Ndonëse protestuan për dy vite me radhë për ndërtim e ujësjellësit dhe paditën kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari për abuzim me fondet publike, një pjesë e banorëve të fshatit Lumas vuajnë ende mungesën e ujit të pijshëm.
Ndërtimi i ujësjellësit përfundoi para disa muajsh, por tubacionet e reja që u instaluan nuk e dërgojnë ujin e Sinecit në të gjithë fshatin, ndërsa pompat thithëse të mëparshme u nxorën jashtë funksionit.
Edhe ata banorë që furnizohen me ujë bëjnë të ditur se është i papijshëm, pasi ka përmbajtje të lartë squfuri. Për rrjedhojë banorët thonë se janë të detyruar të mbushin ujë në burimet natyrore në mal ose të furnizohen përmes autoboteve.
Banorët e fshatit Lumaj kërkojnë nga institucionet përgjegjëse filtrimin e ujit dhe furnizmin e gjithë fshatit blejnë ujin me lekë.
“Ne për vite me radhë kemi investuar duke blerë pompa me të cilat furnizoheshim nga burimet natyrore të zonës,por jo nga burimi i Sinecit, uji i të cilit është i papijshëm pasi është ujë llinxhat. Analizat që i janë kryer këtij uji kanë konfirmuar se është me përbërje të lartë squfuri dhe ne këtë ujë e përdorim vetëm për kafshët. Jemi kthyer si në mesjetë, duke mbushur ujë në krahë ose me kafshë nga burimet natyrore të zonës. Në pamundësi për ta mbushur në këto burime detyrohemi ta blejmë. S’e kuptojmë pse u bë ky ujësjellës kur gjysma e fshatit Lumas dhe shumë fshatra përreth nuk marrin ujë nga ai, kur edhe ata që marrin se përdorin dot për të pirë”,shprehen banorët e fshatit Lumas.