“Pa standarde, kemi frikë të kalojmë”- Balluku premtoi rrugën në qershor, shembet sapo u ndërtua aksi Korçë-Ersekë. Drejtuesit e mjeteve: Është e rrezikshme

“Synojmë të përfundojë në qershor 2024”. Kështu premtonte në shkurtin e 2023-shit ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, sipas së cilës, aksi nacional Korçë-Ersekë do të ishte gati në qershor, por edhe pse qershori ka muaj që ka kaluar rruga jo vetëm nuk u përurua, por mbetet shumë e rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.

 

Ata nuk mund ta përdorin aksin rrugor pas shembjes që pësoi në lotin e dytë. Aktualisht rruga është e pakalueshme për shkak të çarjes së thellë të rrugës dhe rrëshqitjeve masive.

“Na duket e rrezikshme dhe mendojmë se edhe nëse do rregullohet një ditë, prapë  do na duket e rrezikshme për të kaluar andej sepse nuk na jep siguri”, tha një qytetare.

“Pritej, kjo që në fillim ka patur probleme kjo rrugë. Çdo gjë duket jashtë standardeve”, tha një drejtues mjeti.

Ne shkurt e 2023 Balluku premtonte se me infrastrukturën e duhur do të kishte fluks turistesh, por drejtuesit e mjeteve thonë se është e rrezikshme të kalosh në rrugën që nuk ka parametrat e duhura të sigurisë.

Një rrugë pa standarde e cilësojnë ata aksin Korçë-Ersekë, jo të shtruar mirë dhe të ngushtë.

“Shteti duhet të ndërhyjë shumë fort, sepse hidhen para pa fund. Cdo rrugë duhet të ketë standarde. Nuk ishte problemi vetëm tek cilësia, por ishte që në momentin që kur u ngushtua, humbi korsi”, tha shoferi.

“E ngushtë është, jo e shtruar mirë. Nuk ka ato parametra që duhet të ketë! E rrezikshme është. Na duket shumë e dobët, ka shumë mangësira. Nuk janë punime të  mira”, tha një tjetër shofer.

60 milionë euro ishte kosto e aksit nacional Korçë-Ersekë, por të tjera shpenzime parashikohen tani për riparimin e rrugës pas shembjes së saj.

Exit mobile version