“Pa ekstremizma të verbra”- Këshilla e Mid’hat Frashërit për qeveritarët e parlamentarët e Shqipërisë! Misionari i principeve demokratike, njihte politikën botërore

URAN BUTKA

PJESA E DYTË

Në kushtet që po kalonte Shqipëria ishin më se të nevojshme investimet e huaja. “Duhet të kuptojmë dobinë e investimeve të huaja edhe të zgjojmë interesin e investitorëve të huaj”. Kjo është, sipas Mid’hat Frashërit, njëra anë e medaljes. Ana tjetër, është politika.

M. Frashëri u bë një misionar i principeve demokratike. Themelimi i një parlamenti pluralist dhe demokratik ishte i një rëndësie të veçantë për fillimin e një jete politike demokratike dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Mid’hati që e njihte jetën parlamentare të vendeve perëndimore, u këshillon qeveritarëve e parlamentarëve shqiptarë një politikë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben në çdo kohë Shqipërisë, pa ekstremizma të verbra, që i kanë shkaktuar dëm në çdo kohë Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri është për një regjim republikan, ku forma e shtetit të ishte republikë parlamentare e vendosur me votim të përgjithshëm, si edhe për një pushtet institucional demokratik të zgjedhur me vota të lira, ku të përfaqësohen gjithë shqiptarët, edhe ata të diasporës. Ai luftoi për një shtet kombëtar shqiptar, apo për një Shqipëri etnike. Ai nuk është as për një Shqipëri të madhe e as për një Shqipëri të vogël, por për një Shqipëri etnike, që të përmbledhë gjithë trevat shqiptare ku banojnë tërësisht shqiptarë apo me shumicë shqiptare, mbi bazën e parimit të vetvendosjes së kombeve.

Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, i cili të ketë “pamje shoqënore” – siç shprehet ai, ku drejtimi, mirëkuptimi dhe rregulli të vijnë nga zbatimi i ligjit, përkundër nihilizmit, anarkisë dhe arbitrarizmit.

Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit të sovjetëve, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen në shpërbërjen e Rusisë. “Para së gjithash, i shkruan ai konsullit Iden të Britanisë së Madhe në Shqipëri, – e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Kjo është një mendësi e mjerueshme, të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Duke i paralajmëruar shqiptarët e viteve ’30 për rrezikun e bolshevizmës dhe duke i siguruar ata që ajo është një ideologji e papajtueshme me terrenin, psikologjinë dhe të ardhmen e shqiptarit, nisur dhe nga frutet e hidhura që kishte dhënë në Rusi, Mid’hat Frashëri shprehet për një rend e zhvillim kapitalist të natyrshëm e social në Shqipëri, me evolucion ( reforma) dhe në mënyrë demokratike, me përmirësime e përsosje të vazhdueshme. Ai është kundër revolucionit, kundër përmbysjeve me dhunë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive, kundër centralizmit burokratik. Ringjalljen ekonomike, Mid’hat Frashëri e sheh te ekonomia e tregut, ndërsa ringjalljen politike e morale e gjen tek parimet e rendit demokratik. “Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike Europiane”

Ai është kategorikisht kundër një shteti autokratik, që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme dhe të mos abuzohet me pushtetin. Mid’hati është për një shtet demokratik që të respektojë të drejtat e liritë e individit, pronën dhe t’u hapë udhën iniciativës së njerëzve, lirisë së tyre për të jetuar, punuar, pasuruar, folur e vepruar. Mid’hat Frashëri është kundër parimit të centralizmit , që të çon në despotizëm e autarki. “Ka njerëz që duan që qeverija të detyrojë çdo njeri për punë, të shtrëngojë dhe të dënojë atë që s’punon; të tjerë njerëz duan që qeveria të rregullojë jetën e çdo dite, të mbrojë, të paguaj, të ndalojë, të shtyjë çdo gjë. Ky sistem do të na shpinte te komunisma dhe te bolshevizma, në qoftë se vërtet e aplikojmë…”

Që të mbahet shteti, duhet që edhe shtetasit të bëjnë detyrën e tyre. Këtë detyrim, Mid’hat Frashëri e quan “ndjenja e përgjegjësisë personale”: “Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrerë gjithë barën e aktevet. Le të kuptojmë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale. Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vete në përmirësim dhe përparim moral, e vetmja fushë që të bëjmë të rinjtë e Shqipëris’ sonë të bëhen të dobishmë e të vlefshmë” .Shqiptarët, thotë ai, duke mos qenë mësuar me jetë politike, s’kanë kuptuar ende barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente. Si një mjek i sëmundjeve shoqërore, Mid’hati vëren dhe diagnostikon plagët e Shqipërisë, sëmundjet që brejnë shqiptarët, si edhe rekomandon shërimin e tyre. Ilaçi: PUNA. “Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është puna”. Ky qëllim i vërtetë nuk arrihet vetvetiu . Është detyrë e individit, por edhe e kujdesjes së shtetit. Të mos presim nga tjetërkushi.

Tjetërkushi, sipas Mid’hat Frashërit, është edhe i huaji, të cilin as nuk duhet ta absolutizojmë, as ta injorojmë. Si njeri me kulturë të gjerë, demokrat e atdhetar i madh, ai mendon se Shqipëria duhet të përfitojë nga përparimi ekonomik, qytetërimi dhe kultura europiane perëndimore, “meqenëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken fort vështirë dhe duhet të merren hua atje ku gjinden”.

Mid’hati është për të parë në botën e qytetëruar një dritë të re e një veprim të ri, është për të marrë shembullin më të mirë, më të përparuar dhe më të dobishëm për Shqipërinë e jo për një nënshtrim të verbër ndaj të huajës. ”Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur” – ironizon figurshëm ai

Shqipëria e ka kapitalin njerëzor edhe kapitalin fillestar financiar. Në krye, ndofta të vogël por që rritet duke punuar. Mid’hati depërton në thellësi të jetës dhe të shpirtit të shqiptarit. Ai vëren me dhimbje se shqiptari kënaqet me pak, natyrisht edhe kjo gjë e formuar historikisht nga varfëria, pushtimet dhe trazirat e vazhdueshme. Asgjë s’ka qenë e sigurt, madje edhe vetë jeta. Ambicia për të rrojtur më mirë dhe nevojë e luksit, e jetës komode, e bën njeriun të punojë dhe të fitojë gjithnjë e më tepër. “Populli ynë kënaqet me pakë, dua të them me bukë të misërtë dhe me shëllirë, dhe pa pasur askurrë ndonjë farë turpi, i bën shyqyr Perëndisë! Kështu, po patmë kollomoqin e shkretë, më nukë zëmë shatë me dorë.”.

Si diplomat, Mid’hati vlerëson si shumë ë rëndësishme për shtetin, politikën e jashtme, e cila ka çaluar apo shpesh ka qenë inekzistente. Ai kërkon nga shteti shqiptar marrëdhënie të mira të ndërsjellta dhe bashkëpunim me vendet fqinje dhe vendet e tjera dhe respektim të njëjtë të minoriteteve, që janë ura lidhëse midis shteteve.

Por ai ishte kundër politikave raciste e genocidiste të qeverive serbe e greke ndaj shqiptarëve në Kosovë, Çamëri e viset e tjera shqiptare dhe e ngriti zërin deri në Lidhjen e Kombeve.

Kur qeveria greke po bënte një spastrim të plotë etnik të shqiptarëve në Greqi, sidomos të krahinës së Çamërisë, Mid’hat Frashëri mendon që edhe qeveria shqiptare duhet t’i përgjigjet, jo vetëm me nota diplomatike, por edhe me masa e veprime konkrete, të bazuara në parimin e reciprocitetit. Shteti grek, i ngritur edhe me kontributin e madh të shqiptarëve, u kthye kundër shqiptarëve, duke shkelur edhe moralin njerëzor, edhe ligjet e vendit, edhe marrëveshjet ndërkombëtare të pranuara nga Greqia. Spastrimi etnik u shoqërua me grabitjet e pronave dhe të pasurive të shqiptarëve, me vendosjen e refugjatëve grekë në pronat e në tokat e shqiptarëve të dëbuar. Pra, një proces i dyfishtë, edhe gjenocidi edhe kolonizimi, për ta bërë fakt greqizimin e plotë të këtyre trevave shqiptare.

Në Shqipëri kishin ndodhur mjaft ndryshime politike, po Mid’hati kërkon nga qeveritë shqiptare një politikë kombëtare. Në këtë drejtpeshim ai kritikon çdo veprim antikombëtar, i kujtdo qoftë ai dhe që bie ndesh me interesin kombëtar, integritetin tokësor, siç ishte dhe çështja e Shën Naumit dhe Vermoshit. Mid’hat Frashëri nuk mund të pranonte cenimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë, për të cilën ishte derdhur aq mund e aq gjak dhe nuk mund të pajtohej kurrsesi me aktin e dhënies si dhuratë të Shën Naumit dhe të Vermoshit, sikur të ishin plaçka personale apo plaçka tregu, e jo më pjesë të trupit të Shqipërisë. “Asgjë të mos japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë!”

Në periudhën e fundit të indipendencës, duke pasur parasysh një përvojë kaq të gjatë arritjesh dhe mosarritjesh, Mid’hat Frashëri iu kthye sërish idesë së domosdosë së vetëdijësimit kombëtar, kulturor e qytetar nëpërmjet librarisë së tij Lumo Skendo” dhe botimeve te tij madhore.

Kështu, u shndërrua në një institucion kulture. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kultura, shkolla ekonomia e zhvilluar dhe politika kombëtare do të ishin faktorët kryesorë të mbijetesës, përmirësimit, qytetarisë dhe pavarësisë së munguar.

Exit mobile version