Mesut Ozil thotë se, përkundër debatit të madh që ngjalli, ai nuk është penduar për fotografinë e tij me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoganin, që solli deri te pensionimi i tij nga Kombëtarja e Gjermanisë.
Ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, i dha fund karrierës së tij nëntëvjeçare me Kombëtaren e Gjermanisë në rrethana kontroverse gjatë vitit të kaluar, pasi që mesfushori me origjinë turke mori shumë kritika.
Në maj të vitit 2018, Ozil dhe bashkëlojtari i tij në Gjermani Ilkay Gundogan – të dy me prejardhje nga Turqia – u takuan dhe bënë fotografi me Erdoganin para se të fillonin zgjedhjet në Turqi.
Veprimi i dy futbollistëve u konsiderua si mbështetje për politikanin, i cili më vonë u rizgjodh në postin e tij, përkundër akuzave për arrestim sistematik të gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe kundërshtarëve politikë.
Që të dy lojtarët u fishkëllyen nga tifozët e Gjermanisë në një ndeshje miqësore para Kupës së Botës, mirëpo Federata e Futbollit e Gjermania vendosi të qëndrojë e heshtur, duke e mbajtur përqendrimin te kampanja vijuese në Rusi.
Pas turneut të Kupës së Botës – ku kampionia në fuqi, Gjermania, u eliminua qysh në fazën e grupeve – Ozili e publikoi një letër duke e qartësuar kontekstin e fotografisë së tij me Erdoganin, para se ta akuzonte Federatën gjermane, presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë për racizëm dhe mosrespekt, duke e zyrtarizuar kështu pensionimin e tij.
“Erdogani është presidenti aktual i Turqisë dhe unë do ta respektoja atë person, pavarësisht se kush është ai. Edhe pse kam lindur dhe jam rritur në Gjermani, Turqia është pjesë e trashëgimisë time”, ka thënë Ozil.
“Nëse Angela Merkel është në Londër dhe kërkon të takohet me mia, natyrisht se unë do të pranoja. Kjo ka të bëjë vetëm me respektin që duhet ta tregosh për dikë në pozitë të lartë të vendit tënd”.
“Tani që kam pasur kohë të reflektoj, e di që e mora vendimin e duhur. Ishte një periudhë e vështirë për mua pasi që luajta nëntë vjet për Gjermaninë dhe ishte lojtari më i suksesshëm i tyre”.
“Unë po abuzohesha në baza racore – edhe nga politikanët dhe figurat publike – megjithatë askush nga ekipi ynë kombëtar nuk doli në atë kohë dhe të thotë: “Hey, ndaluni. Ky është lojtari ynë, s’mund të ofendoni kështu”. Të gjithë qëndruan të heshtur dhe e lanë të ndodhte ajo”.
Së fundi, futbollistët e Turqisë kanë marrë kritika dhe janë duke u përballur me procedurë disiplinore nga UEFA për shkak se e bënë një përshëndetje ushtarake gjatë ndeshje të Turqisë kundër Shqipërisë dhe Francës, në mbështetjeve të sulmeve ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve në pjesën veriore të Sirisë.