Padia e biznesmenit ndaj Shullazit, zhduken pamjet filmike

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mungon një nga provat më të rëndësishme kundër bandës së Emiliano Shullazit, i denoncuar nga një biznesmen për gjobëvënie. Biznesmeni nga Lushnja, Adriatik Kërçuku ka dëshmuar në Prokurori se, persona të dërguar nga Emiliano Shullazi i kanë vënë një gjobë dhe kur ai nuk e ka paguar atë, i vendosën tritol në biznesin e tij. Kamerat e sigurisë së biznesit të tij kanë filmuar 4 persona që i kanë dhënë mesazhin për gjobën, por ato janë zhdukur nga dosja hetimore nga policia. Në materialet e dorëzuara në polici, ekzistojnë të gjitha pamjet filmike të periudhës kur ka ndodhur ngjarja, përveç ditës në të cilën biznesmeni tha se persona të panjohur erdhën në biznesin e tij.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku fillimisht kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiliano Shullazin për gjobëvënie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiliano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas.
Ndërkohë, në kohën kur mbrojtja e Emiljano Shullazit pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirimin e Shullazit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiliano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiliano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit bëri të ditur një ditë më parë se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se, Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiliano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Emiliano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë, pasi u transferua në Burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiliano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

R.POLISI

Exit mobile version