Eros Grezda titullar në suksesin historik të Osijek në ndeshjen e parë të turit të tretë të Europa League në fushën e PSV Eindhoven. Mesfushori shqiptar që u transferua gjatë kësaj vere te ekipi i Osijekut u aktivizua për 90 minuta në “Philips Stadion”, ku ballkanasit bënë surprizën duke fituar 1-0 me një penallti të shndërruar në gol.
22-vjeçari i kombëtares shqiptare u rreshtua në pjesën e majtë të treshes përpara sulmuesit kryesor dhe sinjalin e parë e dha në minutën e 16 me një veprim të bukur teknik. Rastin më të pastër mesfushori kuqezi e pati në minutën e 55 kur përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes vendase dhe u gjend i vetëm në zonën e rreptësisë, por goditja e tij u bllokua nga portieri holandez, Jeroen Zoet.
Titullar në këtë ndeshje luajti edhe sulmuesi shqiptar i lindur në Shkup, Muzafer Ejupi. Ish-sulmuesi i Shkëndijës mbuloi majën e sulmit gjatë gjithë sfidës, por nuk arriti të shënonte në këtë sfidë edhe pse bëri një punë të mirë. Me këtë fitore, Osijeku ka mundësi të mëdha për të siguruar fazën play off të Europa League pasi një javë më vonë në Kroaci do të kërkojë të mbrojë rezultatin e ndeshjes së parë për të nxjerrë jashtë kompeticionit një nga skuadrat më të forta të kontinentit.