OSBE kërkon angazhim për nisjen e reformës zgjedhore

Nga Korça, ambasadori i OSBE, deklaroi se reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm duke mbledhur komisione nga Tirana. Si model, Bernd Borshardt përmendi projektin pilot të gjykatëve në qytetin juglindor, “Drejtësi pa vonesa”.
Bernd Borshardt: Korça, qyteti i një prej gjykatave pilot për “Drejtësi pa vonesa” është shembulli se reforma në drejtësi nuk bëhet vetëm me komisione dhe dokumentacione në Tiranë; reforma bëhet edhe për jetën reale të qytetarëve realë, në vende reale. Që reforma në drejtësi të jetë efikase, ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse. Ligjet dhe strukturat po reformohen, por duhet të mos harrojmë se për zbatimin e tyre është e domosdoshme që të merren masa për rritjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Në prag të vitit elektoral 2017, ambasadori i OSBE, tha se ende nuk ka një draft final për reformën zgjedhore ndonëse ka shumë sugjerime.
Bernd Borshardt: Fusha është e hapur për momentin, kemi shumë sugjerime, është me rëndësi që ato të bëhen në mënyrë sa më formale. Mora një propozim për reformën mbrëmë, por nuk pata kohë ta shqyrtoja, pasi do të udhëtoja për në Korçë, ndaj nuk mund të them ku konsistonte, por e rëndësishme është që ka sugjerime. Kemi rënë dakord me komisionin parlamentar, që në momentin që kanë një draft të përbashkët, do të ndihmojmë me asistencën tonë.
Ambasadori i OSBE ishte në Korçë për reformën e shërbimit të provës tek të miturit, një tur takimesh që prezenca po mban në të gjithë vendin.

Exit mobile version