Arsenali duket se ka hequr dorë nga gjermani, nga rinovimi i kontratës së tij, e cila përfundon më 30 qershor 2018, ndaj ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë ofertat qysh në merkaton e dimrit. Siç është publikuar të enjten në “Daily Star”, ekipi i Londrës po kërkon në janar rreth 30 milionë paundë (34 milionë euro) për të parandaluar mesfushorin të largohet verën e ardhshme falas. Kjo gjë do të hapte dyert e Manchester United, me Jose Mourinhon që e dëshiron mesfushorin me origjinë turke.
Ne kujtojmë se, “Special One” është një admirues i madh i Özil, të cilin tashmë e ka trajnuar te Real Madridi. Me lojtarin e kombëtares gjermane, Mourinho është përpjekur të nënshkruajë në më shumë se një rast, por gjithmonë pa sukses. Një faktor tjetër në favor të nënshkrimit të Mesut me “Djajtë e Kuq” është se ai mund të regjistrohet në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi Arsenali merr pjesë këtë sezon në Ligën e Europës.