OSBE djeg Hasanin/ Si gënjeu ministri i Jashtëm për kandidaturën e sekretarit

Shqipëria kandidoi për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ministrin e Jashtëm, Igli Hasanin. Ky fakt iu bë i njohur opinionit publik vetëm ditën e hënë nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të përvitshëm me trupën e ambasadorëve.

Duke i paraprirë rezultatit, që ai e di shumë mirë, Edi Rama si një manipulator i regjur i opinionit publik foli për një shumicë shtetesh në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë. Por djalli qëndron gjithmonë në detaje.

Burime diplomatike i thanë Kapitalit se në një mbledhje që ambasadorët e OSBE kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Vjenë, kandidatura e Igli Hasanit është hedhur poshtë nga disa vende anëtare me peshë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Këto vende kanë kërkuar të gjendet një kandidaturë tjetër për këtë pozicion.

Por në dallim nga kryeministri, në një komunikim me mediat, ministri Hasani i pyetur mbi këtë çështje i cilësoi negociatat si shumë delikate.
“është një negociatë që nuk përfundon me votim, por me konsensus të plotë. Kështu që më lejoni të mos u ushgtroj më presion kolegëve të mi që janë duke negociuar dhe shpresoj që rezultati të jetë sa më i mirë për organizatën, jo për individin,” tha Hasani.

Për ta kuptuar një herë e mirë, OSBE-ja i zgjedh drejtuesit e katër institucioneve të saj me konsensus. Pra për një kandidaturë të paraqitur nuk duhet të ketë kundërshti nga asnjë shtet pasi është çështje balancash politike, gjeografike dhe gjinore.

Përkundër propagandës bajate të pushtetit, që kërkon ti paraqitet shqiptarëve si qendra e botës, Kapitali ka mësuar se kundërshti për kandidaturën shqiptare janë paraqitur zyrtarisht nga disa shtete, çka do të thotë se kandidatura e Igli Hasanit për sekretar të Përgjithshëm të OSBE është djegur përfundimisht dhe bashkë me të edhe deliri i shefit të tij, Edi Rama, i cili nuk rresht su përsërituri shqiptarëve se sa e rëndësishmë është bërë sot Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

Në fakt edhe vet Igli Hasani e pohon që negociatat duhet të përfundojnë me sukses. Por ajo që fsheh ministri i Jashtëm para shqiptarëve është fakti se kandidatura e tij tashmë është djegur pasi është kundërshtuar zyrtarisht nga disa shtete me peshë në organizatë.

Nuk ka asgjë të keqe të pranosh të vërtetën dhe tu thuash shqiptarëve që ne u përpoqëm, shpenzuam para për lobim dhe funksionin shtetëror, por nuk ja dolëm dot. E vërteta nderon më shumë se mashtrimi i opinionit publik përmes sofizmave.

Për më tepër, këto të fundit nuk e shpëtojnë dot më as kandidaturën e Hasanit dhe as delirin e Ramës, që u tregon shqiptarëve përralla me Shqipërinë si lojtar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare./ Kapitali.al

Exit mobile version