31.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Shqipëria, e dyta në Europë për normat më të larta të vdekshmërisë foshnjore! Nga mungesa e mjekëve neonatalë, tek… Ja shkaqet

Lindjet në Shqipëri janë duke rënë me shpejtësi, por treguesi i vdekshmërisë foshnjore mbetet i lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, në 1000 lindje të gjalla humbën jetën 6.1 foshnja, nga 6.5 në vitin 2022.

 

Me këto rezultate, Shqipëria ka vdekshmërinë foshnjore dy herë më të lartë se mesatarja europiane më 2022, me 3 vdekje në 1000 lindje të gjalla.

Shqipëria, me të dhënat e vitit 2023, renditet e dyta për vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Europë, pas Turqisë (9.2).

INSTAT raportoi se në vitin 2023, janë regjistruar 144 vdekje foshnjore, 52,1% janë neonatal i hershëm (0-6 ditësh), 18,0% neonatal i vonshëm (7 -27 ditësh) dhe 29,9% janë postneonatal (28-365 ditësh).

Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes” me 49,3%, “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 20,1% dhe “Anomali të bashkëlindura” me 9,7% të vdekjeve të regjistruara.

Mjekët pohojnë se Shqipëria ka vdekshmëri të lartë foshnjore për shkak të mungesës së mjekëve neonatalë.

Neonatologjia është një degë e pediatrisë që trajton shëndetin e foshnjave në 28 ditët e para të jetës. Duke pasur fokus specifik dhe për një periudhë të shkurtër jetën e bebes, mjekët pediatër nuk preferojnë të specializohen në këtë drejtim.

Ata e shohin më të udhës të punojnë si pediatër i përgjithshëm, pasi do të mbulojnë problemet shëndetësore për fëmijë deri në 14 vjeç, ndryshe nga neonatologët të cilët duhet të specifikohen për bebet njëmuajshe.

Gjithnjë e më pak mjekë të rinj zgjedhin këtë profesion, ndërkohë që kërkesat për shëndetin e bebeve në ditët e para të jetës janë në rritje. Pothuajse të gjitha spitalet rajonale nuk kanë mjek neonalatë po vetëm obstetër.

Para 6-7 vitesh, në dy maternitetet publike të Tiranës, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” ishin 20 mjekë neonatalë, ndërsa tani nuk janë as gjysma e tyre.

Si në të gjitha grupet e sëmundjeve, stili i jetesës ndikon te shtatzënitë dhe sëmundjet pas lindjes. Mosha e martesës te gratë po rritet, gjithashtu pirja e duhanit, alkoolit, obeziteti janë gjithnjë e më të përhapura te gratë.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, tani gjithnjë e më pak nëna lindin në mënyrë natyrale dhe gjithnjë e më pak zgjedhin t’i ushqejnë foshnjat me gji.

Entet publike përgjegjëse për të shqyrtuar këta faktorë dhe ndikimin e tyre në vdekshmërinë foshnjore ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë studim, por të dhëna të tërthorta tregojnë se, paralelisht me rritjen e kontrolleve mjekësore, modeli i jetës te nënat e reja po ndryshon me shpejtësi. /Monitor

SHBA do të vendosë në Gjermani raketa me rreze të gjatë veprimi! Synimi, të mbrohet Evropa përballë kërcënimeve ruse në rritje

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, njoftuan të dy vendet gjatë një takimi të vendeve të NATO-s të martën. Ky është një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

 

Armët më të fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, përbëjnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Presidentin Vladimir Putin.

Deklarata amerikano-gjermane thotë se “dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjerë veprimi.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët në një komunikatë të publikuar të mërkurën.

Në komunikatën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në takimin e NATO-s në kryeqytetin amerikan, aleatët bënë të ditur synimin për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm.

Dokumenti gjithashtu shprehet me një gjuhë më të ashpër se në të kaluarën ndaj Kinës, duke e quajtur atë si “mundësuese e përpjekjeve” luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe se Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi kanë një rëndësi strategjike për aleancën dhe NATO-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tyre, thuhet në komunikatë.

“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe të luftojmë kundër ndikimit malinj, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe aleatët e tyre”, thuhet në komunikatë.

Dokumenti thekson rëndësinë e vlerave demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, thuhet në pikën për Ballkanin.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë të udhëhequra nga NATO”, thekson komunikata.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Konfirmoi të mërkurën se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë të tipit F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Holanda.

Gjatë një interviste të mërkurën për radion e rrjetit FOX NEWS, kandidati republikan për president, Donald Trump tha se nuk do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja ndërsa përsëriti thirrjet që vendet anëtare të shpenzonin më shumë për mbrojtjen.

“Unë thjesht dua që ata të paguajnë detyrimet e tyre. Ne po e mbrojmë Evropën dhe ata po përfitojnë nga kjo”, tha zoti Trump.

Në komunikatë i bëhet thirrje Kinës që të ndërpresë mbështetjen materiale dhe politike për përpjekjet luftarake të Rusisë, ndërsa shprehen shqetësime lidhur me aftësitë hapësinore të Kinës. Dokumenti foli për zgjerimin e shpejtë të arsenalit bërthamor kinez duke i kërkuar Pekinit që të angazhohej në bisedimet strategjike për uljen e rrezikut./VOA

Aksidenti i frikshëm, “Toyota” i pret rrugën mjetit me targa gjermane ku udhëtonte familja prej 4 anëtarësh! Makina përfundon e përmbysur në kanal, si është gjendja e tyre

Një aksident ka ndodhur në aksin nacional Berat-Lushnje në fshatin Moravë.

 

Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, pasi një makinë tip Toyota i ka prerë rrugën një makine me targa gjermane, ku udhëtonte familja Berberi.

Siç shihet në pamje, automjeti ku udhëtonte shtetasi Ëngjëll Berberi, së bashku me bashkëshorten dhe dy fēmijët 14 dhe 9 vjeç, ka përfunduar në kanal.

Ata janë transportuar drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po marrin mjekim.

Mjekët e spitalit të Beratit konfirmojnë se ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe se të katërt kanë pësuar shembje në pjesë të ndryshme të trupit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasi Brahim Agalliu, nështë shoqëruar në polici për të dhënë deklarimet në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që konfirmohet se nuk nga testi Drager, nuk ka rezultuar me prezencë alkooli.

Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të policisë rrugore, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të aksidentit.

Vapa ekstreme, ja simptomat e papritura që mund të shkaktohet për shkak të saj

Disa rreziqe shëndetësore vijnë me motin e ngrohtë, disa prej të cilave mund të jenë të dukshme, si djegia nga dielli dhe dehidratimi. Një problem shëndetësor më pak i zakonshëm që mund të shfaqet kur temperaturat rriten është diarreja.

 

Çrregullime të ndryshme mund të shkaktojnë diarre gjatë nxehtësisë ekstreme, thanë ekspertët, shkruan Verywellhealth.com.

“Kur jashtë bëhet nxehtë, disa gjëra mund të shkaktojnë probleme me stomakun si diarre”, tha Saurabh Sethi, një gastroenterologe me bazë në Fremont, Kaliforni.

Thënë kështu, ka disa hapa që mund të ndërmerrni për të pakësuar shanset tuaja për të përjetuar këtë efekt anësor të motit të ngrohtë.

“Nuk ka asnjë përgjigje se pse ndodh kjo, por mund të ketë disa faktorë kontribues” për të cilët mund të përgatiteni, tha për Verywell Dana Zalkin, një gastroenterologe.

Për të qëndruar të shëndetshëm në ditët e nxehta të verës do të ishte mirë të dini se si të ruani ushqimin siç duhet.

Çfarë e shkakton diarrenë gjatë vapës ekstreme?

Ka shkaqe të ndryshme të diarresë së lidhur me nxehtësinë, duke përfshirë bakteret nga ushqimi i gatuar jo mirë, dehidratimi dhe disa çrregullime shëndetësore.

Bakteret nga ushqimi i jo përgatitur siç duhet

Një nga shkaqet kryesore të diarresë në verë është gastroenteriti bakterial, një lloj gastroenteriti infektiv.

“Temperaturat më të ngrohta e bëjnë më të lehtë rritjen e baktereve në ushqim”, tha Sethi. “Ngrënia e ushqimit me shumë baktere mund t’ju japë gastroenterit, i cili ju bën të sëmurë dhe mund të shkaktojë diarre”.

Temperaturat më të ngrohta janë arsyeja pse gastroenteriti bakterial është më i zakonshëm në verë, shtoi Zalkin.

Lloje të ndryshme bakteresh mund të shkaktojnë gastroenterit bakterial, duke përfshirë E. coli dhe Salmonella.

Dietat që njerëzit zakonisht i konsumojnë në temperatura më të ngrohta mund të luajnë gjithashtu një rol, tha Sethi.

“Në mot të nxehtë, njerëzit shpesh hanë më shumë sallata, fruta ose ushqime që mund të mos jenë mbajtur në ambiente të ftoha”, shpjegoi ai. “Nëse nuk kujdeseni siç duhet për këto ushqime, ato mund të kenë baktere që shkaktojnë helmim ushqimor, duke çuar në diarre”.

Dehidrimi

Çështje të tjera shëndetësore që janë të zakonshme gjatë verës – domethënë dehidratimi dhe sëmundjet e lidhura me nxehtësinë – mund të kontribuojnë gjithashtu, tha Sethi.

“Moti i nxehtë ju bën të djersitni më shumë, gjë që mund të çojë në humbjen e tepërt të ujit nga trupi juaj”, shpjegoi ai. “Kur je i dehidratuar, mund të ndikojë në stomak dhe të shkaktojë diarre”.

Sëmundja inflamatore e zorrëve

Disa kërkime kanë ngritur gjithashtu pyetje nëse njerëzit me sëmundje inflamatore të zorrëve (IBD) mund të përjetojnë simptoma më të rënda, duke përfshirë diarrenë, gjatë temperaturave më të ngrohta.

“Ka disa studime që kanë sugjeruar se ka një rrezik në rritje të shpërthimeve të IBD në muajt e ngrohtë, [por] ne nuk e dimë domosdoshmërisht nëse është [i lidhur] me vetë motin ose gjëra të tjera, [si] ndryshim në dietë ose dehidrim”, shpjegoi Zalkin.

Vlen gjithashtu të theksohet se aspekti psikologjik i nxehtësisë mund të lidhet këtu; Sethi shtoi: “Vetë moti i nxehtë nuk e përkeqëson drejtpërdrejt sëmundjen inflamatore të zorrëve, por ndjenja e stresit nga nxehtësia mund t’i përkeqësojë simptomat për njerëzit që e kanë atë”.

Nëse keni një trakt gastrointestinal të ndjeshëm, duhet të qëndroni në ambiente të freskëta.

Në përgjithësi, qëndrimi për një kohë të gjatë në nxehtësi ekstreme mund të jetë i rrezikshëm, shtoi ekspertja Sethi.

“Përpiquni të mos qëndroni gjatë në vende të nxehta dhe gjeni mënyra për t’u freskuar”, potencoi ekspertja.

Ish-polici që u plagos me thikë për vendparkimin ishte dënuar me 5.4 vite burg për kokainë! Trafik droge edhe drejt Greqisë, si bashkëpunoi ish-efektivi i “Shqiponjave” me trafikantët

Lavdosh Metaj, ish-efektivi i Shqiponjave që dyshohet se i plagos me thikë nga roja i një hoteli pasi refuzoi të paguante vendparkimin e makinës, u dënua me 5.4 vit burg për trafik droge nga Gjykata më 10 nëntor 2022.

 

41-vjeçari u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve qe zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokaine ne Sarande dhe u dënua nga gjykata, por u lirua nga qelia rreth 3 muaj më parë pasi përfitoi nga Amnistia.

Lavodsh Metaj u godit me thikë rreth orës  rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm (11 korrik) në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës në një vendparkim nga 41-vjeçari me inicia;e A. SH., i cili u arrestua nga policia.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit: A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Si bashkëpunoi ish-efektivi i “Shqiponjave” me trafikantët

Lavodsh Metaj, i cili u arrestua për shpërndarje kokaine në qytetin bregdetar, rezultonte i përfshirë edhe në trafikun e drogës në drejtim të Greqisë.

Në dosjen e Prokurorisë së Sarandës bëhej me dije se efektivi është përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës drejt shtetit grek.

“Nga informacionet e marra rezulton se punonjësi i Policisë, Lavdosh Metaj, merret edhe me aktivitetin e kundërligjshëm të trafikimit të lëndëve  narkotike të llojit marijuanë dhe kokainë, të cilat i trans- porton nga qyteti i Fierit, ku ia sigurojnë dhe grumbullojnë  këto lëndë persona të tjerë të afërm dhe me lidhje shoqërore ende të paidentifikuar”, thuhej në dosje.

Hetimet ndaj tij, kishin nisur pas informacioneve të SHÇBA-së në Vlorë dhe Gjirokastër për përfshirjen e forcave të rendit në këtë aktivitet.

U DENONCUA NGA KOLEGËT

Sipas dosjes së Prokurorisë, Lavdosh Metaj kishte 6 muaj që hetohej pas një materiali kallëzues që kishte ardhur në Prokurori  nga vete kolegët e Komisariatit të Sarandës, për dy akuza, atë të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim. Kallëzimi ndaj efektivit ishte bërë më 18 dhjetor 2020.

“Sipas informacioneve të përfituara nga shërbimet e SHÇBA-së, ka rezultuar se efektivi i Policisë, shtetasi Lavdosh Metaj merret me aktivitetin kriminal të ‘prodhimit  dhe shitjes së narkotikëve’, kryesisht të kokainës në qytetin e Sarandës, ku në këtë aktivitet kriminal ky shtetas bashkëpunon edhe me persona të tjerë të cilët i sigurojnë lëndën  narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë dhe modifikime në vende të fshehta”, sqaronte Prokuroria.

Sipas dosjes hetimore, lëndën narkotike, efektivi e shpërndante në qytetin e Sarandës  kryesisht gjatë muajve të verës, ndërsa organi i akuzës arriti të faktojë edhe lokalet dhe hotelet ku shitej droga.

BASHKËPUNOI ME KAMARIERËT

Një tjetër detaj në dosjen hetimore, ishte edhe fakti që efektivi ishte edhe vetë konsumues i lëndëve narkotike, ndërsa në lokale dhe hotele kishte shtrirë rrjetin e bashkëpunëtorëve.

“Gjithashtu, sipas të dhënave për shpërndarjen e lëndës narkotike, shtetasi i dyshuar bashkëpunon edhe me disa kamerierë të hoteleve të mëdha në Sarandë, të cilët i gjejnë dhe klientelën. Lëndën narkotike, i dyshuari ua jep atyre nga automjeti ku e mban për ta shitur”, thuhej më tej në dosje.

BLEU TJETËR APARTAMENT

Prokuroria theksonte se, një pjesë të dozave të kokainës 38-vjeçari i mbante të fshehura edhe në banesën e tij në katin e katërt të një pallati në Lagjen Nr.4 të qytetit të Sarandës.

Ndërkohë, ai kishte arritur të blinte edhe një apartament tjetër po në Sarandë, përveç jetës luksoze që bënte e  dëshmuar kjo edhe në rrjetet sociale.

“Gjithashtu, dyshohet se nga zhvillimi i këtij aktiviteti kriminal, ky punonjës Policie ka akumuluar dhe pasuri të konsiderueshme, pasi sipas të dhënave ka blerë edhe një apartament tjetër në  qytetin e Sarandës, i cili është në përfundim e sipër”, thuhej më tej në dosje.

Përveç se vetë, efektivi 38-vjeçar kishte përfshirë në aktivitet edhe persona të tjerë të rrethi familjar.

ARRESTIMI

Pas hetimeve të kryera për një periudhë disamujore, më 11 qershor, Gjykata e Sarandës lëshoi urdhërarrestin ndaj ish-efektivit Metaj, duke i lejuar Policisë edhe kontrollin e banesës.

Efektivët teksa e mbanin nën vëzhgim, rreth orës 19:45, e kishin konstatuar duke dalë nga banesa e tij, duke mbajtur në krah një çantë të llojit “marsup”, me ngjyrë të zezë. Në këto kushte efektivët e SHÇBA-së kanë ndërhyrë duke bërë ndalimin e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë konstatuar 11 doza të futura në qese plastmasi transparente të mbyllura me djegie në fundin e tyre, brenda të cilave kishte kokainë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal, të dyshuarit iu gjetën edhe një sasi të hollash prej 350 euro dhe 210.000 lekë (të vjetra), si dhe tre telefona.

Britania i dha 240 milionë paund për emigrantët/ Ruanda e qartë pas dështimit të marrëveshjes: S’kemi asnjë detyrim, paratë nuk kthehen

Ruanda ka thënë se nuk do t’i kthejë paratë Britanisë së Madhe për marrëveshjen e emigrantëve e arritur në kohën e Rishi Sunak, për të cilën kryeministri i ri britanik, Keir Starmer tha se ajo “ka vdekur dhe është varrosur”.

 

BBC raporton se qeveria e mëparshmë konservatore i ka paguar Ruandës 240 milionë paund ose 310 milionë dollarë.

Britania e Madhe shprehu shpresën të hënën se disa para nga marrëveshja mund të rikuperoheshin. Të nesërmen, një zëdhënës i qeverisë së Ruandës i tha televizionit shtetëror të vendit: “Le të jetë e qartë, kthimi i parave nuk ishte kurrë pjesë e marrëveshjes.”

Alain Mukuralinda tha se marrëveshja “nuk parashikonte” rimbursimin e parave dhe se Mbretëria e Bashkuar i ishte afruar Ruandës dhe kishte kërkuar një partneritet, i cili u “diskutua gjerësisht”.

Në janar, pas 21 muajsh nga bllokimi i skemës, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, sugjeroi se disa para mund të ktheheshin nëse nuk dërgoheshin azilkërkues në vend.

Por qeveria e Ruandës më vonë specifikoi se nuk kishte “asnjë detyrim” për të rimbursuar MB-në.

Në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, punëtorët e punësuar muaj më parë për të ndërtuar banesa për azilkërkuesit shprehën shqetësimin për vendimin e Starmer.

“Vdekja” e skemës mund të “ndikojë keq në jetën tonë”, tha një punëtor në sitin Gahanga për BBC.

Sherri për vendparkimin e makinës, arrestohet pas disa orësh autori që plagosi ish-efektivin e Shqiponjave! Ja si është gjendja e tij

Policia ka arrestuar autorin e plagosjes së ish-efektivit të Shqiponjave, Lavdosh Metaj, i cili u dënua me 5.4 vit burg për trafik droge, por që u lirua nga qelia rreth 3 muaj më parë pasi përfitoi nga Amnistia.

 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 të mëngjesit të sotëm (11 korrik) në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës në një vendparkim.

Uniformat blu raportojnë se pas konfliktit të çastit, për motive të dobëta, autori ka plagosur me thikë ish-efektivin. 41-vjeçari, banues në Sarandë, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa autori, 41 vjeçari me iniciale A. Sh., banues në Sarandë u arrestua pas disa orësh.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit:

A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Kush është ish-efektivi

Dyshohet se Lavdosh Metaj është plagosur nga roja i një hoteli në qytetin bregdetar pasi refuzoi të paguante lekët për parkimin e automjetit.

41-vjeçari me origjinë nga Mallakastra kishte parkuar automjetin brenda hotelit në lagjen nr.1 të qytetit të Sarandës dhe kur ka shkuar ta marrë, nuk ka pranuar të kryejë pagesën.

Lavdosh Metaj u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të hetimeve qe zhvilloheshin ndaj tij për shpërndarje kokaine ne Sarande.

Në momentin e arrestimit në flagrancë, efektivit iu sekuestruan 11 doza kokainë, me peshë totale 5 gramë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi, iu gjetën edhe 165 gramë, lëndë narkotike, e të njëjtit lloj, kokainë, si dhe një peshore elektronike.

Një ish-efektiv i Forcave “Shqiponja” të Sarandës më 10 nëntor 2022 është dënuar me 5.4 vite burg nga Gjykata, pasi u shpall fajtor për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Suela Xhani, e cila e dënoi atë me 8 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi.

Qeveria nuk rrëzohet me modelin e ngjashëm!

Nga Namir Lapardhaja

Qeveria nuk rrëzohet me protesta, as duke sulmuar SPAK-un dhe drejtësinë, as duke ngritur kauzë “lirimin e liderit të opozitës”, as duke ricikluar të njëjtat figura të ndryshkura politike, as duke nxjerr bashkë ata që nuk kanë lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, duke filluar prej akuzave më monstruoze, as duke vënë në krye ata që e kanë shpërdoruar besimin e njerëzve, kur kanë qenë në pushtet, dhe të demokratëve, gjatë kohës së opozitës, as duke bërë pazare natën me pushtetin, duke përfituar kulla dhe tendera, dhe ditën duke mos i lënë gjë pa thënë, as duke e mbushur dynjanë me gënjeshtra pesëlekëshe, as duke mos qenë të vërtetë me njerëzit dhe publikun, as duke qenë të përulur ndaj njëshit lart ballkonit dhe duke qenë agresiv dhe arrogant ndaj kujtdo tjetër që Ay e ka shenjestruar si armik.

Qeveria nuk rrëzohet me modelin e ngjashëm. Nëse akuzohet për korrupsion, nuk mund t’i vendosësh përballë disa të korruptuar. Nëse akuzohet për lidhje me krimin, nuk mund t’i bësh opozitën me njerëz të lidhur po me grupet kriminale. Nëse akuzohet për abuzime me tenderat dhe koncensionet, nuk mund t’i bëjnë akuzat ata/ato që njihen si përfitues të tenderave dhe koncensioneve nga qeverisja e djeshme.

Qeveria nuk rrëzohet me parimin “ikni ju, të vijmë ne”, për sa kohë nuk ke treguar vullnet dhe dëshirë për të ndryshuar dhe për t’i bindur njerëzit se pse ti je ndryshe nga kjo qeveri.

Qeveria nuk rrëzohet duke i folur vetëm militantëve të partisë me një gjuhë të drunjtë dhe një model të stërvjetëruar, sepse ashtu mund të fitosh militantët që janë gati të hanë barë për partinë, por, kurrsesi, shoqërinë shqiptare, e cila, në dallim, nga hallet e kësaj opozite, ka halle krejtësisht të tjera, që nuk pikëtakohen gjëkundi me retorikën e saj.

Qeveria nuk rrëzohet nga një opozitë e pareformuar, e marrë peng nga një njeri dhe nga një familje që për interesa politike dhe ekonomike i venë nga pas edhe nja dyzet kalkukues për deputetë dhe mundësisht për hajdutë në rastin e marrjes hipotetike të pushtetit.

Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një parti që gënjeshtrën brenda vetes e ka ngritur në sistem, përuljen ndaj udhëheqësit e ka shndërruar në idhujtari, konfliktin e brendshëm në lubrifikant për të ecur përpara.

Qeveria nuk mund të rrëzohet nga një grupim politik në të cilin e drejta nuk ka vend, e arsyeshmja është e paftuar, e ndershmja e dëbuar, normalja e anatemuar, ku politikës ia kë zënë vendin ‘rruga’, argumentit ‘forca’, logjikës ‘turma’, ku e Gënjeshtërta është ulur në fronin e së Vërtetës dhe prej aty drejton gjithçka, ndërsa Verbëria është parimi kryesor për të qenë pjesë e këtij ansambli të vuvët ku përherë fitohet dhe rrëzohet qeveria, ndërsa të nesërmen e kësaj gjëje historia fillon nga e para, duke përsëritur në mënyrë ciklike vetveten.
Domethënë nga humbja në humbje të vazhdueshme, deri në asgjësim.

Vula, ky institut i moralit politik!

Nga Besart Logu

Shoh disa ish eksponentë të lartë të PD që kanë ndryshuar kurs 180° në raport me qëndrimet e tyre të mëparshme, diktuar kjo nga vendimi i Gjykatës së Apelit që legjitimoi Berishën si kreun e PD. Disa artikulojnë teza ojf-iste të tipit “jemi kundër kryetarokracisë” e disa të tjerë shkojnë edhe më tej, duke ngritur akuza se “Basha ka qenë dhe është në funksion të Berishës”.

Gjithkush është në të drejtën e tij të artikulojë çfarë të dojë por që nisma e re të ngjisë në opinionin publik, sidomos ndër demokratë, duhen ruajtur dy elementë shumë të rëndësishëm: koherenca dhe morali. Kështu, një ndryshim i tillë drastik të imponon ngritjen e disa pyetjeve që sqarojnë faktin politik: kur e konstatuat pushtetin absolut të kryetarit (Lulzim Bashës)? Po lojën e dyfishtë të tij me Berishën? Pse nuk e ndërmorët aktin e ndarjes prej tij para humbjes së vulës?

Dikush mund të thotë se këto shqetësime janë ngritur në mënyrë informale dhe në nivel kafenesh por këto nuk janë akte politike, janë thashetheme koridoresh. Prandaj ngritja e partisë së re mbi këto argumente e ka fatin e paracaktuar, është e destinuar të dështojë. Nëse goditja e kryetarokracisë dhe distancimi nga “loja” e Bashës do të bëhej kur ai gëzonte legjitimitetin e kreut të PD, atëherë po, do të kishim akt politik të mirfilltë, që përcillte moral dhe që shtrihej në koherencë të plotë duke gjetur mesin e artë ndërmjet parimeve mbi të cilat funksionojnë dhe fenomenit që denoncojnë.

Të godasësh Lulzim Bashën sot, në momentin më kritik të tij, flet shumë më shumë nga sa pretendohet publikisht.
E para, tregon nivel të lartë mosmirnjohje sepse e ke mbështetur atë vetëm kur ishte i fortë dhe legjitim. Pra, kur kishte çfarë të të jepte. E në momentin kur nuk i gëzon këto dy cilësi jo vetëm e braktis por edhe e godet.
E dyta, kjo sjellje tregon se sa të dobët janë. Godasin dikë në një moment që shënon mbase kurbën më të ulët të karrierës politike të tij. Dhe kjo është në kufijtë e pabesisë. Kështu ngrihen edhe pritat, ku shfryrëzohen momentet kritike me qëllim pasjen rezultat në goditje.

E treta, ky akt tregon paqëndrueshmëri në atë çfarë ke thënë e synuar të bësh. Lufta kundër berishizmit ishte një vullnet për ta kaluar Partinë Demokratike në një stad tjetër më të avancuar, në të menduarit dhe bërit politikë, të organizimit dhe drejtimit të partisë, si dhe të një qasje tjetër ndaj qytetarit, duke përmbyllur kështu një periudhë në PD me uljet dhe ngritjet e saj dhe duke hapur një cikël të ri siç mund të ndodhë normalisht në një parti politike. Thënë ndryshe, ishte diçka që nisi dhe duhet të mbaronte në PD dhe për PD. Partia e re, del kundër logjikës dhe frymës të luftës së pretenduar, asaj kundër berishizmit. E lë PD aty ku ishte dhe ashtu si ishte. Është totalisht ndryshim kursi sepse luhet vetëm për një ose dy ulëse në parlament e në këtë mes nuk ka asgjë parimore dhe se lufta kundër berishizmit i bie të ishte loja.

Sa më sipër dhe për mbyllje, që në momentet e para të artikulimit të idesë për krijimin e partisë së re, kam qenë kundër. Pashë që po tentohej të luhej me emocionet e humbjes së gjyqit. Sot, kur jo vetëm unë por të gjithë logjikojnë ftohtë, për më tepër kur dëgjojmë arsyet se pse u dashka partia e re, po refuzohet në masë çka e gjithë kjo zhurmë do të përfundojë në “parti e mbetur në tentativë”.

Shqipëria, me shpenzime rekord për ndërtimin në Europë në 2023

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat.

Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.

Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.

Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, i ndjekur nga Suedia, me 15.7%.

Në rajon, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%.

E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së.

Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se si aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe të ndërtimit, që vitet e fundit ka hyrë në një cikël të ri rritjeje, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të 2023.

INSTAT bëri të ditur se ekonomia u rrit me 3.44% në 2023.

Të dhënat tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati 50% të kësaj rritjeje, ku efekti më i fortë ishte në tremujorin e parë dhe të fundit.

Po sipas INSTAT, aktiviteti i ndërtimit arriti në 235 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë euro, me një rritje preale prej 9.7%. Ashtu si pasuritë e paluajtshme, edhe ndërtimi rinisi ciklin pas vitit 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë./ Monitor.al