Marrëdhëniet e dëmtuara me SHBA-në gjatë qeverisë Kurti, madje të cilësuara nga Richard Grenell, emisar për misione të posaçme të administratës Trump, si më të këqijat në 35 vitet e fundit, duket se po përpiqet ti ribalancojë presidentja Vjosa Osmani.
Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo duke qëndruar e izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave. Ky ishte mesazhi i Osmanit nga darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Osmani shprehu mirënjohje për rolin e shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.
“Mbi të gjitha, ne i detyrohemi një falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve në momentet më të vështira. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë në ato qe i quajti orët më të vështira të historisë se Kosovës.
“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO; përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë”, është shprehur ajo.
Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e Aleancës ushtarake.