Padrejtësia ndaj maturantëve

Lulzim BASHA

Drama dhe lotët e maturantëve sot janë rezultati i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje. E pompoi me të madhe Edi Rama, por prodhoi padrejtësi. Mijëra 18-vjeçarë, të prerë në besë, të cilët në vend që të ishin duke u bërë gati për momentin më të rëndësishëm të jetës, sot kanë një barrë tjetër nga Edi Rama, sepse janë lënë në rrugë, nuk e dinë ku do shkojnë, shohin se mesatarja e tyre e shkëlqyer papritur përfundon në mesatare të ulët.
Kjo është reforma e Edi Ramës, që hedh poshtë mundin, talentin, punën e madhe, studimet e disa viteve, me një të rënë të lapsit.
Si rasti i maturantes nga Shkodra me medalje ari, fituese e olimpiadave kombëtare, e cila e sheh sot veten jo-fituese në çdo universitet që ka aplikuar.
Apo maturantja e përlotur në zyrën e ministres së Ramës, Linditës anti-dije, anti-arsim, që i ndërpret paturpësisht dhe fjalën.
Edi Rama nuk u dha kohë të mjaftueshme maturantëve për të zgjedhur, lista fillestare nuk është e shpallur, ska transparencë, ka krijuar shtigje për të futur tarafin e vet në shkollë të lartë. Abuzimi me kriteret e mesatares është në fakt dera e hapur për një korrupsion masiv të trafikimit të vendeve në universitet. Këto janë rezultatet dramatike të asaj që u nis keq që në fillim, sepse qëllimi i Edi Ramës nuk ishin dhe nuk janë studentët, dija, auditori, por kapja e universitetit, kapja e rektorëve, nëpërmjet bordit të administrimit. Bordi i administrimit nuk është gjë tjetër veçse dora e zgjatur e Edi Ramës, që ka marrë sot autonominë, financat, çdo burim universiteteve, vendos ku do shkojnë fondet, sundon rektorët e pedagogët.
Kjo dramë kombëtare, ka zgjidhje.
Shkarkimi i menjëhershëm i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Shpallja e plotë e listave, nga i pari maturant tek i fundit, transparencë totale, e menjëhershme, sot. Frenimi i regjistrimit dhe publikimi i kritereve. Kërkojmë që KLSH të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit.
Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike është në funksion aplikacioni ku çdo maturant mund të denoncojë rastin e tij, dhe ne do ta ndjekim.http://www.pd.al/trego-rastin-tend/
Të dashur maturantë, jemi në krahun tuaj dhe prindërve tuaj. Së bashku të luftojmë që e drejta e juaj, mundi dhe sakrifica juaj të mos nëpërkëmben, të mos dhunohen. Së bashku nuk do t’i lejojmë ta dërrmojnë rininë e tja vjedhin të ardhmen. Kauza juaj do të çohet deri në fund.

Artikulli paraprakTjetër skandal me maturën shtetërore, në listë ka lëndë që s’bëhen në shkollë prej vitesh
Artikulli tjetërKriza e transportit publik dhe ndërhyrja pa sens në Sheshin “Skënderbej”…