27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Prokurorë e gjyqtarë amerikanë vizitë në Shqipëri, takime me përfaqësues të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale! Ambasada e SHBA: Përforcon mbështetjen për reformën në drejtësi

Një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh amerikan, kanë mberritur në Tiranë, ku pritet të takohen me prokurorë e gjyqtarë të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale, si dhe me zyrtarë të institucioneve të tjera të drejtësisë.

 

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë, bën me dije se në Shqipëri ka mbërritur Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtari Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah dhe gjyqtarja Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah, të cilët do të qëndrojnë për pesë ditë.

“Vizita e gjyqtarëve dhe prokurorëve përforcon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri”, theksohet në reagim.

Reagimi i plotë

Sot, Ambasada në Tiranë priti të nderuarën Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah; Kryegjyqtarin Robert Shelby, nga Gjykata e Qarkut të Utah; dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.

Gjatë pesë ditëve në Shqipëri, ata do të takohen me prokurorë e gjyqtarë të SPAK-ut dhe Gjykatave Speciale, si dhe me zyrtarë të institucioneve të tjera të drejtësisë për t’u shkëmbyer mbi sundimin e ligjit dhe parimet e qeverisjes së mirë.

Vizita e gjyqtarëve dhe prokurorëve përforcon mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri.

“S’ka kondicioner e as çarçafë”- Kimioterapi në sallë të improvizuar të Hematologjisë, sfidat e pacientëve me kancer në QKUK!

Në mungesë të hapësirave në Hematologji, pacientët me kancer janë zhvendosur në katin përdhesë të ndërtesës, përkatësisht në sallë të destinuar për ushtrime dhe ligjërata të studentëve.

 

Vetëm ata që duhet të marrin kimioterapi më gjatë se disa orë në ditë, shtrihen në repartin e klinikës. Aty ku jepet terapia ditore, janë 12 shtretër.

“Tash për tash jemi këtu. E dimë që ka mungesa të shumta, por këto janë kushtet tona”, thotë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës së Hematologjisë, Suzana Krasniqi, për Radion Evropa e Lirë.

“Tash ka nisur ndërtimi i objektit të ri të klinikës dhe derisa të kryhet, do të jemi këtu”, shton ajo.

Në muajin maj, në oborrin e QKUK-së është vënë gurthemeli i Klinikës së Hematonkologjisë dhe Nefrologjisë.

Se kur do të përfundojë, nuk është e qartë. REL-i e kontaktoi Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për këtë temë, por udhëheqës të tij nuk ishin të qasshëm.

Sipas një përshkrimi nga Klinika Mayo në SHBA, kimioterapia mund të shkaktojë edhe efekte të konsiderueshme anësore dhe jepet kryesisht në njësi kimioterapie ambulatore.

Situata në Hematologji në QKUK është kështu me muaj të tërë. Në pesë të fundit e përjetoi edhe Y.M. Kjo grua nga Prizreni është duke u trajtuar për një lloj të kancerit në gjak dhe gati çdo javë i duhet të udhëtojë afro 90 kilometra për të arritur në Prishtinë.

Të gjithë pacientët që kanë nevojë për kimioterapi referohen në QKUK, pasi është i vetmi institucion shëndetësor në Kosovë që e ofron këtë shërbim.

“Të gjithë mbiemrat që janë më të këqij, mund t’i përdorësh për kushtet këtu [në Hematologji]. Është tmerr”, thotë Y.M.

“Nuk ka ajër të pastër, nuk ka kondicioner. Temperaturat janë të larta, e shpesh duhet të qëndroj pesë orë”, tregon ajo.

Në ditën kur ekipi i REL-it vizitoi këtë klinikë, javën e fundit të qershorit, pa se disa pacientë merrnin kimioterapi edhe ulur në karrige, për shkak të mungesës së shtretërve të lirë.

Arsim Podrimja nga Drenasi, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, kishte sjellë atë ditë në spital nënën tij, për të marrë dozën e gjashtë të kimioterapisë kundër kancerit. Tha se përveç kushteve të rënda, edhe pritjet janë shumë të gjata.

“Në orën 7:30 kemi ardhur këtu e deri në 9:30 nuk kanë nisur t’ia japin terapinë. Por, duhet ta zëmë vendin. Para orës 14:30 nuk do të mund të dalim nga këtu”, tha ai.

Pavarësisht vështirësive, shërbimet vazhdojnë.

“Jemi në shërbim të pacientëve aq sa kemi mundësi”, thotë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Hematologjisë, Suzana Krasniqi.

Sipas të dhënave të kësaj klinike, vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar 203 raste të reja me kancer. Mesatarisht në muaj, shërbime marrin mbi 270 pacientë.

Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen vetëm pacientë me lloje të ndryshme të kancerit.

Por, me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata.

Me sfidat e pritjes përballen edhe pacientë të klinikave të tjera të QKUK-së, ashtu si edhe me kushte të rënda.

“Nuk kemi se çka të bëjmë ne si staf. Ne e japim maksimumin për t’i ndihmuar pacientët”, thotë një infermiere në Hematologji, e cila kujdeset për rreth dhjetë pacientë në ditë./REL

“Kjo nuk do të sillte paqen”- Stoltenberg: Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është ta humbësh atë

Ndërsa NATO-ja përgatitet të mblidhet të martën në një takim treditor në Uashington për të kremtuar 75-vjetorin e saj, ajo po përforcon mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë.

 

Gjatë një konference për shtypin me një grusht gazetarësh të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se të gjitha vendet anëtare të NATO-s duan paqen dhe kjo mund të arrihet nëse presidenti rus Vladimir Putin, e kupton se nuk mund të fitojë në fushën e betejës.

“Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte është humbja e saj”, tha ai. “Por kjo nuk do të sillte paqe. Do të sillte pushtim”.

Sekretari Stoltenberg përshkroi masat kryesore që do të marr NATO-ja, duke përfshirë krijimin e një komande të posaçme në Gjermani, ndihmën e shtuar financiare dhe ushtarake si dhe marrëveshjet dypalëshe të sigurisë.

Ai i theksoi këto nisma duke trajtuar kompleksitetin e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO dhe frontin e bashkuar të aleancës kundër agresionit rus.

Gjuha e saktë e marrëveshjes përfundimtare të takimit lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, është ende duke u negociuar, tha ai.

Në muajin prill, zoti Stoltenberg tha se aleanca nuk pritej t’i ofronte Ukrainës anëtarësimin në NATO gjatë takimit të lartë, por një “urë” drejt anëtarësimit.

Në takim, ajo “urë” do të përfshijë pesë elementë thelbësorë:

Komanda e ndihmës për sigurinë: NATO-ja po krijon një komandë të re në Gjermani, me qendra logjistike në Evropën Lindore, për të bashkërenduar ndihmën ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Sipas zotit Stoltenberg, kjo do të përfshijë 700 pjesëtarë të personeli të udhëhequr nga një gjeneral i NATO-s me tre yje.

Sekretari Stoltenberg tha se ka pasur dallime midis aleatëve në lidhje me “qasjen ose llojet e armëve që duhet dhënë Ukrainës”. Këto dallime krijojnë vonesa burokratike dhe qëllimi është të bëhet dorëzimi më i shpejtë dhe më i lehtë.

“Kjo komandë e re do të ketë një mandat shumë të fortë, kështu që nuk do të ketë nevojë për konsensus për secilin dorëzim (armësh)”, tha ai.

Zotimi financiar: Që nga shkurti i vitit 2022, aleatët e NATO-s kanë dhënë rreth 43 miliardë dollarë në vit në mbështetje ushtarake për Ukrainën. Takimi i ardhshëm pritet të zgjasë këtë angazhim edhe për një vit, duke hedhur themelet për mbështetjen në të ardhmen.

Dërgimi i menjëhershëm i armëve: Në takim priten njoftime për dërgimin e më shumë armëve dhe municioneve, veçanërisht sistemeve të mbrojtjes ajrore, për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Ndonëse zoti Stoltenberg nuk dha hollësi, një zyrtar i lartë amerikan tha se mund të priten njoftime nga aleatët e NATO-s këtë javë në lidhje me dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë.

Marrëveshjet dypalëshe të sigurisë: Njëzet aleatë të NATO-s do të kenë nënshkruar marrëveshje dypalëshe sigurie me Ukrainën deri në fillim të takimit, duke ofruar garanci shtesë sigurie dhe duke përforcuar përpjekjet bashkëpunuese në fushën e mbrojtjes.

Ndërveprimi: Aktualisht po bëhen përpjekje për të përafruar forcat e armatosura të Ukrainës me standardet e NATO-s, duke përfshirë një qendër të përbashkët trajnimi në Poloni dhe programe për blerjet ushtarake.

Hungaria nuk do të marrë pjesë por as nuk do të pengojë veprimet për Ukrainën

Sekretari Stoltenberg trajtoi shqetësimet rreth qëndrimit të Hungarisë ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe mundësive të saj për të bllokuar vendimet e NATO-s.

Ai foli për një vizitë të fundit në Budapest, ku siguroi një marrëveshje me kryeministrin Viktor Orban se Hungaria nuk do të pengojë masat e propozuara të mbështetjes për Ukrainën.

Budapesti nuk do të marrë pjesë në komandën e re të ndihmës së sigurisë së NATO-s për Ukrainën, por do të përmbushë detyrimet e tjera ndaj NATO-s dhe do të kontribuojë në buxhetin e përbashkët, tha sekretari Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi angazhimet e ndryshme të NATO-s me Moskën edhe pas fillimit të agresionit në Ukrainë.

Ai vuri në dukje një bisedë të kohëve të fundit midis Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, duke nënvizuar natyrën e zakonshme të kontakteve të tilla.

Zoti Stoltenberg tha se NATO-ja duhet të veprojë e bashkuar në zhvillimin e strategjive të reja të mbrojtjes, duke theksuar unitetin pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, të tilla si ato të përfaqësuara nga udhëheqës si kryeministri Orban.

Marrëdhëniet e ardhshme me Shtetet e Bashkuara

Zoti Stoltenberg është i bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një aleat i vendosur i NATO-s pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme, duke iu referuar kritikave të së kaluarës nga ish presidenti Donald Trump, kryesisht për çështjet e shpenzimeve të mbrojtjes sesa për vet NATO-n.

Ai theksoi se çdo sekretar i përgjithshëm duhet të jetë në gjendje të punojë me të gjithë udhëheqësit brenda aleancës, duke e krahasuar NATO-n me një familje të madhe që herë pas here përfshihet në diskutime dhe mosmarrëveshje.

Zoti Stoltenberg foli për përvojën e tij të punës me presidentët Barak Obama, Donald Trump dhe Joe Biden, duke vënë në dukje se pavarësisht udhëheqjes politike, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur një aleat i palëkundur dhe i përkushtuar i NATO-s./VOA

REAGIM I PARTISË DEMOKATIKE – DEMOKRATËT EUROATLANTIKË

Nëpër disa media kemi parë një tekst keqinformues, me përmbajtje identike, të spinuar nga nuk dihet se kush, pasi nuk ka as emër as mbiemër.

Qartësojmë opionin publik se Partia Demokratike – Demokratët Euroatlaintikë funksionon mbi vendimmarrjen e organeve të saj drejtuese, të zgjedhura nga vota e anëtarëve, siç është Kryesia dhe Këshilli Kombëtar.

Vendimmarrja nuk është në dëshirën e Kryetarit apo të ndonjë individi tjetër, por vendimmarrje e shumicës dërrmuese të strukturave të saj drejtuese.

Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë ka vendosur të bëjë rekurs për vendimin e paligjshëm të Gjykatës së Apelit. Të qartë se mos bërja e rekursit ndaj një akti të pranuar gjerësisht si të paligjshëm, do të thotë të pranosh në heshtje pazarin Rama-Berisha.

Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë, po kështu, kanë vendosur që pa asnjë hezitim të jenë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme, me ekipin dhe alternativën tonë dhe këtë nuk mund ta pengoj asnjë pazar apo makinacion i dyshes Rama-Berisha, që synojnë të ruajnë status quo-në.

Demokratët Euroatlantikë do të jenë çdo ditë në terren pranë qytetarëve për të shpalosur alternativën e tyre dhe së shpejti edhe ekipin që do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët meritojnë më shumë se pazaret e Edi Ramës me Sali Berishën.

“Momenti më tragjik i jetës së Terezinës, ishte dita kur xhelati solli Palin para dritares së qelisë së saj dhe…”- Historia e trishtë e vajzës italiane në Shkodër

Në murin e Akademisë Ushtarake në Modena në Itali, është e ekspozuar “Medalja e Artë”, e Pal Thanit, por nuk e ka ende një varr, ku familjarët ta qajnë e, t’i vendosin lule.-

 

Në nëntor të vitit 1991, një delegacion nga ministria e Jashtme e Italisë, ishte vendosur në hotel “Dajti” në Tiranë. Ishte koha kur vendet e Perëndimit po përpiqeshin të mbështesnin Shqipërinë, në rrugën e re drejt demokracisë. Pjesë e delegacionit italian, ishte edhe një zonjë me emrin Ksandra Tani (Thani). Përveçse pjesë e  misionit diplomatik, ajo kishte një amanet për të kryer në Shqipëri. Bashkëshorti i saj, Franco Tani (Thani), i kishte dhënë një numër telefoni me prefiksin e Shkodrës dhe emrin e Terezina Pali Zorba. Ksandra, do t’i telefononte Terezinës, për të lënë një takim në hotel “Dajti”, atje ku ishte vendosur delegacioni italian.

Vizita në Shqipërinë e sapo dalë nga diktatura, por më shumë takimi me Terezinën, do ta shënjonte jetën e Ksandrës, e cila gjithsesi dinte pak më shumë se kolegët e saj diplomatë, për të kaluarën e Shqipërisë komuniste. Franko, bashkëshorti i saj ishte një shqiptar, i biri i major Pal Thanit dhe Xhuljetës së tij, sopranos së bukur nga Modena.

Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur në Romë kishin nisur bombardimet, Major Pal Thani dhe bashkëshortja e tij italiane, Xhuljeta, u nisën drejt Shqipërisë. Pal Thani, djali shkodran që kishte shkëlqyer në Akademinë Ushtarake të Modenës, me “Medalje Ari”, prej dashurisë me sopranon italiane, kishte vendosur të qëndronte në Romë, por lufta ua ndryshoi tërësisht fatin e jetës.

Xhuljeta ishte shtatzënë dhe udhëtimi nuk ishte aq i thjeshtë në kohë luftë. Pas një udhëtimi të lodhshëm, mbërrijnë në Shkodër dhe u vendosën në banesën e tyre, te nëna Katrinë. Pas pak muajsh, në vjeshtën e vitit 1942, lindi djali, Franko dhe jeta po vazhdonte qetësisht në qytetin e lindjes së Palit. Brenda pak kohësh në Shqipëri, do të vendosej diktatura komuniste dhe Pali bashkë me familjen e tij, as që e kishin menduar fatin tragjik nën regjimin komunist.

Në vitin 1945, nisi përndjekja e kundërshtarëve të regjimit komunist dhe në këtë listë, padyshim që do të ishin të gjithë intelektualët. Këtu do të përfshiheshin dy djemtë e familjes Thani, major Pal Thani dhe kolonel Mark Thani, të dy studiuar në Modena në Itali. Shumë prej intelektualëve të Shkodrës, u arratisën ose u fshehën nëpër male, me shpresë se situata do të përmirësohej. Pali qëndroi në banesën e tij, i fshehur në bodrum bashkë me bashkëshorten.

Ai qëndroi aty për shkak të bashkëshortes dhe djalit të mitur, duke marrë parasysh se ajo ishte një shtetase e huaj dhe qëndrimi e izoluar pa bashkëshortin, do të ishte mjaft i vështirë. Djali i tyre Franko, ishte vetëm 3 vjeç. Me kalimin e ditëve, përndjekja po ashpërsohej dhe Pali detyrohet të largohet nga banesa, për t’u fshehur diku në një mal’ afër Shkodrës.

Vajza e Marijes, motrës së Palit, Terezina, një gjimnaziste ekselente, që ishte angazhuar në Lëvizjen Antikomuniste, do të bëhej mbështetja kryesore për Palin dhe Xhuljetën. Lidhja e Terezinës me dajat e saj dhe veçanërisht me Palin, ishte shumë e rëndësishme, për shkak se ajo ishte rritur në banesën e dajave të saj dhe ata kishin ndikuar në edukimin e saj.

Pas largimit të Palit në Mal, Terezina do të ishte mbështetja kryesore për italianen, që po jetonte ditët më të errëta të jetës, e ngujuar në një bodrum, me frikën se do të vinin ta arrestonin e, pa ditur fatin e bashkëshortit. Por nuk do të kalonin shumë ditë dhe Sigurimi i Shtetit, do të arrestonte Terezinën, por edhe Xhuljetën, për ta çuar në burg bashkë me Frankon, 3-vjeçar.

Kur Pali mori vesh, se bashkëshortja ishte në burg, u dorëzua. Pas dorëzimit, Sigurimi e liroi nga burgu bashkëshorten e tij dhe djalin, por nuk e liroi nga burgu, mbesën, Terezinën. Për rreth një vit e gjysëm, oficerët e Sigurimit përdorën torturat më të ashpra mbi trupin e Palit. Nën tortura do të ishte vazhdimisht edhe Terezina.

Një ndër momentet më tragjike të jetës së Terezinës, do të mbetej dita kur xhelati Hilmi Seiti, e kishte sjellë Palin para dritares së qelisë së Terezinës dhe atje e torturoi mizorisht, duke llahtarisur të gjithë të burgosurit. Terezina do të rrëfente shumë vite më vonë, se kurrë nuk do t’i harronte ulërimat e dhimbjes së dajës së saj, kur xhelati i Sigurimit të Shtetit, dhunonte pa mëshirë trupin e tij.

Sipas dëshmitarëve të kohës, Pal Thani vdiq në tortura. Sigurimi i Shtetit, lajmëroi familjen se Pal Thani, kishte vdekur nga një sulm në zemër, por refuzuan t’ia dorëzojnë trupin familjes. Tragjedia kishte pllakosur familjen e Palit dhe veçanërisht Xhuljetën, e cila me një fëmijë të mitur, tre vjeç, endej rrugëve të Shkodrës, në kërkim të trupit të bashkëshortit, a një shpjegimi për fatin e tij.

Kur kuptoi se ishte një betejë e humbur, Xhuljeta u këshillua nga familjarët e Palit, që të merrte të birin Frankon dhe të nisej drejt Italisë. Nuk ishte e thjeshtë, sepse Xhuljetës i lejohej të kthehej në atdheun e saj, por të birin, nuk do t’ia lejonin, sepse Franko ishte me shtetësi shqiptare. Familjarët e Palit, gjetën një mundësi klandestine, përmes një anije që nisej atë vjeshtë të vitit 1946, nga Durrësi, drejt Italisë.

Xhuljeta me të birin, e shoqëruar nga e ëma e Palit, Katrina dhe të tjerë të afërm, qëndrojnë pak ditë në një hotel në Durrës. Atje kishin mundur të siguronin përmes disa të afërmve, një leje-kalimi dhe Xhuljeta bashkë me të birin hynë në anije, gjithnjë me frikën se po të zbuloheshin, Sigurimi i Shtetit, do t’i merrte djalin.

Fati e deshi që të mos zbuloheshin dhe Xhuljeta bashkë me të birin Frankon, ia dolën të mbërrijnë shëndosh e mirë në Itali. Ajo u kthye tek familja e saj. Franko u rrit mes dashurisë së gjyshërve, ndërsa Xhuljeta kaloi të gjithë rininë, me kujtimin e dashurisë që pati atë fund tragjik. Në dhomën e zbrazur të Xhuljetës, gjendej vetëm fotografia e Paulos (Pal Thanit), ku ajo zgjohej çdo ditë, me përshëndetjen e përhershme: “Il mio Paulo…”!

Në dhomë ishte gjithmonë edhe një qiri, ku Xhuljeta lutej për shpirtin e tij. Brenda hapësirave që kishte lënë regjimi, Xhuljeta mbante korrespondencë me Terezinën, mbesën e Palit, e cila ishte liruar pas disa vitesh. Ato shkëmbenin letra e kartolina, në raste festash. Terezina ruajti ne arkivin e saj te shtrenjte, fotografitë që i dërgonte Xhuljeta dhe Franko. Njëra prej fotografive është e vitit 1960, kur Franko ishte 18 vjeç. Pas fotografisë, është edhe dedikimi për kushërirën, Terezinë.

Xhuljeta u nda nga jeta, para se të rrëzohej diktatura komuniste. Ndërsa i biri, Franko, mbajti lidhjet me Terezinën dhe familjen e saj. Terezina Zorba, vizitoi Frankon në Itali, në vitin 1992, ndërsa Franko, nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Mesa duket ai, nuk ka dashur ta shohë kurrë me sy atë skenë, ku u luajt tragjedia e dashurisë së prindërve të tij.

Fundi tragjik i Pal Thanit, është një ndër 6 mijë historitë e shqiptarëve, që u vranë padrejtësisht nga regjimi komunist dhe u zhduken varret e tyre, me qëllim. Në murin e Akademisë Ushtarake në Modena në Itali, është ende e ekspozuar “Medalja e Artë”, e Pal Thanit, por nuk e pati kurrë një varr, ku familjarët ta qajnë e t’i vendosin një lule.

Shënim: Historia bazohet në dëshminë e Elena Zorbës, vajza e Terezina Zorbës, e cila e rrëfeu gjithë kalvarin e vuajtjeve në diktaturë, vajzave të saj. Terezina Zorba, është bashkëshortja e poetit të njohur shkodran, Zef Zorba. Kujto.al, është duke bashkëpunuar me vajzat e Terezina Zorbës, për të sjellë rrëfime e dëshmi autentike të kalvarit të dy familjeve, të Zef Zorbës e Terezina Pali Zorbës, pushkatimet e burgosjet, gjatë diktaturës komuniste. Memorie.al

“Kemi bërë kërkesë për ekstradim, jemi në pritje”- Akuzat e Arben Ahmetajt në dokumentarin e Rai3, çfarë deklaroi Altin Dumani në takimin informal

Altin Dumani u shpreh se procedura zgjat, ndërsa nuk pranoi të komentojë nëse Ahmetaj ka bërë kërkesë për azil.

“Që ditën që kemi bërë kërkesën për ekstradim jemi në pritje”, tha kreu i SPAK.

Lidhur me akuzat e ish-zyrtarit të PS-së në emisionin investigativ “Reporter” të “Rai3”, Altin Dumani theksoi: “Lidhur me inceneratorët, çështja është nën hetim. Edhe deklaratat e dhëna nga personi në fjalë po vlerësohen. Ka persona të hetuar, të arrestuar, një ndër ta është zoti Ahmetaj”.

75 vjet NATO! Nga një “mburojë” në Luftën e Ftohtë, në forcë të sigurisë globale

Në fjalimin e tij të vitit 1949, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior, në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry Truman, u shpreh me fjalë të thjeshta për të dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë.

“Për ne, lufta nuk është e pashmangshme”, tha Truman. “Burrat me guxim dhe me vizion mund t’ia përcaktojnë fatin vetes. Ata mund ta zgjedhin robërinë apo lirinë, luftën ose paqen. Unë nuk kam dyshim se çfarë do të zgjedhin ata”.

Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, këtë javë, organizata që u themelua nga Traktati, NATO-ja, do ta shënojë momentin kur 12 aleatët firmosën zotimin për marrëdhënie transatlantike dhe për adresimin e kërcënimit sovjetik ndaj paqes dhe sigurisë në Evropës.

Pasi panë përçarjen e kontinentit nga Perdja e Hekurt, 12 vende – Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – ranë dakord për mbrojtje kolektive, një parim që përbën thelbin e NATO-s sot.

I përcaktuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, parimi thekson se nëse njëri nga vendet nënshkruese sulmohet, ai do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë nënshkruesve tjerë.

Sigurisht se gjatë konferencës do të theksohet se Neni 5 është vënë në përdorim vetëm një herë – pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Për ironi, gjatë themelimit të NATO-s, Shtetet e Bashkuara qenë ndër më skeptiket e Traktatit dhe të Nenit 5.

Për SHBA-në, garancia bërthamore e së cilës do t’i jepte më pas Traktatit peshë, shpallja automatike e luftës përbënte shqetësim, sepse Kushtetuta amerikane i jep vetëm Kongresit kompetencën për të shpallur luftë, thotë John Deni, historian i NATO-s, njëherësh profesor në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë amerikane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Por, Uashingtoni më parë kishte nënshkruar Paktin e Rios, më 1947, i cili siguronte ndihmë reciproke përgjatë Hemisferës Perëndimore, por nuk përfshinte ndonjë zotim ushtarak. Deni thotë se kjo hapi derën për pesë partnerë evropianë – Belgjikën, Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar – që të flisnin me SHBA-në për mbrojtjen e përbashkët evropiane.

“Ne ishim partnerë hezitues”, pohon Deni. “Ky ishte krijim i britanikëve. SHBA-ja donte rilindje ekonomike nga Evropa”.

Ndonëse publikut amerikan iu tha se Traktati ishte mënyrë për të kundërshtuar komunizmin, Deni thotë se një “arsyetim i fshehtë” për aleancën erdhi nga nevoja amerikane për stabilitet dhe sukses ekonomik në Evropë.

Sipas fjalëve të Trumanit, NATO-ja do të ishte “mburojë që do të na mundësojë… të sigurojmë një jetë më të plotë dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”.

Deni pohon se ngjarjet e 1948-tës – një puç në Çekosllovaki dhe bllokada sovjetike e Berlinit – kishin alarmuar SHBA-në për ndikimin e paqëndrueshmërisë në ekonominë evropiane, dhe “ndryshuan mendjet në Uashington”.

Por, Traktati u shkrua “në mënyrën që ne amerikanët e kërkuam”, thotë Deni. Ai nuk parashikoi shpallje automatike të luftës, dhe rrjedhimisht siguroi mbështetje dypartiake në Kongres.

Në fillim të 1949-tës u bë gati një projekttraktat, i cili do të nënshkruhej më 4 prill, në Uashington, në një takim të krerëve të shteteve të 12 vendeve themeluese. Bashkimi Sovjetik u njoftua se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior nënkuptonte reagimin e përbashkët për mbrojtje të anëtarëve të saj.

Teksa Uashingtoni po bëhet gati të jetë mikpritës i Samitit të NATO-s, nga 9 deri më 11 korrik, dhe të shënojë 75-vjetorin e aleancës, rëndësia e Nenit 5 dhe arritjet e NATO-s qenë në agjendën e disa organizimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në kryeqendrën amerikane.

Disa folës theksuan se uniteti i NATO-s u testua në fund të Luftës së Ftohtë, kur aleanca më nuk përballej me kërcënimin sovjetik që Max Bergmann, drejtor i Programit të Evropës të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), thotë se ajo ishte “themeluar për ta adresuar”.

Folës të tjerë kujtuan se disa politikëbërës dhe politikanë argumentuan asokohe se NATO-ja më nuk ishte e nevojshme, përderisa të tjerë parapëlqenin adaptimin me rendin e ri botëror.

Phillippe Dickinson, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Siguri Transatlantike në Këshillin e Atlantikut, thotë se fundi i Luftës së Ftohtë nxiti “një ndryshim të vërtetë në qëndrimin dhe qëllimin e NATO-s në botë”.

NATO-ja krijoi programin e saj të Partneritetit për Paqe gjatë asaj periudhe, duke ftuar Rusinë më 1994 për t’u bërë pjesë e tij, një marrëveshje që zgjati 20 vjet, derisa Moska aneksoi ilegalisht Krimenë më 2014. Më pas ndodhën dy valë të mëdha të zgjerimit pas Luftës së Ftohtë, më 1999 dhe më 2004, kur disa vende evropiane dhe të Baltikut iu bashkuan organizatës.

Aleanca më vonë zhvendosi fokusin në operacionet ndërkombëtare, në kundërterrorizëm dhe në menaxhim krizash. Aleatët e NATO-s, po ashtu, nisën misione paqeruajtëse përtej Atlantikut Verior, përfshirë në Irak dhe në Kosovë. Përveç ruajtjes së paqes, NATO-ja ka rritur bashkëpunimin me vendet përtej Atlantikut Verior, veçanërisht në rajonin e Indo-Paqësorit.

Katër prej 35 vendeve partnere të NATO-s – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë ftuar në diskutimet e aleancës rreth kërcënimeve në Indo-Paqësor, në samitin e ardhshëm.

Përveç Indo-Paqësorit, shumica e 31 vendeve tjera partnere të NATO-s janë nga Evropa Lindore, Mesdheu dhe Lindja e Mesme.

Të gjithë anëtarët dhe partnerët e NATO-s, me përjashtim të Afganistanit, Bjellorusisë dhe Rusisë – të pezulluar – janë ftuar të marrin pjesë në samit. Ftesë kanë marrë edhe Gjeorgjia, pavarësisht miratimit më 28 maj të atij që shumë njerëz e quajnë “Ligj për agjentët e huaj” – të frymëzuar nga Rusia – dhe Ukraina, e cila pritet të përfshihet në zgjerimin e ardhshëm të NATO-s.

Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimet e reja rajonale ndaj NATO-s pritet të jenë tema kryesore në samit, por gjithashtu do të bëhet e qartë se në 75 vjetët e ekzistimit, aleanca është zhvilluar për t’u ballafaquar me më shumë se vetëm kërcënimin sovjetik, parandalimi i të cilit qe arsyeja pse ai u themelua.

Pavarësisht evoluimit, fjalët që Truman tha më 1949 ende qëndrojnë: “Metoda jonë e arritjes së unitetit ndërkombëtar, përmes bashkimit vullnetar të vendeve të ndryshme, të përkushtuara për një kauzë të përbashkët, është një hap efektiv drejt vënies së rendit në botën tonë të trazuar”./ REL

Javë vendimtare, Silvinjo vendos për rinovimin e kontratës

Pushimet përfunduan dje dhe kjo javë është vendimtare për të ardhmen e stolit të Kombëtares shqiptare.

Ashtu siç është shprehur edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, kjo është java ku do të ulet me trajnerin Silvinjo për t’i komunikuar rinovimin e kontratës dhe kushtet e përfshira në të. Nga ana e federatës ka një simpati dhe do të kërkohet që braziliani të vijojë në drejtimin e kuqezinjve, ndërkohë pritet të shihet qëndrimi i Silvinjos dhe pretendimet e tij, nëse gjithmonë do të ketë. Ai mbërriti në Tiranë për të zëvendësuar Edi Rejën në janar të 2023-shit dhe në stafin teknik përfshiu edhe dy emra të tjerë, Pablo Zabaletën dhe Dorivën.

Fushata kualifikuese ishte perfekte, duke shënuar një rekord, ku ekipi kombëtar përfundoi për herë të parë si kokë grupi, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë. Ndërkohë, në Europian paraqitjet ishin deri diku pozitive, duke parë kundërshtarët që ishin përballë, si dhe eksperiencën e pakët që shumica e lojtarëve kishin, përfshi këtu edhe stafin teknik, e sakaq, vend për tu përmirësuar ka gjithmonë. Pritët të shihet nëse Shqipëria do të drejtohet ende nga Silvinjo, ku Liga e Kombeve vjen shumë shpejt, pasi në fillim të muajit shtator, do të luhet me Ukrainën, ndërsa në avancë janë kualifikueset e Botërorit, ku pjesëmarrja do të ishte diçka historike për vendin tonë.

Pritët të shihet se me çfarë mendje do të kthehet nga pushimet Silvinjo, a ia ka “prishur mendjen” ndonjë ofertë nga Spanja, Portugalia apo Brazili? Me kuqezinjtë këtë herë flitet për një rinovim dy vjeçar i cili mund të ketë kosto financiare, por mund të kemi sërish një “financim” nga qeveria shqiptare, e cila kaloi 700 milionë lekë të vjetër para 1 viti e gjysmë drejt FSHF-së për të mbuluar rrogën e Silvinjos.

Emigracioni përkeqëson strukturën e familjes, rriten me 152% çiftet pa fëmijë ndërmjet 2011-2023

Popullsia e Shqipërisë rezultoi më e pakët dhe më e plakur në Censin e vitit 2023, por gjithashtu struktura e familjeve shqiptare është përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i rënies së lindjeve dhe emigracionit.

Censi gjeti një fenomen të cilin e kishin lajmëruar më parë. Në totalin e familjeve shqiptare, pati një përqindje të madhe të njësive të familjeve pa fëmijë, të cilat janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2011.

Sipas të dhënave të Cens 2023, familjet e martuara ose që bashkëjetojnë pa fëmijë ishin 264,882, me rritje 152% nga Censi 2011. Numri i familjeve ndërmjet dy censeve u rrit me rreth 33 mijë ose 4.5%, por numri i çifteve pa fëmijë ka shënuar rritje të ndjeshme për shkak të emigracionit të lartë të të rinjve gjatë dekadës së fundit.

Gjithashtu, çiftet e martuara ose në bashkëjetesë gjithnjë e më shumë po e shtyjnë lindjen e fëmijës së parë. Shumë nga çiftet e reja martohen dhe nisin përgatitjet për të emigruar duke vonuar ardhjen në jetë të bebeve.

Sipas censit, bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2%, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5%, ndërsa prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3% të tyre.

Emigracioni i dekadës së fundit uli ndjeshëm edhe numrin e anëtarëve të familjes. Në censin 2023, madhësia mesatare e familjeve është 3,2 anëtarë, krahasuar me 3,9 anëtarë për familje në Censin e 2011 dhe 4,2 anëtarë në vitin 2001.

Në vitin 2023, rreth një në katër familje, 24,3% kanë si person reference grua, personi i cili përgjithësisht merr vendimet kryesore dhe njihet si i tillë nga të gjithë anëtarët e saj.

Në censin e vitit 2001, familja në përgjithësi në Shqipëri karakterizohej nga një numër i madh anëtarësh, mesatarisht 4.2 anëtarë, që përbënin 2/3 e 727 mijë familjeve me katër apo më shumë anëtarë dhe një e katërta e përqendruar në madhësinë prej 4 anëtarësh.

Ndërsa në vitin 2023, rreth 28,5% e familjeve, përfaqësohet nga tipologjia me përbërje prej dy anëtarësh, e cila është dhe kategoria më e madhe.

Familjet më të mëdha, me pesë apo më shumë anëtarë, përfaqësojnë më pak se një të pestën (19,5%) të familjeve, e njehsuar me një të tretën e popullsisë (35,8%)./Monitor.al

Hasan Tasini dhe përpjekjet për një alfabeti të ri të gjuhës shqipe! Pse u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti i Stambollit

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi veprimtarin e Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsinin (1811-1881), filozof, astronom, matematicien e psikolog. Lindi në fshatin Mina të Çamërisë (Sarandë), ku mori mësimet e para.

 

Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambolli (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti. Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis Shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.

Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit mendjembyllur, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve. Hoxhë Hasan Tahsini u lind më 7 prill të vitit 1811 në Ninat afër Sarandës, në Shqipëri dhe vdiq më 3 korrik të vitit 1881. Ishte rilindës, filozof, matematikan, shqiptar. Dijetar i shkallës botërore e atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare, përveç gjuhës amtare, zotëronte edhe disa gjuhë të huaja. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (universitet). Kështu, i ndjeri hoxhë Hasan Tahsin efendiu u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, – si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyjave eprore për diturinë shqiptare: Akademinë e Shkencave dhe universitetin e parë shqiptar në kryeqytetin e atëhershëm të sulltanatit osman, Stamboll.

Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në sulltanatin osman shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore.

Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.

STUDIMET

Kur qeveria osmane e pa të domosdoshme çeljen e universiteteve në sulltanatin osman, një nga të dy të zgjedhurit e dërguar prej saj në Paris, për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte hoxha Tahsini. Njoftimi qeveritar u shpall në fletoren zyrtare “Xheride-i Havadis”, datë 14. Xhemadi-ul-àhër 1273 H.(10.X.1857): “…Ka dalë dekret mbretëror që urdhëron të dërgohen në Paris Lartësitë e Tyre, Tahsin Efendiu dhe Selim Efendiu, dy prej myderrizëve të nderuar, për të mësuar studentët e dërguar në Paris nga zyrat e shkollat mbretërore si edhe për t’ua mësuar gjuhën e bukur turqisht nënshtetasve të krishterë të mbretërisë osmane që ndodhen në Paris.

Së fundi, për të studiuar edhe ata të dy disa shkenca që do të mësohen në universitetin që është gati për t’ u hapur”. Meqë dituritë e tyre nuk mjaftonin për fillimin e studimeve atje, Selim Efendiu u kthye në detyrën e lënë të zëvendës ministrit të parë të arsimit, kurse Tahsini qëndroi në Paris dhe filloi gërmimet nëpër bibliotekat e atjeshme.. Brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjerë. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimì, biologji, filozofì, fiziologji, botanìkë, gjeologjì, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, gjithësi e yjësì e psikologjì. M. K. I.

Në faqen 1834 thotë se në mbarim të universitetit, e emëruan imam të ambasadës. Vlen të përmendet se ai Parisin e vlerësoi, jo vetëm për dituritë që lëvroheshin atje, por edhe për bukuritë e pashoqe të tij, gjë të cilën ai e endi dhe e pasqyroi në këta dy vargje: Në qoftë se ke mënd dhe je i zgjuar, ore zotërì, shko në Parìs! Ata që nuk shkojnë në Paris, s’quhen se kanë ardhur në botë. Në mesin e shkurtit 1868 Tahsini u kthye në Stamboll, në përbërjen e grupit qeveritar që shoqëroi kufomën e ishKryetarit të Këshillit të Lartë të sulltanatit osman, Mehmed-Fuad Pashait; ai më 11 të atij muaji vdiq në spitalin e Nisës (Francë), ku qe dërguar për shërim.

Oborri dhe Porta e Lartë, Tahsinin e ngarkuan me ngritjen dhe drejtimin e universitetit, për çeljen e të cilit kishin vendosur që në vitin 1866, (Maarif Nezaret-i Teshkilat-i) dhe (Tyrk Tarih Ezxhymém Mexhmuasì, Nr. 17(94), 1927), po deri atëherë s’ishte gjetur ende njeriu i duhur. Doemos që në atë sulltanat gjendeshin plot dijetarë, mjaft të zotë, po jo “Tahsìn”. Dijetari i ndritur arriti që të gjente mësimdhënësit e aftë prej kombesh të ndryshëm, asokohe brenda sulltanatit osman:

Ai, gjithashtu, ndërmjet një deti talebêsh të diplomuar nëpër medresetë osmane, zgjodhi studentët e përshtatshëm; dhe – siç dëshmon Shemsuddin-Sami Frashëri, – “ditën e caktuar, në pallatin “Nana Mbretëreshë” çeli me aq madhështi universitetin e parë në sulltanatin osman”. Në fjalimin e rastit, me zërin e tij kumbues para studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, ai shpalli programin mësimorshkencor që kishte parashikuar të zbatohej në atë qendër dijesh. M. K. INALI në faqen 1834 të “Son Âsër Tyrk Shairlerì” thotë se Tahsin Efendiu, veç drejtimit të universitetit, jepte edhe mësime mbi filozofinë, yjësinë, gjithësinë e pambarim të “Botës së Madhe” dhe të “Botës së Vogël” e kiminë.