OSBE: Prokurorët, të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt mendon se do ishte një hap pozitiv kalimi i kandidatëve që garojnë në zgjedhje përmes një procesi vetting-u.

Në një aktivitet organizuar në Tiranë nga ODIHR, ambasadori Borchardt kujtoi se opozita e bashkuar ka sugjeruar krijimi i mekanizmave për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës, për të cilin në fund të vitit 2018 pati edhe një reagim nga Komisioni i Venecias.

“Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vettingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues.

Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërcipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues”, deklaroi Borchardt.

Ambasadori Bernd Borchardt vlerëson si një hap tejet pozitiv marrëveshjen politike për reformën zgjedhore. Ai theksoi se rishikimi i kuadrit ligjor duhet të prekë fenomenet që prekin standardet e zgjedhjeve.

“Ne kemi rekomanduar ndjekjen penale të shkelësve të ligjit, një zotim të sinqertë të partive politike për të luftuar shitblerjen e votës, si edhe që politikanët të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individët me të shkuar kriminale.

Nuk duhet të ushtrohet asnjëfarë presioni për të marrë pjesë në fushatë apo për të votuar në një mënyrë të caktuar. ODIHR-i ka sugjeruar ngritjen e një strukture të pavarur për trajtimin e pretendimeve për presion mbi administratën dhe abuzime me burimet shtetërore.

Hapa të mëtejshëm duhen marrë edhe për depolitizimin e shërbimit civil. Qeveria duhet të hartojë një procedurë sipas së cilës punonjësit e administratës publike mund të denoncojnë çdo lloj presioni ndaj tyre. Këta persona duhet të gëzojnë mbrojtjen si sinjalizues.

Reformimin e ligjit “Për partitë politike” për të siguruar transparencën financiare të tyre dhe vendimmarrjen demokratike të brendshme”, tha ambasadori. Kreu i Prezencës nënvizon rëndësinë e medias, duke kujtuar qëndrimin mbi përmirësimin e paketës ligjore për shpifjen.

“Një nga rekomandimet është që të ashtuquajturat ‘kaseta’ të përgatitura nga partitë duhet të kufizohen dhe të etiketohen qartë. Një rekomandim tjetër është ai për dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga kodi penal.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka rekomanduar që projektligji për shpifjen ka nevojë për përmirësime të mëtejshme”, tha ai. Reforma zgjedhore në këndvështrimin e ambasadorit Borchardt, bëhet e prekshme vetëm kur korrupsioni eliminohet.

“Ekziston një e vërtetë e thjeshtë, edhe në sektorë të tjerë: Nëse dëshiron të ndalosh korrupsionin, duhet të ndalosh së qeni i korruptuar. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme.

ODIHR-i e ka theksuar këtë në disa raporte. Kjo nuk ka ndodhur pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet. Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen.

Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota”, tha Borchardt.

Artikulli paraprakArrestohet ish-boksieri shqiptar, trafikonte drogë me vlerë 174 milionë dollarë
Artikulli tjetërUdhëtimi në kohë, e pamundura do të bëhet rutinë?