Nga Orjola Pampuri
Sot 34 vite nga dita kur shqiptarët, nisën të shihnin dritë në fund të tunelit, kur në Tiranë ata që guxuan, ia dolën të hidhnin shtatoren e diktatorit, i cili mbajti peng ëndrrat e disa brezave, të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke i izoluar nga bota, nga perëndimi, në një iluzion ku shpalli armik këdo që ngrinte zërin apo ishte kundër ideve të çmendura të një njeriu megalloman, delirant dhe të paaftë, siç vetë diktatori ishte.
Pas një kalvari të gjatë vuajtjesh, e udhës ishte që të ndodhte dekomunistizimi, e udhës ishte që ata që shërbyen e bashkëpunuan në atë regjim për të dënuar, pushkatuar e internuar, të ishin pas hekuarve.
Por kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por disa prej tyre, nëpërmjet një pseudo katarsisi u kamufluan si të djathtë, duke mënjanuar antikomunistët e vërtetë, ish të përndjekurit, pronarët, shtyllën e vertetë të demokracisë.
Ndaj sot shumica e atyre që ishin aty për të hedhur bustin, për të rrëzuar regjimin, janë larguar nga ky vend, sepse pikërisht politikanët që shitën tranzicionin si demokraci, ia thyen shpresën, dhe ia prenë rrugën për të ndërtuar të ardhmen për vete dhe fëmijët e tyre.
Komunizmi nuk u largua me rënien e bustit, nuk u largua as duke nderruar xhaketat, por ai konsiderohet i rënë kur e drejta të shkojë në vend, dhe pandëshkueshmëria të marrë fund.