vërtetat e Epërme, që dikë gëzon, tremb, ai që vëzhgon, survejon, udhëheq, bën shkencë – // mendimi i lakuar ndër identitete, mendimi që dhemb? // Si u shfaq? Nga erdh? Me ç’qëllim? Si mbahet gjallë? // Si dhe çfarë do të ishin qeniet pa mendim? Cila vallë // është ajo shigjetë që çan eterin neutral të Hiçit // me trajektoren e vet për t’u ngulur në Qëllim?
Cili është harku vetë? Kush e tendosi? Midis “Diçit” // dhe “Hiçit” – trajektorja e lëshuar! Me ç’paramendim? // Çfarë kushtesh lyp mendimi? Çfarë synimi? // si do të mishërohej ai, nëse nuk do të kishte bartës të gjallë? // Mos është mendimi pjekje e energjisë dhe evolucion mbi kushtet, // përshtatja, ruajtja dhe transformimi i drejtpeshimit mbi to? // Mos është thjesht, përvojë, sintezë përvojash, pushtet? // Mos është varësi? Kompromis për të zgjatur kushtet? Jo! Jo! Jo! // Mendime ka ngado! Mendimi bun në bartës! // Sa janë të një mendje? A nuk vdes dhe mendimi tok me ta? // Domethënë, mendimi-shpëtimtar, mendimi-vrasës? // Sa vdesin vallë duke e varrosur edhe mendimin? // ç’bën mendimi në varr? Si ta mishërojë pa mish mishërimin? // A zhduket mendimi? Duket: është më i fortë se biologjia! // Mendimi ia ha xhanin njeriut, e detyron ta nxjerrë // pjesë-pjesë, para se ky të vdesë… Dhe ndjehet si te Shtëpia // e Përjetshme: gojdhanash, rrëfenjash, në letër – i pa bjerrë… // Mendimi bredh – si kurvë ta dredh: aty është, aty zhduket // dhe ti, vret mendjen që s’e ke: ai kukafshehthi struket // e nganjëherë të lë, siç lë burri gruan e tij, të ndarë; // në fakt shkon të lërë dikë tjetër me barrë, ndërsa ty – të marrë! // Por ndosh shpesh që mendimit t’i hyjë të ftohtët, ankthi, frika – // mendimi shkëpurdhet konvulsesh, nuk e zë kurmi që e ndryn:
këto, rëndom, i quajmë “mendime të liga”, // dhe vijnë mendime të tjera ku mendimi mendimin shtyn // gjersa ta asgjësojë fare. Shpesh mendimi për mendimin është ujk. // Mendimi riprodhon vetveten, siç riprodhon një vreshtar a një bujk // varietete të reja me shermente të vjetra. Atëherë merr turr // mendimi i papritur, i panjohur, mendimi-kentaur // që lidh skajet e kundërta dhe mbi rregullat merr hak – // mendimi-tranvestit, mendimi-hemafrodit, mendimi-afrodiziak. // Mandej vjen më i tmerrshmi – mendimi në shmang, mendimi-asket:
kur rrugën i zënë, ai si akrep ngre thumbin dhe vetveten vret. // …Ja se si ikën mendimi! Herë firas, herë mësyn – tërmet. // Ti e ndjek i bindur. Pse? Sepse mendimi është vullnet? // çfarë është mendimi? Kush e tendosi Harkun? E kujt është Shigjeta? // Pse i duhet mendimit gjuha? Pse nuk i mjafton as ajo // me gjithë simbolet, analogjitë, metaforat, alegoritë? Ku qëndron e Vërteta? // Kush fshihet prapa Harkut? Cila Domosdo? // Dhe nëse s’do të kishte Bartës që mendimin ta bartin // në legjenda, memorie, letër (siç po bëj dhe unë), // cili do të ishte fati i tij, me cakun, progresin, afatin? // Dhe kush do të ishte në gjendje ta shuante? Cila dhunë? // Po unë, një Bartës që falë tij i shkruaj këto rradhë, // që falë tij i hap udhë njëfarë kuptimi me mendimin-pandehmë, // edhe këto pak pyetje i bëj falë një rastësie plus-minus njëzetë gradë, // ndryshe, falë Atij pas Harkut që mund të mos lëshonte asnjë shigjetë…

Exit mobile version