Dokumentari “Pa rregulla, pa kufij” trajton mënyrën sesi grupet shqiptare janë bërë lojtarë kyç në tregtinë globale të kokainës, veçanërisht në Ekuador dhe Kolumbi, përmes një rrjeti emisarësh dhe bashkëpunëtorësh lokalë.
Në dokumentar flasin gazetarët kolumbianë Diana Durán dhe Felipe Morales Sierra, të cilët japin një panoramë të evolucionit të krimit të organizuar në Kolumbi, nga koha e karteleve të njohura të Medellín dhe Cali, deri tek grupet e reja të lidhura me struktura paramilitare.
Durán dhe Morales theksojnë se lidhjet me krimin shqiptar filluan pas viteve 2000, kur emisarë shqiptarë nisën të shfaqen në Amerikën Latine për të porositur drejtpërdrejt dërgesat e kokainës.
Prokurori i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Alfred Shehu, tregon për punën që është bërë së fundmi për të luftuar këtë prirje të grupeve kriminale.
Gazetarët shqiptarë Fatjona Mejdini nga Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC) dhe Xhevahir Zhabina analizojnë me detaje përfshirjen në rritje të grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar, veçanërisht në Ekuador, ku operojnë gjithnjë e më shpesh me bashkëpunëtorë lokalë dhe rrugë të sigurta drejt Evropës.
Ndërsa eksperti i ekonomisë Vehap Kola flet për sfidat e sistemit shqiptar në përballjen me pastrimin e parave që vijnë nga ky trafik. Ai paralajmëron për rreziqet e mëdha që ky aktivitet paraqet për ekonominë dhe sigurinë publike në vend.
Dokumentari përbën një thirrje për reflektim mbi mungesën e kontrollit institucional dhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar për të goditur këto rrjete kriminale që veprojnë “pa rregulla, pa kufij”.
Kliko këtu për të lexuar versionin e transkriptuar të dokumentarit./citizens.al