Padi në Prokurori për kreun e KED, Ardjan Dvorani, Meta publikon të hënën një video përvëluese

Presidenti Meta ka konfirmuar paralajmërimin e tij për të ngritur ditën e hënë padi ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Prokurori, Ardjan Dvorani.

Madje Meta është shprehur nëpërmjet zëdhënësit te tij Tedi Blushi, se do të ketë edhe prova të tjera përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur padi edhe për persona dhe zyrtarë të tjerë

“Të dashur kolegë gazetarë që më pyesni vazhdimisht a do të bëhet ditën e hënë kallëzimi penal i paralajmëruar nga Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se:

Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më.

Në këtë mënyrë, jo vetëm mbrojmë Kushtetutën e Republikës dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe tregojmë përgjegjshmëri për të gjithë taksapaguesit e vendeve partnere, që paguajnë aq shtrenjtë që ky vend i NATO-s dhe nesër i BE-së, të arrijë standardet e tyre, të shtetit ligjor dhe të demokracisë.

Dy vite më parë, PD kallëzoi në prokurori Ardian Dvoranin

Një ditë më parë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se do të padisë penalisht në prokurori kreun e KED,  Ardian Dvoranin pasi ka marrë kompetencat e institucionit të të cilit është në krye.

Gjatë një konference për mediat, Meta e akuzoi Dvoranin si ‘mafioz dhe ushtar të verbër të partisë në pushtet’.

Por padia e presidentit ndaj Dvoranit nuk është e para.

Dy vite më parë, do të ishte Partia Demokratike që do të padiste Ardian Dvoranin, pasi ai dhe skema e Edi Ramës kishte për qëllim kapjen e këtij institucioni, KED-së.

Në kallëzimin e bërë nga PD-ja dy vite më parë ndër të tjera thuhej:

‘Përcaktimi i ri kushtetues i shtrinë efektet për gjyqtarët që nuk e kanë përfunduar mandatin e tyre, apo që e kanë fituar atë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe se rregulli i ri nuk mund të ketë efekt prapaveprues për rastin e gjyqtarëve që i ka përfunduar mandati prej kohësh dhe qëndronin në detyrë në kundërshtim me Kushtetutën.

Situata kushtetuese e gjyqtarit Ardian Dvorani nuk rregullohet nga pika 5 e nenit 136 të Kushtetutës, por nga pika 4 e nenit 179 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm.

Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati, emërohen sipas dispozitave të këtij ligji’.

Pra, ushtrimi i detyrës për gjyqtarin Ardian Dvorani duhet të vazhdojë apo jo, sipas mandatit të tij të mëparshëm, i cili ka përfunduar më 17 Shkurt 2014 dhe që është konfirmuar në këtë rast me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Vijimi i ushtrimit të detyrës pas njohjes së rrethanës për shfuqizimin e parashikimit në ligj që mundësonte qëndrimin në detyrë, në përputhje me ligjin, por në kundërshtim me Kushtetutën, përbën rast të paprecedentë në historinë e Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

Në praktikë ky rast ka sjellë një situatë sa antikushtetuese, aq edhe absurde. Duke qenë se Kushtetuta parashikonte një formulë të tillë emërimi që përfshinë dy organe (Presidentin e Republikës dhe Kuvendin e Shqipërisë), emërimet në Gjykatën e Lartë janë të bllokuara që nga data 1 Tetor 2013. Edhe pse Presidenti i Republikës ka emëruar deri më tani më shumë se 7 anëtarë të Gjykatës së Lartë (për 3 vende vakante), Kuvendi nuk ka dhënë pëlqimin për asnjërin prej tyre, edhe pse nuk ka ngritur asnjë pretendim për meritën e kandidatëve!

Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në veprimtarinë parlamentare të Kuvendit, se refuzimi që ky organ i ka bërë 7 Dekreteve të Presidentit të Republikës, kanë si qëllim të vetëm zgjatjen antikushtetuese të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Pra, në vetvete, sjellja e gjyqtarit Dvorani, i cili vijon të ushtrojë detyrën pa mandat, ka krijuar edhe një situatë të paprecedent në Shqipëri (bllokimin për më shumë se 3 vjet të emërimeve në Gjykatën e Lartë), që cenon edhe dispozitat kushtetuetese që rregullojnë procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë’.

Më poshtë, padia e plotë e bërë nga PD ndaj Ardian Dvoranit:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Tiranë, më___/03/2017

K A L L Z I M  P E N A L

KALLZUES:           GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Përfaqësuar nga Z. Edi Paloka, Kryetar i Grupit

ME OBJEKT:        Kallzim i veprës penale “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”, të parashikuara nga neni 249i Kodit Penal.

 

KUNDER:             Ardian Dvorani, me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Lartë

BAZA LIGJORE:  Nenet  280 dhe 283 të K. Pr.Penale,

Neni 249 i Kodit Penal.

DREJTUAR:          PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

  1. Adriatik Llalla – Prokuror i Përgjithshëm

I nderuar Z. Prokuror i Përgjithshëm,

Bazuar në nenet 280 dhe 283 të K.Pr.Penale parashtrojmë këtë kallzim penal për veprën penale të sipërcituar, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte si dhe dispozitat ligjore penale të cënuara.

RRETHANAT E FAKTEVE

1.1.Ardian Dvorani, me dekretin nr.4481, datë 17 Shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Sipas nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet. Për pasojë, sipas Kushtetutës, mandati i gjyqtarit Ardian Dvorani ka përfunduar më datë 17 Shkurt 2014.

1.2. Pavarësisht përcaktimit kushtetues, gjyqtari Ardian Dvorani, duke shfrytëzuar një përcaktim të bërë në nenin 5 të ligjit organik të Gjykatës së Lartë, vijojë të qëndronte në detyrë përtej mandatit kushtetues. Konkretisht, me ligjin nr. 151/2013, datë 30.5.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi më datë 1 Tetor 2013, pika 3 e nenit 5 u ndryshua si më poshtë vijon: “Gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati apo i ka mbaruar mandati, sipas shkronjës “c” të nenit 139 të Kushtetutës, vazhdon të ushtrojë detyrën deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës.”. Në këto kushte, gjyqtari Ardian Dvorani, ndryshe nga kolegë të tij, preferojë të zbatojë ligjin dhe jo Kushtetutën.

1.3. Pika 3 e nenit 5 të ligjit nr. 8588/2000 u kundërshtua në Gjykatën Kushtetutese nga një grup deputetësh, duke kërkuar shpalljen antikushtetuese të saj. Me vendimin nr. 55, datë 27.07.2016, Gjykata Kushtetutese vendosi njëzëri pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të paragrafit 3 të nenit 5 të ligjit nr.8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr.151/2013, datë 30.05.2013.

Që nga ky moment, edhe pretendimi se qëndrimi në detyrë i gjyqtarit Dvorani lejohej nga ligji, humbi efektin dhe për pasojë ai duhet të ishte larguar nga detyra. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga përfundimi i mandatit kushtetues, dhe rreth 1 vit nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari Dvorani vijon të ushtrojë detyrën si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. De facto një qëndrimi tillë, ka sjell pasojën antikushtetuese që për këtë anëtar të Gjykatës së Lartë, mandati kushtetutes nga 9 vjet të shndërrohet në 12 vjet apo më shumë!!!

1.4.Sipas Kushtetutës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Për pasojë, shfuqizimi i pikës 3 të nenit 5 ka hyrë në fuqi që më 12 Gusht 2016, datë në të cilën qëndrimi i mëtejshëm në detyrë është tërësisht i pajustifikuar. Mirëpo, gjyqtari Dvorani pretendon se qëndron në detyrë si pasojë e përcaktimit të ri të bërë nga ndryshimet kushtetuese, në pikën 5 të nenit 136 të Kushtetutës. Në këtë rast, duhet të sjellim në vëmendjen tuaj se për shkak se ndryshimet e reja kushtetuese që hyn në fuqi më 11 Gusht 2016, parashikonin që gjyqtari i Gjykatës së lartë qëndron në detyrë deri në ardhjen e gjyqtarit pasardhës (parashikim që nuk bëhej nga Kushtetuta e vitit 1998), Qeveria bllokoi publikimin në kohë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e publikuar atë 2 ditë jashtë afatit ligjor (15 ditë nga shpallja) dhe vetëm pasi kishte hyrë në fuqi Kushtetuta e re (në 12 Gusht).

1.5. Përcaktimi i ri kushtetues i shtrinë efektet për gjyqtarët që nuk e kanë përfunduar mandatin e tyre, apo që e kanë fituar atë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe se rregulli i ri nuk mund të ketë efekt prapaveprues për rastin e gjyqtarëve që i ka përfunduar mandati prej kohësh dhe qëndronin në detyrë në kundërshtim me Kushtetutën. Situata kushtetuese e gjyqtarit Ardian Dvorani nuk rregullohet nga pika 5 e nenit 136 të Kushtetutës, por nga pika 4 e nenit 179 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm.

Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtarët, të cilëve u mbaron mandati, emërohen sipas dispozitave të këtij ligji.”. Pra, ushtrimi i detyrës për gjyqtarin ArdianDvorani duhet të vazhdojë apo jo, sipas madatit të tij të mëparshëm, i cili ka përfunduar më 17 Shkurt 2014 dhe që është konfirmuar në këtë rast me vendim të Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Shqipërisë. Vijimi i ushtrimit të detyrës pas njohjes së rrethanës për shfuqizimin e parashikimit në ligj që mundësonte qëndrimin në detyrë, në përputhje me ligjin, por në kundërshtim me Kushtetutën, përbën rast të paprecedentë në historinë e Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

 

1.6. Në praktikë ky rast ka sjellë një situatë sa antikushtetuese, aq edhe absurde. Duke qenë se Kushtetuta parashikonte një formulë të tillë emërimi që përfshinë dy organe (Presidentin e Republikës dhe Kuvendin e Shqipërisë), emërimet në Gjykatën e Lartë janë të bllokuara që nga data 1 Tetor 2013. Edhe pse Presidenti i Republikës ka emëruar deri më tani më shumë se 7 anëtarë të Gjykatës së Lartë (për 3 vende vakante), Kuvendi nuk ka dhënë pëlqimin për asnjërin prej tyre, edhe pse nuk ka ngritur asnjë pretendim për meritën e kandidatëve!

Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në veprimtarinë parlamentare të Kuvendit, se refuzimi që ky organ i ka bërë 7 Dekreteve të Presidentit të Republikës, kanë si qëllim të vetëm zgjatjen antikushtetuese të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Pra, në vetvete, sjellja e gjyqtarit Dvorani, i cili vijon të ushtrojë detyrën pa mandat, ka krijuar edhe një situatë të paprecedent në Shqipëri (bllokimin për më shumë se 3 vjet të emërimeve në Gjykatën e Lartë), që cenon edhe dispozitat kushtetuetese që rregullojnë procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

LIGJI I APLIKUESHEM

2.1.Kodi i Procedurës Penale, në nenet 280 dhe 283 e tij parashikon se:

Neni 280

Marrja dijeni për veprën penale

Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.

Neni 283

Kallëzimi nga ana e shtetasve

Çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht duhet ta kallëzojë atë. Në rastet e caktuara me ligj kallëzimi është i detyrueshëm.

2.2. Nga ana tjetër Kodi Penal në dispozitat e tij parashikon se:

Neni 249

Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij

Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE

3.1.Është shumë e rëndësishme jo vetëm për ne, por dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që në momentin që vihet në dijeni të kryerjes së një vepre penale, aq me shumë kur ajo konsumohet nga subjekte të cilat kanë si prerogativë mbizotërimin e ligjit dhe duhet të garantojnë zbatimin e tij, të bëjë ai vetë kallzimin penal. I takon prokurorisë më pas marrja e të gjitha masave për dënimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve, pavarësisht funksioneve të tyre apo pozitës që gëzojnë.

3.2. Ashtu si parashtruam edhe me sipër, gjyqtari Ardian Dvorani, ka fituar mandatin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë më datë 17 Shkurt 2005 dhe sipas nenit 136/3 të Kushtetutës i ka përfunduar mandati më 17 Shkurt 2014. Konkretisht,neni 136/3 i Kushtetutës sanksiononte se: “Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.”. Kjo dispozitë është e qartë, koncize dhe mjaftueshmërisht vetërregulluese për t’u zbatuar edhe në mungesë të një ligji detajues. Për më tepër, pavarësisht parashikimit antikushtetues të bërë në nenin 5 të ligjit organik, gjyqtari Dvorani, ishte i detyruar që fillimisht ti referohej përcaktimit të Kushtetutës, si dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, arsyetimi i vendimeve të së cilës kanë fuqinë e ligjit. Në vendimin e saj nr. 24/2011, Gjykata Kushtetuese shprehet se: “33.

Në ndryshim nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, neni 125/5 i Kushtetutës parashikon se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.”. Nga ky pasazh i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kuptohet që gjyqtari i Gjykatës së Lartë, ndryshe nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese, nuk qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.

3.3. Edhe pse për një moment, mund të pranojmë se gjyqtari Dvorani ka patur “vullnetin e mirë” për të zbatuar përcaktimin e nenit 5 të ligjit organik, pas shfuqizimit të kësaj dispozite me vendimin nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetutese, nuk ka asnjë arsye kushtetuese apo ligjore, që ky gjyqtar të vijojë ushtrimin e detyrës. Në këtë rast, ai është i detyruar të respektojë dispozitën kushtetuese mbi bazën e të cilës ka fituar mandatin si gjyqtar i Gjykatës së Lartë (neni 136/3), vendimin nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe pikën 4 të nenit 179 të Kushtetutës.

3.4. Nga konsultimi me faqen zyrtare në internet të Gjykatës së Lartë, konstatojmë se pavarësisht mbarimit të mandatit prej më shumë se 3 vitesh, gjyqtari Dvorani, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe vendimin nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetuese, vijon të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të jap vendime në emër të Republikës së Shqipërisë. Konkretisht, sipas njoftimeve të vetë Gjykatës së Lartë, vetëm për datës 15 Mars 2017, ka zhvilluar 3 seanca gjyqësore, ku ka qenë kryesues i trupit gjykues[1]. Ndërkohë, rezulton se për të gjithë këtë periudhë, vijon të jap vendime në emër të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se është pa mandat. Për ilustrim, shiko vendimin nr. 00-2016-3042, datë 07.12.2016.

3.5. Vijimi i ushtrimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, për një periudhë 3 vite pas përfundimit të mandatit, pasi Gjykata Kushtetutese ka eleminuar cdo “justifikim” për vijim e detyrës deri në emërimin e pasardhësit (vendimi nr. 55/2016), si dhe pavarësisht përcaktimit kushtetues që gjyqtarët vazhdojnë detyrën sipas mandatit të mëparshëm (të përfunduar më 17 Shkurt 2014, sipas pikës 4 të nenit 179), nënkupton që me dashje, gjyqtari Ardian Dvorani, ka konsuuar elementët e veprës penale të parashikuar në nenin 249 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

3.6. Gjyqtari Ardian Dvorani vijon të ushtrojë një funksion shtetëror (gjyqtar i Gjykatës së Lartë), edhe pse është në dijeni të vendimit dhe rrethanës që i ka dhënë fund ushtrimit të funksionit publik (mbarimi i mandatit pas periudhës 9 vite të qëndrimit në detyrë, përaktimit të këtij detyrimi me vendimin nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe urdhërimit të kushtetutëbërësit në pikën 4 të nenit 179 të Kushtetutës). Që të jemi përpara kësaj vepre penale, duhet që zyrtari në kundërshtim me periudhën kushtetuese të ushtrimit të detyrës, të vazhdojë ta ushtrojë atë, edhe pse i ka përfunduar dhe Kushtetuta nuk lejon qëndrimin në detyrë pas përfundimit të periudhës 9 vite.

3.7. Rezulton e provuar nga njoftimet e vetë Gjykatës së Lartë, se gjyqtari Ardian Dvorani, vazhdon edhe sot të ushtrojë detyrën e gjyqtarit, pa mandat dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Për këtë arsye, vlerësojmë se shtetasi Ardian Dvorani, ka konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 249 të Kodit Penal, me dashje.

3.8.Për të gjitha sa më sipër, rezulton e provuar se shtetasi Ardian Dvorani, ka kryer veprime të kundërligjshme dhe kriminale, duke vijuar ushtrimin e detyrës dhe pse botërisht njihet rrethana që e pengon këtë. Kjo veprimtari e kundërligjshme e shtetasit Ardian Dvorani përbën shkelje flagrante të Kushtetutës/ligjit dhe e ngarkon me përgjegjësi penale këtë funksionar publik, për shkak se po kryen një funksion publik, edhe pse i ka përfunduar mandati kushtetues.

Në këtë rast përgjegjësia penale është evidente dhe direkte e të kallzuarit Ardian Dvorani. Është i provuar jo vetëm momenti i fillimit të detyrës, por edhe momenti i përfundimit të saj, si dhe pamundësisë për të vijuar pas vendimit të shpallur nga Gjykata Kushtetuese (nr. 55/2016). Është e provuar se rregulli i ri i prezantuar nga pika 5 e nenit 136 të Kushtetutës (sipas ndryshimeve kushtetuese), nuk i shtrinë efektet mbi gjyqtarin Dvorani, për shkak se mandati i tij rregullohet nga pika 4 e nenit 179 të Kushtetutës, dhe jo nga neni i ri 136 i Kushtetutës.

3.9.Marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar veprimtarinë normale të aparatit shtetëror, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve ose të shtetit, gëzojnë mbrojtje të posacme nga legjislacioni penal. Nga rrethanat e faktit të parashtruara më sipër dhe nga interpretimi i nenit 249 të Kodit Penal, rezulton se elementët e veprës penale janë konsumuar në mënyrë të plotë nga i kallzuari prej nesh ArdianDvorani. Ai jo vetëm nuk ka respektuar Kushtetutën që në datë 17 Shkurt 2014 (ku ka përfunduar mandati 9 vjecar), por ka vijuar detyrën edhe pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetutese apo pas hyrjes në fuqi të pikës 4 të nenit 179 të Kushtetutës.

3.10.Në këtë mënyrë, ArdianDvorani ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën/ligjin, që përbëjnë ushtrimit të një funksioni publik, pas dhënies fund të tij, duke marrë vendime në emër të Republikës, pa mandat gjyqtari, fakt që mund të cenojë rëndë jo vetëm interesat e shtetasve, por edhe interesin e shtetit.Në këtë mënyrë, ArdianDvorani ka konsumuar plotësishtanën objektive të veprave penale të parashikuara nga neni 249i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, ekziston edhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë midis veprimit të kundërligjshëm të tij (qëndrimit pa mandat në detyrë dhe ushtrimit të funksioneve të gjyqtarit), dhe dëmtimit të interesave të ligjshme të individit dhe shtetit.Ky rast përbën kështu  jo vetëm një shkelje të rëndë që i bëhet sistemit juridik penal në Shqiperi, por edhe cënon rëndë besimin e shtetasve te ligji dhe te sistemi i marrdhënieve të vendosura për mbrojtjen e tij, pasi cënimi vjen drejtpërdrejt nga një gjyqtar i lartë në Republikën e Shqipërisë.

3.11.Subjekt i veprës penale është i kallëzuari nga ana jonë, që ushtron detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Subjekti i veprës penale për shkak të pozicionit të lartë publik dhe përgjegjësive që gëzon, jo vetëm duhet të zotërojë një njohje perfekte të legjislacionit por duhet që me anë të sjelljes së saj, e materializuar kjo në veprime, të bëhet promotor i zbatimit model të Kushtetutës/ligjit për shkak edhe të influencës mbi masën e gjerë të kolektivitetit. Gjyqtari në një vend demokratik duhet të jetë asgje më pak se promotori dhe garanti i parë i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit dhe jo shkelësi i parë i tyre.

 

3.12.Ana subjektive  e veprës penale, dashja në kryerjen e kësaj vepre tregohet qartë ngafakti se pavarësisht përcaktimit të Kushtetutës, interpretimit të bërë me vendimin 24/2011, si dhe interpretimit përfundimtar të kësaj cështje me vendimin nr. 55/2016 të Gjykatës Kushtetutese, shtetasi Ardian Dvorani, vijon ende të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

 

  1. Prokuror i Përgjithshëm,

3.13.Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përcues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta cojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si gjyqtari i Gjykatës së Lartë ashtu dhe cdo qytetar i thjeshtë. Përfundimisht, nga sa analizuar më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal.

3.14. Për këtë arsye, nga ana e organit të prokurorisë kërkojmë:

– Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personit të kallëzuar – shtetasit Ardian Dvorani, me detyrë gjyqtar i Gjykatës së Lartë, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë  të rrethanave të parashtruara më sipër.

3.15.Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim, dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rrugë të këtij kallzimi sipas procedurës përkatëse.

Me respekt,

KALLZUES

EDI PALOKA

Exit mobile version