28.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Don Kishoti i Backës

Nga Edison Ypi

Të shkosh në Backë nga Çorovoda, është normale, por jo interesante, jo eksituese.
Të shkosh në Backë nga Vithkuqi, ai është udhëtim aventuresk, kavaleresk.
Në Maliq, ku kthen për Klocë, një tip me thes në sup më tha se rrugë nga Vithkuqi për në Backë nuk ka. Nuk e besova Tersin e Maliqit që do ketë qënë ndonjë djalë xhaxhai me Tersin e Pojanit.
Në të dalë të Korçës, kur nga hutimi desh’ shtypa nën rrota dy korçarka me pantallona të shkurtra si breçka, Tersi i Korçës që e pyeta si të vazhdoj për në Qaf të Qarrit, më degdisi në ca labirinte rrugësh nëpër plantacione mollësh.
Diku mes mollëve, një tjetër ters, Tersi i Boboshticës që mu mburr se ishte mësues Historie dhe njihte me pëllmbë Shqipërinë e jugut, me një ton kryeneç më tha të kthehesha nga erdha. Sepse, sipas tij, në Backë shkohet vetëm rretherrotull: nga Elbasani, Berati, Çorovoda. Ngaqë, gjithmonë sipas tersit, rrugë për në Backë nga Vithkuqi nuk ka, nuk ekziston.
Nuk u stepa nga ky ters dinak. S’ke ç’bën. Të nisesh nëpër aventura, duhen duruar edhe tersat.
Nga një ters te tjetri, më tmerroi Tersi i Kamenicës. Më tha se rrugë nga Vithkuqi për në Backë, ka, por është rrugë e vështirë. Plot me humnera ku po re të përpin errësira. Gjithato shpella ku të nxjerrin sytë lakuriqët e natës. Pa numurim puse të thella, ku po re brenda, mbytesh dhe mbetesh, thirr sa të duash, s’të vjen njeri për ndihmë. Pa hesap gropa, gunga, rrëpira, shtigje, ku po humbe, të hanë ujqit, të shqyejnë arinjtë.
S’pyeta më tersa. Vazhdova me forcat e mia.
Te një karburant, një Toyota Pickup e bardhë që sapo u mbush me naftë, ka ngarkuar arka me perime, kuti me fruta, thasë me patate, pra furnizim fshati. Kjo më duhet.
Shoferi i Toyotës me një dhëmb floriri, bashkë me djalin nja 30 vjeç në bord, shkojnë në katundin e tyre, në Çemerricë. Ja qaj hallin. Hallin tim, se veç meje kurrkush s’ka halle. I them nga vij, ku dua të vete. E pyes nga duhet t’ja ther.
Hajde me mua, më thotë kallauzi nga Çemerrica si Alice Taylor nga Anglia kur i fton ta ndjekin adhuruesit e saj në reportazhet e mrekullueshme që bën.
Kallauzin e gjeta. Toyota para, Rosinant Jeepi pas.
Pak minuta pas hyrjes në rrugën e Vithkuqit, një fresk që, ç’e pyet.
Senjalistikë rrugore perfekte. Mesa duket nuk e ka ndërmend ta shkuli a ta vjedhi njeri. Ja dinë kimetin qytetarisë çobenët e këtyre anëve. E kanë rrahur kurbetin që herët.
Me lehtësinë e kapërximit të argumentave nga F. Lubonja, dhe virtuozitetin aktorial të Bujar Lakos, para syve rrëshqet tabela te kthesa për Lubonjë, prejnga ata të dy janë.
Më tutje klima dhe bimësia alpine çfaqen befas si nëpër ëndërra.
Ishull i vogël në mes të liqenit. Dru në mes të ishullit, duket si, por palmë s’është.
Peisazh malor monoton si simfonia e zilkave të bagëtive, që tersave të kudondodhur u duket i njëtrajtshëm, ama laryshinë e botës e ka brenda.
Internet e navigator e celular sa të duash.
S’do qe keq kjo mrekulli të vazhdonte gjatë. Por ëndërrën e vret Vithkuqi. Ku babai dhe i biri nga Çemerrica ndalin Toyotën për një filxhan kafe dhe një qelqe raki. Sa të pinë kafet ata, bëj një shetitje nëpër Vithkuq.
Një qen leshator nga nxjerrë shetitje veten, një grua dhe një burrë që llafosen anglisht.
Një çesëm e ftohtë brisk freskon dy gra me theks verior.
Përshëndes dy vithkuqarë që po rrinë te një stol. Njëri prej tyre, pa thënë asnjë fjalë, dhe pa ja kërkuar, më shoqëron te busti i Naum Veqilharxhit te një park i vogël fshehur mes drurëve.
Te një verandë, një vithkuqar me syze, sa më sheh, pa një pa dy, nis e më lëvdon shkrimet me të bërtitura si Vittorio Gassman duke lënë me gojë hapur nja katër a pesë të ngeshëm që po pinë birrë.
Pasi mbarojnë kafenë dhe rakinë, çemerricarët bëjnë qartësimet e fundit: Ke edhe pak kilometra asfalt. Pastaj rruga shkon mbi një kreshtë mali. Deri te Qafa e Martës s’është keq. Më tutje të ruajt Baba Fetahu.
Te kthesa e Çemerricës Toyota ndal. Babë e bir zbresin. Në Çemerricë kanë mbetur 2 shtëpi. Njëra e kallauzit. Tjetra e xhaxhait. E di që do piqni dashin, do shtrohet sofra, do shkojë lumë rakia, do hidhet vallja, do buçasi kënga. Por në Çemerricë do vi tjetër herë. Sot s’mundem. Kam frik se erret. Faleminderit. U paça.
Ujra dhe pyje gjithandej.
Kopështet e Edenit nuk mund të jenë më të bukur.
Deri te kthesa për Panarit, asfalt.
Më tutje rruga e gjërë me kthesa të lehta dhe anash një bimësi të dendur shkon vërtet mbi një kreshtë kilometrike deri rrëzë motër Ostrovicës, e cila, prej kaq afër, nuk duket aq madhështore si nga vendet e largëta prejnga, bashkë me vëlla Tomorrin, sundojnë horizontin e Shqipërisë.
Nga kthesa e Panaritit në drejtim të Backës, rrugën po e ndreqin. Përdredhja e kësaj rruge deri te Qafa e Martës është një spektakël që s’ka të rrëfyer për të eturit për surrealizëm.
Pllajë shkëmbore sa të ha syri. Shpati jugor i Ostrovitës është i frikshëm.
Rrëzë këtij shpati është një lapidar. Me ma pre kokën me hanxhar të ndryshkur mbi trungun e kasapit, s’besoj se është bërë ndonjë luftë apo ka rënë ndonjë dëshmor në këtë majë mali në këtë fund bote.
Ujra rrjedhës gjithandej.
Rruga nga Qafa e Martës zbret në luginë me dredha si litar i hedhur nga maja e Ostrovicës nga një kaubojs i lojtur për të bërë zap pelën e hazdisur Backë.
Backa, Potomi, dhe me rradhë fshatrat në luginë gjer tutje në horizont ku duket pak Osumi, ose ashtu më bëjnë sytë mua.
Ja ther teposhtë më të majtë, kah Backa, Baba Fetahu, litari, kali, pela, kaubojsi, shtëpitë, përrenjtë, prrockat.
Gropat, gungat, humnerat, rreziqet, shpellat, lakuriqët e natës, kishin qënë rrena të tersave.
Nga Qafa e Martës deri në Backë, Rosinanti ka qef të kacavjerret nëpër ato kthesa.
Në njërën nga kthesat, duke u ngjitur përpjetë, më del para Alteregua. Mesa duket është nisur për në Backë nga e kundërta, nga Çorovoda.
Jo, nuk qënka Alteregua nga Starja. Qënka një skraparlli nga Potomi. Po vete në Greqi me gruan. Alteregua, pa shtizë, pa Rosinant, mbi Nissan, nuk ka ngarkuar patate, domate, miell, si çemerricari, por ca arka metalike të rregullta dhe të pastra që ndoshta ishin instrumenta topografie, se ashtu mu dukën.
Me të bëritura, si e kam zakon, dhe si i çmendur që jam, i them presunto Alteregos skraparlli se, si udhëtar, si aventurier, si dashnor i maleve, shkëmbinjve, pyjeve, katundeve, mullinjve të erës që jam, duhem ndihmuar, duhet të di si quhen këto male, ato katunde, këto lugina, këto gërxhe ? Skraparlliu ma kap fillin. Duke më mahnitur me mirsjellje dhe mikpritje, zbret vrik nga Nissani, dhe, si vendali denbabaden, u përgjigjet një për një pyetjeve. Je i mrekullueshëm skraparlli. Të paça.
Pak më poshtë drejt Backës, përrenjtë dhe prrockat janë tharë. S’ka gjë më të trishtë se një përrua i thatë. S’do ment se ujrat i mbledhin lart dhe i çojnë me tuba nëpër hidrocentrale-kuçedra.
Nga një oborr del një grua nja 50. Vitet në fytyrë, lodhjen mbi krahë, taksiratet mbi supe
sy të mirë, të butë, e folur e ngadaltë, e qetë, e butë, e ëmbël, katër fëmijë në kurbet, burri po çlodhet pak. Ngrihu nga varri Rembrand. Eja në Backë bëj portretin “Skraparllesha” ta shohi gjithë bota.
Për një moment më vajti mendja ti kërkoj skraparlleshës së urtë diçka që e kam zakon: Të këndojë një këngë. Cilën të dojë. Cila t’i vi ndërment. Këtu, tani. Shoqëruar nga tre instrumentistët gjenialë: era që s’po fryn, përroi që s’ka ujë, zilkat e bagëtive që s’po dëgjohen. Nuk e bëra. Këngë ishte aq pak sa foli.
Fshati Backë, apo të paktën ajo mëhallë ku kalova, me shtëpi guri pa llaç, me baltë, çati me rrasa, është një mesjetë uluritëse që të fton të ulesh diku pranë një përroi të thatë, të zësh kokën me duar, të qash e të qash pa u ndalur derisa përrenjtë e thatë të Backës t’i mbushësh me lot, të vi t’i mbledhi turiqeni i hidrocentralit, të rrotullohen turbinat, të prodhojnë korent, të ndriçohen copat e mishit të Parlamentit.
Tutje duken ca shtëpi si më të mbajtura. Dhe më tutje akoma Teqeja e Baba Fetahut.
Backa, fshati më i thellë dhe më i largët i Skraparit, është aq i bukur, sa s’gjen dot fjalë, se mendja ngec, imagjinata lloc.
Ku s’ka asgjë tjetër përpos ca mbijetuesa dhe ca shkëmbinj, mardhënia e Backës me: Bektashizmin, luftrat, folklorin, Ostrovicën, Qafën e Martës, Çukën e Frëngut, është një pështjellim marramendës mes një komuniteti njerzor, relievit natyror, rrethanave historike, besimit fetar, propagandës, luftës për mbijetesë.
Është vonë.
Po bie muzgu.
Pas 11 orësh mbi Rosinant, unë Don Kishoti i Backës i lehtë nga trutë e kokës dhe i lodhur nga rruga me dredha, po kthehem nga përrockat e thata ku luftoi Lace Backa. Gjithë ç’pashë e dëgjova ishin aq të bukura, aq të madhërishme, aq të paharrueshme, sa një vit të tërë nuk do shoh asnjë ëndërr, nuk do prek asnjë femër, nuk do lexoj asnjë libër, nuk do dëgjoj asnjë muzikë, nuk do them me vete asnjë poezi përmendësh duke kalëruar rrugës.

Epidemia e dëmshme e cigareve elektronike

Ekspertët kanë paralajmëruar se përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë është një “epidemi e re”. Në Shqipëri, aksesi është i gjerë, ndonëse ligji ndalon shitjen për minorenët. Kosto mesatare është 3500 lekë dhe ekziston rreziku i krijimit të varësisë…

 

Deada Hyka

Eris ishte një nxënës i zakonshëm i një shkolle të mesme në Tiranë. Një ditë, pas mësimit, ai vendosi të bëjë një “eksperiment” që e kishte dëgjuar shpesh nga shokët e tij, të blinte një cigare elektronike, ose siç e quanin ata, një “vape”.

Pa u menduar gjatë, ai hyri në një dyqan të vogël në lagje, ku pa në vitrinë një gamë të gjerë pajisjesh me dizajne tërheqëse. Pasi pyeti shitësin për një nga modelet, pa hezitim dhe pa asnjë pyetje mbi moshën e tij, ai e bleu pajisjen.

Kjo ngjarje, edhe pse për Erisin ishte thjesht një provë kurioziteti, ngriti një çështje të rëndësishme: sa lehtë mund t’i sigurojnë të rinjtë këto produkte, që në dukje janë të ndaluara për ta?

Duke mos e pasur të vështirë të gjejnë një pikë shitjeje, shumë nxënës të shkollave të mesme blejnë pajisjet e njohura si “vape” pa asnjë problem.

Shumë prej tyre, të nxitur nga kurioziteti apo dëshira për të provuar diçka të re, arrijnë t’i sigurojnë këto produkte pa asnjë pengesë ligjore apo morale. Sipas një hulumtimi në treg, një pajisje “vape” kushton mesatarisht 3500 lekë, ndërsa mbushësit e tyre, 600 lekë.

Në dekadat e fundit, tregu i cigareve elektronike ka njohur një rritje të jashtëzakonshme, duke u shndërruar në një nga industritë më të diskutueshme dhe njëkohësisht më fitimprurëse në botë.

Këto pajisje, të reklamuara si një alternativë më e shëndetshme ndaj duhanit tradicional, kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të duhanpirësve të rritur, por sidomos të të rinjve.

Ndikimi i këtyre produkteve mbi shëndetin dhe sjelljen e përdoruesve të rinj ka ngjallur shqetësime të mëdha në komunitetin shkencor dhe atë shoqëror.

Cigaret elektronike po bëhen gjithnjë e më të njohura në mesin e adoleshentëve që nuk janë duhanpirës të mëparshëm apo aktualë. Të rinjtë që përdorin cigare elektronike, ose “vape”, shpesh përdorin pajisje të vogla që mund të përmbajnë përqendrimin maksimal të lejuar të nikotinës.

Përdorimi i cigareve elektronike është kthyer në një fenomen shqetësues tek adoleshentëtEkspertët dhe psikologët e shkollave thonë se këto produkte po përdoren masivisht nga të rinjtë në një kohë që është e ndalur përdorimi i tyre për minorenët.

Ato blihen lehtësisht në kioska apo dyqane në Tiranë, edhe pse ligji e ndalon përdorimin e duhanit për moshën nën 18 vjeç.

 

 

Biznes i mirëfilltë

“Vaping” duket se është kudo në ditët e sotme. Nuk mund të shkosh në një pikë karburanti ose të ecësh nëpër një qendër tregtare pa parë reklama të tyre ose pa kapur një aromë që qëndron në ajër.

Ndërsa “vape” (të njohura edhe si cigare elektronike) në thelb duhet të përdoren si një “mjet për lënien e duhanit tradicional” për duhanpirësit dhe jo një metodë e re për joduhanpirësit, trendi i përdorimit nga këta të fundit ka qenë në rritje.

Mund të duket befasuese, por janë bërë shpesh raportime edhe në shkolla 9-vjeçare se, fëmijë deri të moshës 10 vjeç janë gjetur duke i përdorur ato në oborre shkollash.

Sot në Shqipëri hyjnë 250 lloje të ndryshme “vape”, të cilat në doganën shqiptare janë të listuara si produkte të rregullta dhe të certifikuara. Megjithatë, nuk ka informacion të plotë për përbërësit dhe sigurinë e këtyre produkteve që përdoren brenda vendit tonë.

Roland Shuperka, ekspert për Çështjet e Duhanit dhe Alkoolit, shpjegon për “Monitor” se kjo ndodh sepse në doganat tona nuk ekziston asnjë laborator për t’i analizuar këto produkte, dhe as në agjencinë e duhan-cigareve nuk ka një strukturë të tillë.

Kjo mungesë infrastrukture bën që ne t’i pranojmë produktet e importuara thjesht bazuar në deklaratat e tregtarëve, pa verifikime të pavarura dhe të besueshme.

“Mungesa e kontrolleve rigoroze i bën këto produkte të pasigurta jo vetëm për të rriturit, por i bën absolutisht të ndaluara për fëmijët dhe adoleshentët.

Cigaret elektronike janë krijuar me qëllimin e vetëm për t’i ndihmuar duhanpirësit të shkëputen nga varësia ndaj duhanit tradicional, i cili përdor djegien për të çliruar nikotinën.

Por, pa kontrolle të përshtatshme, rreziqet shëndetësore që lidhen me përdorimin e ‘vape’ mbeten të panjohura dhe potencialisht të dëmshme”, – thotë më tej eksperti.

Z. Shuperka, një ndër hartuesit e ligjit të alkoolit dhe duhanit, kërkon që të merren masa më të ashpra ndëshkimore për shitësit që shkelin ligjin dhe tregtojnë produkte duhani, qoftë ato tradicionale, me ngrohje apo avull, për fëmijët nën 18 vjeç.

Ai thekson nevojën për të përmirësuar kontrollet dhe rregulloret për të siguruar që këto produkte të mos blihen për të rinjtë, duke mbrojtur shëndetin e tyre dhe duke parandaluar përhapjen e varësisë ndaj nikotinës që në moshë të re.

Nga ana tjetër, falsifikimi është një problem i madh për industrinë. Mund të jetë e vështirë të dallosh një klon nga një produkt i vërtetë. Ndonjëherë, verifikimi i kodit të autenticitetit është e vetmja mënyrë e sigurt për të zbuluar nëse keni blerë një kopje false.

 

Tregu
Tregu global i cigareve elektronike parashikohet të rriten nga 22.5 miliardë dollarë në 2022 në 47.5 miliardë dollarë në vitin 2028, me normë rritje vjetore prej 13.5% gjatë periudhës së parashikimit 2023-2028.

 

Rrezik për shëndetin?

Dr. Sonila Boriçi, mjeke pediatre-pneumologe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, thotë për “Monitor” se, përdorimi i cigareve elektronike, ose “vape”, ndër adoleshentët dhe të rinjtë në Shqipëri po bëhet fenomen gjithnjë e më shqetësues.

“Si mjeke, kam parë nga afër ndikimet e dëmshme që këto pajisje mund të kenë në shëndetin e të rinjve. Pavarësisht se reklamohen si një alternativë më e sigurt ndaj cigareve tradicionale, cigaret elektronike përmbajnë substanca që mund të jenë po aq të rrezikshme për shëndetin.

Nikotina që gjendet në shumicën e këtyre produkteve është një substancë që krijon tepër varësi dhe mund të ketë efekte të mëdha në zhvillimin e trurit të adoleshentëve”, – thotë më tej mjekja.

Ajo shton se ekspozimi ndaj nikotinës në këtë fazë kritike mund të ndikojë negativisht në kujtesën, përqendrimin dhe kontrollin e impulseve.

“Përveç kësaj, përbërësit e tjerë të lëngjeve të ‘vape’ mund të përmbajnë kimikate të dëmshme që, kur nxehen dhe thithen, mund të shkaktojnë irritim të mushkërive dhe sëmundje respiratore”, – thotë dr. Boriçi.

Një tjetër aspekt shqetësues është normalizimi i përdorimit të “vape” si aktivitet social ndër të rinjtë.

Sipas sociologes Marsida Simo, kjo mund të çojë në rritje të përdorimit të substancave të tjera të dëmshme dhe krijimin e një kulture që minimizon rreziqet shëndetësore të këtyre produkteve. Gjithashtu, përdorimi i “vape” shpesh shihet si një “portë hyrëse” drejt përdorimit të cigareve tradicionale dhe substancave të tjera të ndaluara.

“Është thelbësore që të ndërmerren masa për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e përdorimit të cigareve elektronike dhe për të zbatuar rregulla më të rrepta mbi shitjen e tyre ndaj të miturve.

Edukimi i të rinjve dhe prindërve mbi efektet e mundshme negative të përdorimit të ‘vape’ është një hap i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni dhe për të mbrojtur shëndetin e brezit të ardhshëm në Shqipëri”,- thotë znj. Simo.

Hulumtimet botërore kanë treguar se të rinjtë që përdorin cigare elektronike kanë dy herë më shumë gjasa të vuajnë nga një kollë kronike sesa ata që nuk përdorin. “Vaping” mund të zvogëlojë funksionin e mushkërive nëpërmjet shqetësimit të shkëmbimit të gazit dhe inflamacionit të indeve, thotë një raporti i OBSH-së.

Gjithashtu mund të ulë imunitetin, duke rritur rrezikun e infeksionit respirator. Dëmtimi i mushkërive për shkak të avullimit quhet e-cigare ose dëmtimi i mushkërive i shoqëruar me avull (EVALI). Një hetim i shëndetit publik në Illinois dhe Wisconsin në SHBA zbuloi se mosha mesatare e pacientëve që vuanin nga EVALI ishte 21 vjeç.

Nikotina gjithashtu mund të ketë efekte të dëmshme për shëndetin. Adoleshentët janë më të prekshëm ndaj varësisë nga nikotina sesa të rriturit.

Ekspozimi kronik i nikotinës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit. Kjo mund të kontribuojë në gjendjet njohëse dhe të mungesës së vëmendjes dhe të përkeqësojë çrregullimet e humorit, duke përfshirë depresionin dhe mendimet për vetëvrasje.

Cigaret elektronike të njohura për një përdorim shpesh përmbajnë forcën maksimale të lejuar të nikotinës prej 20 mg/ml. Një markë sugjeron që cigaret elektronike njëpërdorishme të tyre përmbajnë një përmbajtje nikotine e barabartë me afërsisht 40-50 cigare.

Përdoruesit e rregullt të cigareve elektronike po raportojnë gjithnjë e më shumë probleme të shëndetit oral.

Një studim në Korenë e Jugut zbuloi se përdorimi i cigareve elektronike ishte i lidhur ndjeshëm me sëmundjen e mishrave të dhëmbëve dhe se avullimi mund të mos jetë një alternativë e sigurt ndaj pirjes së duhanit për shëndetin oral.

Disa ekspertë shëndetësorë kanë ngritur shqetësime se cigaret elektronike mund të jenë një portë për pirjen e duhanit për të rinjtë. Një studim zbuloi se të rinjtë që përdornin cigare elektronike kishin mbi tre herë më shumë gjasa të bëheshin duhanpirës sesa ata që nuk kishin përdorur kurrë cigare elektronike.

Megjithatë, studiues të tjerë kanë argumentuar se individët që provojnë cigare elektronike kanë më shumë gjasa të provojnë duhanin gjithsesi.

Një studim i botuar në revistën akademike “Addiction” nuk gjeti asnjë lidhje statistikisht të rëndësishme midis prevalencës së përdorimit të cigareve elektronike dhe pirjes së duhanit rregullisht tek ata të moshës 16 deri në 24 vjeç.

 

 

Ndikimi i rrjeteve sociale

Shqetësimi për lidhjen midis mediave sociale dhe përdorimit të “vape” të të rinjve vjen nga algoritmet e platformës.

Pavarësisht këmbënguljes se ata ndalojnë çdo përmbajtje që promovon shitjen e produkteve të tilla, algoritmet nënkuptojnë se platformat mund të rekomandojnë llogari, faqe dhe postime, duke çuar potencialisht në dyqane ose tregtarë të “vape” në internet.

Kjo mund të krijojë një mjedis të vazhdueshëm në internet për të rinjtë që ushqehet me dëshirën për t’i përdorur (ose vetëm provuar).

Gjithashtu, sipas ekspertëve sociologë, personazhe të njohur të ekraneve luajtën rol në nxitjen e përdorimit të produkteve “vape”. Në reality show si “Big Brother”, përdorimi i “vape” ka qenë i lartë dhe raportohet që shpesh merreshin si shembuj.

Ndërsa platforma të shumta për shitje në vendin tonë nuk kanë gjithmonë verifikime ose kufizime të moshës për blerje dhe ka raportime që shumë llogari në Instagram shesin “vape” pa verifikim ID dhe duke përdorur forma pagese cash on delivery.

Gjithashtu, konstatohet se kërkimi për “vape” ose “v@pe” sjell postime kryesisht zbavitëse ose inkurajuese që synojnë të rinjtë të nisin përdorimin e tyre.

 

Tregu global

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka pasur një rënie të vogël, por të qëndrueshme të numrit të duhanpirësve në nivel global, në pak më shumë se një miliard. Por tjetër panoramë raportohet kur bëhet fjalë për e-cigare.

Numri i përdoruesve të tyre është rritur me shpejtësi, nga rreth 7 milionë në vitin 2011 në 41 milionë në 2025.

Tregu i cigareve elektronike po zgjerohet, me rritjen e numrit të cigareve elektronike.

Tregu global tani vlerësohet të jetë 23 miliardë dollarë, nga 6.9 miliardë dollarë, vetëm pesë vite më parë.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë tregjet më të mëdha. Përdoruesit në të tre vendet shpenzuan më shumë se 10 miliardë dollarë vitin që shkoi.

Lidhur me përdorimin e tyre, zyrtarisht janë raportuar gjashtë vdekje dhe 450 raste të raportuara të sëmundjes së mushkërive në 33 shtete të SHBA. Ekzistojnë dy lloje kryesore të cigareve elektronike – sistemi i hapur dhe i mbyllur, i njohur gjithashtu si rezervuari i hapur dhe i mbyllur.

Në një sistem të hapur, lëngu që avullohet mund të rimbushet manualisht nga përdoruesi. Ekziston edhe një grykë e lëvizshme.

Cigaret elektronike me sistem të mbyllur përdorin mbushëse të gatshme, të cilat vendosen drejtpërdrejt në baterinë e cigares elektronike.

Llogaritet se këtë vit, avulluesit do të shpenzojnë rreth 20 miliardë dollarë për e-cigaret e sistemit të mbyllur, duke tejkaluar shpenzimet për cigaret elektronike me sistem të hapur për herë të parë.

Shumica e përdoruesve të cigareve elektronike i blejnë pajisjet e tyre në dyqane të specializuara, sipas një raporti të vitit 2022 të publikuar nga “Ernst & Young”.

Mendohet se konsumatorët mund të bëjnë blerjen e tyre të parë të cigareve elektronike personalisht, për të krijuar njohje me një produkt relativisht të ri ose për të kërkuar këshilla se cili lloj pajisjesh mund t’u përshtatet më shumë.

Një tjetër sondazh me 3,000 përdorues nga “Kantar” për “Ernst & Young”, tregoi se 21% kishin blerë pajisjet e tyre në internet.

 

Origjina
90% e cigareve elektronike në botë prodhohen në Kinë. Në fakt, ky vend është origjina e industrisë. Në vitin 2003, një farmacist kinez Han Li shpiku cigaren elektronike. Ai e zhvilloi krijimin në një produkt të tregtueshëm nga kompania e tij me bazë në Pekin, Ruyan. Pas suksesit në Kinë dhe Azi, produkti filloi të shitet në internet. Deri në vitin 2009, cigaret elektronike u bënë të njohura në SHBA dhe Europë. Biznesmenët e tjerë e ndoqën shpejt. U hapën fabrika të reja për të përmbushur kërkesën në rritje globale. Tregu filloi të ofrojë një përzgjedhje më të gjerë produktesh për çdo lloj duhanpirësi: bimor, marijuanë, cigare elektronike pa nikotinë, etj./Monitor.al

“Brigada ku kishte dhe shumë spiunë birucash, drejtohej nga një malazez”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik: Portën e kampit të punës e kapërceva i fundit sepse…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

  Autori

                                                                                                   SHKËLQIM ABAZI

                                                                      R E P S I

                                                         (Kampi i punës së detyruar)

     Memuaristikë

Mbas një Rambujeje, ku një tjetër Hashim po delte në skenë, u morën vendime të rëndësishme për fatet e popullit shqiptar të Kosovës. Rambujeja, ndryshoi hartën politike të Ballkanit por, fatkeqësisht realizoi edhe njërin nga parashikimet e Hashim Toplicës, që na tha që më 1969, ndarjen e kombit shqiptar në dy shtete. Parashikim, të cilin unë dhe shumë miq të mi, s’e patëm besuar, e quajtëm lajthitje të tij për mungesë informacioni. Sidoqoftë, me ndihmën e forcave të N.A.T.O.s, u korrigjuan vendimet e gabuara nga vetë ata që dikur kishin gabuar. Shqiptarët fituan lirinë e shumë-ndërruar ndër breza! Pikërisht në këtë periudhë, si shumica e shqiptarëve që hapën portat e shpirtit dhe të shtëpive, për të pritur e lehtësuar sadopak dhimbjen dhe dertet e vëllezërve të gjakut, të shkaktuara nga represioni serb, u angazhova edhe unë.

Në qytetin tim, u ngritën tri qendra pritje, në tre ish-reparte ushtarake, ku fillimisht u sistemuan pjesa më e madhe e refugjatëve, sepse një pjesë u strehuan ndër familjet beratase, që ndanë varfërinë e tyre bashkë me vëllezërit kosovarë. Në një nga këto ditë, në kampin e Moravës, ndesha një të moshuar me mbiemrin Toplica. Menjëherë m’u kujtua Hashimi, ndaj e pyeta plakun nga ishte. “Nga Prizreni”! – m’u përgjigj. Kur e thashë se mbiemri Toplica, më kujton një mikun tim të vjetër, që tashmë s’rronte më, ai më kërkoi emrin, ia thashë. Po plaku mbeti i vuvët, u lëshua i këputur mbi një stol druri gjysëm të kalbur, hoqi plisin e bardhë nga koka e thinjur dhe u zhyt në mendime të thella.

U ula edhe unë pranë tij, dërrasa kërkëlliu nën peshën time. Krisja e flrurit, e ktheu plakun në realitet, u soll drejt meje e më shihte me sy të zmadhuar nga habia dhe mosbesimi, si të kthehej nga një botë e largët. “Të pasha Zotin, or mik, s’po ma mbush synin ta kesh pas njoh Hashimin! Ka tash nji jet, q’ai asht kon ndër burgje t’Enverit! I ka hup ara dhe vorri”! Desha ta ndërprisja, ndaj e lashë t’i shfrehte gjithë këto pasthirrma; asi u shfre deri në pikën e fundit, heshti dhe u zhyt prapë në botën e re, kur kuptova se s’kish ndërmend të fliste më, u ngrita dhe e lashë aty ku ishte, vazhdova vizitën në çadrat e tjera.

Të nesërmen u riktheva sërish në vizitën rutinë. Shoqëroja një ekip mjekësh të spitalit rajonal, që kishin ardhur të vizitonin të sëmurët; ngaqë ndër fëmijët e shumtë që ndodheshin në kamp, ishte përhapur një epidemi diarreje. Te dera e hyrjes, pranë ushtarit roje, sa s’u plasa me plakun e një dite më parë. Ai s’priti të këmbenim as mirëmëngjesin, por m’u drejtua: “Kom tash dy sahat, tu t’prit njitu! Du me fol me ty”! “Më duhet të shoqëroj mjekët në çadra, te fëmijët e sëmurë”, – i thashë dhe u nisa pas mjekëve. “Qëndro, he burrë, se mos je doktor ti! Ka plotë të tjerë që e bëjnë kët punë, unë s’kom fjet tan natën e Zotit, tuj t’prit”!

U ndava dhe ia lashë detyrën një tjetri. Hymë në klubin e ngushtë të repartit. Tavolinat ishin të zëna, po një burr i moshuar u ngrit e na bëri vend në tavolinën e tij. Pa zënë vend ende, kamarieri na solli kafetë. Dukej, plaku tjetër kish porositur para se të hynim ne të dy. I njohuri, më prezantoi shkurt: “Ky asht aj që t’fola dje! Asht kon shok me Hashimin”! Nga shprehja e mimikës, vura re pendesë për mosbesimin e ditës së mëparshme, kur kish vënë në dyshim sinqeritetin tim.

Tjetri përballë, pak më i ri se i pari, më zgjati dorën dhe përshëndeti pa folur. Kishte fytyrë me rrudha të thella, si brazda të hapura nga një martinel, vetulla të trasha, nën të cilat të hetonin një palë sy të vrenjtur, ngjyrë kafe të çelët, mbi kokë mbante plisin e bardhë karakteristik, mbështjellë rreth ballit dhe veshëve me një turban bezeje. “A je burrë! – e përshëndeta”. “Qe besa, mirë jena”! “Si i keni familjet”? – e pyeta më tepër për forcë zakoni. “Këta ktu, mirë; ata që kan mbet tuj luftu me serbin, kjofshin mirë e i ruajt Zoti”!

“Nga të kemi”? – vazhdova ta pyes. “Jena kushërinj”! – u hodh më i vjetri. – “Me origjinë kah Toplica”? “Po kena tash katërdhetepesë vjet, që jem largu nga fshati e jena ngul n’Prizren, te disa kushërinjtë tanë. – vazhdoi ai. – Tash, dum me ndi kah ti, kush je e ku je njoft me kushrinin tonë, Hashimin?! Allahile, kena nji peng t’madh, për rob t’fisit tonë, që ka hup krejt! Për hatër të Zotit, dum me ndi nji fjalë për të”!

Iu tregova kush isha, ku isha njohur me Hashimin, iu fola për vuajtjet dhe mjerimet që kish hequr ndër burgje, për aq sa dija, sepse vetëm dy vjet jetova me të, ndërsa ai bëri një jetë burg. Pastaj iu tregova për karakterin e paepur dhe dashurinë e paskajshme që ushqente ai për popullin e kombin shqiptar, iu fola për mendimin e tij politik dhe për parashikimet për ngjarjet dhe rrjedhën e tyre sot, të bëra këtu e tridhjet vjet më parë. Ata më vështronin drejt e mbi buzë, sikur do t’u shfaqej papritmas nga goja ime, Hashimi apo hija e tij. Kur përfundova, më këqyrën edhe një herë në bebe të syrit, pastaj si shkëmbyen vështrime kuptimplote me njëri tjetrin, më i moshuari u hodh:

“Po, qe besa, nj’ashtu asht kon Hashimi! Ka kon koka ma e zgjuet e fisit, ma trimi, por dhe ma i hedhuri. Ka kon komunist i vendosur ai! I ka sakrifikue t’tana, për at ideal t’mallkuet! Ene familjen, ene fisin, ene fshatin! Mbas arratisë tij, kena hjek fort keq nga U.D.B.-ja, na kan shti n’burg t’tan burrat e fisit e të fshatit. Mbas burgut, jena shpërrngul. Kena pas mendu se Hashimi pat shpëtue prej Rankoviçit, por kënkemi gabu rand, ai e paska kalue ma zi se na! T’paktën na e kishim me shkjaun, po ai e pat nga vllaznt e vet! Apo jo, Sadri”? – iu drejtua tjetrit, si t’i kërkonte t’ja përforconin mendimin e sapo shprehur.

“Po, bre, nj’ashtu asht”! – bëri tjetri, pa shtuar asnjë fjalë më shumë. Kur iu kallëzova për mendimet e Hashimit, për përçarjen mes shqiptarëve të andej e këtej kufirit, për armiqësinë që kish nxitur Titua me Enverin, më plaku ngriti plisin nga koka dhe si fshiu ballin me një beze të pistë, u pizgos si ta kishte pickuar ndonjë grerëz dhe m’u ngrehos: “Jo, or burr, në kët pikë Hashimi s’ka pas të drejt, na jena vllazën gjaku e gjuhet, nane e babet, s’kan mujt me na përça kund! Ba me kon sot e me pah si jan prit kosovarët, kah vllaznit e vet, kish me ndrrue mendimin! Vallahi n’dit t’kobit, njihet robi i mirë! Kët që keni ba ju për na, s’dij a do kishim mujt me e ba edhe na për ju, në t’njajtin hall! Vllau vllait, mishin ja ha, por ashtin ja run!

Pernjime, na kish verbue Enveri, e thirshim ‘Bac’, se shihnim te ai çështjen e vendit amë. Vërtetë në çdo shpi Kosove e gjithkund, ku ka kosovarë në dynja, e kishin vu kah nji fotografi të tij, po s’dijshim ç’ka kish ba me njerëzit e vet! Allahile, ene Hashimin, e kena qujt të padrejtë me ‘Bac’ Enverin, po tash që po shohim e po ndijmë t’tana kto gjama që paska ba mbi popull, na jan hap sytë. Bash për kët, s’të kom kthy përgjigje dje! Si thue, Sadri”?! – iu drejtua për ndihmë tjetrit. “Po qe besa e Zotit, nj’ashtu asht”! – pohoj prerë, Sadriu.

“Na ke lehtsue me kto që na tregove për robin tonë, tash po ua kallëzojmë e tjerëve, kto bama të Hashimit e ta po kërkojmë ku mund t’jet varrue, m’e i gjet ashtat. Duem me t’falenderue ty e, familjen tënde”. “Jo, unë dua t’ju falenderoj juve, më lehtësuat nga një brengë, që më rëndonte prej tridhjetë vjetësh, duke ua treguar ndihem i çlirët tani. Sidoqoftë, kur bëj bilancin e ngjarjeve që kanë rrjedhur dhe i ballafaqoi me parashikimet e Hashimit më 1969, më rezulton se sa i saktë paskërka qenë ai, qoftë për kohën, qoftë dhe në të tjerat.

Sot jemi dy shtete shqiptarësh, me dy mentalitete paksa të ndryshëm, me dy flamuj të ndryshëm, edhe pse Flamuri Kombëtar, na prin në gëzime dhe hidhërime. Me të vërtetë, një pjesë politikanësh sot, e kanë fort për zemër këtë gjendje; ashtu si e kishte parashikuar Hashimi, po ndjenja e dashurisë së ndërsjellët, është ajo që më ngroh dhe më mban gjallë shpresën, se në të ardhmen do të jemi, ashtu siç e kanë ëndërruar e shpresuar të parët tanë të ndritur; një komb, një gjak, një gjuhë, një trup, një zemër”.

Le ti kthehemi kronologjisë atje ku e lamë. Kaloi data 29 nëntor mes shpresës dhe zhgënjimit. Ata që kishin llapur si shumë për faljen e shumëpritur, madje edhe ishin mburrur se i kishin rënë pikës, duke përcaktuar jo vetëm datën por, edhe orën e saktë, se kur do lexoheshin emrat e përfituesve dhe mandej tërë ditën e kishin kaluar me llafe e me kafe, e me duhan, sa te njeri te tjetri, me të mbaruar apeli i mbasdites, mbuluan kokën me batanije dhe u zhdukën nga qarkullimi, me sa mund të fshiheshe atje.

Të zhgënjyerit, ata që gjithë ditës kishin ndarë kafe dhe cigare, me shpresë e besim te fjalët e orakujve, me përfundimin e apelit, të dëshpëruar ishin mbledhur bashkë e qanin hallet kokë më kokë, me shoqi-shoqin. S’vajtonin vetëm faljen e munguar, por edhe ditët që do iu duhej të numëronin, deri sa familjet, t’iu zëvendësonin porcionet e firuara të kafesë dhe duhanit. Skeptikët, ata që qysh në sabah kishin paralajmëruar talljen e çdovitshme të komunistëve në prag festash të nëntorit, tani të kapardisur gjezdisnin shtrat më shtrat e grup më grup dhe me tone edhe më të ngritur deklamonin:

“E mo, e patë, kishim të drejtë ne! Hapini sytë, o qorra dhe këqyrni realitetin, vetëm dhunë, burg dhe dyfek, njohin këta! Do Zoti e thyejnë qafën sa më parë”! dhe shkonin te grupi tjetër. Unë, si kalova trallisjen e fillimit, kur vërtet e besova se mund të ndodhte ndonjë mrekulli, iu drejtova shtratit tim. Prej atje mes dy pleqve të mirë, ndiqja zallamahinë e thashethemnajën e kapanonit. Nga njëra anë ndjeja keqardhje për këta burra të vjetër të zhgënjyer keqas në shpresën e parealizuar, në anën tjetër mendoja se edhe unë një ditë, do katandisesha në atë gjendje të rënduar psikologjike.

Që nga lartësia e jastëkut tim, ktheja vështrimin herë në dy krehët dhe vëreja fytyrat e murrëtyera. Pranë meje, xha Esherefi gdhendte mbi drurin e verdhë të bushit dhe me fërshëllimë të lehtë, ja kish marrë një vije melodike, këngës mjaftë të njohur dibrane të Hajredin Pashës. Ndërsa prifti, ish përthithur në fletët e zverdhura të një libri të vjetër pa kopertinë, por që duhej të ish mjaft interesante, ngaqë ai se çoi kokën për asnjë çast, edhe kur zhurmat u ngritën në kupë të qiellit.

Ku s’më shkoi mendja, ato çaste! Te liria që po më largohej përditë, te robëria që do zgjaste pesë vjet, te shpresat që po veniteshin me kohën, te indiferenca e shokëve të krahëve! Mendimin m’i vagëllonte një pyetje dyshuese: “Vallë kështu në automat do katandisem edhe unë? Në një zgërbonjë pa ndjenja, pa shpirt, pa vullnet?! O Zot”! Por shpejt do kuptoja se kisha gabuar. Kur u ktheva në vendin tim pas apelit, Vaskën dhe xha Esherefin llafoseshin:

“S’di ç’të them or mik, s’di t’a shpjegoj çoroditjen e pjesës dërrmuese! Ndjej keqardhje për konstatimin! Si bre, s’e kuptokan se rrethanat politike, janë oportune! – vazhdonte Vaska arsyetimin e nisur pa prezencën time. Ashtu qoftë, këto ua fal të rinjve, po ne të moshuarit, më të vjetrit në burg, na del detyrë t’i sqarojmë me realizëm, drejt e pa dorashka; t’iu flasim për gjendjen e sotme, natyrisht pa iu vrarë shpresat. T’ua themi qartë, ku përballuni me realitetin! Shpresoni, ama rezistoni! S’shpresoj të na kuptojnë injorantët, ama intelektualëve, nuk ua fal”! Prifti heshti, më hodhi një vështrim dashamirës dhe vazhdoi:

“O mik, sot lufta e klasave ka arritur apogjeun, shihni egërsinë kundër fesë dhe fetarëve, presionin që ushtohet ndaj brezit të ri, ta implikojnë në këtë luftë pa principe! Mandej lexoni situatën ndërkombëtare, s’është aspak në favorin tonë, s’ka ca muaj që trupat ruse pushtuan Çekinë, pa po, në kufijtë e jugut, ka triumfuar një juntë kolonelësh, në veri ca të ngjashmit e këtyre tanëve, paçka se hiqen pak më të zbutur, prapë komunistë mbeten! kemi në një pozicioni gjeografik, ku s’ka shumë shpresa për t’u shndërruar në objekt i rëndësisë gjeostrategjik për lakminë e perëndimorëve.

Duke përfunduar, doja të shtoja se edhe komunistët i kanos vetvetja, sepse lidhja me Kinën e largme, i ka prishur balancat në eurozonë, tashmë janë në përplasje ideologjike me euro-komunistët. Prej Lindjes së Largme, kanë importuar këtu, përveç Revolucionit pseudo-Kulturor, edhe modelin e njeriut të ri, që duhet pranuar se mund të jetë gjithçka, veç model njeriu, jo! Pra, si përherë ata vazhdojnë luftën e bërrylave me sho-shoqin që, në mos qofsha i gabuar, s’mund të finalizohet pa koka në tepsi. Mjerë, kush shpreson drejtësi nga i shtrëmbërti dhe mëshirë nga katili”!

“Po ke të drejtë, or prift! Unë jam i pashkollum, s’di me fol kaq bukur, ama kaq gja e kam kuptu me vakt, jo ma të kulturuemit”!- u fryu ashklave të drurit që po gdhëndëte dhe m’u kthye mua: – “Po s’kena ç’me ba, or mec, nji ky asht burgu! Nji ky asht brumi, ’njita jan robt! Dun me pa andrra n’dill! Le të shohin! Ani, ene un shoh kaiher andrra me liri”! – plotësoi xha Esherefi, refrenin që la mangët prifti. – “Cull-o, të këshilloj mos ndij ç’grijn’ ëndërrimtarët! Shif hallin tat e, shërohu njiher, mandej ka Zoti! Qyr me nxan’ ene ndonji gja të hajrit! Pa, burgjet kështu i kena gjet, e kështu kem m’i lan! Allah-bin që shofim andrra, se ba mos me pa as ato, kishim m’u ther me sho-shoqin”! – e mbylli ai.

I shtyta edhe ca ditë me raportin që më lëshoi doktor Çitozi. Shokët që erdhëm bashkë nga Shkodra, i kishin nxjerrë në punë ne brigada të ndryshme. Tashmë me ta, takohesha vetëm mbrëmjeve, kur ktheheshin të rraskapitur. Kur iu këqyrja duart e pllakosura, plotë plagë të shkaktuara nga bishtat i kazmës dhe lopatës, prisja me ankth ditën, kur do më duhej t’i kapja edhe vet aletë të mallkuara. Koha e gjatë në izolim, më kish fshehur nga shputat, çdo shenjë kallo, dobësia trupore dhe paaftësia për t’iu përshtatur punës fizike, më zhyste edhe më keq në këtë gjendje makthi sa më dridhej zemra.

Tërë ato ditë, miqtë e mi s’lanë gurë pa luajtur, shfrytëzuan lidhjet dhe njohjet me njeri tjetrin, të më siguronin një punë më të lehtë. Fal raportit të doktor Naimit, njohjet e xha Dautit e të Sulos, por sidomos afërsinë e Vaskës, me kryetarin e Zyrës Teknike, Tefik Tarellin, si korçarë që ishin, por edhe për shkak të moshës sime minore, më caktuan në punë në brigadën e “Tekahytëve”.

 Në kampin e punës

(Atje ku farkëtohej durimi!)

Së fundi më nxorën në punë. Duhet të ketë qenë java e parë e dhjetorit, po datën s’e kam fiksuar. Ndihesha ende i dobët, sëmundja dhe apatia nga qëndrimi i gjatë në biruca, më kishin rraskapitur. Sidoqoftë, ajo ditë e butë, me diell si rrallëherë në dimrat e egër të luginës së Fanit, të joshte. Në rrugicën që lidhte dy kampet, në rreshtimin e mëngjesit, u gjenda krah njerëzish të panjohur. Veç ustait, një korçari me emrin Gaqo, që me përkëdheli e thirrnin Gaqkë, me të cilin më njohu prifti mbrëmjen e shkuar, të tjerët i shihja për herë të parë.

Dua të theksoj se të njohurit e mi në kamp, prifti dhe xha Esherefi, si shokë krahësh, po edhe Sulo Gorica, beratasi im i dashur, Daut Runa, labi besnik që do më bëhej baba e nënë, topalli, Emini gojëmbël, që do më linte gjënë dhe katandinë e tij, të grumbulluar në vitet e gjata të burgut dhe s’do kisha rast ta takoja as ditën e lirimit dhe asnjëherë tjetër në jetë, mustaqe verdhi Karolin Shala, hamalli i ditës së parë, po edhe miku im i viteve të më pasme, por edhe të tjerët, miq të miqve të mi, që do t’i njihja pas, u bënë ato ditë tutorët dhe avokatët mbrojtës të interesave që s’mund t’a imagjinoj dot, ç’drejtim do kish marrë jeta e mëvonshme në burg po dhe jashtë tij, nëse s’do kisha patur mbështetjen materiale dhe psikologjike të këtyre burrave të mençur. Gjithsesi me regjjen e mëvonshme në burg e mbas lirimit, jam përpjekur ta justifikoj përkrahjen që më dhanë atëkohë.

Portën e kampit të punës e kapërceva i fundit, ngaqë edhe brigada ku më emëruan, rreshtohej e fundit. Kjo për dy arsye; e para: se përbëhej nga pleq të ngathët, të sëmurë kronikë dhe e dyta: një pjesë e anëtarëve të brigadës, ishin njerëzit më të besuar të komandës dhe si të tillë, duhej të mbyllnin varganin, për siguri. Në këtë brigadë, rezidenconin spiunët e birucave, mbasi ktheheshin nga misionet nëpër hetuesira. Si i shfrytëzonin si karrem, për të “peshkuar ndonjë krap të madh”, (veprimtari për të cilën do të flasim me radhë), apo ua nxirrnin dëshmitarë të rremë grupeve të reja armiqësore, për t’iu rënduar pozitat, gjasme si pjesë e agjenturave të rrezikshme ndërkombëtare, që mandej nëpërmjet dënimeve monstruoze, të shantazhonin publikun e terrorizuar; së fundi i binin për “verim”.

Pra, gjithë kjo kategori sistemohej në këtë brigadë, për trajtim të diferencuar. Aty ata bënin sikur punonin, por në fakt vetëm sa eglendiseshin. Ngaqë s’kishin punë, gjithë kohën sorollateshin front më front, apo grup më grup dhe nxisnin sherre. Natyrisht, kështu përmbushnim edhe detyrën që dinin t’a bënin më së miri e, që iu kishin ngarkuar, spiunllëkun. Pjesën tjetër të brigadës, e plotësonin ustallarë të mirëfilltë, si inxhinierë e teknikë të specialiteteve të ndryshëm, zanatçinj të aftë në profesionet e tyre, që ua ndjenin nevojën. Por kjo kategori, në çdo rast e rrethanë, ishin më të druajturit dhe më frikacët, jetonin me ankthin e humbjes së vendit të punës dhe tmerrin se mund të përfundonin pastaj, me të shumtët, në kazëm e lopatë.

Pjesa dërrmuese, që edhe pse ishin vërtetë specialistë të aftë, ishin caktuar në këtë brigadë, jo thjeshtë si profesionistë të mbaruar, sepse të tillë kishte pa hesap në burgje, po për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjeve të pashërueshme që trashëgonin si pasojë e viteve të gjata të dënimit. Të paktën këtu, ende shërbenin për diçka dhe s’e hanin kotë bukën e qeverisë, i shfrytëzonin deri në ekstrem, fuqitë e tyre. Brigada drejtohej nga një malazias, një komunist fanatik i arratisur nga Jugosllavia, mbas vdekjes së Stalinin. Ai kishte ardhur në Shqipëri, me shpresë se do mirëpritej si anti-revizionist. Dhe vërtetë, fillimisht u prit birinxhi mirë; e sistemuan profesor të gjuhës ruse, në një shkollë të mesme në qytetin e Elbasanit.

Po shumë shpejt për idealistin e sëmurë, do nisnin andrallat, kulti i individit dhe dogmatizmi pa cak që aplikonte udhëheqja shqiptare, do ta zhgënjenin ligsht komunistin njëzetekatër karatësh. I mësuar në vendin e tij, ku parashtrimi i mendimit tolerohej diçka më tepër, ai do shprehej edhe këtu pa rezerva. Por te ne; “kishte lalai biçak”! E lanë-e-lanë dhe kur e mbushi kupën, e arrestuan. Me dëshmitarë fallso, mbas një procesi farsë, siç zhvilloheshin zakonisht gjyqet komuniste, e dënuan dhe përfundoi në kampet e punës. Pra, komunistin atititist, e ndëshkuan si titist i thekur! Qysh nga ai moment mbi fytyrën e tij, u stampua një hije e pandashme zhgënjimi, që i mbeti për tërë jetën. Velko Stepanoviçi, kështu quhej brigadieri ynë, ishte punëtor i palodhur. Edhe pse i gjymtuar, me gishtin e madh të dorës mangët, i vinte ndoresh për çdo gjë; i bënte dora ç’ti shihte syri.

Ndonëse i dënuar, komunistët vlerësuan kontributin në fushën e teorisë marksiste-leniniste dhe aftësitë në punë, i ofruan mundësinë që të drejtonte brigadën e zanatçinjve apo, “gjytyrymëve” (jo më kotë thonë: sorra sorrës, nuk ja nxjerrë sytë), dhe Velko Stepanoviçi, e pranoi. Si burr i drejt dhe i ndershëm, serioz dhe i kulturuar, vlerësonte njerëzit me virtyte dhe karakter të fortë, siç do ta provoja edhe vet pas ca javësh; por politikisht, kish mbetur idealist i pandreqshëm; dukej ashiqare se ish indoktrinuar totalisht, nga idetë utopike komuniste, që në të ri. Mund të shtoj pa gabuar, se i tillë do jetë ndarë nga kjo botë.

Me gjithë të metat ideologjike, Velkoja përfaqësonte njeriun pozitiv, të gjithë e vlerësonin për vetitë intelektuale, për inteligjencën e spikatur dhe për karakterin e pathyeshëm. Të tillë e gjykonin edhe miqtë e mi. Edhe unë do t’ia njihja këto vlera, kur m’u dha rasti të vihesha në provë. Ai burr serioz, me mustaqe të gjera mbi buzët e holla, s’pranoi të më fajësonte, përkundrazi, m’u bë krah dhe më inkurajoi në qëndrimin tim intransigjent, bash në momentin kur kisha më tepër nevojë, për këtë inkurajim. Memorie.al

Nga Shkëlqim Abazi

Arrestet kardiake në plazhe, mjekja e Spitalit të Durrësit zbulon faktorët: Ndryshimi i temperaturës dhe…

Një 70-vjeçar nga Tirana humbi jetën në plazhin e Durrësit pasi pësoi arrest kardiak sapo u fut në det. Pushuesit e tjerë u përpoqën t’i japin ndihmën e parë duke thirrur shërbimin e urgjencës, por pa sukses.

Sipas mjekëve, mosha dhe sëmundjet kronike janë faktorë me rrezik të lartë për ngjarje me pasoja për jetën edhe kur jeni me pushime.

Aurora Rapaj, mjeke urgjence e Spitalit të Durrësit thotë: “Pacientët që janë moshë e madhe e kanë riskun shumë të madh për sa kohë futen në det pasi qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell. Janë pacientë hipertensiv, me probleme të arterieve koronare, prandaj këshillojmë të mos futen direkt në ujë sepse ndryshimi i temperaturës nuk përballohet dot nga zemra që ka probleme kardiake. Bëjnë aritmi dhe më pas arrest. Edhe sot patëm një 70-vjeçar që kishte qëndruar 3 orë në diell dhe njihej si hipertensiv dhe diabetik. Tek ne erdhi pa shenja jete.”

Por jo gjithmonë faktori moshë është vendimtar.

Këtë sezon 6 pushues kanë humbur jetën nga arresti kardiak në plazhet e Velipojës, Durrësit dhe Spillesë, mes tyre dhe një 22-vjeccar që u fut të lahej në lumë.

“Moshat e reja janë raste të rralla. Janë pacientë që nuk janë ndjekur dhe s’kanë kryer vizita mjekësore dhe tek këto mosha mendohet kryesisht që janë probleme të lindura kardiake, të padiagnostikuara më parë”, shton mjekja.

Ky 86-vjeccar nga Kosova e shijon çdo verë plazhin e Durrësit, por di të jetë dhe i kujdesshëm teksa futet në det nën kujdesin e të birit.

Një pjesë e mirë e pushuesve nuk ka njohuri mbi reagimin në çastet e para kur përballen me situata emergjente, por njoftimi i urgjencës nuk është i vetmi, pasi deri në mbërritjen e saj mund të jetë vonë.

E ndërsa hetimet për humbjet e jetëve vazhdojnë për të kuptuar më mirë shkaqet dhe rrethanat e këtyre fatkeqësive në zonat e pushimit, mjekët apelojnë për kujdes të shtuar në plazhe.

Kredia për shtëpi arrin në 26% të totalit, blerja e banesave kap rekordin e ri historik

Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh, ose rreth 466 milionë eurosh.

Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.

Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.3%. Pesha e kredisë për shtëpi ndaj totalit të huasë së dhënë në vend është rritur me shpejtësi, nga 19% në fund të vitit 2015 në 26% në fund të 2023-it.

Ritmet e rritjes janë ngadalësuar krahasuar me vitin 2022, por pjesërisht kjo i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të Euros ndaj Lekut.

Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lek vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.

Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt.

Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi procesin e normalizimit monetar dhe në fund të vitit, norma bazë në Lek ishte në nivelin 3.25%, ndërsa në Euro arriti në 4.5%.

Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në fund të vitit të kaluar ishte 4.85%. Ky nivel është pak më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022, por nga ana tjetër është më i ulëti i regjistruar në vitin 2023, duke dëshmuar se shtrenjtimi i kredisë pothuajse u frenua vitin e kaluar.

Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.2% në fund të vitit të kaluar, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Te kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e Euriborit.

Të dhënat tregojnë se edhe në muajt e parë të vitit 2024, kredia për shtëpi po vazhdon rritjen, pavarësisht se prej dy vitesh ekonomia ka hyrë në një cikël gradual të shtrëngimit monetar.

Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht, cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti.

Zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë bankare për prona vlerësohen me shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që në deklaratën e fundit për Shqipërinë i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.

Sipas FMN-së, vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë përmblidhen nga Banka e Shqipërisë në Indeksin e Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm (TPHP).

Në fund të vitit 2023, vlera e indeksit TPHP rezultoi 0.51, në rritje prej vlerës së tremujorit pararendës (0.49) dhe lehtësisht sipër vlerës së pragut krahasues (0.5).

Ecuria e nëntreguesve të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe të indeksit të çmimit të banesave, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit, monitorohet ngushtësisht.

Qëllimi është që, duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme.

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike nga FMN duket se mbështeten pikërisht te treguesit e paralajmërimit të hershëm dhe kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre./MONITOR

Kredia për shtëpi arrin në 26% të totalit, blerja e banesave

“Demokracia nuk është në gjendje të mirë”- Papa Françesku apel politikanëve: Shmangni populizimin, punoni për të ndërtuar shoqëri më të forta

Demokracia nuk është në gjendje të mirë, ka deklaruar të dielën Papa Françesku, teksa u ka kërkuar politikanëve të shmangin populizmin dhe në vend të kësaj të punojnë së bashku për të ndërtuar shoqëri më të forta.

Papa 87-vjeçar ishte në qytetin verilindor të Triestes për një vizitë, udhëtimi i tij i katërt brenda Italisë në pak më shumë se dy muaj, ndërsa përgatitet për një udhëtim 12-ditor nëpër Azi në shtator, raporton Reuters.

Duke folur në një konventë vjetore katolike romake për çështjet sociale, Papa ka thënë se shumë njerëz ndihen të përjashtuar nga demokracia, ndërsa të varfrit dhe të dobëtit janë lënë të kujdesen për veten e tyre.

“Është e qartë se demokracia nuk është në gjendje të mirë shëndetësore në botën e sotme”, ka thënë Françesku.

“Le të mos mashtrohemi nga zgjidhjet e lehta. Le të jemi të pasionuar për të mirën e përbashkët”, ka shtuar ai, duke nënvizuar dëmin e shkaktuar nga “korrupsioni dhe paligjshmëria” politike.

Ushtria serbe marshon në Bosnje, parakalimi ushtarak bëhet pa lejen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës

Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar të dielën në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedorit. Zhvillimi i parakalimit me sa duket është bërë pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës, pasi zyrtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) citohet nga Radio Evropa e Lirë të ketë thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.

“Presidenca e BeH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë. Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni,” është shprehur ai, raporton REL.

Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje e Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën jo serbe që të linin shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia. Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë.

Më shumë se 32.000 jo serbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrim. Në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore. Autoritetet e qytetit në Prijedor, në entitetin serb të Bosnjës që qeveriset nga Republika Sërpska, nuk lejojnë asnjë memorial në kujtim të qytetarëve të vrarë të Prijedorit.

Vrau bashkëjetuesin e ish-gruas/ Gjykata vendos burg pa afat për Xhuliano Miajn

Nën masa të rrepta sigurie ka mbërritur në gjykatën e shkallës së parë të rrethit gjyqësor Fier, 39-vjecari Xhuliano Miaj.

Autori i vrasjes së 24-vjecarit Xhimi Bakaj ka dalë pasditen e kësaj të diele para trupit gjykues me gjyqtar Vladimir Cjapin dhe avokat Niko Bega për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjykata vendosi “burg pa afat” për Miajn.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në rrugën “ Ramiz Aranitasi”, ku pas nje konflikti për motive të dobëta, Miaj ka qëlluar tre herë me thikë 24-vjeçarin, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Sipas burimeve policore, shkak i kësaj përplasjeje fizike ka qenë divorci ndërmjet autorit dhe ish- bashkëshortes, me të cilën ka dy fëmijë. Kjo e fundit kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa dhe bashkëjetonte me 24-vjeçarin.

Del Boske analizon suksesin e Spanjës kundër Gjermanisë: Dy emigrantë na kanë bërë më të mirë

Ish-trajneri i Spanjës Visente del Boske ka analizuar suksesin e kombëtares spanjolle kundër Gjermanisë në çerekfinale.

 

Duke folur për “Cadena SER”, ish-trajneri me të cilin Spanja fitoi gjithçka ka vlerësuar ekipin e De la Fuentes dhe veçanërisht dy yjet e vegjël të Spanjës, Lamine Jamal dhe Niko Uilliams.

“Ne kemi dy emigrantë që na kanë bërë më të mirë si skuadër, ka njerëz që nuk i pëlqejnë shumë emigrantët. Dhe sa krenarë janë ata që mund të luajnë për kombëtaren spanjolle. Ata janë dy lojtarë të mrekullueshëm. Tani shpresoj që pas suksesit ndaj Gjermanisë, t’i shkojmë deri në fund kompeticionit”, deklaroi Visente del Boske.

Detaje/ Aksident i trefishtë në aksin Elbasan-Peqin

Tre automjete janë përplasur në aksin Elbasan-Peqin.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Vidhas. Nga përplasja drejtuesit e automjeteve kanë pësuar lëndime të lehta, pa rrezik për jetën. Ndërsa mjetet kanë pësuar dëme materiale.

Në vendin e ngjarjes shkoi policia e cila normalizoi trafikun dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.