Paçavurja e taksës së ndershme

Nga Klodian Tomorri

Qindra mijë qytetarëve, të cilët i sigurojnë të ardhurat e tyre nga punësimi, po u kërkohet këto ditë të plotësojnë dhe të firmosin të ashtuquajturën deklaratën e statusit personal. Kjo është deklarata e dytë, që duhet të nënshkruajnë. E para është deklarata e të ardhurave personale vjetore, që ndryshe njihet si diva.

Deklarata mbi deklarata. Ky është peshqeshi i taksës së ndershme të Edi Ramës, e cila tani do t’u imponojë qytetarëve që të rifuten në shkolla vetëm për të plotësuar deklaratat e taksave që detyron qeveria.

Deklarata e statusit personal është një dokument, i cili shërben për dy qëllime. Së pari, që tatimpaguesit të kërkojnë zbritje nga baza tatimore. Ndërsa arsyeja e dytë është që Tatimet ta kenë të lehtë të kërcasin kamzhikun progresiv për ata që bëjnë dy ose më shumë punë njëkohësisht. Por le t’i rikthehemi qëllimit të parë.

Neni i zbritjeve tatimore është një lëmsh pykash që mund të ndërtohej vetëm nga disa mendje pykash. Shikoni pak se çfarë thotë;

Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe/ose biznesi mund të
zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore:
a) një shumë prej 600 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë
prej 50.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë;
b) një shumë prej 420 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000
lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në
60.000 lekë;
c) një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë
prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë;
ç) një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh.
2. Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga
punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të
zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korrente për arsimin e
fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100 000 lekë.

Por nuk mbaron këtu. Për të marr zbritjet thërrime të qeverisë ka një kalvar tjetër.

Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet deklaratës së
statusit personal, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë
mujore, në vlerën prej 1/12 e shumës së përmendur në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit
22 të këtij ligji. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor.
Tatimpaguesi, i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një
herë në një muaj.
Zbritjet e tjera përveç zbritjeve personale në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1
të nenit 22 të këtij ligji, mund të kërkohen vetëm nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.   

Kllapë nën kllapë dhe dhëmb mbi dhemb. Shkallarja e çmendurisë progresive. Imagjinoni një punonjës, i cili ka një pagë 1 mijë euro në muaj se çfarë duhet të heqë për të marrë vesh ekuacionin e budallikut tatimor? Mijëra orë energji të shpenzuara dhe qindra mijëra faqe deklaratash të plotësuara.

Me pak fjalë kodi tatimor po shndërrohet në një makth sipas eksperiencave me të këqija ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë një prej tyre, ku plotësimi i të ashtuquajturave tax returns është një nga hallet më të mëdha të qytetarit të zakonshëm.

Por më e keqja e progresivitetit është se burokratisht ai vetëm rëndohet. Njësoj i parimi i prangave, që sa vijnë e shtrëngohen. Kjo pasi lëmshi imponon më shumë lëmsh. Dhe vit për vit në sistemin tatimor shtohen të tjera procedura burokratike.

Sot pamja e lëmshit është kjo. Nëse je miliarder që rrëmben tokat publike në bregdet paguan zero taksë edhe kur fiton miliona euro. Nëse je një nga fatlumët që merr tenderat e ndershëm të AKSHI-t, paguan vetëm 5 për qind tatim. Nëse je për bukën e gojës dhe ke një rrogë me të cilën ushqehesh paguan 13 për qind. Nëse ke të ardhura që i lejon vetes edhe ndonjë drekë jashtë një herë në muaj me familjen paguan 23 për qind. Cikli i çmendurisë mbyllet më së miri. Nëse je korporatë ose koncesionar që fiton 80 milionë euro në vit paguan 15 për qind në normë statutore dhe shumë më pak në normë reale.

Kjo është marrëzia e taksës së ndershme dhe ingranazhit të rëndë burokratik pas saj. Një marrëzi që duhet të marrë fund. Sistemi tatimor nuk ka pse të jetë makth për qytetarët. Sa më i thjeshtë të jetë aq më mrekullisht funksion. Një shtet racional do të linte jashtë tij minumumin jetik të mbijetesës dhe pastaj do të taksonte të gjithë të tjerët njësoj, pavarësisht burimit të të ardhurave dhe numrit të punëve që ata bëjnë.

Kurse meraku i padrejtësisë mund të targetonte një kufi për të ardhurat anomalisht të larta. Një prag 200 mijë euro në vit, pikërisht për të kapur rrogat anormale që vijnë si pasojë e incentivave perverse në tregje ose shkëmbimit të favoreve korruptive. Kaq mjafton dhe është shumë më e ndershme se lëmshi progresiv që në të vërtetë është një sistem kriminal regresiv taksimi. 23 për qind për punëtorin dhe 0 për qind për miliarderin. Por kjo rregullohet vetëm me votë. / Kapitali.al

Artikulli paraprakMori 2 mijë euro për legalizimin e një banese në Fier, SPAK përfundon hetimet për punonjësin e Kadastrës dhe 2 të pandehurit e tjerë
Artikulli tjetërInceneratori “fantazëm” dhe mali me mbetje në Landfillin e Sharrës