17.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Vizitat e Orban në Ukrainë, Rusi dhe Kinë/ Në PE nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

Në Parlamentin Evropian nisi një iniciativë për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’ia pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban.

 

Riho Terras, përfaqësues në PE nga grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve evropianë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.

Të njëjtën do t’ia dërgojë edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur paqeruajtës, ai qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, ndërkohë që, në realitet, ai nuk ka asnjë autoritet ta përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç të vetit”, thuhet në letrën që pa Radio Evropa e Lirë.

Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të këtij muaji.

Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë – veprim ky që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të BE-së.

Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian nga 1 korriku.

Sipas letrës së deputetëve evropianë, Orban po përpiqet t’i minojë vendimet ekzistuese të BE-së, procesin e vendimmarrjes dhe unitetin e BE-së për çështje të rëndësishme.

“Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Duhen hapa vendimtarë për t’i kufizuar dëmet e mëtejshme”, thuhet në letër.

Cila është fuqia e një letre nga Parlamenti Evropian?

Procedurat dhe pezullimet e të drejtave të votës janë komplekse. Për to janë përgjegjëse shtetet anëtare.

Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, në të cilin thirret letra, e lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Evropian), nëse një vend shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat bazohet BE-ja.

Elementet që do ta nxisnin zbatimin e këtij neni, përfshijnë: respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.

Për ta vënë në zbatim nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, ose Parlamentit Evropian, ose Komisionit Evropian, Këshilli – duke vepruar me një shumicë prej katër të pestave të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit nga Parlamenti – mund të përcaktojë se ekziston rrezik i qartë i shkeljes së rëndë të këtyre parimeve bazë nga shteti anëtar dhe t’i nxjerrë rekomandimet e duhura.

Neni 354 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian parashikon procedurat e votimit që duhet të ndiqen nga institucionet kryesore të BE-së, kur një shtet anëtar përballet me zbatimin e nenit 7.

Vendi në fjalë nuk merr pjesë në votim. Ai nuk përfshihet në llogaritjen e një të tretës së vendeve që kërkohen për propozimin, ose në të katër të pestat që kërkohen për një shumicë.

Për pëlqimin e Parlamentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash.

Përfaqësuesit evropianë kanë afat deri më 12 korrik për ta nënshkruar këtë letër, e cila më pas do t’u përcillet udhëheqësve të institucioneve evropiane./REL

Mandati i Olta Xhaçkës, kryetarja e GJK: Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës, ta ekzekutojë pa vonesa vendimin

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj doli në një komunikim për mediat në lidhje me vendimmarrjen për mandatin e Olta Xhaçkës.

 

Zaçaj tha se Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës dhe kërkon që vendimi të ekzekutohet pa vonesa.

Ajo shton se Kuvendi duhet të votojë në përputhje me vendimin e Kushtetuese.

Zaçaj: Mandati i Olta Xhaçkës, kryetarja e GJK: Kuvendi ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të gjykatës, ta ekzekutojë pa vonesa vendimin

Gjykata sot konstatoi se vendimi i saj numër 1 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi.  Gjykata vlerësoi se përmes vendimit në 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë  ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të saj.

Gjykata theksoi se vendimet e saj kanë efektet dhe forcën  e ligjit, asnjë  organ nuk i vendos diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese. Gjykata theksoi se vendimi është i detyrueshëm për zbatim. Kjo do të thotë që Kuvendi dhe deputetët e tij duhet të votojnë në përputhje me vendimin e gjykatës.

Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e këtij konflikti mes palëve.

Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesa të këtij vendimi.

Kryetarja e Kushtetueses theksoi se Kuvendi duhet të veprojë pa vonesë, teksa shtoi se “të dyja çështjet, kërkesa për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, qoftë edhe kërkesa për marrjen e një mendimi Amicus curiae, u rrëzuan nga gjykata.”

Zaçaj: Kur thua pa vonesë do të duhet që Kuvendi të veprojë. Jemi në vendimmarrje të dytë për të njëjtën çështje, i mbetet politikës të vendosë nëse do ta zbatojë konformort asaj që kemi vendosur në vendimin e sapomorëm, që ta sjellë çështjen me përparësi, ashtu siç ne e kemi shqyrtuar me përparësi por nuk kemi vendosur afate.

Të dyja çështjet, kërkesa për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, qoftë edhe kërkesa për marrjen e një mendimi Amicus curiae, u rrëzuan nga gjykata.

VENDIMI I GJK:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 21.06.2024 dhe 25.06.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues jo më pak se 1/10-ta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe jo më pak se 1/5-ta e deputetëve të tij, me objekt:

1. “ Kundërshtimi i vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë me mandatin të deputetes Olta Xhacka” dhe deklarimi i këtij vendimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

2. Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete se si zgjidhet ky konflikt dhe se si ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi në kushtet e mosverifikimit të pengesave formale, në kushtet kur mazhoranca, me votim, ka vendosur moszbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo mund të ripërsëritet në të ardhmen.

3. Interpretimi përfundimtar i neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shqyrtimi i çështjes me përparësi, për shkak të interesit të lartë publik që paraqet.”.

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, sot më 10.07.2024, konstatoi se vendimi i saj nr. 1, datë 23.01.2023 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit.

Gjykata theksoi se vendimi i saj që ka vendosur detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10-ës së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim në respekt të nenit 132, pika 1, të Kushtetutës. Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Aksident i rëndë në Greqi/ Furgoni i drejtuar nga një shqiptar përplaset me një mjet tjetër, 2 të persona të vdekur dhe 2 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Greqi mesditën e kësaj të mërkure, ku për pasojë dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.

 

Sipas mediave greke, furgoni që drejtohej nga një shqiptar është përplasur me një tjetër makinë.

Në furgon me shqiptarin ishin edhe dy shtetas britanik. Në rrethana ende të  paqarta, shqiptari ka humbur kontrollin mbi mjet dhe është përplasur më një makinë tjetër që drejtohej nga një 57-vjeçar grek.

Greku dhe një britanik u gjetën të vdekur, ndërsa shqiptari dhe një britanik u plagosën dhe u dërguan në Spitalin e Përgjithshëm të Rodos dhe po trajtohen në gjendje të rëndë.

Tjetër zjarr i qëllimshëm/ Pas Dropullit, në flakë dhe Elbasani, digjen qindra pemë ulliri

Arrestohet një person dhe procedohen dy të tjerë në fshatin Papër të Elbasanit. Bëhet me dije se është arrestuar 54-vjeçari B.H pasi ndezi zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturinat.

Zjarri doli jashtë kontrollit dhe si pasojë u dogjën 267 pemë ulliri në pronësi të J.V. Ky i fundit është proceduar pasi nuk ka kallëzuar për këtë rast. Një tjetër person është proceduar pasi dogji pjesërisht 7 pemë ulliri. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Njoftimi i Policisë:

Elbasan/Si rezultat i veprimeve hetimore për rastet e zjarrvënies, Policia zbardh 2 raste të tilla të ndodhura në fshatrat e njësisë administrative Papër dhe identifikon 2 autorët.

Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër, vihet në pranga 54-vjeçari.

Procedohet penalisht pronari i tokës me ullinj, për moskallëzim të krimit.

Ndezi zjarr në tokën e tij, për djegien e mbeturinave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën pjesërisht disa pemë ulliri në pronësi të një tjetër shtetasi, procedohet penalisht 62-vjeçari.

Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, si dhe si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Elbasan, për 2 raste të zjarrvënieve, u bë identifikimi i autorëve të këtyre rasteve. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:

-u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 54 vjeç, banues në fshatin Papër. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Pajun, për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me 267 pemë ulliri, në pronësi të shtetasit J. V. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj pronarit të tokës, shtetasit J. V., pasi nuk ka kallëzuar për këtë rast;

-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. S., 62 vjeç, banues në fshatin Bizhutë, pasi ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur disa mbeturina, dhe nga përhapja e flakëve janë djegur pjesërisht 7 pemë ulliri në pronësi të një 58-vjeçari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullotash, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të zjarrvënies dhe të paligjshmërisë në tërësi. Reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.

Qeveria e Kosovës shpall 11 korrikun ditë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë

Qeveria e Kosovës e ka shpallur 11 korrikun ditë përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga 23 maji.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.

“Është veprim…i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha Kurti.

Më 2021, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.

“Le të jetë kjo ditë një kujtesë e përhershme e vuajtjes dhe pikëllimit tonë të përbashkët, forcës sonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe përkushtimit tonë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”, tha zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga komuniteti boshnjak.

Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, i cili e mbështeti këtë vendim, tha se është e rëndësishme të thuhet se “kriminelët dhe gjenocidi kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe nuk duhet të përgjithësohen për një popull të caktuar, ose një vend të caktuar, por mbi autorët individualë që e bënë këtë, duke mos menduar as për viktimat dhe as për njerëzit e tyre”.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.

Gjykata e njëjtë gjeti se Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burim të përjetshëm./REL

Eliminimi i Francës/ Ish-lojtari i “gjelave” shpërthen ndaj Deschamps: Shko luaj padel në Monako. Në vendin tënd duhej të vijë…

Le sélectionneur français Didier Deschamps lors du match international amical de football entre la France et le Canada au stade Matmut Atlantique de Bordeaux, le 9 juin 2024. Photo by Thibaud MORITZ/ABACAPRESS.COM

Eliminimi i Francës nga Spanjës po kritikohet shumë në vendin francez , pasi kishin shpresa të mëdha për të fituar dhe për të ngritur një trofe që nuk e kanë arritur që nga viti 2000.

Mosarritja në finale në Berlin quhet dështim dhe një nga zërat më kritikë në Francë është ai i Riolos. Gjithmonë shumë kritik ndaj PSG-së, pas eliminimit të vendit të tij në Eurokupë, ai ka në sy objektivin Deschamps. Riolo pret që ai të largohet dhe vendos Zidane si kandidat kryesor për ta zëvendësuar.

“ Deschamp, ndalo, shko luaj padel në Monako , vazhdo. Ai me të vërtetë nuk dëshiron që Zidane të marrë skuadrën e Francës, sepse ai e di që të gjithë njerëzit e duan këtë. Ai është kundër kësaj ideje. I dhemb aq shumë sa Zidane, i cili nuk e ka trajnuar për asnjë minutë skuadrën franceze, pritet të jetë shpëtimtar, ndërsa ai që fitoi një Botëror dhe po vjen të bëjë ca kohë në Euro, ne duam që të largohet. .

Psikologjikisht, ky njeri është i prekur nga fakti se që nga fillimi i karrierës së tij nuk ka qenë më i bukuri i historisë . Ai është i shëmtuari në histori dhe e ka pasur të vështirë që atëherë. Ai e ka të vështirë faktin që nuk ka njohje që përputhet me karrierën e tij. Është një mbresë. Ai dëshiron që njerëzit ta duan dhe ai e sheh qartë se njerëzit nuk e pëlqejnë fare. Ai do të jetë gjithmonë nën hijen e Zidane dhe Platinit dhe kjo është e vështirë për të” shprehet Riolo.

Do të duhet të presim për të ditur se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e trajnerit francez, pasi do të jetë një debat kombëtar në ditët në vijim, pas grumbullimit të tre ‘dështimeve’ radhazi, pas humbjes nga Spanja, humbjes së finales së Botërorit nga Franca dhe humbja nga Zvicra në raundin e dytë në Eurokupën e mëparshme.

Franca, lojtar për lojtar, ka një nga skuadrat më të mira në planet, por që kur fituan Kupën e Botës në 2018 nuk kanë mundur të fitojnë titull.

Asfalti elektoral, firma që shtroi pallatin para zgjedhjeve i prishi tubacionin e ujërave të zeza, nuk e riparon

Fiks Fare rikthehet në Elbasan, ku denoncoi para disa muajsh asfaltin elektoral për zgjedhjet vendore 2023.

Tashmë, z. Mehmet Uruçi tregoi për Fiks Fare se firma që shtroi sheshin te një pallat në Elbasan vitin e kaluar, para zgjedhjeve vendore, i prishi tubacionin e ujërave të zeza. Ai i ka kërkuar Firmës, Bashkisë dhe Ujësjellësit që ta rregullojnë, por asnjë nuk e riparoi.

“Na mbytën ujërat e zeza, ku të shkojnë. Gjithë erë …” pohon Mehemt Uruçi banori i cili u ankua në Fiks Fare. Para 14 majit 2023, zgjedhjeve lokale firma Asfalto Beton Elbasan bëri shtrimin e sheshit të pallatit me asfalt ” Shtruan me asfaltin propagandistik dhe ikën” tregon z. Uruçi. Ai shton se i është drejtuar si firmës ashtu edhe bashkisë bashkë me ujësjellësin që ta rregullojnë këtë problem, pasi ujërat e zeza të shtëpisë së tij derdhet po tek ky asfalt në gjendje të lirë.” Sipas z. Uruçi e gjitha ndodhi pasi firma gjatë punimeve solli një rrul 40 tonësh i cili prishi tubacionin dhe se një nga punonjësit e firmës e kishion mashtruar duuke i thënë se është bërë lidhja e tubacionit të dalë nga shtëpia me pusetën kryesore, ndërkohë që nuk ishte e vërtet.

Nga shkresat që z. Uuçi ishte drejtuar institucioneve UKE në përgjigjen e saj shkruante se faji është i firmës. Gjatë shtrimit të sheshit kanë prishur tubacionin. Por meqë ka kaluar një vit e ca nga shtrimi i sheshit UKE i thotë qytetarit që të paguajë vetë për rregullimin,  madje i bashkëngjisin edhe preventivin shkresës. Para disa javësh vlera e preventivit ishte 315 mijë lekë të vjetra tani thonë 350 mijë lekë.

Fiksi kontaktoi me firmën, e cila tha se ka tentuar që ta rregullojë, por banorët e pallatit përballë nuk pranuan që të çahej asfalti. Plus përfaqësuesi i firmës tha se ka kaluar çdo afat i mundshëm edhe ai i kolaudimit. Ai fillimisht e mohon që firma të jetë fajtore por kur Fiksi e pyet se shkresa e UKE ua ka hedhur fajin juve ai shprehet se nuk është në dijeni të kësaj shkrese.

Gazetari i Fiksit ia dërgon me antë të telefonit dhe ai e rimerr pasi është njohur me shkresën. ” Nuk jemi në dijeni të kësaj shkrese por edhe nëse unë vij nesër me mjetet aty nuk mbaroj punë , pasi banorët nuk na lënë dhe ka qenë madje me ne edhe një përfaqësues i bashkisë” pohon përfaqësuesii firmës. Ndërhyrjes së gazetarit të Fiksit që UKE ju bën fajtore dhe shkresa është zyrtare, ai ndërhyn duke i thënë ta zgjidhi UKE se në nuk kemi prishur gjë. Më pas gjatë bisedës së kryen në telefon ndërhyn edhe z. Uruçi ku i thotë që banorët nuk pranuan të ndërhynte firma në rregullimin e tubacionit pasi tekniku i saj u kishte thënë se me çarjen e asfaltit nuk do rikthehej pas ndërhyrjes në gjendjen fillestare. Kjo ishte dhe arsyeja sipas z. Uruçi që banorët nuk kishin pranuar.

Më pas Fiksi mori edhe një prononcim nga Zv/kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula. Ai pohoi se janë në dijeni të problemit dhe se është kontaktuar me firmën dhe ata janë dakord për rregullimin e këtij problemi vetëm se problem ka qenë banorët. Në momentin që do dakordësohet me banorët do ndërhyhet për rregullimin e situatës se nuk është vetëm në dobi të z. Uruçi por të të gjithë komunitetit aty. Shpresojmë që ndërhyrja të bëhet sa më shpejt” përfundon zv/kryetari bashkisë.

“Investoi rreth 11.5 milionë euro në garën për president”- Marine Le Pen nën hetim për financimin e fushatës në vitin 2022! Akuza për shpërdorim fondesh, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh

Menjëherë pas fuqizimit të populistëve të djathtë në zgjedhjet e fundit në Francë, prokuroria nis hetimet për fushatën elektorale të Rassemblement National në vitin 2022.

Gjyqësori francez ka nisur hetimet paraprake ndaj ish-kryetares së partisë Rassemblement National (RN), Marine Le Pen, për dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2022. Në atë kohë populistja e djathtë u mund nga presidenti aktual Emmanuel Macron në raundin e balotazhit.

Sikurse njoftoi prokuroria e Parisit dyshohet për shpërdorim fondesh, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ndër të tjera po hetohet edhe për një kredi të marrë gjatë fushatës zgjedhore. Hetimi filloi në fillim të korrikut. Shkak është bërë një raport i Komisionit për Llogaritë Bankare për Fushatën, i cili qe prezantuar në vitin 2023 në të cilin analizohen llogaritë e të gjithë kandidatëve.

11,5 milionë euro për garën për president

Në garën e saj të tretë për postin e kreut të shtetit Le Pen kishte investuar rreth 11.5 milionë euro, duke kapërcyer tavanin e kostove të parashikuara nga ligji.

Në Francë kostot për fushatën kufizohen me ligj dhe nëse fondet përdoren në mënyrë të ligjshme, shpenzimet e bëra rimbursohen proporcionalisht nga shteti.

Komisioni përgjegjës për fushatën elektorale kishte kritikuar se Le Pen kishte shpenzuar rreth 300,000 euro për reklama nëpër autobusë. Po ashtu pas fushatës zgjedhore të vitit 2017 komisioni kishte kritikuar që Le Pen i kishte pranuar në formë huaje rreth 870 mijë euro.

Le Pen dhe më shumë se 20 të pandehur të tjerë do të përgjigjen së shpejti në gjykatë për dyshimet për përvetësimin e fondeve të BE-së. Gjyqi është planifikuar të fillojë në fund të shtatorit. Prokurorët janë të bindur se midis viteve 2004 dhe 2016, një numër asistentësh të deputetëve të RN-së në Parlamentin Evropian kanë punuar në fakt për partinë dhe jo për zyrtarët e zgjedhur. Le Pen i mohon akuzat./DW

Sot u arrestua/ Xhelal Rraja pjesë e grupit të Durim Bamit dhe Endrit Dokles, si planifikuan vrasjen e Arben Ndokës

Xhelal Rraja është arrestuar këtë të mërkurë në vijim të operacionit “Revanshi”. Sipas SPAK, Xhelal Rraja ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit dhe Endrit Dokles që tentuan vrasjen Arben Ndokës.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohej në janar 2021, kur ai të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.

Ndoka do të vritej në kafen e ngushëllimit në shtëpinë e gjyqtarit. Por plani dështoi pasi Ndoka nuk shkoi. Plani sipas SPAK ishte thurur nga Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, ku ky i fundit jepte informacion për lëvizjet e Ndokës.

Free korrupsionit/ Protestë klanore e familjare e kamufluar si protestë opozitare

Nga Azgan Haklaj

Data 11 Korrik e cila sipas sinoptikanëve është paralajmeruar dhe si dita më përvëluese e vitit është caktuar nga Sali Berisha si një ditë proteste opozitare.
Eshtë paradoksale teksa në provat teknike të grupimit Rithemelimi tash sa javë përpara BashkisëTiranë në protestat kundër Erion Velisë dhe skandaleve të tij mblidhen 3 herë më shumë policë e kameramanë sesa protestues.
Sot është imperative një protestë e madhe “Revolucion”, e cila synon ta rrezojë Edi Ramën, por është e tmerrshme të veprojë si gjithmonë Kalifi Berisha i cili ka aftesinë të genjejë demokratët e ti karikojë ata sa herë ka hall e të bëjë presion që fatkeqesisht akoma shpreson se mund të këtë rezultat!
Kushdo e bën analizën se përse po dështon protesta kundër Erion Velise?
Nëse doni shkakun e vërtetë është fakti që kjo nuk tentonte aspak denoncimin dhe irritimin ndaj korrupsionit të çmendur qeveritar por thjesht një sforcim e pērdorim për një pazar privat familjar.
Dhe kjo u materializua e u dekonsiprua teksa vajza e Sali Berishes u pa me bluzën “Free Berisha” pranë gomave që po digjeshin te dera e Bashkisë Tiranë, e ndërkohë që miniprotestat vijonin te bashkia thuhet se për Shkelzen Berishën firmosen leje kullash po nga Erion Velia?!
As britmat e Klevis Balliut dhe vezët e banjaminit të Ilir MetësTedi Blushi nuk e tundën Veliajn përkundrazi i dhanë një rast tjetër kusarie me ndonjë tendër pa procedura për të pastruar baterdinë “revolucionarëve” të Ballkonit!
Asnjë opozite dhe populli në kontinent si në Shqipëri nuk ka arsye më të qenësishme për protestë, por kjo lloj proteste-ujdi me pērfundim profitesh përsonale për Sali Berishën e indirekt për të zgjatur “mbreterimin” sulltanor të Edi Ramës ta shpif siç ta shpif Gaz Bardhi me shokë që ndajnë fletushka-trakte nëpēr kioskat e Tiranës sikur të ishin reklama picash.
Duhet theksuar edhe njëherë se pas secilës “protestë” është gatuar një ujdi.
Një për amnistinë Penske e tjetra për vulën, një për degradimin e reformën zgjedhore e tjetra për të nxjerrë nga bunkeri Sali Berishën dhe vektori i përbashkët, i cili sado vishet me çirrje e përberim është lufta e treshes Berisha-Rama-Meta kundër SPAK-ut dhe gjykatave speciale ani-krim e anti-korrupsion, të investuara e mbështetura ekskluzivisht nga aleatët tanë euroatlantikë. Tashmë që vapa përveluese po prek kulmin edhe kjo tragjikomedi me regji ne kurriz te demokratëve dhe shqiptarëve po prek fundin…një fund pa lavdi për ata që mbajtën për 3 dekada peng demokracinë dhe rrënuan Shqipërinë.
Është imediat ndryshimi dhe progresi dhe ky komb ka fuqi për të rigjeneruar.
“Progresi është i pamundur pa ndryshim por ata që nuk ndryshojnë dot mendjen e tyre nuk mund të ndryshojnë asgjë” thoshte Bernard Show.