20.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

“Trau” shkakton trafik në Thumanë – Kashar, radha e automjeteve i kalon 10 kilometra

Trafik i rënduar raportohet mëngjesin e sotëm në hyrje të autostradës së te në Thumanë – Kashar.

Radha e mjeteve e cila i kalon 10 kilometrat fillon nga dalja e autostradës në afërsi të Rinasit e deri në afërsi të fshatit Larushk.

Shkak mendohet te jete aplikimi i pagesës së kësaj autostrade. Sportelet nuk janë në gjendje të përballojnë fluksin e madh të mjeteve që përshkojnë këtë aks nga veriu në drejtim të Shqipërisë së mesme.

Situata problematike është denoncuar në rrjetet sociale nga deputetja demokrate Greta Bardeli.

“Mirë që duhet të paguajnë tarifën e autostradës Thumanë -Kashar, por qytetarët e ardhur nga rajonet e veriut dhe Kosova duhet të rrijnë dhe në radhë për të paguar.

Rreth 10 km për turpin e radhës”, shkruan Bardeli në komentin bashkëngjitur videos.

Situatë problematike në qarkullim ka qenë edhe gjatë mbrëmjes së të dielës, ku sërish radha e automjeteve ka qenë kilometrike, duke shkaktuar vonesa të mëdha në oraret e lëvizjeve së qytetarëve shqiptarë që janë të detyruar të përdorin në këtë segment rrugor për destinacionet e tyre.

Nevoja për reformim në bashkinë e Vlorës është imediate!

Nga Gjergji Nika

Në hierarkinë e qeverisjes, pushteti vendor zë vend të rëndësishëm. Qeverisja vendore është qeverisje pranë qytetarit. Ajo lidh qytetarët me sistemin, ajo zgjidhet direkt prej tyre, ajo merret me problemet e përditshme dhe të prekshme: çerdhet, kopshtet, shkollat, universitetet, rrugët, gjelbërimin, mjedisin, punësimin, infrastrukturën, urbanistikën, shërbimet sociale dhe publike, rregullin dhe jetesën në komunitet.

Si mund të kemi qeverisje më të mirë vendore? Qytetarët a mund të ushtrojnë demokracinë direkte dhe llogaridhënien? Ata janë pushtet real, vota e tyre përcakton modelin dhe standardin e qeverisjes vendore, ata që ushtrojnë qeverisjen dhe ata që do të marrin vendime në emër të tyre. Qytetarët mund të zgjedhin me votë midis disa alternativave. Qytetarët mund të kërkojnë kontratë sociale dhe politike në përfaqësim. Por pushteti lokal a i përmbush pritshmëritë e tyre?

Një vit pas betimit të kryetarit të ri të bashkisë dhe këshilltarëve bashkiakë të Vlorës, pushteti vendor vijon të reflektojë probleme serioze të funksionimit, mangësi në bazën ligjore dhe në kompetenca, tendencën e kontrollit nga pushteti qendror, vertikalizim të modelit të administrimit lokal, fragmentarizëm i qeverisjes, kufizim i pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje si dhe tregues të tjerë problematikë të eksperimentit të radhës, të cilat së bashku bëhen pengesë në përmbushjen prej tij të pritshmërive qytetare.

Ndërkohë jemi zgjedhur të përfaqësojmë qytetarët.
Të marrim vendime për ta, për hapësirën publike, për taksat dhe për projektet e ardhshme. Kur u zgjodhëm në 2023 premtuam shumë, por mbi të gjitha, premtuam një qeverisje për qytetarët dhe me qytetarët. Por sa i kemi realizuar këto premtime?
Të gjithë flasim në çdo diskutim për qytetarët dhe interesat e tyre, por sa i mbrojmë realisht ato, kur kartonat që ngrihen nga mazhoranca në këshillin bashkiak për të miratuar vendimet janë politike dhe shterpë?

Vetëm një pjesë e këshilltarëve bashkiakë janë aktivë, përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje vijon të jetë minimale, pushteti vendor përballet me sfida të mëdha në ofrimin e shërbimeve, madje shpesh herë në një krizë shërbimesh dhe sistemi i qeverisjes vendore në Vlorë vijon të jetë ende dobët në shumë elementë të kompetencave të tij.

Prandaj nevoja për ndryshime është imediate.

Mendoj se bashkia e Vlorës ka nevojë emergjente për:

a. Një reformë të thellë në burimet njerëzore. Sipas të dhënave të vlerësimit të brendshëm 66% e punonjësve të bashkisë janë vlerësuar “mirë”, 30% “shumë mirë” dhe 4% janë vlerësuar “mjaftueshëm”.
Përballë kësaj gjendjeje nevoja e një reforme të thellë është e domosdoshme, ose në rastin më të mirë këta punonjës duhen trainuar. Gjithashtu në mënyrë që bashkia të funksionojë në mënyrë kapilare duhet rishikuar sistemi i organigramës.

b. Duhet rishikuar paketa fiskale. Besoj se taksat e ulëta sjellin të ardhura të larta, ndërkohë që taksat e larta u hapin rrugë abuzimeve të mëdha. Vërtet që taksat sigurojnë mundësinë që të përmbushin prioritetet, eficencën dhe administrimin e të ardhurave, por ato duhen përdorur drejt për të shmangur apo zvogëluar evazionin fiskal. Miratimi i paketës fiskale me një rritje prej 37% të taksave dhe 50% SPL duhet të mbushë arkën e bashkisë dhe të përdoret për investime reale në shërbim të qytetarëve e qytetit dhe jo vetëm për rroga.

c. Menaxhimi i bashkisë duhet të jetë më i mirë. Dhe një menaxhim më i mirë nënkupton lënien e detyrave të qarta dhe kërkesën me afate të përcaktuara qartë për zbatimin e këtyre detyrave. Këtu besoj se është i domosdoshëm krijimi i një drejtorie të auditimit të brendshëm, drejtori, e cila do të auditojë me përgjegjësi detyrat e lëna, por edhe funksionimin e administratës së bashkisë.

d. Transparenca në vendimmarrje. Kur u zgjodhëm dhe u betuam premtuam një qeverisje për qytetarët dhe me qytetarët. Premtuam trasnparencë, llogaridhënie e përgjegjshmëri përpara qytetarëve.
A i përmbush bashkia kriteret e transparencës dhe llogaridhënies, të cilat përbëjnë detyrime ligjore për të drejtën e informimit? Ato publikime të bashkisë lidhen me llogaridhënien e vërtetë, si raporte auditi, prokurime dhe kontrata, apo janë raportime sa për të shkuar radhën?

Informacionet për taksat, investimet dhe prokurimet publike janë të rëndësishme, si për të ushtruar demokracinë vendore ashtu edhe për të luftuar korrupsionin.

Nëse ju kujtohet përpara disa javësh kemi denoncuar çështjen e Ujësjellës Kanalizime Vlorë për gjyqet e fituara nga punonjësit, gjyqe, të cilat u njohën punënjësve dëmshpërblime stratosferike.
Atëherë me forcën e kartonave të majtë u hodh poshtë kërkesa jonë për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje. Dy ditë më pas ministrja Balluku i quajti në një takim në Vlorë: “Grup i strukturuar kriminal”. Por çfarë u bë? Çfarë ndodhi? Pse po heshtin?

Transparenca është kusht për mirëqeverisje dhe për luftimin e korrupsionit dhe mund të arrihet nëpërmjet publikimit informacione publike të prodhuara dhe administruara nga autoriteti publik.

Transparenca është akoma më e rëndësishme në pushtetin vendor, sepse aty qytetari është më afër pushtetit, aty merr shërbimet publike dhe mund të shprehë nevojat e veta. Ndaj duhet që transparencën duhet ta demonstrojmë nga ballafaqimi i të ardhurave me shpenzimet, nga luftimi i nepotizmit dhe konfliktit të interesit, që vihen re në bashki, por edhe nga afrimi i specialistëve, të cilët mund të mos jenë partiakë, por janë të aftë dhe profesionistë, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar!

e- Nëse do të punohet vërtet me transparencë, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe përkushtim, atëherë jam i bindur që në zgjedhjet e ardhshme do të mendohen mirë të gjitha forcat politike për emrat, të cilët do të përbëjnë listën e këshilltarëve.
Do të gjejnë njerëz të formuar, specialistë me integritet, njohës të ligjeve dhe funksionarë të përkushtuar, të cilët përpara se të ngrenë kartonin për të miratuar një vendim, do të vënë përpara interesin e përgjithshëm, moralin, të mirën e qytetit dhe qytetarëve, për të cilët “betohen” dhe jo të jenë thjesht militantë partiakë…

Pasuria që la Lleshi 90 vjeçar me testament për nipat dhe mbesat

Nga Kreshnik Spahiu

Ergysi është një infermier nga Lezha i cili punon në një nga spitalet e Berlinit. Së bashku me të fejuarën punojnë kryesisht në turnin e natës për të përballuar qeranë 1500 euro për një apartament të pa mobiluar rreth
50 metra/2.

Dje Ergysi ishte kthyer nga Shqipëria, ku përcolli gjyshin e tij për në banesën e fundit i cili ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare. Sapo mbërriti, më telefonoi dhe më kërkoi me ngulm të më takonte sepse kishte nevojë për një konsultë juridike.

Ai ishte shumë i shqetësuar. Hidhërimi i vdekjes së gjyshit ishte përzier me shumë probleme që kishin lindur pas vdekjes së tij. Lleshi ishte një nga më të pasurit e zonës në pasuri të paluejtshme me toka, troje dhe kullota për shkak të pronave të trashëguara.

Ky qe fati i mirë por dhe fati i keq i fëmijëve dhe nipave të Lleshit.

Ergysi ishte shumë i tronditur dhe tregonte me shumë trishtim si morti ishte kthyer në debat për pronat sepse gjyshi nuk kishte lënë testament.

Pas funeralit xhajallarët e Ergysit ishin rrahur dhe plagosur me thika me njëri-tjetrin dhe i kishte arrestuar policia.

Pasi e dëgjova historinë e pyeta: – “Ergys, a ju la ndonjë dokument apo ndonjë amanet të pa shkruar gjyshi përpara se të ndërronte jetë?”

Po – tha Ergyrsi, Na mblodhi para se të jepte shpirt dhe na tha: “Unë po largohem nga kjo botë por me një peng të madh. Amanet në votimet e ardhshme mos më turproni. Votoni partinë tonë se ne i kemi dhanë besën tash 30 vite mos me e tradhëtu”

Mbeta pa fjalë dhe s’po dija të qeshja apo të ulurisja me hallin e Ergysit, që punon turni natës për të mbijetuar dhe gjyshi milioner, para se të vdiste nuk la testament për ndarjen e pasurisë por amanet për votën e partisë.

Nuk di pse mu pështjellua kjo histori me zgjedhjet në Angli, Francë apo Gjermani, ku populli mbi 70% votuan parti të tjera nga ato që kishin votuar më parë.

Besnikëria ndaj partive në Shqipëri është treguesi më i fortë i nivelit të ulët demokratik, civil, kulturor, dhe shoqëror.

Në Shqipëri ende nuk kuptojnë që raporti popull-parti është kontratë 4 vjeçare. Nëse partia mban premtimet, populli është besnik. Nëse partia shkel kontratën, populli e ndëshkon dhe provon një parti tjetër.
Politizimi i shoqërisë dhe afeksioni për partitë e vjetra është pengesa e ndryshimit Shqipërisë.

Fatkeqësisht, 50% e Shqipërisë janë si gjysh Lleshi që 90 vite nuk kishin dashuri për familjen, nipat apo mbesat më shumë se adhurimi për partinë.

Gjeneratat e reja po vuajnë se prindrit e tyre nuk i flakin në plehra xhaketat e vjetra, por i veshin ende të arrnuara, dhe në disa raste duke i kthyer mbrapsht për tu shtirur sikur stofit nuk i ka dalë boja.

Në fakt Lleshi 90 vite nuk e kuptoi dot, që europian s’të bën as ngjyra, as gjeografia, as historia, as pasuria, por mendësia.

Pasi përlau dy herë paratë për konferencën e turizmit, Gazmend Haxhia bëri dhe moderatorin

Nga Kapitali.al

Biznesmeni Gazmend Haxhia është njeriu simbol i konferencës së famshme të turizmit, e cila çoi pas hekurave ish kreun e SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit e tij. Pasi mori dy herë paratë për të organizuar të njëjtën konferencë, një herë nga ministria e Turizmit dhe një herë nga SASPAC, zoti Haxhia ka qenë dhe pjesë e panelit si moderator ku ka dhënë mendime se si duhej zhvilluar turizmi strategjik dhe i qëndrueshëm në Shqipëri.

Ironi në kufijtë e tragjikes, që prodhohet nga korrupsioni i pandalshëm i zyrtarëve publikë në Shqipëri. Konferenca “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri, FESTA” u zhvillua në Tiranë në datat 3-5 prill të vitit të kaluar.

Shërbimi për organizimin e konferencës sipas SPAK u prokurua dy herë. Një herë nga Agjencia për Koordinimin e Ndihmës së Huaj, që ndryshe njihet me emrin SASPAC për vlerën 125 mijë euro dhe një herë tjetër nga ministria e Mirela Kumbaros për vlerën 385 mijë euro. Të dy tenderat u përlanë nga kompania Landëays International e Gazmend Haxhias.

“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia,” thuhet në dosjen e SPAK.

Ky është linku zyrtar i konferencës në fjalë. Siç duket nga materiali në të kanë marrë pjesë personalitete të huaj dhe zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare duke filluar nga kryeministri Edi Rama, një sërë ministrash dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Por në ditën e 2, në datën 4 prill, paneli i dytë i konferencës është moderuar pikërisht nga zoti Haxhia. Në këtë panel kanë marrë pjesë figura të shquara të shtetit si zv/kryeministrja Belinda Balluku, por edhe personalitete të larta të biznesit ndërkombëtar si Muhamed Alabbar.

Sipas programit, zoti Haxhia ka drejtuar diskutimet shkencore mbi Strategjitë e Prespektivave të Investimeve duke dhënë dhe mendimet e tij të vyera se si duhej zhvilluar turizmi në Shqipëri. Kjo pasi kishte përlarë dy herë paratë për ta organizuar konferencën, me një vlerë totale prej të paktën 500 mijë euro.

Ndërkohë që prokurorët e SPAK thonë se, i vetmi shërbim i ofruar nga shoqëria tregtare “Landëays International” sh.p.k ishte organizimi i darkës te restorant “Gzona” në një vlerë prej më pak se 42 mijë eurosh.

Liberalizimi i vizave me BE, serbët e Kosovës “heqin dorë” nga Beogradi, kërkojnë pajisjen me dokumente nga Prishtina

Interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me dokumente pas liberalizimit të vizave në Kosovë, është rritur dukshëm. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 270 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta dhe afro 130 mijë të tjerë me letërnjoftime.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe edhe qytetarët serbë kanë shprehur interesim të integrohen dhe të pajisjen me dokumente të Kosovës. Kështu bëri të ditur drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, derisa tregoi se fluksi më i madh i qytetarëve me kërkesa për dokumente ka qenë në muajt janar, shkurt dhe mars të këtij viti.

“Kërkesat për pajisje me dokumente që nga janari kanë shkuar në ngritje, kështu që këtë vit kemi rritje të kërkesave. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar diku rreth 125 mijë e 143 qytetarë për letërnjoftime. Ndërsa, për t’u pajisur me pasaporta, diku kanë aplikuar 263 mijë e 850 qytetarë. Ky është totali i gjashtëmujorit të parë. Tani jemi në normalitet, por kërkesat në fillim ishin shumë të mëdha, patëm një farë afati të stërzgjatur në pajisje me dokumente të qytetarëve, që iu desh të prisnin, por tani jemi në afat ligjor. Pothuajse, afati për pajisje me pasaporta shkon diku 7 ditë pune, gjithashtu edhe për letërnjoftime. Muaji janar, shkurt dhe nga mesi i marsit, ishte fluksi më i madh i qytetarëve për t’u pajisur me pasaporta, sepse ishte edhe liberalizmi i vizave”, theksoi Camaj.

Ai potencoi se pas liberalizmit të vizave në Kosovë është vërejtur interesim edhe nga qytetarët serbë për marrjen e dokumenteve të Kosovës.

Sipas tij rreth katër mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për letërnjoftime në komunat veriore, ndërsa mbi tre mijë janë pajisur me pasaporta.

“Edhe qytetarët serbë janë të interesuar të integrohen dhe të pajisen me dokumente (të Kosovës). Sidomos pas liberalizmit të vizave, qytetarët serbë kanë aplikuar nëpër komunat veriore, mendojnë diku rreth 4 mijë qytetarë janë pajisur me letërnjoftime. Ndërsa, me pasaporta që në mujorin e parë janë pajisur diku rreth 3 mijë e 200 qytetarë. Qytetarët serbë gjithashtu janë të pajisur diku në 4 komuna veriore me letërnjoftime mbi 46 mijë qytetarë, me pasaporta janë mbi 7 mijë e 500. Ndërsa, në komunat me shumicë serbe në tërë territorin e Kosovës, janë të pajisur rreth 102 mijë me letërnjoftime dhe mbi 37 mijë me pasaporta”, potencoi ai.

Camaj tregoi se afro dy mijë qytetarë serbë kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferit, që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajin maj.

Ai potencoi se nga viti 2011 deri në 2020-n, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shoferë.

“Patentë shofer, nëse mendojmë konvertimi i patentë shoferëve që nga 10 maji kur është nxjerrë vendimi i ministrit për t’ia mundësuar qytetarëve serbë konvertimin nga patentë shoferët e strukturave jolegale të Republikës së Kosovës, deri më sot (05 korrik) kanë aplikuar rreth 1 mijë e 956 qytetarë. Konvertimi i tyre është bërë nëpër faza, sidomos në bazë të marrëveshjeve. Diku në marrëveshjet e para që nga viti 2011 deri në 2020, janë konvertuar mbi 18 mijë patentë shofer”, tregon Camaj.

Përveç këtyre, Camaj tha se në muajt e parë të këtij viti, për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për dokumente, procesi shkonte më ngadalë, porse shton se tanimë gjërat i janë kthyer normalitetit.

Ai potencoi se afati për pajisje me pasaporta dhe letërnjoftime shkon në afro shtatë ditë pune. /KSP

Nga befasia Gjimshiti, te Mitaj dhe… Cikalleshi. Bogdani bën “skanerin” e Shqipërisë në Euro 2024: Silvinjo duhet të vazhdojë

Erjon Bogdani mendon se eksperienca e Shqipërisë në Euro 2024 duhet të cilësohet si pozitive. Ish-bomberi i Kombëtares shqiptare, është i bindur se kuqezinjtë kanë bërë mirë, ndonëse priste diçka më shumë në një nga ndeshjet e grupit.

“Ishte shumë pozitive nga të gjitha drejtimet, nga futbolli dhe nga atmosfera e të gjitha. Më shumë pritshmëri kisha që mund të jepte Shqipëria më shumë në ndeshjen me Italinë. Pastaj në ndeshjen me Kroacinë dhe Spanjën ka luajtur shumë mirë”, tha ai në “Vizion Plus” duke iu përgjigjur më pas disa pyetjeve të shpejta.

Nota e Silvinjos: “8 edhe dhe për vazhdimësinë”.

Befasia: “Gjimshiti, sepse po të bëhej edhe formacioni i grupit me lojtarët e ekipeve të tjera, për mendimin tim ishte lojtar i 11-shes së grupit:.

Lojtari për të cilin ka më shumë pritshmëri: “Asllani”.

Kë do merrje medoemos mes tre lojtarëve të lënë jashtë? “Çikalleshin”.

Cilië është sulmuesi aktual që i ngjan më shumë: “Broja”.

Nga cili lojtar pret lëvizjen më të rëndësishme: Mitaj, te Juvja jo, por ndonjë ekip tjetër. Do e sugjeroja te Bolonja”.

Një talent për t’u ndjekur në Itali: “Janë dy vëllezërit Shpendi”.

Shqipëria 2016 apo 2024: “E vështirë, se grupi ishte i vështirë. Megjithatë në 2016 Shqipëria ia doli të fitonte ndaj Rumanisë. Kjo aktuale ishte në grup të vështirë”.

De Biazi apo Silvinjo: “E vështirë edhe kjo. Silvinjo ka marrë maksimumin e kombëtares, por edhe De Biazi të atij grupi. Janë dy skuadra të ndryshme”.

A duhet të vazhdojë Silvinjo: “Po, sepse deri tani është trajner i zoti dhe që ka sjellë Shqipërinë në këto evenimente. Duhet të vazhdojë. Për mendimin tim me rezultatet dhe atë punë që ka bërë duhet të vazhdojë”, tha ndër të tjera Bogdani.

Keni nevojë për më shumë alarme për t’ju zgjuar? Ja si ndikon në trupin tuaj

Snooze mund t’ju japë kënaqësi të menjëhershme, por në fakt fragmenton dhe minon cilësinë e gjumit, tha neuroshkencëtari Brandon Peters për CNN.

Për orët e fundit të gjumit, njerëzit zakonisht hyjnë dhe dalin nga faza e katërt dhe e fundit e ciklit të gjumit, i njohur si gjumi i lëvizjes së shpejtë të syve (REM). Kjo fazë është veçanërisht e rëndësishme për përpunimin e kujtesës dhe të menduarit krijues, shtoi ai. Fragmentimi i asaj faze gjumi mund të ndikojë në funksionin e trurit.

Ai rekomandon vendosjen e një alarmi, duke lejuar që gjumi i thellë të vazhdojë pa ndërprerje derisa të duhet të zgjoheni në mëngjes.

Disa çrregullime të gjumit mund të bëjnë që dikush të ketë probleme me zgjimin në mëngjes me vetëm një alarm, siç është inercia e gjumit, e cila shkakton një tranzicion të vështirë nga gjumi, tha për CNN in Dr. Kathy Goldstein, një mjeke në Qendrën për Çrregullime të Gjumit Michigan. Kjo mund të bëjë që dikush pa vetëdije të fikë dhe të shtyjë alarmet kur zgjohet për herë të parë.

Megjithatë, më shpesh sesa jo, dikush që ka nevojë për alarme të shumta për t’u zgjuar në mëngjes është i privuar nga gjumi, tha ajo. Së pari, përpiquni të arrini tek shkaku kryesor i këtij problemi, duke filluar nga fakti nëse po flini mjaftueshëm.

Shumica e të rriturve kanë nevojë për rreth 7 deri në 9 orë gjumë në natë, por duhet kohë për të përcaktuar se sa gjumë keni nevojë. Një arsye tjetër pse dikush mund të luftojë me orën e ziles çdo mëngjes është sepse ata janë natyrisht një buf nate, por orari i tyre i punës kërkon që ata të zgjohen herët.

“Megjithatë, ka mënyra për të ndryshuar gradualisht orën e trupit dhe për ta bërë më të lehtë mëngjesin e hershëm”, shtoi ajo.

Ekspertët rekomandojnë testimin e orëve të ndryshme të alarmit, të tilla si ato që përdorin një dritë ose një alarm që ju bën të ngriheni nga shtrati për ta fikur. Marrja e 15 deri në 30 minuta rrezet e diellit në mëngjes mund të ndihmojë gjithashtu në ndryshimin e orës së brendshme të trupit dhe është veçanërisht e rëndësishme për ata që janë bufaj natyralë të natës. Është gjithashtu e rëndësishme të zgjoheni dhe të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo ditë, tha Goldstein.

Goldstein rekomandon lëvizjen e kohës së gjumit 30 minuta më herët çdo disa ditë, ose një orë më herët një herë në javë për ata që duan të ndryshojnë orën e trupit. Shmangia e dritave të ndritshme dhe kufizimi i kohës së ekranit në 4 orë para gjumit mund të ndihmojë gjithashtu në promovimin e prodhimit natyral të melatoninës në trup, shtoi ajo.

VOA: Qeveria e Malit të Zi po afrohet me Beogradin e Moskën

Nga Ali Salaj VOA

Analistët vlerësojnë se qeveria aktuale në Malin e Zi, me disa veprime, politikisht po ofrohet me politikën zyrtare të Beogradit dhe Moskës. Ata thone se konfrontimi i fshehtë dhe i qetë fillimisht po bëhet me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin. Këtë, sipas tyre, e dëshmon edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac në parlamentin e Malit të Zi, iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analistet theksojnë se koncepti aktual i një pjese të shumicës qeverisëse në Malin e Zi, e cila është politikisht e afërt me Beogradin dhe Moskën zyrtare, është në konfrontimin gradual dhe të qetë fillimisht me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin.

Këtë e dëshmon sipas tyre edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac, në parlamentin e Malit të Zi, e iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analisti i njohur Xhevdet Pepiq këtë veprim e sheh si një mënyrë për t’i ikur problemeve të shumta aktuale të shoqërisë duke iu kthyer të së kaluarën.

“Përmes rezolutës për Jasenovacin tentohet të merremi me të kaluarën. Jemi një shoqëri ku më së shumti ngatërrohemi me të vdekurit se sa me të gjallët. Kroacia e sotme nuk ka lidhje me atë ngjarje tragjike, por më lehtë është të akuzosh tjetrin për krime të luftës”, thotë Pepiq.

Edhe analisti dhe publicisti Gjokë Dukaj shpreh qëndrimin e ngjashëm se me aktualizimin e së kaluarës nuk mund të ecet përpara drejt integrimit evropian të Malit të Zi.

“Miratimi i rezolutës për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac ka shkaktuar një tronditje të thellë brenda spektrit politik këtu në Malin e Zi. Është interesante se strukturat politike të cilat merren kryesisht me të kaluarën insistojnë gjithnjë në aktualizimin e shumë çështjeve nga e kaluara edhe pse të vetëdijshëm se me qëndrime të tilla nuk mund të ecet përpara,” tha zoti Dukaj.

Analisti Dukaj thotë se këto veprime të shumicës parlamentare bëhen me qëllim që Malit të Zi të ngecë në rrugën e integrimeve evropiane . Zoti Pepiq, vë në dukje, se me këtë rezolutë bëhet instrumentalizimi i viktimave për qëllime politike.

“Ne po merremi më shumë me rezoluta se sa me çështjet jetike për shoqërinë tonë dhe me të ardhmen. Duke u marrë me të kaluarën po instrumentalizohen të vdekurit për qëllime politike duke sjellë përçarje të reja në rajon”, thotë analisti Pepiq.

Analistët vlerësojnë se shumica qeverisëse po i dëmton interesat kombëtare të Malit të Zi ku ndër të tjera, mund të ndalojë rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Ata vlerësojnë se rezoluta është një mashtrim, për faktin se askush nuk e konteston gjenocidin në Jasenovac.

Jasenovac përkujtohet si një kamp përqendrimi i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Kroacisë. Në Jasenovac u vranë dhe u dhunuan me dhjetëra mijëra vetë, shumica e cilëve ishin serbë, romë dhe hebrenj.

A mund t’i shpëtojë bota e pasur krizës së foshnjave? Qeveritë po shpenzojnë miliarda për të shmangur katastrofën, por…

Qeveritë po shpenzojnë shumë për të shmangur katastrofën, shkruan The Economist

 

Tri dekada më parë, kur arritën moshën e pjellorisë, gratë që tashmë janë në të dyzetat, qeveritë e Azisë Lindore kishin arsye për të festuar.

Nëse një grua koreanojugore do të ndiqte të njëjtën prirje si bashkatdhetaret më të mëdha, ajo do të sillte në jetë mesatarisht 1.7 pasardhës, nga 4.5 në vitet 1970.

Në të gjithë rajonin, politikat e zbatuara kishin ulur në mënyrë të jashtëzakonshme shtatzënitë e adoleshenteve. Rënia e nivelit të lindjeve që ndodhi gjatë një brezi të vetëm, ishte një sukses mahnitës.

Por kjo rënie vazhdoi, gjatë e më gjatë, derisa u kthye në problem.

Tani, një grua nga Koreja e Jugut, që arrin moshën e pjellorisë, do të ketë mesatarisht vetëm 0.7 fëmijë gjatë viteve të lindjes, nëse ndjek shembullin e bashkëmoshatareve më të mëdha.

Që nga viti 2006, qeveria koreanojugore ka shpenzuar rreth 270 miliardë dollarë, ose pak më shumë se 1% e PBB-së në vit, për të nxitur lindjet në vend, duke ndërmarrë masa nga më të ndryshmet, si ulja e taksave për prindërit, kujdesi për nënat e reja, madje edhe takime romantike të sponsorizuara nga shteti.

Kur normat e lindjeve filluan të bien, askush nuk mund ta kishte përfytyruar sa e vështirë do të ishte t’i nxisje gratë që të kishin më shumë fëmijë në të ardhmen.

Shembulli-i-Korese-se-Jugut-1138

Kjo dukuri që nisi në Azinë Lindore, po përhapet gjithnjë e më shumë gjetiu. Bota po vuan nga mungesa e foshnjave. Nga shtetet e pasura, vetëm në Izrael po lindin mjaftueshëm fëmijë për të ndaluar tkurrjen e popullsisë dhe në shumicën e shteteve, normat e lindjeve po bien (shih grafikët 1 dhe 2).

Si pasojë, politikanët po shqetësohen gjithnjë e më shumë. “Forca e një kombi, – tha presidenti francez Emmanuel Macron, – qëndron në aftësinë e tij për të pasur një normë dinamike të lindjeve”. Elon Musk, pronari i kompanive Tesla dhe X, parashikon fundin e qytetërimit për shkak të uljes së lindshmërisë.

Pothuajse çdo shtet i pasur ka shqyrtuar si mundësi politikat për nxitjen e lindshmërisë, si dhe shumë shtete me të ardhura mesatare. Në janar, presidenti Macron nisi një fushatë “për të riarmatosur demografikisht” Francën (armët e tij të zgjedhura ishin testet e fertilitetit dhe zgjatja e lejes së lindjes).

Donald Trump ka premtuar “shpërblime për bebet, për një lulëzim të lindjeve”, nëse do të fitojë zgjedhjet në nëntor.

Kina, që kishte ndjekur prej kohësh një politikë që nuk lejonte lindjen e më shumë se një fëmije, tani po jep shpërblime për të rritur lindjet, si kujdesi për fëmijët dhe lehtësimet tatimore, në mënyrë që t’i nxisë prindërit të kenë tre fëmijë. A do të mjaftojnë politika të tilla për të shmangur katastrofën demografike?

Femijet-jane-nje-dhurate-1138

Masat e tanishme, më së shumti ndihmojnë nënat në karrierë. Në të gjithë Europën, shumica e ndihmave financiare lidhen me të ardhurat e fituara, në formën e pagesave shtetërore të lejes së lindjes dhe lehtësimit tatimor mbi të ardhurat.

Në Singapor, prindërit marrin ndihma financiare të njëpasnjëshme, por vetëm për depozitat e shtëpive, që janë përtej mundësive të familjeve të varfra. Norvegjia u ofron nënave gati një vit leje nga puna, dhe shteti mundëson ndihma bujare dhe ndihmon shumë me kujdesin e fëmijëve.

Edhe përpara se presidenti Macron të shpallte masat e reja, Franca shpenzonte shumë para për politikat familjare (shih grafikun 3). Që nga fillimi i mijëvjeçarit, ajo ka shpenzuar rreth 3.5-4% të PBB-së në vit për ndihma financiare, shërbime për kujdesin e fëmijëve dhe lehtësime tatimore.

Franca është shteti që shpenzon më tepër për politikat pro lindjes, në grupin OECD, një klub që përbëhet kryesisht nga shtetet më të pasura të botës. Por në vitin 2022, në Francë lindën më pak foshnja se në çdo periudhë kohore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në mënyrë të ngjashme, Koreja e Jugut nuk ka arritur ndonjë rezultat konkret me shpenzimet e saj në politikat pro lindjes: nuk është botuar asnjë studim serioz që të tregojë se në vend ka ndodhur qoftë edhe një lindje e vetme shtesë, falë miliardave të shpenzuara nga qeveria.

 

Shpenzime-te-larta-1138

Sidoqoftë, në vendet nordike, studiuesit zbuluan një rritje të vogël, por të qëndrueshme të lindjeve, që kishte ardhur si rrjedhojë e politikave pro lindjes, të cilat ndërthurin lejen e lindjes, me ndihmën bujare për kujdesin e fëmijëve.

Në vitet 1980, zyrtarët prisnin që ndikimi i këtyre skemave nxitëse të rritej me kalimin e kohës, ndërkohë që qëndrimet sociale po përshtateshin për ta bërë jetën më të lehtë për nënat në karrierë.

Por gratë në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi që filluan të kishin fëmijë në vitin 1980, lindën më pak se gratë një dekadë më parë. Në fakt, duket se janë pritshmëritë e nënave të ardhshme ato që kanë ndryshuar: ndërsa gratë u mësuan me përfitime bujare financiare, mbështetja shtesë është bërë e pamjaftueshme për të nxitur lindje shtesë.

Disa skema që përpiqen të rimodelojnë shoqërinë, gjithashtu po dështojnë. Në OECD, zgjatja e lejes së lindjes po i shtyn gratë që të vonojnë lindjen e fëmijës së parë dhe që të kenë më pak fëmijë gjatë jetës, ndoshta sepse marrja e shumë lejeve të lindjes, mund të shihet me sy të keq në punë.

Çiftet heteroseksuale ku një burrë merr lejen e atësisë, kanë më pak gjasa të kenë një fëmijë të dytë, ndoshta sepse disa burra zbulojnë se rritja e fëmijëve nuk është punë e lehtë.

Mund të kenë më shumë fat qeveritë që thjesht vendosin para në xhepat e prindërve të rinj dhe i lejojnë ata të vendosin vetë si t’i shpenzojnë. Guy Laroque dhe bashkautorët e tij në Kolegjin Universitar të Londrës parashikojnë se uljet e taksave mbi të ardhurat që ka vendosur Franca, ka gjasa që të rrisin numrin e fëmijëve për një grua.

Ndihmat financiare mujore që mundëson Izraeli, ndoshta do të kenë efekte të ngjashme, sipas Alma Cohen nga Universiteti i Tel Avivit. Por politika të tilla kanë një ndikim relativisht të vogël, dhe janë gjithashtu tepër të shtrenjta, sepse shumë para shkojnë për prindër që gjithsesi do të kishin pasur fëmijë, edhe pa ndihma financiare nga shteti.

Çdo fëmijë që lindi në Poloni pas paraqitjes së skemës së bonuseve financiare “Familja 500+”, nga viti 2016 deri në 2019, kushtoi 1 milion dollarë. Në Francë, çdo fëmijë shtesë gjatë dekadës së fundit, ka kushtuar dy herë më shumë.

Ideja pas politikave të tilla i ka rrënjët që nga hyrja në masë e grave në fuqinë punëtore, që ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur lindshmëria nisi rënien e gjatë.

Gary Becker, ekonomist fitues i çmimit “Nobel” në vitet 1960, tha se fëmijët duhet të shihen si mallra që blihen, në kuptimin që, sa më shumë para të kenë prindërit, aq më shumë fëmijë do të bëjnë dhe anasjelltas. Ai doli në përfundimin se lehtësimi i barrës së karrierës dhe zgjerimi i buxheteve shtëpiake, duhet të nxisin lindjen e fëmijëve.

Ulja e lindshmërisë

Sidoqoftë, rënia e normave të lindshmërisë është një dukuri më e ndërlikuar. Në përgjithësi, ajo nuk pasqyron ndryshimin e zakoneve të profesionistëve, siç pretendojnë teoritë e ekonomistit Becker. Në fakt, nivelet e lindjeve kanë rënë, sepse gratë e reja nuk po lindin më aq shumë fëmijë.

Në vitin 1960, gratë amerikane kishin mesatarisht 3.6 fëmijë. Në vitin 2023, ato kishin 1.6 fëmijë. Çuditërisht, gratë e moshës mbi 30 vjeç, po lindin më shumë fëmijë. Vetëm gratë më të reja po lindin më pak (shih grafikun 4).

Mosha-e-nenave-te-reja-1138

Për më tepër, rënia e lindjeve nga gratë më të reja ka ndodhur më tepër tek adoleshentet. Më shumë se gjysma e rënies së shkallës së përgjithshme të lindshmërisë në Amerikë, ka ardhur për shkak të femrave nën moshën 19 vjeç, të cilat tani nuk kanë pothuajse asnjë fëmijë.

Rreth një e treta e lindjeve “të munguara”, do të kishin qenë shtatzëni të paplanifikuara, dhe shumica e tyre do të kishin qenë shtatzëni të grave me të ardhura të ulëta. Siç vëren Kathryn Edin, një sociologe në Universitetin Princeton, e cila ka intervistuar gratë e varfra në Amerikë që nga vitet 1990: “Kur fillova studimin, këto gra po i lindnin fëmijët e parë në moshën 16 ose 17 vjeçe.

Tani, nëse një grua lind fëmijë nën moshën 25 vjeçe, mendohet se diçka nuk ka shkuar mirë në jetën e saj”.

Në mënyrë të ngjashme, në Britani, femrat e lindura në vitin 2000, lindën mesatarisht një e dyta më pak fëmijë deri në moshën 20 vjeçe, në krahasim me femrat e lindura në vitin 1990. Këto gra ndoshta nuk do të kenë fëmijë të tjerë në të ardhmen, për shkak të gjendjes së vështirë financiare.

Ndërkohë, nuk ka shumë prova që tregojnë se gratë e shtresës së mesme do të dëshironin të kishin pasur më shumë fëmijë. Sot, femrat amerikane të moshës 24-vjeçare dhe me diplomë universitare, duan të kenë mesatarisht 2.2 fëmijë, afërsisht aq sa brezat e mëparshëm të grave.

Tani ato do t’i lindin fëmijët pak më vonë se më parë, dhe ndoshta do ta lindin fëmijën e parë në moshën 30-vjeçare, krahasuar me 28 vjeç në vitin 2000. Edhe pse prirjet e tanishme tregojnë se gratë e sotme nuk do të arrijnë madhësinë e dëshiruar të familjes, hendeku “i pendesës” mund të jetë i njëjtë me atë të grave të brezave të mëparshëm, të cilat mesatarisht lindën 0.25 fëmijë më pak se ç’kishin dëshiruar.

Përpjekja për t’i nxitur gratë e shtresës së mesme që të kenë më shumë fëmijë, nuk ka gjasa të jetë e suksesshme. Ekonomistët mendojnë se gratë e kësaj shtrese planifikojnë dhe parashikojnë më larg në të ardhmen e tyre, sesa moshataret më pak të pasura.

Ato zakonisht e planifikojnë lindjen e fëmijëve vetëm pas përfundimit të universitetit, arritjes së synimeve profesionale dhe martesës, që do të thotë se vendimi i këtyre grave për të pasur fëmijë, ka më pak gjasa që të ndikohet nga rrethanat financiare.

Shumica e politikave që duan të nxisin lindjet, po përpiqen të bëjnë diçka shumë më të vështirë sesa thjesht të rikthejnë shifrat e mëparshme të lindshmërisë. Këta politikanë tani po përpiqen t’i bindin gratë që të kenë më shumë fëmijë sesa ato dëshirojnë në të vërtetë, dhe po e bëjnë këtë duke ofruar si karrem shuma parash që janë të vogla në krahasim me të ardhurat që fitojnë këto gra.

Gratë më të reja që i përkasin klasës punëtore ndoshta janë shansi më i mirë i politikanëve për të nxitur normat e lindjeve. Madje, janë hapur disa programe që shënjestrojnë pikërisht këto gra.

Zhejiang, një provincë në kufirin lindor të Kinës, u ofron çifteve të sapomartuara një shumë të madhe parash, por vetëm nëse nusja është nën moshën 25 vjeç. Në Rusi, gratë që lindin një fëmijë para se të mbushin 25 vjeç, së shpejti do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat.

Hungaria ofron një përfitim të ngjashëm për nënat që lindin fëmijën e parë para moshës 30-vjeçare. Kjo është vetëm një nga dy politikat pro lindjes të ndërmarra nga Viktor Orban, që ekonomistët në Universitetin e Europës Qendrore, mendojnë se ka arritur të sjellë lindje shtesë në vend.

Edhe pse familjet e vogla po bëhen më të zakonshme pothuajse kudo, gratë që lindin fëmijë në një moshë të re, zakonisht bëjnë më shumë fëmijë gjatë jetës dhe kjo është arsyeja pse Orban, Putin dhe Xi po përqendrohen tek to.

Prova të tjera tregojnë se lindshmëria e grave të klasës punëtore, është më e lidhur me rrethanat financiare sesa lindshmëria e grave më të pasura. Për shembull, në Amerikë dhe në Europë, lindshmëria e grave të varfra, ra ndjeshëm pas krizës financiare globale të viteve 2007-09.

Nga ana tjetër, gratë me arsim të lartë kishin më shumë gjasa të ndiqnin planet e vendosura dhe të bënin fëmijë, pavarësisht gjendjes financiare.

Kjo sepse gratë në karrierë, zakonisht e vonojnë lindjen e fëmijëve derisa të kenë burimet e nevojshme financiare për t’i dërguar fëmijët në çerdhe, ose për të punësuar dado, kështu që ato janë më pak të varura nga sigurimi shtetëror, që u shkurtua pasi qeveritë ulën shpenzimet publike gjatë krizës.

Edhe politikat e tanishme pro lindjes në shtetet e pasura, kanë efekte të mëdha te gratë me të ardhura të ulëta. Shërbimet shtetërore të kujdesit për fëmijët, shpesh mundësojnë kujdes për fëmijët, një shërbim që nënat nuk do të ishin në gjendje ta përballonin të vetme.

Të dhënat nga Zyra e Statistikave të Izraelit tregojnë se nga viti 1999 deri në vitin 2005, subvencionimi i fëmijëve çoi në rritjen më të madhe të lindjeve për gratë me të ardhura të ulëta, sesa për bashkëmoshataret e tyre më të pasura.

Në Norvegji dhe Finlandë, rritja modeste e lindjeve që kanë sjellë politika të tilla, erdhi më tepër nga gratë me të ardhurat më të ulëta. Në të kundërt, kur në vitin 2014 u përgjysmuan kreditë tatimore për fëmijët e familjeve franceze të shtresës së mesme, kjo lëvizje nuk solli asnjë ndryshim në normën e tyre të lindjeve.

Kjo ndodh sepse ndihmat e parave sjellin më shumë ndryshim në familjet e varfra. Për shembull, në janar, organizata jofitimprurëse Rx Kids, e drejtuar nga një grup mjekësh, nisi një nga programet e para të ndihmave financiare në qytetin Flint të SHBA-së, i njohur për nivelin e lartë të varfërisë.

Sipas kushteve të programit, çdo nënë vendase ka të drejtën të përfitojë 7,500 dollarë, që shpërndahet me këste që nga koha kur ajo mbetet shtatzënë për herë të parë, e deri në ditëlindjen e parë të fëmijës. P

ër gratë e regjistruara në këtë program, të cilat mesatarisht fitojnë më pak se 10,000 dollarë në vit, kjo ndihmë përfaqëson një rritje të madhe prej 75% të të ardhurave të tyre. Qëllimi më i rëndësishëm i programit është të zbusë varfërinë e fëmijëve, thotë Mona Hanna-Attisha, e cila drejton qendrën, por zyrtarët lokalë shpresojnë se do të rrisë edhe shkallën e lindjeve në qytet.

Në një mbledhje për pjesëmarrësit, nënat e reja qeshin kur pyeten nëse 7500 dollarë do të mjaftonin si nxitje për të pasur një fëmijë tjetër. Në fund të fundit, familjet amerikane me të ardhura të ulëta, zakonisht shpenzojnë rreth 20,000 dollarë në vitin e parë të jetës së një fëmije.

Por këto para mund të sjellin ndryshim. Siç thotë një nënë, paratë shtesë “mund të më bindin të mbaj një fëmijë që nuk isha e sigurt nëse do ta lindja”. Në Amerikë, gratë e varfra kanë më shumë gjasa se gratë e shtresës së mesme, që të përmendin vështirësitë financiare si arsye për kryerjen e një aborti.

Shkalla e lindjeve në Amerikë, Europë dhe Azinë Lindore, ka rënë aq shumë, sa që tkurrja e popullsisë nuk do të ndalej, edhe sikur këto gra që përgjigjen më tepër ndaj ndihmave financiare, të vendosnin të lindnin fëmijë.

Sipas parashikimeve të publikuara nga revista mjekësore Lancet, deri në vitin 2050, më shumë se tri të katërtat e grave në botë, do të lindin fëmijë nën shkallën e zëvendësimit.

Edhe nëse qeveritë nuk janë në gjendje të rrisin menjëherë normat e lindjeve, ato nuk do të qëndrojnë kurrsesi duarkryq përballë kësaj dukurie. Politikat pro lindjes vetëm sa do të marrin vrull.

Mungesa e foshnjave

A do të fillojnë edhe qeveritë e tjera si ato të Hungarisë dhe Rusisë, të japin para për gratë më të reja dhe më të varfra? Lindja e fëmijëve sjell gjëra pozitive për shoqërinë. Siç po zbulojnë ekonomitë e plakura të Azisë Lindore, tkurrja e popullsisë ul risinë, pakëson fuqinë punëtore dhe të ardhurat nga taksat.

Prindërit duhet të përballojnë pjesën më të madhe të kostos së fëmijëve, gjë që është një barrë e madhe për më të varfrit. Politika mund të hyjë gjithashtu në lojë. Qeveritë nuk ka gjasa të humbasin vota kur ofertat e tyre për nxitjen e lindjeve janë shumë bujare.

Sidoqoftë, politikanët duhet të kenë parasysh disa gjëra. Fëmijët shtesë që do të vijnë në jetë nga politikat pro lindjes, nuk ka gjasa që të kthehen në profesionistë që do të rrisin produktivitetin në vend, gjë që qeveritë e dëshirojnë aq shumë.

Sepse vetëm 8% e fëmijëve të lindur nga prindër amerikanë pa arsim të lartë, pritet që të marrin një diplomë bachelor kur të rriten, dhe një person mesatar me diplomë të shkollës së mesme, i rrit financat publike me më pak se një të dhjetën e kontributit neto të një të diplomuari në universitet.

Prandaj përfitimet financiare të politikave pro lindjes, që kanë në shënjestër gratë e klasës punëtore, ndoshta do të mbingarkoheshin nga kostot, duke pasur parasysh shpenzimet që lidhen me programe të tilla.

Shpresa më e mirë do të ishte që politika të tilla të përmirësonin cilësinë e jetës së fëmijëve. Dëshmitë e hershme tregojnë se transfertat e parave rrisin performancën e fëmijëve në shkolla dhe qasjen në kujdesin shëndetësor.

Diçka tjetër që duhet pasur parasysh, është çështja se sa të moralshme janë ndërhyrje të tilla. Ka një arsye pse politikanët koreanë u përpoqën të ndalnin shtatzënitë e adoleshenteve. Për çdo vit që një grua nuk lind fëmijë, rriten fitimet e saj të pritshme gjatë jetës.

Një grua amerikane që bëhet nënë për herë të parë në mesin e të 30-ave, do të fitojë më shumë se dyfishin e parave që do të kishte fituar, nëse do ta kishte lindur fëmijën e parë në moshën 22 vjeçare. Femrat që lindin në moshën 15 deri në 19 vjeç, kanë më shumë gjasa të kenë probleme shëndetësore.

Fëmija e tyre e parë ka më shumë gjasa të braktisë shkollën e mesme dhe të rritet pa të dy prindërit në shtëpi. Në qytetin Flint, shumë nëna shprehin keqardhje që nuk rregulluan në fillim jetën e tyre përpara se të bënin fëmijë.

Njëra thotë: “Pra, ideja është që unë do të paguhem mjaftueshëm sa për të më prishur mendjen të bëj një fëmijë tjetër? Vetëm kaq? Por pasi fëmija të lindë, gjithë barra e rritjes do të jetë përgjegjësia ime? Kjo nuk më duket e drejtë”.

Një 26-vjeçare që është nënë e tre fëmijëve, mbështetet në karrige dhe qesh./Monitor

Dosja “Gjikoka” çon në SPAK edhe Tan Lamen/ Ish-kreu i ASHK me mbi 15 prona, shtëpinë pa leje në Qerret e legalizoi vetë

Një apartament i regjistruar në emër të Artan Lames, që ndodhet në një godinë 3 katëshe, e cila është ndërtuar pa lejë në zonën e Qerretit të Kavajës, është bërë shkak i depozitimit të një dosje voluminoze në prokurorinë e posaçme SPAK.

Çështja kundër Lames, është futur brenda zyrave të BKH në një periudhë kur SPAK ka vënë përpara me hetime konkrete tre bashkiakë të Himarës, si Alfred Belerin, Jorgo Goron dhe se fundmi Arqile Bollanon.

Nga burime pranë SPAK bëhet e ditur se ish-kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, është kallëzuar për 5 akuza, duke filluar nga “Shpërdorimi i detyrës”, “korrupsioni pasiv i funksionarit të lartë shtetëror”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Refuzimi për deklarimin e pasurisë” dhe “Ndërtimi pa lejë”.

Denoncimi është bërë nga 76-vjeçaria nga Dhërmiu, Androniqi Koka, e cila katër ditë më parë ju drejtua zyrave të SPAK, me një kallëzim kundër Artan Lames dhe disa zyrtarëve të tjerë të ALUIZNI-t dhe ASHK-së në Vlorë, duke pretenduar se personat e denoncuar kanë vepruar si “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Përmes këtij kallëzimi kërkohet që SPAK të verifikojë përgjegjësisë i një sërë veprimesh të kryera nga prokurorë dhe gjyqtarë të Vlorës, të cilët kanë mbyllur çështjen.

Lames i janë zbuluar mbi 15 pasuri të ndryshme në Tiranë dhe zona bregdetare, të cilat janë Troje, Llogari bankare, Automjet dhe apartamente në Tiranë dhe zona bregdetare.

Mes 15 pasurive, që tashmë do merren në verifikim nga SPAK, në njërën prej tyre është një apartament me sipërfaqe totale prej 108.94 m2, i cili rezulton të jetë ndërtuar pa lejë në kohën kur Lame ka qenë drejtor legalizimeve dhe është legalizuar prej tij në konflikt të pastër interesi.

Leja e legalizimit e datës 3 shkurt 2015 mban Nr.700261 dhe në lidhje me këtë fakt në kallëzim, i kërkohet SPAK që përveçse të hetojnë faktin se si është krijuar kjo pasuri, me çfarë të ardhurash financiare, por të hetohet edhe fakti penal i ndërtimit pa leje.

“…Artan Lame ka ndërtuar pa leje në tokën “SHTET” dhe më pas e ka legalizuar po vetë, në vitin 2015 e vërtetuar kjo plotësisht me kartelën e pasurisë në emër të këtij shtetasi. Fakti i ndërtimit pa lejë përbën vepër e kryer nga funksionari i lartë shtetëror dhe si e tillë duhet të hetohet nga SPAK…”-thuhet në dosjen voluminoze.

Ndër të tjera në kallëzim evidentohet fakti se Lame ka “Shpërdoruar detyrën” dhe ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor” në kohën kur ka qenë drejtor i përgjithshëm i ASHK-së.

Në dosje thuhet se Lame është i implikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në tjetërsimin e një hoteli në Dhërmi të Himarës. Artan Lame ka qenë aktor kryesor në tjetërsimin e 12 objekteve, mbi këtë sipërfaqe toke.

Përveç ish-kreut të kadastrës Artan Lame të kallëzuar për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga Grupi i Strukturuar Kriminal” janë kallëzuar Ardian Musta, ish-kreu i ALUIZNI Në Vlorë, Adiseldo Rrapaj punonjës i ALUIZNI-t në Vlorë, Helidon Gjikoka përfituesi i paligjshëm i pronës dhe 12 objekteve në kompleksin e ndërtuar në Dhërmi.

Ariton Kasaj me detyrë jurist, Enida Bukuroshi, Jonida Hallvaxhiu, Denis Metaj, Erdet Mandi, Arbër Jaupaj, Mimoza Rushani, Krupskaja Gjika, Andi Haxhiaj, Ermal Mahilaj, Vezir Gjikoka, Polikson Halilaj me detyrë IT- pranë ASHK Vlorë, Mandi Jaho specialist pranë ASHK Vlorë, Klesta Koçi, Erion Zoto në cilësinë e drejtorit të auditit ASHK Vlorë dhe Klajdi Celiku, kanë vepruar si grup kriminal duke kryer veprime të njëpasnjëshme në dëm të kallëzueses Androniqi Koka, të cilës i kanë tjetërsuar pronën.

Sipas provave të paraqitura në SPAK thuhet se provohet që i personat e kallëzuar të kenë kryer veprime në kuadër të Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Pasi ata kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, e provuar njohja midis Adiseldo Rrapaj, Helidon Gjikoka dhe Ariton Kasaj me deklarimet e dhëna nga Ariton Kasaj në video-përgjim, ku provohet se Adiseldo Rrapaj thotë se: ”…e kemi me dokumente moj gocë hidhu pupthi ti nuk ke se çfarë na bënë…”. Kjo video është regjistruar në pronën që është vjedhur.

Lindin dyshime se Adiseldo Rrapaj është përfitues faktik i kësaj prone e marrë nëpërmjet mashtrimit, kjo për faktin se ai thotë se:“…e kemi me dokumente…” që do të thotë se dhe ai ka pjesë takuese në këtë kompleks dhe përderisa ai ka përfituar nga ky kompleks pasuri dhe nga ana tjetër ka legalizuar praktikën me dokumente të falsifikuar, padyshim që kemi të bëjmë me dyshime të arsyeshme për veprën penale të korrupsionit.

Këta shtetas kanë në mënyrë të organizuar dhe me role të posaçme. Dhe organiziatori i veprës penale është shetasi Adiseldo Rrapaj, përfitues në mënyrë faktike të pronës në bashkpunim me Helidon Gjikoka.

Lista e pasurive të Artan Lames:

1.            Lloji i Pasurisë: TRUALL , Nr. i Pasurisi: 141/3 , Sipirfaqja Totale 692 m2, (Nga të Cilat Truall 692 m2; Ndërtesë 107 m2).

2.            Lloji i Pasurisë: APARTAMENT , Sipërfaqja Totale 108.94 m2, kjo pasuri është ndërtuar pa leje në kohën kur Lame ka qënë drejtor legalsizimesh dhe është legalizuar prej tij në konflikt të pastër interesi me  Leje legalizimi , Nr. 700261 , DatÎ: 03/02/2015.

3.            TRUALL , Nr. i Pasurisë: 102/45 , Sipërfaqja Totale 1477 m2, (Nga të Cilat Truall 1477 m2; Ndërtesë1064.2 m2)

4.            Lloji i Pasurisë ARE , Nr. i Pasurisë: 141/2 , Sipërfaqja Totale 392 m2, Zona Kadastrale Nr. 3128

5.            Lloji i Pasurisë: TRUALL , Nr. i Pasurisë 141/1 , Sipërfaqja Totale 300 m2, (Nga të Cilat Truall 300 m2; Ndërtesë 107 m2), kjo pasuri është përfituar me kontratë shitje Nr. 1434Rep 414Kol.

6.            Lloji i Pasurisë: NJESI , Nr. i Pasurisë: 6/486-N1 , Sipërfaqja Totale 54.8 m2.

7.            Lloji i Pasurisë: BODRUM , Nr. i Pasurisë: 6/486-B1 , Sipërfaqja Totale 38.91 m2. Pasuria në  Zonën Kadastrale Nr. 8380

8.            Lloji i Pasurisë: TRUALL , Nr. i Pasurisë: 6/462 , Sipërfaqja Totale 96 m2, në këtë pasuri ka përshkrimin se ka  ndërtim pa leje (pallat i ri).

9.            Lloji i Pasurisë: TRUALL Nr. i Pasurisë: 137 , Sipërfaqja Totale 300 m2, (Nga të Cilat Truall 300 m2; Ndërtesë 111 m2). Pasuria e ndodhur në zona Kadastrale Nr. 8160

10.          Lloji i Pasurisë: APARTAMENT , Nr. i Pasurisë: 4/785+1-46 , Sipërfaqja Totale 100.17 m2. Pasuria e ndodhur në Zonën Kadastrale Nr. 8518

11.          Lloji i Pasurisë: APARTAMENT , Nr. i Pasurisë: 58/67+1-10 , Sipërfaqja Totale 60 m2 e ndodhur në plazh Durrës pasuria e ndodhur në Zona Kadastrale Nr. 3101.

12.          Lloji i Pasurisë: TRUALL , Nr. i Pasurisë: 102/24 , Sipërfaqja Totale 2081 m2, (Nga të Cilat Truall 2081 m2; Ndërtesë 437.5 m2.

13.          Lloji i Pasurisë: TRUALL , Nr. i Pasurisë: 137 , Sipërfaqja Totale 300 m2, (Nga të Cilat Truall 300 m2; Ndërtesë 111 m2) kjo pasuri është blerë me Kontratë shitje , Nr. 3067REP 1631KOL, Datë: 01/07/2021.