Operatori i Shpërndarjes i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë të miratojë një projekt-rregullore, e cila e kalon funksionin e lidhjeve të reja të energjisë në rrjet tek privatët. Drafti i zotëruar nga SYRI.net i hap rrugën një koncesioni të maskuar, i cili de fakto transferon një biznes me vlerë dhjetëra milionë euro tek privatët që do të përzgjidhen nga vetë Operatori i Shpërndarjes. Më konkretisht, në pikën 1.9 të projekt-rregullores, OSHEE kërkon t’i jepet e drejta për të përzgjedhur subjekte të pavarura, të cilat do të realizojnë lidhjet e konsumatorëve në rrjetin e shpërndarjes. Sipas këtij neni, kompanitë private të përzgjedhura do të jenë përgjegjëse për të gjithë procesin e lidhjes së një abonenti në rrjet, nga blerja e pajisjeve, kryerja e lidhjes dhe më pas testimi i saj deri në marrjen në dorëzim nga OSHEE.
Miliona euro
Abonentët që duan të lidhen në rrjetin e shpërndarjes për të marrë energji në banesat apo bizneset e tyre paguajnë një sërë tarifash. Të dhënat zyrtare të publikuara në raportin vjetor të Energjisë Elektrike tregojnë se vitin e kaluar Operatori i Shpërndarjes arkëtoi rreth 5 milionë euro nga lidhjet e reja të energjisë. Por me rregulloren e re këto tarifa janë propozuar të rriten çka do të çojë në zgjerimin e mëtejshëm të këtij biznesi, i cili po tentohet që të transferohet tek privatët. Sipas rregullores, pagesa totale që do të paguajnë qytetarët apo bizneset për t’u lidhur në rrjet nga 7 tarifa të ndryshme dhe shuma përfundimtare e tyre varet nga rrjeti i tensionit ku do të bëhet lidhja, distanca e abonentit nga nënstacioni më i afërt si dhe një sërë faktorësh të tjerë.
Debate në ERE
Lidhja e konsumatorëve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë ka qenë gjithmonë një funksion i OSHEE. Burime konfidenciale i thanë SYRI.net se, propozimi i OSHEE për të transferuar tek privatët funksionin e lidhjeve të reja ka shkaktuar debate të forta brenda Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Burime nga ERE thanë se, projekt-trregullorja është në shqyrtim dhe se ende nuk ka asnjë vendim final për të kaluar lidhjet në rrjet tek privati. Sipas tyre, kjo është një nga pikat më të debatuara mes ERE-s dhe OSHEE, e cila këmbëngul që këtë funksion t’ia kalojë privatëve që do të përzgjidhen nga vetë ajo, pasi kështu do të rriste eficencën.
Vjedhjet e OSHEE
Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj. Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit.
Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër” me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit. Në të gjitha rastet tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit.
Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat.