Orjola Pampuri reagon ashpër ndaj Ramës: “Etiketimi ‘autikë’ është i pafalshëm dhe i papranueshëm”
Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, Orjola Pampuri, ka reaguar me tone të forta ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama, ku ai ka përdorur etiketimin “autikë” në një kontekst të cilësuar si fyese dhe të papërshtatshëm nga shumë qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Pampuri e ka cilësuar këtë gjuhë si “artikulim të rëndë dhe të papranueshëm”, që jo vetëm lëndon familjet e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit, por edhe thellon ndjesinë e përjashtimit të tyre nga një shoqëri që duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
Postimi i plotë i Orjola Pampurit:
Etiketimi “autikë”, nga kryeministri – një artikulim i papranueshëm dhe i rëndë për këdo që e dëgjon, dhe shumë më tepër për prindërit e fëmijëve me autizëm, të cilët përballen çdo ditë me vështirësi që burojnë jo vetëm nga realiteti, por edhe nga burokracitë që u krijon qeveria e Edi Ramës.
Si të mos mjaftonte kjo, duhet të dëgjojnë edhe çmenduritë që burojnë nga deliri i një kryeministri gastor, fjalëshumë e punë hiç.
Ndjesa nuk mjafton. Ajo nuk shlyen dhimbjen dhe lëndimin që përjetojnë çdo ditë ata prindër.
Qeveria juaj, z. Rama, ka dështuar. Ajo ka një qasje të varfër ndaj familjarëve dhe personave me çrregullime të spektrit të autizmit.
Ka lënë në harresë nevojat reale që ata kanë.
Personat me autizëm nuk janë të sëmurë – ata thjesht e përjetojnë botën ndryshe. Autizmi është një mënyrë tjetër e të menduarit, ndjerë dhe komunikuar.
Ata kanë aftësi të jashtëzakonshme, veçanti dhe potencial, që mund të lulëzojnë vetëm nëse i mbështesim dhe i kuptojmë.
Paragjykimi i dëmton. Etiketimi i përjashton.
Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë empati, respekt dhe dashamirësi.
Ata përballen me sfida që shumica nuk i kupton – dhe pikërisht për këtë arsye, meritojnë më shumë mirëkuptim, jo gjykim.
Nuk është e pranueshme që vetë kryeministri të jetë i pandjeshëm.
Etiketimi i tij është i patolerueshëm dhe i pafalshëm për një figurë që duhet të udhëheqë me dinjitet dhe ndjeshmëri.
Ndaj, në emër të gjithë atyre prindërve që çdo ditë luftojnë për fëmijët e tyre, në emër të çdo individi me autizëm që meriton respekt,
i bëj thirrje shoqërisë që të reagojë.
Të mos heshtim kur lëndohen më të pambrojturit!