Raporti i OSBE i mbërritur në Bruksel ka evidentuar një deformim të vullnetit të zgjedhësve në masën 5% të totalit ose më shumë se 80 mijë vota deformim që ka rezultuar i tëri në dëm të Partisë Demokratike dhe grupimit të djathtë. Sot opozita e bashkuar, sipas asaj çka konstatuar OSBE/ODIHR duhet të kishte minimumi 7 mandate më shumë ose 50 vende në Parlamentin e ardhshëm. Dhe këtu nuk flitet për njëanshmëri politike, por për një realitet, i cili është i prekshëm dhe i dukshëm. Partitë e majta ose ato që kishin hyrë me pretendime në garë s’kanë pasur firo të votave, përkundrazi kanë shënuar rritje në përqindjen e votave. PS me rreth 10 mandate, LSI me 4 dhe PDIU dyfishim të votave. Partia Demokratike ka pasur një ulje standarde të votave në 90% të qarqeve nga 5% deri në 12 për qind të votave siç është Kukësi apo Vlora me 10%. Pra, llogaria është e thjeshtë, kur flet OSBE për të paktën 5% të deformimit të vullnetit të zgjedhësve kjo shifër anon nga opozita. Në fakt, kaq ka mundur të pikasë OSBE, por për të qenë korrekt ne po e lemë këtë shifër që thotë arbitri ndërkombëtar që tashmë e ka dërguar raportin e tij në tryezat e përfaqësuesve parlamentarë të vendeve të BE-së. Ky rezultat, sido që ta shohësh teknik apo politik lë shumë për të dëshiruar. Në rast se deformimi është fakt, atëherë politika ka dështuar, bashkë me to dhe zgjedhjet dhe përgjegjës për këtë mbetet organizuesi i zgjedhjeve dhe ai që ka mekanizmat më të forta për t’i deformuar ato dhe ja përse!
Në përqindje
Në zgjedhjet e vitit 2017 morën pjesë 1.614.389 zgjedhës nga 3.4 milionë të regjistruar nëpër lista, e cila korrespondon me një shifër prej 46.8 për qind, pasi janë shtuar dhe 200 votues të tjerë brenda katër viteve. Shifra e mësipërme është rreth 100 mijë më pak se ajo e vitit 2013 dhe po t’i shtojmë dhe 200 mijë të tjerë atëherë kjo shifër shkon në 300 mijë. Në rast se do i referohemi shifrës së OSBE-së që flet për 5% deformim të votave atëherë shuma e votave që janë tjetërsuar me anë të blerjes apo mekanizmave të tjerë është diku tek 80.700 vota. Në këto zgjedhje pragu mesatar për një mandat i ka rënë diku tek 11.500 vota dhe shifra e 80 mijë votave të tjetërsuara kap shifrën e shtatë mandateve së paku të vjedhura në mënyrë të hapur dhe në mes të ditës dhe të pikasur nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Pra, vetëm me çfarë ka arritur të pikasë OSBE konfigurimi në Parlament do të ishte ndryshe, PS do të kishte së paku katër apo pesë mandate më pak, ndërsa ish-aleatët e saj të paktën nga një mandat më pak. Partia Demokratike nuk do të dilte me 43 mandate së bashku me aleatët, por do të kishte së paku 50 mandate.
Zgjedhje të rrëzuara
Por çfarë do të thotë një minimum deformimi të vullnetit të zgjedhësve prej 5% të votave? Në standardet perëndimore të vendosur nga institucionet ndërkombëtare, kufiri i lejueshëm i deformimit (për shkaqe të shumta teknike, si vota të pavlefshme në dëm të të dy krahëve pasi s’mund të mendohen blerje vote apo manipulime të qëllimshme) është 3% e totalit e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Mbi këtë kufi, konsiderohet deformim i vullnetit të qytetarëve i qëllimshëm dhe zgjedhjet janë të rrëzuara. Mbi këtë kufi s’mund të bëhet më fjalë për deformim rastësor, për shkak të mosdijes apo për një mijë e një arsye të tjera. Kalimi i kufirit përgjithësisht kryhet nga pushtete autoritare që përdorin gjithfarë metodash për të mbajtur pushtetin dhe për të tkurrur sa më shumë opozitën. Zgjedhjet në Shqipëri mund të quhen të rrëzuara qoftë teknikisht, qoftë politikisht dhe askush s’mund të fshihet pas kartës së stabilitetit. Sot Edi Rama pa këtë 5% s’do të kishte 74 mandate, por diku tek 69 apo 70 mandate, pra do të kishte një mandatim të cunguar për krijimin e qeverisë, e cila përkon dhe me pretendimet e tij parazgjedhore kur thoshte se numri magjik ishte 71, por pretendimet nuk shkonin më shumë se 68-69 deputetë.
Rasti i Tërbaçit, si u zhdukën 85% e votave të opozitës në një fshat
Në gazetën “Rilindja Demokratike” erdhi dje një informacion shumë interesant, në lidhje me sjelljen e votuesit në këto zgjedhje. Telefonuesi, një person aktiv në zgjedhjet e Qarkut Vlorë, na tregoi si shembull fshatin Tërbaç të Vlorës, një fshat mes maleve të këtij qarku, Tërbaçi ka pasur një sjellje të rregullt në votime. Një fshat me shumicë të majtë, por me pakicë fanatike të djathtë, e cila zor se e ndryshon votën, ku nga 200 votues, numri i votave ndahej në 78-80 për të djathtën dhe kusuri shkonte tek e majta. Por në këto zgjedhje ka ndodhur çudia. Votat për të djathtën në kuti u gjetën vetëm 12, ndërsa 165 kishin kaluar për PS-në dhe kusuri partive të tjera të majta. Votuesi është lehtësisht i identifikueshëm në këtë fshat dhe njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Në lista figuronin të gjithë ata që kanë votuar në vitin 2013, por dhe më parë. Atëherë çfarë e ka bërë fshatin që ka votuar dhe nën kërcënimin e kallashnikovëve njësoj të ndërrojë mendim? Tek ata pak rol luan fushata apo politika e qendrës. Prej 27 vitesh ata votojnë siglat përkatëse dhe kaq, por këtë vit ndryshimi ishte jo pak, por mbi 85% e votuesit të të njëjtës forcë politike.
Pjesëmarrja e ulët, 80% e shqiptarëve nuk votuan
Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2017 mund të jetë nga më të ulëtat që janë regjistruar të paktën që prej vitit 2001, që nuk e kalon shifrën e 46.8%, çka do të thotë se Ramën në këto zgjedhje e kanë refuzuar apo braktisur gati 80% e shqiptarëve. Nga ky 47 për qind, Rama ka marrë më pak se 50% të votave ose jo më shumë se 20% të të gjithë personave me të drejtë vote. Por ajo çka është më e çuditshme në këtë histori, është fakti se thuajse të gjitha partitë e koalicionit kanë rritje të votuesve, ndërsa ajo që ka rënie është vetëm opozita. Kështu për shembull, s’mund të interpretohet rritja me gati 50% të votave të PDIU, e cila nga 40 mijë që kishte në koalicionin me të djathtën atëherë, sot ka marrë 76 mijë vota. Në fakt, Idrizi duhet të shpjegojë tërë këtë dashuri të elektoratit për Aqif Rakipin apo Reme Lalën në Dibër. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me PS-në, e cila deklaron pjesëmarrjen më të madhe në vitin 2013 me 713 mijë vota, por duhet të shpjegojë rritjen me 50 mijë vota në këtë ditë kiameti ose gati pesë mandate. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me LSI, e cila është rritur me jo pak, por me 45 mijë vota në krahasim me vitin 2013, po ashtu dhe PSD me Tom Doshin me 11 mijë vota, duke siguruar mandatin e Shkodrës.
Llogaria nuk del, në rast se ulet pjesëmarrja në votime, atëherë matematikisht ulet dhe numri i votave që marrin të gjitha partitë, që natyrisht sërish i favorizon. Le të bëjmë një llogari të thjeshtë! Në vitin 2013, opozita si koalicion arriti të marrë 680 mijë vota si koalicion me partitë e tjera, nga të cilat 512 mijë i kishte marrë vetëm sigla e PD. Nga këto 52 mijë vota i ka marrë PR, e cila këtë herë konkurronte nën siglën e PD dhe mori një numër të papërfillshëm votash, 40 mijë vota PDIU, 13 mijë vota PDK e kështu me radhë. Pra, duke ndjekur shifrat, pa PDIU opozita në zgjedhjet e atëhershme ka marrë rreth 640 mijë vota. Duke ndjekur trendin në këto zgjedhje me pjesëmarrje gati 8 për qind më të ulët duhet të kishte së paku 590 mijë vota (dhe këtu nuk po shtojmë 200 mijë emra që i janë shtuar listave, pasi 8 për qindëshi mungesë korrespondon me shifrën e përafërt të 280 mijë votave). Partia Socialiste sërish do të ishte fituese, sepse do të kishte rreth 656 mijë vota, LSI duhet të kishte diku tek 144 mijë vota, ndërsa PDIU diku tek 37 mijë vota. Kur kurba e votuesit mund të luajë me shifra të përafërta, por jo që të mungojnë vetëm votat e një force politike. Sot Partia Socialiste me gjithë ndihmën që i dhanë dhe disa prej eksponentëve të opozitës s’mund të kishte kurrë më shumë se 64-66 deputetë, Partia Demokratike dhe koalicioni duhet të ishte në shifrat e 53-56 deputetëve, LSI në shifrat e 15 deputetëve dhe PDIU jo më shumë se 3 mandate, në llogaritje të përafërta. Kjo gjithmonë në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin të rregullta dhe partitë të ruanin pozicionet e vitit 2013, kur zgjedhjet u njohën si të standardeve demokratike.
Tabela krahasuese, PS u rrit me 19% në Kukës dhe 14% në Vlorë!
Por le të bëjmë ca krahasime me vitin 2013, i cili nga ana e mazhorancës është deklaruar si viti më i mirë i saj elektoral. Sot flasim për 8% pjesëmarrje më të ulët, por sjellja e elektoratit ka qenë sikur në këtë vend të kenë ndodhur çudira në rritje ekonomike dhe mirëqenie. Në fakt të gjithë në fund të ditës kur pasi kanë paguar faturat e kripura të energjisë dhe ajo u mungon, faturën e shëndetësisë, arsimit dhe rrënimit të përgjithshëm shajnë e mallkojnë qeverinë, nuk merret njeri me opozitën. Çudia qëndron në faktin se ulja në numër votash s’ka rezultuar në asnjë rast dëmtuese për mazhorancën, madje ka zona të varfra si Kukësi ku qëllimisht janë kryer politika diskriminuese ku rritja ka qenë deri në 19%. Më poshtë tabela se si kanë lëvizur përqindjet në krahasim me vitin 2013 kur opozita e sotme vinte pas tetë vjetësh pushtet dhe si janë shtuar votat në përqindje të çuditshme vetëm për PS-në, e cila konkurroi e vetme. Tabela e mëposhtme tregon se në asnjë demokraci s’mund të ndodhë kjo që ka ndodhur me PS pas katër vite pushteti brutal dhe shtypës, përveç se në ato vende ku vetëm demokraci s’mund të quhet. Këto lëvizje rezultatesh vetëm në një vend me demokraci s’mund të jenë normale.