Misioni i OSBE/ODHIR njeh fenomenin e blerjes së votës si problemin që minoi zgjedhjet e 25 qershorit. Para, kërcënime dhe votime për të tjerë, janë këto shqetësimet që ngre Misioni i OSBE në lidhje me monitorimin e vëzhguesve të tyre në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në ndryshim me deklaratat e ambasadës amerikane dhe zyrtarëve të BE-së, deklarata e përfundimeve paraprake të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE-ODIHR në Shqipëri është shumë më kritike për procesin zgjedhor të 25 qershorit.
Raporti i Misionit nxjerr në pah probleme në administrimin e zgjedhjeve, si dhe probleme në zbatimin e ligjit. Disa prej problemeve kryesore sipas misionit janë: “politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet”, “akuzat për blerje votash” dhe “presioni ndaj zgjedhësve”. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e së dielës, publikuar së fundmi, flet për presion mbi votuesit e punësuar në shtet dhe privat, votim për persona të tjerë dhe firma të ngjashme në 5% të vrojtimeve.
Raporti thekson faktin se gjatë fushatës pati “akuza të gjithpërhapura dhe të ndërsjella për blerje votash, shqetësime mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presion në vendin e punës mbi votuesit, rrethana që minuan besimin publik te procesi zgjedhor”. Në lidhje me blerjen e votave, raporti vëren se një aktivist i të drejtave të njeriut se, militantët e PDIU në Fier po kontaktonin votuesit mes komunitetit rom derë më derë duke i ofruar 10 mijë lekë në shkëmbim të kartave të identitetit, karta që do t’i ktheheshin në afërsi të qendrës së votimit atyre votuesve që premtonin të tregonin një foto të votës së vet. “Në katër për qind të qendrave të votimit të vrojtuara kishte tension dhe kryengritje. Grupet e militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit u vërejtën, të cilët shpesh u shfaqën duke i instruktuar votuesit se për kë duhet të votonin”, thuhet në raport.
Cenimi i votës
Vëzhguesit vërejtën shumë raste kur militantët partiakë mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç qenë shënuar në listën e votuesve. Ky proces u ndihmua nga komisionerët, të cilët lexonin me zë të lartë numrin e identifikimit të votuesit, thuhet në raport. Regjistrimi i votuesve në ditën e votimit nga makineritë partiake të menaxhimit të zgjedhjeve shërben për të mbajtur bilanc se kush ka votuar e kush jo dhe për të kryer telefonata lutjeje, të cilat në shumë raste mund të kthehen në presion mbi votuesit e pavendosur. Raporti përmend gjithashtu akuzat se, “bashkëshortja e një kandidati të LSI në Gjirokastër përdori fondet për subvencionimet e bujqësisë për të tërhequr vota”, si dhe faktin se kryeministri Edi Rama bëri thirrje gjatë fushatës që policët të bënin aktivitet politik për partinë e tij, pavarësisht se kërkoi falje më vonë. Raporti vëren gjithashtu se një përfaqësues partiak i kishte thënë vëzhguesve se kryebashkiaku i Fierit i ka bërë thirrje kompanive publike e private të pushonin nga puna simpatizantët e Partisë Demokratike. Në Delvinë, nënvijëzon raporti, Partia Socialiste ushtroi presion mbi punonjësit publikë të merrnin pjesë në fushatë, si dhe mbajtën shënim emrat e pjesëmarrësve. “Ekziston një shqetësim se në kushtet e institucioneve të politizuara zgjedhjet elektorale të punonjësve të sektorit publik, një segment i shoqërisë vulnerabël ndaj presioneve, mund të ketë pasoja për kushtet e jetesës, si dhe për të ardhmen e punësimit”, vëren raporti. Shqipëria ka aktualisht mbi 166 mijë të punësuar në sektorin publik, të punësuar që shpesh punësohen dhe shkarkohen nga puna për bindje politike apo që janë vazhdimisht nën presion për të votuar partinë që i siguron vendin e punës. Raporti vlerëson gjithashtu negativisht procesin e numërimit të votave duke vërejtur se numëruesit, të cilët duhet të vendosin votën para një kamere për ta paraqitur në një ekran të madh, nuk e bënë, ose nuk e lanë në mënyrë të mjaftueshme sa ajo të lexohej nga kamera, duke e ulur transparencën e procesit të numërimit.
Presione dhe parregullsitë ditën e votimit
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR renditi një numër të lartë parregullsish dhe shkeljesh të standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të së dielës, me akuza që rëndojnë mbi të gjitha palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe me kritika për median dhe për transmetimin e materialeve të prodhuara nga partinë politike dhe të servirura si “lajme” të pavarura. Raporti, i publikuar së fundmi në faqen e internetit të OSBE, vëren se në të paktën 5 për qind të vrojtimeve të saj rastisi votim për persona të tjerë dhe moskontroll të rregullt të lyerjes së gishtit apo moslyerje të gishtit, si dhe faktin se rreth 5 për qind e firmave të hedhura në listat me emrat e votuesve dukej se qenë hedhur nga e njëjta dorë. Sekreti i votës u raportua si me probleme në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi, ku mjediset janë të vogla dhe prania e vëzhguesve partiakë, shpesh të paautorizuar qe shumë e lartë dhe shumë pranë kutive të votimit duke ekspozuar zgjedhjen e votuesve. Prania e lartë e militantëve partiakë pranë qendrave të votimit, si dhe mundësia e ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit nga këto militantë qe një shqetësim tjetër, siç qe edhe keqpërdorimi i burimeve të sektorit publik. Raporti vëren se zbatimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, duket se kishte për synim interesin partiak më shumë se sa zbatimin e paanshëm të ligjit dhe sundimin e ligjit.
Media nuk funksionoi si e pavarur
Ndryshe nga Bordi i Monitorimit të Medias pranë KQZ-së, i cili monitoron vetëm sasinë e mbulimit të partive politike në televizione gjatë fushatës, OSBE monitoron gjatë fushatës disa televizione, gazeta e portale si sa i përket sasisë ashtu edhe sa i përket tonalitetit të mbulimit. Sipas raportit, media qe e larmishme në Shqipëri gjatë fushatës, por problemi kryesor lidhet me faktin që media ofroi transmetim të aktiviteteve elektorale pa kryer analiza kritike mbi përmbajtjen e programeve elektorale. Shkelja kryesore e vërejtur lidhet me paragrafin 9.1 të Dokumentit të Kopenhagës, ku sanksionohet se media duhet të ketë pavarësi editoriale mbi materialet e publikuara. Por nuk qe kjo që ndodhi në Shqipëri gjatë fushatës. Në shumë raste, media u detyrua me hir ose me pahir që të transmetonte materiale të parapërgatitura nga zyrat e propagandës së partive politike apo politikanëve të ndryshëm, si dhe të fuste në transmetim pamje nga mitingje elektorale të xhiruara nga regjitë e partive. Në total zgjedhjet e së dielës u monitoruan nga 541 vëzhgues të huaj dhe 3,731 vëzhgues vendës. Ky është raporti paraprak i zgjedhjeve i OSBE/ODIHR. Raporti final pritet të publikohet disa javë më vonë. OSBE/ODIHR ka monitoruar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Raportet e saj kanë renditur një numër të lartë rekomandimesh, të cilat Shqipëria nuk i ka zbatuar në zgjedhjet parlamentare të viteve 2009 e 2013, si dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të viteve 2011 dhe 2015. Raportet e OSBE/ODIHR i gjykojnë zgjedhjet në bazë të Dokumentit të Kopenhagës, i cili ka përcaktuar standardet që duhet të plotësojnë zgjedhjet dhe që përbën ato që zakonisht kuptohen me termin “standardet ndërkombëtare”.
Dështimi në plotësimin e standardeve zgjedhore
Raporti paraprak rendit disa raste të identifikuara deri tani të shkeljes së parimeve të Dokumentit të Kopenhagës, dokumentit referencë për standardet zgjedhore. Shkelja e parë e paragrafit 5.8 lidhet me ndryshimet ligjore të ndërmarra në marrëveshje mes PD dhe PS mbi Kodin Penal, Ligjin për Partitë Politike dhe Ligjin mbi Median. Ndonëse disa nga këto ndryshime qenë në përputhje me rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR, sërish, mënyra e miratimit me nxitim dhe pa konsultim publik përbën shkelje të Dokumentit të Kopenhagës. Ndryshimi i Kodit Penal me procedurë të përshpejtuar përbën gjithashtu edhe shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila ndalon miratimin pa proces konsultimi dhe brenda natës të një ligji kaq të rëndësishëm si Kodi Penal. Problemi i vërejtur në raport nuk qe vetëm mënyra e miratimit, por edhe zbatimi që dukej se qe selektiv. “Mënyra e zbatimit demonstroi primacinë e interesave politike mbi respektimin e sundimit të ligjit”, thuhet në raport. Shkelja e dytë e vërejtur lidhet me pikën 5.9 në Dokumentit të Kopengahës, konkretisht, refuzimit të politikës shqiptare për të lejuar votimin në mungesë për njerëzit me të drejtë vote, të cilët nuk gjenden në vendbanim në ditën e votimit, të tillë si emigrantët. “Votuesit janë në përgjithësi në listat e qendrave të votimit në vendbanimin e tyre dhe mund të votojnë vetëm aty pa mundësi për të votuar jashtë vendit, për të votuar me postë apo përmes një flete votimi elektronike”, thuhet në raport.
Lidhur me Kodin Zgjedhor dhe KQZ
Zgjedhjet u zhvilluan në kontekstin e një hendeku të gjatë dhe të thellë politik, midis PS-së partisë qeverisëse dhe PD-së në opozitë, si edhe besimit të ulët publik në procesin zgjedhor.
Kodi Zgjedhor siguron një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, megjithëse shumë rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias nuk janë plotësuar, duke përfshirë nevojën për depolitizimin e aspekteve kyçe të administratës zgjedhore. Por, mënyra e zbatimit të ligjit tregoi prioritetin e interesave politike mbi respektimin e sundimit të ligjit.
Pas marrëveshjes politike, KQZ-ja dhe administrata e saj u përballën me një sërë problemesh ligjore, institucionale, financiare dhe administrative. KQZ-ja nuk mori masa për të sqaruar mospërputhjet që lidhen me legjislacionin e sapondryshuar dhe disa nga vendimet e saj nuk ishin të qëndrueshme apo ligjërisht të shëndosha.
Fushata paraqiti një shumëllojshmëri të opsioneve politike. Liritë themelore të tubimit dhe shprehjes janë respektuar.
Gratë ishin aktive, por të nënpërfaqësuara në fushatë. Partitë më të mëdha politike nuk respektuan gjithmonë kuotat gjinore në listat e tyre të kandidatëve dhe kandidatet gra morën pak vëmendje nga mediat.