Pack: PE të hetojë akuzat për Vlahutin

Eurodeputetja Doris Pack i ka kërkuar dje Parlamentit Europian të hetojë rreth akuzave për korrupsion të ngritura nga media për ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin. E gjendur në Shqipëri në konferencën rajonale për sfidat me të cilat përballen gratë në politikë, Pack tha se, nëse këto akuza do të rezultonin të vërteta, ky do të ishte një trup i madh për vetë BE-në. E pyetur në lidhje me akuzat mbi vilën që Delegacioni i BE-së në Tiranë ka blerë, Pack shprehet e skandalizuar, ndërsa uron që turpi të mos ketë ndodhur vërtet. “Jam e turpëruar për ato që kam lexuar në media për ambasadoren e Bashkimit Europian, edhe pse nuk e di nëse janë të vërteta. Kjo gjë më zemëron vërtet, pasi nëse janë të vërteta, ky do të ishte një turp shumë i madh për vetë Bashkimin Evropian, sepse ne jemi ata që po ju kërkojmë ju të luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe nëse ndonjëri prej nesh rezulton i përfshirë në një çështje të tillë, ky do të ishte shkatërrim. I kam bërë thirrje kolegëve tanë në Parlamentin Evropian që të hetojnë më tej këtë çështje dhe nëse është e vërtetë duhen ndërmarrë veprimet përkatëse, sepse nuk është e mundur që t’u kërkohet ju të punoni në këtë drejtim dhe nga ana tjetër një nga përfaqësuesit tanë të jetë i përfshirë në veprimtari të tilla”. Kryetarja e Gruas së Partive Popullore Europiane, Doris Pack, shprehu shqetësimin e saj për situatën e krijuar në vendin tonë. Në një deklaratë për mediat, ajo shprehet se ka mungesë vullneti si për Reformën në Drejtësi ashtu edhe ndaj dekriminalizimit.

Exit mobile version