Orjola Pampuri: Vota është arma për të thyer 34 vite padrejtësi dhe për të ringritur shpresën në Shqipëri

Orjola Pampuri, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, ka publikuar një mesazh drejtuar qytetarëve, ku thekson rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 majit si një akt vendimtar për të ardhmen e vendit.

“Vota është arma më e fuqishme që keni për të kërkuar llogari dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të ndershme dhe më dinjitoze,” – shprehet Pampuri, duke nënvizuar se zgjedhjet nuk janë vetëm një e drejtë, por një përgjegjësi qytetare për të ndalur ciklin e një sistemi të dështuar.

Ajo sjell në vëmendje se për 34 vite sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe drejtësia janë lënë pas dore, janë dëmtuar nga korrupsioni dhe mungesa e vizionit. Pampuri kërkon një ndryshim rrënjësor, përmes përfaqësuesve të rinj me ide të reja, të cilët e konsiderojnë votën si një mjet shërbimi ndaj publikut dhe jo si një mjet për përfitime personale.

Në mesazhin e saj, kandidatja e Koalicionit Euroatlantik bën një thirrje të qartë për veprim:

“Votoni 4, që më 12 Maj të mos thoni: ky vend nuk bëhet.”

Ajo e përmbyll mesazhin e saj me një apel emocional, duke iu drejtuar të gjithë atyre që ndihen të zhgënjyer nga politika:

“12 Maji duhet të jetë dita e ndryshimit, ku me votën tuaj t’u tregoni politikanëve që për 34 vite ju mbajtën peng, se fuqia e qytetarit mund të ndryshojë gjithçka.”

Postimi i plotë:

➡️Më 11 maj duhet të votoni për të ndryshuar realitetin në Shqipëri sepse vota është arma më e fuqishme që keni për të kërkuar llogari dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, më të ndershme dhe më dinjitoze.

➡️Prej 34 vitesh, shumë segmente të drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë janë lënë pas dore, janë politizuar apo janë dëmtuar nga korrupsioni dhe mungesa e vizionit afatgjatë.

Votimi nuk është thjesht një e drejtë – është një përgjegjësi qytetare për të thyer ciklin e një sistemi të vjetruar, për të sjellë njerëz të rinj me ide të reja dhe për të rivendosur besimin në shtet dhe institucione. Vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe të ndërgjegjshme mund të ndërtojmë një Shqipëri ku drejtësia nuk blihet, arsimi formon qytetarë të lirë, dhe shëndetësia shërben me dinjitet për të gjithë.

Votoni 4️, që më 12 Maj mos të thoni;

ky vend nuk bëhet,

këtu ndëshkohen hallexhinjtë dhe qytetarët e thjeshtë, jo politikanët e korruptuar,

arsimi është rrënuar,

sistemi shëndetësor nuk i përgjigjet nevojave të pacientëve,

me pagat dhe pensionet qesharake nuk arrijmë të mbyllim muajin.

12 Maji duhet të jetë dita e ndryshimit, ku me votën tuaj duhet t’i tregoni të gjithë atyre politikanëve që për 34 vite ju mbajtën peng shpresat dhe ëndrrat tuaja për një Shqipëri si Europa, se fuqia e votës tuaj mund të zhbëjë perceptimin e tyre, se mund t’ju trajtojnë si ‘gogla’ sa herë i duheni për interesat e tyre.

Voto4 ️, Koalicioni Euroatlantik

Beso te Shqipëria.

Exit mobile version