Për herë të parë që nga viti 1999, rritja e pagave në sektorin publik në terma realë rezultoi negative për vitin 2015, bëhet e ditur nga INSTAT, ku të punësuarit në shtet morën pagë efektivisht më të ulët se sa më 2014. Pagat e sektorit publik në Shqipëri gjatë vitit 2015 pësuan një rritje reale negative për herë të parë në mbi 15 vjet, si pjesë e programit të qeverisë për të mos pagat e sektorit publik me synimin për të mbajtur të ulëta shpenzimet dhe borxhin publik. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto e sektorit publik qe në masën 54 mijë lekë, me një rritje prej 1.8 për qind në krahasim me vitin 2014, kur paga mesatare bruto qe pak më shumë se 53 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.9 për qind, gjë që bën që paga reale, e cila llogaritet si pagë minimale minus inflacionin, të zbresë në minus 0.1 për qind. Kjo është hera e parë në pesëmbëdhjetë vjet që paga në sektorin publik pëson rënie në terma realë. Në fakt, pagat në sektorin publik kanë që nga viti 2012 që janë në stanjacion ose rritje minimale. Rritja reale për vitin 2014 qe 0.1 për qind ndërsa më 2013 qe 2 për qind. Instituti i Statistikave e raporton pagën mesatare të sektorit publik bazuar në të dhëna administrative. Duke qenë se këto të dhëna raportohen bruto, ato nuk reflektojnë të ardhurat neto të të punësuarve pasi fshehin në vetvete ndryshimet në politikën fiskale të qeverisë. Janë dy ndryshime të mëdha që duhet të kihen parasysh: ndryshimi në sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale në vitin 2007 dhe në vitin 2014. Në vitin 2007, qeveria miratoi kalimin nga taksimi progresiv në tatimin e sheshtë. Duke qenë se pagat e ulëta u vendos të tatoheshin në masën 10 për qind nga zero që qe më parë, qeveria vendosi të rrisë pagat e ulëta në masën 10 për qind dhe automatikisht ta taksojë këtë të ardhur shtesë. Shifra e paraqitur nga INSTAT për rritje nominale të pagës mesatare në masën 17 për qind për vitin 2007 për rrjedhojë mbart edhe ndryshimin fiskal. E kundërta, në vitin 2014, qeveria vendosi sërish tatimin progresiv të të ardhurave nga paga, gjë që u konvertua në ulje të barrës fiskale për pjesën më të madhe të të punësuarve në shtet. Për rrjedhojë, rritja bruto prej 1.7 për qind në vitin 2014, e fsheh rritjen reale në të ardhura të përfituara nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale. Në vitin 2015, për shkak se nuk ka pasur ndryshime në politikën fiskale, rënia në të ardhurat reale në masën 0.1 për qind është ashtu siç shihet, rënia e parë e pagave reale të sektorit publik në mbi 15 vjet.