Shoqëria Civile dorëzoi dje në Gjykatën Administrative të Apelit Kërkesë–Padinë ku kërkon pavlefshmërinë e vendimit të KKT dhe lejes së ndërtimit për Parkun e Liqenit Artificial, si edhe pezullimin e ndërtimit në Park. Në analizën juridike prej 28 faqesh, Shoqëria Civile ka argumentuar në mënyrë të detajuar dhe ligjore shkeljet e konstatuara, duke filluar sipas tyre, që nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e deri te aktet nënligjore.
Sipas Shoqërisë Civile, ndërtimi i parkut të fëmijëve është në shkelje të Konventës së Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar Gjykatës për çështjet e mjedisit, si edhe në shkelje të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, gjithashtu në padi thuhet se ndërtimi vjen në kundërshtim edhe me disa vendime të Këshillit të Ministrave.
Kërkesë padia e dorëzuar përbëhet prej rreth 28 faqe analizë juridike për shkeljet që janë grupimi i aktivistëve për mbrojtjen e parkut, ka konstatuar në ndërtimin tek Liqeni Artificial. Ata thanë se, “hapat ligjorë do t’i ndjekim deri në Gjykatën e Strasburgut”.
Po ashtu, avokatët dhe OJF-të kërkuan lejen e Këndit të Lojërave të Liqenit në KKT. Avokati Altin Goxhaj, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile, Sazan Guri dhe aktivisti politik Armir Shkurti, kanë dorëzuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit kërkesën për pajisje me kopje të Lejes së Këndit të lojërave të fëmijëve të Parkut të Liqenit me qëllim ngritjen e Padisë Administrative në Gjykatë.
“Sot, iu dërgua gjithë institucioneve të përfshira në procedurat e dhënies së Vendimit Nr. 1 dt 12.02.2016 “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i Lojërave për Fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”, Kërkesa për dhënien e kopjes së njehsuar me origjinalin dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në zbatim të këtij projekti” me qëllim dorëzimin e padisë pranë Gjykatës Administrative me objekt: “Kundërshtimin i paligjshmërisë absolute “Për Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Objektin: Këndi i lojërave për fëmijë, Projekti Pilot 4, në kuadër të rehabilitimit të Liqenit, Bashkia Tiranë”, bëri të ditur avokati Goxhaj.
Goxhaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, shprehet se javën e ardhshme beteja për ndërtimin e parkut të lojërave tek Liqeni do të bëhet përmes gjyqeve. “Javës tjetër beteja e qytetarëve për të mbrojtur qytetin dhe qytetarinë, do të përshkallëzohet nëpërmjet sallave të gjyqeve! Në këtë betejë do të jenë bashkë të gjithë! Aktivistët Sazan Guri dhe Ilir Aliaj nëpërmjet dy OJF-ve subjekte të legjitimit aktiv në procesin gjyqësor sipas kërkesave të Legjislacionit Gjyqësor, do të përfaqësohen nga Studio Ligjore Aga & Goxhaj Laë Firm (Avokati Altin Goxhaj dhe Avokati Erald Aga), iniciativë që lindi në Asamblenë Qytetare për Parkun nga Nisma Galdini-Guri një javë më parë. Ky aksion Ligjor është mbështetur aktivisht këto ditë nga aktivistët Armir Shkurti, Arian Galdini, Zirkon Disha, Aulon Bej Kalaja, Leonard Dedej, Erion Kristo, Gent Kaprata, Bruna Ismaili, Ada Alushi, Basir Çollaku, Besjan Pesha, Alban Nela, Ajtanga Lubonja, Sevin Serjani, etj., si edhe nga këshilltarë bashkiakë që na kanë vënë në dispozicion akte dhe dokumenta të ndryshme, ndaj dhe ditën e shtunë do të jemi bashkë me aktivistët Qytetarët për Parkun për të marrë në dorëzim sipas ligjit provat fotografike dhe filmike të mbledhura me aq sakrifica nga aktivistët kurajozë, të cilët me aq sakrifica prej 4 javësh kanë monitoruar çdo betoniere dhe çdo prerje peme me fotografi dhe video. Të mos harrojmë sakrificën e dhjetëra qytetarëve të rrahur dhe marrë zvarrë nga policët, duke u plasur nëpër qelitë e pista të komisariateve të Tiranës”, shkruan Goxhaj.