16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

“Ekonomia kontrollon gjithçka!”- Biden apo Trump? Votuesit amerikanë: Vendosim duke pyetur xhepat tanë

“Ekonomia kontrollon gjithçka,” thotë Chris Stinson, drejtor shitjesh në Karolinën e Jugut, “Ekonomia më shqetëson më shumë, atë do të mbaj parasysh kur të votoj këtë nëntor”.

Dhe Chris Stinsono nuk është i vetmi. Kur kanë mbetur më pak se 4 muaj deri nga dita e votimit, mirëqenia ekonomike, të ardhurat në xhepat e tyre, janë përparësi për amerikanët.

Një anketim i rrjetit CNN, javën e kaluar, tregoi se 36 për qind e të anketuarve thanë se ekonomia është përparësia e tyre kryesore se për cilin kandidad do të votojnë. “Mbrojtja e demokracisë” u rendit në radhë të dytë.

“Kujt t’i besoj me këtë gjendje ku ndodhet ekonomia?”, pyet zoti Stinson. “Jam i pavendosur. Demokratët duken krenarë që janë kundër biznesit dhe pro-forcimit të rregullave administrative për biznesin, por (kandidati i pritshëm republikan dhe ish-presidenti) Donald Trumpi na çoi drejt këtij inflacioni shkatërrues, kur ai prezantoi planin për të nxitur ekonominë gjatë periudhës së COVID-it”.

“Por di që këto çështjet e të tjera për të cilat demokratëve u pëlqejnë të flasin, duke dëmtuar individëve të bardhë si puna ime, duke shtuar rregullore kudo që të munden… njerëzve nuk u intereson as gjendja e oqeaneve, as se cilin tualet mund të përdorin transgjinorët, nëse ata janë të papunë, apo nëse nuk gjejnë dot një vend pune”, tha zoti Stinson për Zërin e Amerikës.

Ky shqetësim për ekonominë përjetohet pavarësisht zbutjes së inflacionit dhe një raporti mujor, më të mirë nga sa pritej, që tregonte se në qershor u hapën 206,000 vende të reja pune.

Megjithatë, shqetësimet lidhur me ekonominë ka të ngjarë të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Në qershor një anketim i rrjetit PBS News/NPR/Marist tregoi se 54 për qind e votuesve të regjistruar që u anketuan besonin se zoti Trump mund ta menaxhonte më mirë ekonominë, se sa Presidenti Joe Biden (45 për qind).

Votuesi demokrat nga Alabama, Collins Pettaway tha se ekonomia “do të luajë një rol të madh në këto zgjedhje, siç ka ndodhur shpesh dhe kam besim maksimal se Presidenti Biden do të vazhdojë të menaxhojë ekonominë në mënyrë të dobishme, ashtu siç bëri duke na nxjerrë nga pandemia e pashembullt dhe ekonomia e shkatërruar që trashëgoi në mandatin e tij të parë”.

Një komb i shqetësuar

Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew i muajit maj tregoi se vetëm 23 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se ekonomia është në gjendje të shkëlqyer ose të mirë, nga 28 për qind që ndanin këtë mendim në fillim të vitit.

Ky ndryshim është kryesisht rezultat i votuesve demokratë, opinioni kolektiv i të cilëve ka rënë në 37 për qind, nga 44 për qind në janar.

“Është e pamundur të mohohen efektet e inflacionit”, i tha Zërit të Amerikës Carl Fink, një votues demokrat dhe baba i tre fëmijëve në Nju Orlins, të Luizianës. “Ushqimet, sigurimi i makinës, daljet për t’u argëtuar, janë të gjitha shumë më të shtrenjta tani. Por ato as nuk mund të krahasohen me rritjen e kostos për çerdhet apo kopshtet dhe shkollimin e mirë, në këto katër vjet, që përkon me kohën kur lindi fëmija ynë i parë. Gjithçka është shumë më e vështirë tani”.

Javën e kaluar, Rezerva Federale (Banka Qendrore) vuri në dijeni Kongresin se “pati rënie të dukshme të inflacionit vitin e kaluar dhe përparim modest deri më tani këtë vit”. Rezerva Federale thotë se pret që çmimet të mos rriten më me ritmin e lartë të këtyre viteve të fundit për shkak të inflacionit, por të kthehen në ritmin normal të rritjes të para COVID-19.

Por për shumë amerikanë që janë përballur me rritjet më të shpejta të çmimeve që nga fillimi i viteve 1980, diskutimet për ngadalësim të inflacionit nuk sjellin ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre aktuale financiare.

“Ekonomia është faktori kyç në këto zgjedhje, sepse qytetarët si unë nuk po mund të përballojnë dot më atë që dikur konsiderohej baza e të jetuarit në Amerikë”, tha George Barisich, një peshkatar dhe votues republikan nga Shalmet, Luiziana.

“Çmimet e naftës dhe gazit kanë shkuar në qiell. Nuk po nxjerr dot më para”, tha ai.

“Të paktën Trumpi është një njeri i biznesit”. “Besoj se ai do të jetë në gjendje të na ndihmojë”.

Kur ekonomia vlerësohet sipas bindjeve politike…

Në një periudhë kur polarizimi politik po shtohet, profesori i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Clevelandit, David Stack thotë se votuesit i shohin treguesit ekonomikë sipas optikës së bindjeve politike.

“Nëse jeni demokrat, e vini theksin tek rënia e nivelit të papunësisë dhe thoni: “Shikoni se si Bideni i dha zgjidhje rrëmujës që trashëgoi nga Trumpi. Ai duhet të jetë president”, i tha zoti Stack Zërit të Amerikës. “Por nëse jeni republikan, e vini theksin tek niveli i inflacionit dhe thoni: “Shihni se si Bideni po e shkatërron ekonominë? Trumpi e menaxhoi më mirë, kështu që Trumpi duhet të jetë president”.

Zoti Stack thotë se shumica e republikanëve besojnë se shkalla e lartë e papunësisë në fund të mandatit të zotit Trump ishte rezultat i pandemisë, ndërsa demokratët besojnë se paketa stimuluese gjatë COVID-19 çoi në një rritje të parashikueshme të inflacionit.

Ndikimi në zgjedhjet e nëntorit

Shane Finkelstein, një votues demokrat nga Nju Orlinsi, i cili humbi biznesin e tij gjatë pandemisë dhe pas 2 vitesh tanimë ka gjetur një vend pune thotë se është i kënaqur me mënyrën se si zoti Biden e ka menaxhuar ekonominë.

“Është një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballemi, dhe mendoj se është sektori ku Bideni vepruar më së miri”, tha zoti Finkelstein. “Inflacioni është një problem i madh, por zakonisht është gjithashtu pasqyrim i një ekonomie të fortë. Arsyeja që ka qenë më intensiv këtë herë është për shkak të COVID-it”.

Votuesi nga Merilendi, Nick Merson thotë se shpreson që nëse jo ekonomia, çështje të tjera, të tilla si kontrolli i armëve dhe qasja ndaj abortit, do të forcojnë pozitat e demokratit Biden për një mandat të dytë.

“Pikëpamjet aktuale rreth inflacionit dhe ekonomisë do të rezultonin në një fitore të lehtë për republikanët”, i tha zoti Merson Zërit të Amerikës.

“Por republikanët kanë gjithashtu kandidatin më toksik në histori. As ne nuk kemi ndonjë kandidat shumë të mirë, por këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme prandaj nuk mund të rrimë duarkryq”./VOA

Sirena angleze për Asllanin, dy klube të Premier Ligës interesohen për mesfushorin kuqezi dhe tundojnë Interin

Kristjan Asllani po bëhet gati që të nisë pas pak ditësh sezonin e tij të tretë si lojtar i Interit. Por kjo verë mund të jetë pak më ndryshe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, pasi me lëvizjet e fundit që ka bërë Interi, roli i tij në skuadër nuk është më aq i sigurt.

Afrimi i Piotr Zielinskit ka shtuar rivalitetin për një vend në rreshtimin e zikaltërve, qoftë edhe si alternativë nga stol. Ndaj për klubin mund të jetë një opsion tërheqës edhe shtija e tij, duke pasur parasysh që ofertat nuk mungojnë. Fiorentina prej kohësh ka shfaqur interesi për lojtarin, të cilit mund t’i japë edhe hapësira si titullar në rreshtimin e vjollcëve.

Por së fundmi në skenë kanë dalë edhe ekipet angleze. Portalet pranë Interit kanë mësuar se ka pasur një interesim konkret nga dy klube të Premier Ligës, Kristal Palas dhe Uest Hem, të cilat kanë mundësitë ekonomike për të përballuar kërkesat e klubit zikaltër dhe vetë futbollistit.

Tani mbetet të mësohet se çfarë drejtimi do të vendosin të zgjedhin Asllani dhe klubi, ku ai deri para fillimit të kësaj vere cilësohej një alternativë e rëndësishme për zikaltrit.

Karbohidratet apo yndyrnat, cilat ju pengojnë për të humbur peshë? Ja çfarë duhet të dini rreth atyre që konsumoni

Keni menduar ndonjëherë se cila është dieta e duhur për ju? Të humbasësh në peshë duket se është mision i pamundur për disa dhe fare e thjeshtë për të tjerë.

Për këtë ka një arsye të fortë që qëndron pas. I gjithë sekreti qëndron tek dieta e duhur dhe zgjedhja e duhur e saj.

Ndër më të njohurat janë dietat që masin yndyrnat e ushqimeve dhe ato që masin karbohdratet. Në këtë artikull do t’i vëmë të dyja përballë për të parë se kush është më efektive.

Dietat me pak karbohidrate

Këto lloj dietash ulin tërësisht konsumimin e ushqimeve të brumit, sheqrnave, yndyrnave e karbohidrateve të tjera. Ato ndahen në tre kategori në dieta me shumë pak karbohirate ku këto të fundi zënë vetëm 10% të kalorive totale ditore, ose e përkthyer në 20-50 gram në ditë karbohidrate në një dietë me 2000 kalori.

Kategoria e dytë janë dietat me karbohidrate të ulta me më pak se 26% e kalorive totale ditore, ose më pak se 130 gram në ditë bukë, brumra, sheqerna apo bishtajorë.

Tek kategoria e tretë futen dietat e moderuara të karbogidrateve që zënë 26-44% të kalorive totale ditore. Zakonisht dietat me shumë pak karbohidrate hyjnë tek dietat ketogjene të cilat i kufizojnë energjinë trupit për të stimuluar dobësimin.

Në përgjithësi, këto dieta kufizojnë ushqimet si pijet me sheqer, produktet e brumit dhe ëmbëlsirat.

Disa versione gjithashtu mund të kufizojnë burimet e shëndetshme të energjisë siç janë bishtajorlt, perimet, frutat me shuml sheqer apo makarinat. Në këto lloj dietash e gjithë energjia e trupit tuaj duhet të vije nga mishi, peshku, bulmeti apo arrorët.

Dietat me pak yndyrna

Dietat me pak yndyrë fokusohen në kufizimin e marrjes së yndyrës në më pak se 30% të kalorive totale ditore. Ushqimet me yndyrë të lartë si vajrat e gatimit, gjalpi, avokadot, arrat, farat dhe bulmeti me yndyrë janë zakonisht të ndakuara në këto lloj dietash.

Ju duhet të konsumoni ushqime me pak yndyrë si si frutat, perimet, drithërat, të bardhat e vezëve, bishtajoret dhe shpendët.

Gjithashtu edhe ushqimeme yndyrë të reduktuar si kosi me pak yndyrë, qumështi pa yndyrë e çdo produkt tjetër që nuk e përmban atë.

Cila është më efektive?

Ekspertët në këtë pikë thonë se dietat me pak karbohidrate janë më efikase për të humbur peshë më shpejt, por në terma më afatgjatë të dyja dietat janë efikase njësoj.

Me të dyja këto dieta nëse ndiqen në mënyrë të shëndetëshme do të mund të humbisni peshë thuajse në të njejtën mënyrë në terma afatgjatë. E rëndësishme për të humbur peshën dhe për ta mbajtur atë konstante është që të zgjidhni atë të duhurën për organizmin tuaj.

Kur ulni karbohiratet do të keni më pak uri dhe do të kontrolloni më mirë nivelet e sheqerit ne gjak gjë që do të çojë në djegien e dhjamit.

Ndërsa kur ulni yndyrnat do të mund të ulni yndyrën e tepërt në trupin tuaj dhe do të stimuloni humbjen e peshës./AgroWeb.org

Transaksionet e pasurive të paluajtshme ngadalësohen ndjeshëm në tremujorin e parë

Rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Transaksionet e shitblerjeve në vend arritën në 36 miliardë lekë, ose gati 360 milionë euro në periudhën janar-mars. Ndonëse në vlerë ky është një rekord i ri, ritmet e rritjes janë më të ulëtat që nga mesi i vitit 2011, përpara se tregu të niste zgjerimin e fortë dyshifror.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me 5.9% me bazë vjetore në tremujorin e parë të këtij viti. Ritmet e rritjes janë përgjysmuar në krahasim me 2023, kur kulmuan në 11.3%, niveli më i lartë në të paktën një dekadë.

Ndryshe nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme, sektori i ndërtimit ka vijuar rritjen e fortë, duke sinjalizuar për herë të parë në këto dy vitet e fundit për një mospërputhje të kërkesës me ofertën. Ndërtimi u rrit me 14% në janar-mars 2024, nga 9.8% që ishte zgjerimi vitin e kaluar.

Ndërsa kërkesa duket se është në rënie, oferta do të vazhdojë rritjen. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për një ndërtesë me 65 kate mbi tokë dhe gjashtë nën tokë.

Në listën e KKT janë edhe disa projekte në rrugën “Dritan Hoxha” me 35 kate, apo në rrugën “Teodor Keko”, me lartësi 50 kate mbi tokë. Tashmë duket se kullat po kalojnë zonën brenda unazës duke u shtirë edhe në pjesën më periferike të kryeqytetit.

Një projekt që parashikon një kompleks multifunksional rezidencial prej 27 katesh në zonën e Kasharit. Më herët, edhe ndërtuesit kanë pohuar se tregu po shfaq shenja ngadalësimi në kahun e porosive.

Sipas anketës së besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë (BSH) të qershorit, sektori i ndërtimit nuk është optimist për të katërtin muaj radhazi. Madje në prill – qershor, balanca është kthyer në negative, që do të thotë se pesimizmi mbizotëron mbi optimizmin.

Bizneset presin më pak porosi. Balanca e përgjigjeve[1] për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -22.5, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi. Ky është niveli më i ulët i këtij viti.

Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në qendër zhvendosi kërkesën në periferi, duke bërë që dhe kjo e fundit të rritet në 1000-1200 euro/m².

Një faktor tjetër që ka frenuar kërkesën lidhet me hetimet e SPAK. Sipas agjentëve imobiliarë, blerësit me të ardhura të rregullta hezitojnë të blejnë në pallate, ndërtuesit e të cilëve mund të jenë objekt i SPAK.

Edhe një sërë hetimesh nga SPAK kundrejt figurave të fushës politike por edhe të sipërmarrjes, po jep ndikime në tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.

Një burim që po furnizon tregun mbeten blerjet e të huajve, sidomos në zonat bregdetare.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%. Në vlerë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ishin rreth 81 milionë euro në tremujorin e parë.

Në vitin 2023, sipas INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.

Në 2022 dhe 2023, aktiviteti i pasurive të paluajtshme u rrit me shpejtësi, me përkatësisht 11.2 dhe 11.3%, ritmet më të larta nga të gjithë sektorët e tjerë.


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Ja ku gjalloj

NGA EDISON YPI

Do me më gjet ku jam, ku jetoj, ku gjalloj? Nisu ku po ndërtohet një pallat pa leje nga një pareli me ekzemë në tru. Mu aty, futu te një tunel i ngushtë që do të dalë para me të gjithë madhështinë e vet si nënujori i La Manshit. Pastaj drejt. Kur të shohësh djathtas një kafene që nuk paguan taksat, sepse ndihmon partinë gjatë fushatave, kthehu majtas te një fason që ia jep shtetit taksat, por punëtorëve u merr shpirtin. Mos u frikëso nga macja e zezë që do ta presë rrugën me mjaullima fyti dhe shkreptima sysh. Mos u merr me një copë mace. Ajo aq di, aq bën, s’ka tjetër zanat, tjetër talent.

Vazhdo në drejtim të servisit që me pare kurbeti e ngriti Çimi Hajries, me papërgjegjësi e përdori Timi Sanies, me hajdutllik e falimentoi Gimi Nuries. Prej aty, vrik te dyqani celularëve kontrabandë te qoshja e urës njit me një fotograf që dyqanin e mban kot, veç për me shit fshehtas hashash. Nja njëqind metra më tutje spaciatorit, futu te rrugica që të çon te një vilë e madhe me tre kate, të gjitha dyert e dritaret mbyllur. E ngriti me pare droge Llesh Leshi nga Shijaku, ai që më vonë e vranë t’u ia përplas kokën me çizme pas murit dhe vila met batall, fantazmat hedhin valle natën. Mos u tremb nga qeni i skeduar te shtëpia me portë me kangjella druri me dy kuçedra allçini anash, që nxjerrin zjarr nga goja. Është qen budalla. As të leh as të kafshon. Gardhit me tela me gjemba që ta zuri rrugën, hidhi sipër gunën e Selam Musait.

Kësaj cisternës që ka blloku kalimin, shpërtheja brenda bombat e Vojo Kushit. Me dyqanin e bulmetit që ka njëqind lloje djathërash njëri më i bardhë se tjetri, prej të cilëve asnjëri s’hahet, laji një herë e mirë hesapet, vritja shitsin. Të njëjtën gjë bëje me kasapin e Mishtore-s që ty të jep kockat, ndërsa miqve tulin. Nga shpia e Gonit që ka pas lujt te filmi “Ishte se ç’na ishte, një gomar me bishte” dhe nga qejfi i suksesit, vdiq nga damllaja para se me lujt noi film tjetër, deri ke marangozi që e mylli dyqonin se boni sherr me ortakun, mos vrit as mos rrif njeri se jan gjynof.

Pastaj kthehu te rrugica djathtas. Ka ky qytet disa vene si kjo rrugica, ku s’futet as ambulanca as zjarrfikësja, ore as guglli po të them. Ku s’hyn guglli, hyn budallallëku. Banorët që nuk pytën kënd kur i ngritën shtëpitë aq afër me njoni-tjetrin, s’e kan hiç problem djegien e shpiave, as vdekjen e pleqve. Ata ate dun. Ata atë ëndërrojn. Mos u mërzit. Ja dhe pak. Ky plaku me shkop ulur mbi stol me vështrim nga infiniti është Hysamedini. Para ca vitesh, Hysa dha bakshish dhe e falenderoi një mik që i gjeti gocës punë jashtë shtetit. Mirëpo miku që kishte qen trafikant femrash, ia çoi gocën në Milano.

Hysa u sëmur. Pastaj u çmen. Tani rri gjith ditën para portës, gjith notën cipër celularit për me gjet gocën e humbur si Çaplini Titinën te “Kohët Moderne”. Dy dyer mo tutje, i çun lagje, pasi maroi ‘Harry Fultzin’ dhe msoi zanot, u nis m’Angli. S’pat fat. U myt në La Mansh bashkë me nja dhjetë të tjerë si vetja dhe kamionin ku ishin mçef. Në fund të rrugicës banon Maria. S’pati fat e shkreta. Mori i burr, pastaj të dytin, pastaj të tretin. Maria i provoi burrat si shalqina me thik te koka. Asnji s’i doli si e desh’. Të gjithë të modifikuar gjenetikisht. Iku Maria.

Pa nam e nishan. S’dihet ku. Parullën e kuqe mbi mur ku shkruhet “Partia mbi të gjitha”, e kan ly me gëlqere të bardhë, por akoma lexohet. Njit me parullën osht i dyqon byreqesh. Haje i byrek se u lodhe. Bureku s’ka për të pas brenda gjiz, spinaq, domate, qep. Po, por ka për të pas aromën e qepës, domates, gjizës, spinaqit. Ngopu pra me erën e atyre që byreku pretendon se ka brenda. Edhe pak dhe ia arrite qëllimit për me më gjet. Shtëpi me qelpiça, qur, oborr me hurma, carac, mandarina.

Osht e imja. Arrite. Ulu pak boj i çik muhabet me Momën teme, dridhni noi cigare dahon, pini nai kafe turke sa t”vi un. Ou, Moma paska vdek. Muret qekan shem. Zjarri qeka fik. Vatra qeka ftof. Caraci qeka tha. Pusi qeka shterr. Qielli qeka nxi. Qeka vorrezë. Qeka Ferr. S’ka problem. Aty jam. Aty më ke. Aty më gje. Aty gjalloj. Sa të vi pas pak, ulu falju Baba Fetahut, përfytyro Qafën e Martës, nigjo Këngën e Lace Backës.

Sa kushtojnë pagesat e rrugëve në Ballkan/ Krahasimi për çdo autostradë me pagesë në 6 vende të rajonit

Hapja e autostradës Thumanë-Kashar, e cila do të kalohet përkundrejt pagesës 2.53 euro për automjetet e zakonshme ka çelur debatin mbi nivelin e tarifave të rrugëve në Shqipëri. Kapitali liston të gjitha rrugët me pagesë në 6 vende të Ballkanit për të krahasuar se sa paguajnë shqiptarët në raport me fqinjët e tyre.

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut ka aktualisht 4 akse, të cilat kalohen me pagesë. Ato janë Shkup-Gjevgjeli, Shkup-Kumanovë, Shkup-Gostivar dhe Shkup-Kadrifakovo.

Shkup-Gjevgjeli është një autostradë e tipit A1 me gjatësi 123 kilometra. Pagesa e kalimit në këtë rrugë është 360 dinarë ose 5.84 euro. Mesatarisht kalimi në këtë rrugë u kushton qytetarëve të Maqedonisë së Veriut 4.7 cent të euros për kilometër. Pak a shumë ky rezulton të jetë raporti edhe për rrugët e tjera me pagesë të këtij vendi, të cilat jepen në tabelën më poshtë.

Pra kosto e kalimit të rrugëve në Maqedoninë e Veriut varion nga 2.3 cent të euros për kilometër deri në 12.1 cent të euros, me mesataren e të gjithave në 6.5 cent të euros për kilometër.

Greqia
Fqinji jugor i Shqipërisë aktualisht applikon pagesa në 8 akse rrugore, ku më i gjati është ai nga Tipia në Komotini prej 563 kilometër dhe kushton 20.6 euro.

Edhe në Greqi tarifat mesatare të kalimit në rrugë variojnë nga 3.87 cent të euros për kilometër deri në 9.8 cent të euros për kilometër, me autostradën Kallamatë-Koritho, që mban rekordin si ajo me tarifat më të larta.

Kroacia
Kroacia aplikon pagesë në 4 akse rrugore, të cilat kanë një gjatësi totale prej gati 1 mijë kilometër. Në Kroaci, pagesa më e lartë aplikohet në rrugën Trakoshan-Split me 24.8 euro.

Edhe në Kroacia pagesat e kalimit në rrugë variojnë nga 5.6 cent të euros për kilometër deri në 6.8 cent të euros për kilometër.

Bosnja
Bosnja aplikon pagesa kalimi në katër akse rrugore. Aksi me i gjatë ndër to është ai që nis nga Sarajeva dhe përfundon në Zenicë, me një gjatësi totale prej 60 kilometrash.

Në Bosnje, pagesa për kalimin në rrugë varion nga 5.97 cent të euros për kilometër deri në 8.5.

Serbia
Serbia aplikon pagesa kalimi për 5 akse rrugore. Ndër to aksi më i gjatë është ai nga Beogradi në Preshevë me një gjatësi prej 354 kilometrash dhe pagesë 12.7 euro.

Në Serbi kosto e kalimit në autostrada duket më e njëtrajtshme se në çdo vend tjetër. Paralelisht Serbia rezulton të ketë dhe kostot më të lira të kalimit në rrugë me çmimin mesatar që varion nga 3.6 cent deri në 4.7 cent për kilometër.

Mali i Zi
Në Malin e Zi ka aktualisht dy akse, të cilat kalohen kundrejt pagesës. Ato janë tuneli i Sozinës, një tunel me gjatësi rreth 4.2 kilometër. Për këtë tunel automjetet e zakonshme paguajnë 2.5 euro ose 59.5 cent të euros për kilometër tunel.

Aksi i dytë është ai nga Bari në Boljare. Kjo autostradë e ndërtuar nga kinezët ka një gjatësi prej 165 kilometër dhe tarifë kalimi prej 3.5 eurosh me një tarifë mesatare prej 2.12 cent për kilometër.

Shqipëria
Në Shqipëri autostrada Thumanë Kashar ka një gjatësi prej 21 kilometrash. Për kalimin në këtë aks qytetarët do të paguajnë një tarifë prej 2.53 eurosh ose 12 cent të euros për kilometër rrugë.

Ncdërkohë një tjetër aks ku është parashikuar vendosja e trarit të pagesës është ai në tunelin e Llogarasë. Ky tunel ka një gjatësi prej 6 kilometrash dhe do të paguhet 5 euro. Nuk është e qartë nëse tarifa e lajmëruar prej 5 eurosh është me apo TVSH. Por edhe në rastin që është me tvsh, pagesa për këtë tunel shkon në 83.3 cent të euros për kilometër, dukshëm më i lartë se ajo në tunelin e Sozinës në Mal të Zi.

Krahasimi i të gjitha rrugëve në Ballkan tregon se shqiptarë paguajnë me shtrenjtë se të gjithë për të kaluar në rrugë. Madje edhe se grekët që janë shumë më të pasur se ta. Paralelisht, përveç pagesave të kalimit në rrugë, qeveria shqiptare i takson qytetarët me 32 lekë të reja për çdo litër karburant si taksë qarkullimi. Ky është një taksim i dyfishtë për të njëjtin objekt, qartazi një praktikë antikushtetuese./Kapitali.al

Si u themelua Biblioteka Kombëtare!

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun e vitit 1920. Themelimi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ishte një nga vendimet e para të marra në Kongresin e Lushnjës, bashkë me shpalljen e Tiranës kryeqytet.

Koleksioni historik i BKSH i ka fillimet që në vitin 1917. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së Komisisë Letrare Shqipe, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në 1917. Në 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.

Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.

BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar./atsh

“Po u vijua me ngritjen e copëzave opozitare, e djathta do kthehet në OJF, por kurrsesi parti politike”

Nga Enriketa Papa

Mendimi im mbi grupimin anti-berishe dhe lidershipin e tij, eshte po i njejti, qe me 2021.
Nese vendosem t’i rezistojme Berishes, e beme te qarte, se me te ne krye, PD, nuk kishte shance te vinte ne pushtet. Damka e korrupsionit madhor, minimit te demokracise dhe nderhyrjeve brutale ne sistemin e drejtesise, nuk do te hiqeshin, por do te viheshin mbi te gjithe PD, duke pamundesuar ardhjen ne pushtet.

Mbi Bashen si lider i ketij grupimi, nuk kam ndryshuar mendim. Doreheqja e tij me 2022, u pranua nga te gjithe, te ndergjegjshem qe ai do rikthehej ne krye te ketij grupi. Me rikthimin e tij, pavaresisht kritikave dhe skepticizmit te strategjise se tij per suksesin e grupit, kam menduar qe prova per t’i kerkuar nje doreheqje finale nga kreu i grupit politik, eshte ajo elektorale. Ende s’jemi ne zgjedhje.

Respektoj cdo veprim antiberishe dhe jam per krijimin e nje partie te re, jo rekurs per PD, pasi gjykata u shpreh dhe me pahir s’mund t’i imponohemi kujt qe nuk na do. Respektoj dhe punen per ndertimin e nje kualicioni te gjere, anti status-quo te dakordesuar mes Berishes dhe Rames me 2008.
Por nuk mund te bej sikur s’kuptoj, kur shumica ne kete grupim anti-berishe, dmth shumica e njerezve jane me Bashen. Sado te mllefosur kundra vendimit te Apelit te 11 qershorit te jene njerezit qe kane qene bashke deri me 11 qershor, nuk mund te kritikojne dhe gjejne fajin vetem te Basha, pasi ekip me te kemi qene te gjithe, dhe me vullnet i jemi bindur vendimeve te kryesise apo dakordesise me te.
Nese kerkohet parti e re, nuk mund te injorojme faktin, qe shumica e njerezve ne pjesen “euro-atlantike” jane me Bashen. Ketu e kam fjalen per njerezit e strukturave te ketij grupimi, qe deri me 11 qershor ishin zgjedhur dhe sot jane ne medyshje mbi mjegullnajen e qendrimeve te lidershipit ndaj te ardhmes se ketij grupimi politik.
Gjetja e shpetimit tek “IDe”ja e hartuar qe me 2021, kur pretendohet parti e re, na riciklon po ide te vjetra politike. Nese keto ide do ishin konsideruar te suksesshme, do ishin perqafuar qe atehere. Por, jo sot, me 2024, kur ngritja e nje partie te re te se djathtes, kerkon origjinalitet, jo kopjim idesh ekzistuese.
Ndaj nese e kemi seriozisht ndertimin e nje poli te trete, duhet te jemi origjinale, te reflektojme, te mos perjashtojme kend, te konsiderojme realisht potencialet njerezore dhe financiare, te ulemi me qetesi bashke te gjithe, dhe te vendosim bashkarisht se cdo behet me kete grupim.
Copezimi i metejshem i se djathteve s’duhet bere preh e presionit kohor, atij individual dhe imponimeve te rrethanave dyterore. Mendoj se paresore ne keto momente eshte mbijetesa si grupim i djathte antiberishist dhe mbeshtetes i drejtesise dhe i “checks & balances” te pushtetit ne Shqiperi.
Po u vijua me ngritjen e copezave opozitare, e djathta do kthehet ne OJF, por kurrsesi parti politike.
Duhet maturi, dialog dhe mençuri.

I dënuar me burgim të përjetshëm pasi organizoi vrasjen e Devi Kasmit, GjKKO konfiskon pasuritë e sekuestruara të Aurel Hoxhallarit

Gjykata e Posaçme ka konfiskuar disa pasuri të sekuestruara të të dënuarit me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallari, i shpallur fajtor si organizator dhe porositës i vrasjes së Devi Kasmit, ngjarje kjo e ndodhur më 29 janar 2018.

 

Sipas GJKKO, Hoxhallarit i janë konfiskruar dy prona 20 dhe 30 m2, pjesë e një objekti 1 (një) katësh për të cilin kanë aplikuar për t’a legalizuar Aurel Hoxhallari dhe Elton Hoxhallari

Po ashtu janë konfiskuar edhe pasiri të tjera në emër të shtetases Kimete Hoxhallari në Yzberisht dhe një pasuri tjetër në proces legalizimi në emër të  Nezhdet Hoxhallari në Kodër – Mëzez.

Pas konfiskimit, këto pasuri sipas GJKKO-së, kalojnë në favor të shtetit.

Ndërkohë, GjKKO ka hequr masës së sekuestros së vendosur për tre pasuri të tjera, të llojit “Arë” dhe apartament, në pronësi Aurel Hoxhallarit.

Njoftimi i GJKKO

1. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 29.04.2021 Nr. Regj.Them. 12/44/151, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Konfiskimin e pasurive në pronësi të Subjektit Aurel (alias Altin) Hoxhallari dhe personave të lidhur me të.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Eva Deda, bazuar në nenet bazuar në nenet 16, 23 e 24 të aktit normativ nr. 1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”,, me vendimin Nr. 12, datë 10.07.2024, vendosi:

• Konfiskimin e pasurive të sekuestruara me Vendimin nr. 156, datë 30.11.2020, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si më poshtë:

1. Pasuria objekt me sipërfaqe 30 m2 , me adresë: rruga “Aleksandri i Madh”, Yzberisht, Unaza e Re, Njësia Administrative Kashar, Tiranë, pjesë e objektit 1 (një) katësh për të cilin kanë aplikuar për t’a legalizuar shtetasit Aurel Hoxhallari dhe Elton Hoxhallari, me nr. Prot. *** e vitit 2009.

2. Pasuria objekt me sipërfaqe 20 m2 , me adresë: rruga “Teodor Keko”, Unaza e Re, Tiranë, pjesë e objektit 1 (një) katësh për të cilin kanë aplikuar për t’a legalizuar shtetasit Aurel Hoxhallari dhe Elton Hoxhallari, me nr. Prot. *** e vitit 2009 (shoqëruar me fotografitë përkatëse).

3. Pasuria me nr. ***, datë 21.04.2016, në emër të shtetases Kimete Hoxhallari (lidhur me banesën 3 (tre) katëshe në Yzberisht).

4. Pasurinë në proces legalizimi me nr. ***, datë 27.01.2015, në emër të shtetasit Nezhdet Hoxhallari (lidhur me banesën dhe magazinën në Kodër – Mëzez). • Kalimin në favor të shtetit të pasurive të konfiskuara.

Revokimin/heqjen e masës së sekuestros së vendosur me Vendimin nr. 156, datë 30.11.2020, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi pasuritë:

1. Pasuria me nr. ***, zona kadastrale ***, volumi **, faqe **, lloji i pasurisë “Arë”, me sipërfaqe totale 300 m2 , e ndodhur në Yzberisht, në pronësi të shtetasit Aurel Hoxhallari. Kjo pasuri është blerë sipas kontratës së shitjes me nr. *** Rep. dhe *** Kol., datë 24.07.2007.

2. Pasuria me nr. ***, zona kadastrale ***, volumi. **, faqe ***, lloji i pasurisë “Arë”, me sipërfaqe totale 400 m2 , e ndodhur në Yzberisht, në pronësi të shtetasit Aurel Hoxhallari, referuar kontratës së shitblerjes nr. *** Rep. dhe nr. *** Kol., datë 04.07.2007, Numri i pasurisë është ***, në përputhje edhe me volumin dhe faqe është i njëjtë.

3. Pasuria me nr. ***, zona kadastrale ***, volumi **, faqe ***, lloji i pasurisë “Arë”, me sipërfaqe totale 210 m2 , e ndodhur në Yzberisht, në pronësi të shtetasit Aurel Hoxhallari.

4. Pasuria e llojit “Apartament” me nr. pasurie ***, volumi **, faqe **, me sipërfaqe 61.2 m2 , me adresë: rruga “Muhamet Gjollesha”, pallati nr. 7, shk. 1, kati 3, apartamenti 5, Tiranë, në pronësi të shtetases Dhorothea Male, e vërtetuar kjo nëpërmjet Kontratës me nr. *** Rep. dhe nr. *** Kol., datë 23.04.2014.

• Konform nenit 31 paragrafi 4, 5, 6 të ligjit nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” ndryshuar me ligjin nr. 19/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara”, shpenzimet gjyqësore dhe të administrimit të pasurive të sekuestruara, i ngarkohen subjektit të aktit normativ.

• Për administrimin e pasurive të konfiskuara ngarkohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

• Një kopje e këtij vendimi, pasi të marrë formë të prerë, t’i dërgohet brenda 24 orëve Agjensisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

• Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 ditëve nga marrja dijeni apo njoftimi i vendimit. Tiranë më datë 10.07.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Pjetër Arbnori 64 ditë në “dhomën e vdekjes”, vendimi i Presidiumit në 1962-shin dhe dënimi fatal! Letra e nxjerrë fshehurazi nga burgu, nga rrethanat e arrestimit, tek presionet për t’u bërë spiun

VALENTINA MADANI/ Pjetër Arbnori përjetoi burgimin më të gjatë në diktaturën komuniste. Ai u arrestua në moshën 26-vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç.

 

Për 64 ditë e mbyllën në “dhomën e vdekjes”, aty ku jetoi me idenë se mund të ishte dita e fundit. Komunistët ia kishin vrarë babain kur ishte fëmijë, ndërkohë që diktatura po e dënonte edhe Pjetrin me pushkatim. Më 1942 Filipi, i ati i tij u vra në përpjekje me pritën e çetës së Teki Kolanecit, Petrit Dumes dhe Nevzat Haznedarit ndërsa më 1962 Pjetri u arrestua i akuzuar se kishte dashur të formonte një parti social-demokrate, gjë për të cilën u dënua me 25 vjet burgim. Pas tetëmbëdhjetë viteve burgim e ridënuan me 10 vite të tjera burgim. Por ai mundi t’i shpëtojë vdekjes dhe pas 28 vitesh burg, arriti të dilte i gjallë nga burgjet e diktaturës, duke treguar edhe përjetimet e atyre viteve të vështira për të dhe familjen e tij.

PËRVJETORI

Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës prej 28 vitesh kaluar në burgjet e diktaturës komuniste. Pjetër Arbnori lindi më 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.

Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate, e cila u zbulua nga Sigurimi i Shtetit. Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.

ARRESTIMI

Pjetër Arbnori ishte shkrimtar, përkthyes, veprimtar politik, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (6 prilli 1992-24 korrik 1997). Ai lindi në Durrës, më 18 janar të vitit 1935. Mbaroi në dy vjet e gjysmë studimet në Fakultetin e Filologjisë. U arrestua më 27 maj të vitit 1961 përpara Degës së Sigurimit në Durrës. Gjyqi kundër grupit socialdemokrat, ku bënte pjesë dhe Arbnori filloi më 8 gusht të vitit 1962, në ndërtesën e Gjykatës së Rrethit të Tiranës. Në ditën e katërt të gjyqit, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje me pushkatim. Vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë. Pas 64 ditësh në “dhomën e vdekjes”, siç quhej qelia ku mbaheshin të dënuarit me vdekje, më 13 tetor 1962, iu komunikua falja e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, dhe dënimi përfundimtar me 25 vjet heqje lirie. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, iu shtua dënimi edhe me dhjetë vjet të tjerë për agjitacion e propagandë. U lirua në gusht të vitit 1989, pas më shumë se 28 vjetësh burg.

AKUZA

Pjetër Arbnori u arrestua më 27.5.1961 në Durrës. U dënua së bashku me shtetasit: Uran Kalakulla, Tanush Kaso, Zeqir Koçi, Kahreman Paftali, Riza Kuçi dhe Agim Musta. Me vendimin nr.113, datë 11.8.1962, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për tradhti ndaj atdheut e agjitacion dhe së bashku me Uran Kalakullën e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.121, datë 3.9.1962. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ktheu vendimet me vdekje me 25 vjet burgim . Më 30.1.1979, Pjetër Arbnori u arrestua duke vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit. U hetua për 4 muaj. Me vendimin nr.37, datë 30.5.1979 Gjykata e Rrethit Mat e deklaroi fajtor për veprën e agjitacionit e propagandës brenda në burg dhe u dënua me 12 vjet të tjera burgim.

Gjykata vërente: “Është shprehur se socializmi nuk mund të triumfonte në shkallë botërore, ai mund të vendoset vetëm në vendet e varfra, apo shprehje të tjera se këta (komunistët) janë njerëz të poshtër, pa dinjitet, ndjekin vijën e Stalinit dhe sipas tij, politika që ndjek shteti ynë është politikë mashtruese… Në shkrimet e tij, i pandehuri, si një element armik që është ka shprehur tendencën e letërsisë borgjeze revizioniste. Kështu ai personazhit kryesor i shkëput nga problemet aktuale të shoqërisë dhe merret me probleme të parëndësishme në shtetit e ardhshëm, e të tjera”. Pjetër Arbnori u lirua më 3.8.1989 nga Burgu nr.321 i Burrelit.

PËRKTHIMI

Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t´i shërbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin ç´ndodhte në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që iu duheshin pushtetarëve, të cilët i mbanin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Një ndër të burgosurit që u detyrua të përkthente në burgun e Burrelit ishte edhe Pjetër Arbnori. Në këtë intervistë të tijën të vitit 2004 ai e shpjegon imtësisht procesin e punës së përkthimit të detyruar në burgjet komuniste. “Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht.

Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca. Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetëra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me “normë” shkollarë të përgatitur. Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo “të lirë” që gjallonin si “mumje”, as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjendej sebepi për t’iu futur dy herë e tri herë brenda.

Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorrigjueshëm në Burgun e Burrelit. Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin “të gjithë brenda”, zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast. Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja.

Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini. Kështu më thanë ndërsa unë i mora nëpër dorë. Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t’i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni… dhe kësisoj u futa dhe unë në rrethin e tyre”, – është shprehur vite më parë Pjetër Arbnori. Lidhur me shpërblimin që morën, ai ka treguar: “Shpërblimin a thanë që atë ditë. Do të keni racionin e bukës tetëqind gramë, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë e shtatëdhjetë cent zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjë do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po diku jo nga një makinë shkrimi”.

LIRIMI

U lirua në vitin 1989, vit ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.

Krahas angazhimeve politike, Pjetër Arbnori shkroi edhe letërsi: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj. Vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006. Pak pas vdekjes, emri i tij iu vu njërit prej institucioneve kryesore kulturore shqiptare, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e cila që prej 25 majit të vitit 2007 jep çmimin letrar “Pjetër Arbnori”. Më 28 tetor 2011, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (Pas vdekjes) me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte kryetar i Kuvendit. Me ndihmën e tij u bë e mundur atdhesimi i eshtrave të shkrimtarit çam Bilal Xhaferri.

Në vitin 1997, Partia Demokratike tij humbi zgjedhjet ndaj Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryesuar nga Fatos Nano, pas trazirave të shkaktuara nga rënia e skemave e piramidale, që kishte shkaktuar shkatërrimin financiar të mijëra vetëve. Për Pjetër Arbnorin shpejt u bë e qartë se ekzistonte rreziku që censura që ishte e zakonshme nën regjimin e vjetër të mund të rivendosej. Kështu, kur stacioni televiziv shtetëror nuk pranonte të transmetonte deklaratat dhe nismat e partisë opozitare, ai hyri në grevë urie. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.

******

Letra e shkruar në burg nga Pjetër Arbnori

Letra e nxjerrë fshehurazi nga burgu më 2 korrik 1979, ku Pjetër Arbnori shpjegon gjithë rrethanat e arrestimit, dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit, tashmë është e publikuar.

Në morinë e letrave të shkëmbyera me familjen, gjatë viteve të burgut, Pjetër Arbnori ka lënë edhe këtë letër, dërguar fshehurazi nga burgu nënës së tij më 2 korrik 1979, ku flet për dënimin e tij të dytë. Me dhimbje ai i jep nënës këtë lajm dhe i shpjegon të gjitha rrethanat e arrestimit dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit. Por pas 18 vitesh burg Arbnori, kishte zgjedhur izolimin, nuk ishte dorëzuar. “Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi”, – i shkruan ai nënës në këtë letër.

LETRA E PLOTE

Burrel 2.7.1979

E dashuna Nanë,

Kuptohet që s’munde me ja shkrue qartë në letër çështjen e dënimit tim të dytë. Sot po kam rastin të nxjerr fshehtas këtë pusullë. Kishte vite që më silleshin rrotull për të më dënue. Çështja ishte e qartë: ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi ose të shtoja vitet e mia të burgut dhe të rrija edhe ma gjatë larg teje, motrave e të gjithë të dashunve të mi. Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme që edhe ti do të ma këshilloje patjetër. Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan. Akuzat ishin qesharake.

Ky i fundit tha për shembull se unë isha gëzuar kur Kina sulmoi Vietnamin, gjë për të cilën unë s’kisha fare dijeni sepse nga janari 1979 deri në qershor gjindesha i izoluar në hetuesi, pa gazet, pa lajme, kurse Bajrami thoshte se bisedën e paskam ba në dhomën e burgut, mes shokësh, në mars apo në prill 1979. Meqë gjyqi ishte qesharak u bë në zyrën e vogël të kryetarit të gjykatës, njëfarë Sotiraqi. Ekspert për shkrimet e mia dhe romanin tim “Shtëpia e mbetur përgjysmë” doli një farë gazetari në emrin Sofokli Afezolli i cili tha se Pjetër Arbnorit i duhet prerë dora sepse ka shkruar në burgun e Burrelit me qëllim që t’i botojë librat në Perëndim dhe të diskreditojë pushtetin popullor dhe komunizmin. Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij, e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi.

Përqafime motrave Florën e puth

Jueji Pjetri