25.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025

Dosja ‘Beqaj’, gazetari zbardh detaje: Ka bërë shkelje të paimagjinueshme me tenderat

Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në një emsion televiziv, bëri me dije se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja gjatë kohës që ishte në krye të agjencisë SASPAK ka bërë shkelje të paimagjinueshme me tendrerat.

Ai shprehet se për një tender është paguar dy herë dhe nga Ministria e Turizmit dhe nga SASPAK.

Janë bërë dhe shkelje të paimagjinueshme siç përshkruan dhe nga ana e prokurorisë së posaçme ku madje dhe për një tender janë paguar dy herë paratë pra nëse janë paguar nga Ministria e Turizmit nga ana tjetër dhe agjencia SASPAK kishte kryer fatura dhe procedura tenderimi për të njëjtin event, të organizuar më të njëjtën datë dhe me të njëjtën axhendë. Nga ana tjetër duhet të jemi korrekt, SPAK thotë që megjithëse kontratat lëshoheshin para se të nënshkruheshin dhe dokumentacioni firmosej shumë më vonë. Sipas avokatëve të personave të hetuar SPAK ka neglizhuar marrjen ë një manuali si veprohet më donacionet e huaja” tha gazetari.

Gjithashtu Ferhati bën me dije se Beqaj kishte përfshirë dhe bashkëshorten e tij në aksione dhe se bizneset e saj nuk janë raportuar me parë.

Beqaj ka pasur detyrimin që të raportuar për bizneset e bashkëshortes së tij. Të jesh bashkëshortja e një personi me detyra të larta shtetërore nuk të pengon të bësh biznes, fakti që ai nuk i ka deklaruar qoftë aksionet që bashkëshortja e tij ka pasur, qoftë në restorantin ‘Gzona’ qoftë dhe investimet që janë kryer me paratë e Ilir Beqaj. Nuk e di pse ka zgjedhur zoti Beqaj, pasi ka lënë gjurmë, duke pasur një marrëdhënie biznesi më bashkëshorten e tij, çdo politikan i përgjegjshëm ose që e njeh ligjin nuk do të bënte një gabim të tillë” tha ai.

“Fronti i majtë në Francë pak shanse për postin e kryeministrit”/ DW: Po synon të pengojë fitoren e nacionalistëve të djathtë

“Fronti i Ri Popullor” mund të fitojë shumë mandate në raundin e balotazhit në Francë. Por kryeministri nuk do të jetë nga radhët e tij. Presidenti Macron i do të majtët shumë më pak se të djathtët.

I qartë dhe e drejtpërdrejtë: “Asnjë votë për Rassemblement National, asnjë deputet i Rassemblement National” – ky është mesazhi i thjeshtë i së majtës në Francë me të cilën ajo synon të pengojë fitoren nacionalistëve të djathtë. Udhëheqësi i partisë ekstremiste të majtë “Franca rebele”, Jean-Luc Melenchon, e përsëriti vazhdimisht këtë emërues më të vogël të përbashkët të “Fronti i Ri Popullor” (“Nouveau Front populaire”) gjatë fushatës së shkurtër përpara raundit të dytë. të zgjedhjeve parlamentare. Ekstremistët e majtë, socialistët, socialdemokratët dhe të Gjelbrit bashkuan shpejt forcat duke formuar një aleancë zgjedhore pas shpërbërjes së habitshme të Asamblesë Kombëtare katër javë më parë. Ata ranë dakord të dalin vetëm me një kandidat për zonë zgjedhore dhe në këtë mënyrë arritën të fitonin 28 për qind të votave – duke u renditur të dytët, pas nacionalistëve të djathtë të Marine Le Pen-it që fituan 29.3 për qind.

Sipas të gjitha sondazheve pritet që edhe në raundin e dytë Rassemblement National të dalë nga zgjedhjet më e fortë se kurrë dhe  do të jetë ndoshta grupi më i madh në parlamentin francez. Fronti i Ri Popullor do të përbëjë grupin e dytë më të madh të parlamentit, kurse partia liberal-centriste “Ensemble” e Presidentit Macron do të ketë shumë pak deputetë

Rivalitet në kampin e majtë

71-vjeçari Jean-Luc Melenchon, i cili shpesh provokon me teza anti-izraelite dhe teori konspirative, dëshiron të bëhet kryeministër i ri. Por ai nuk gëzon simpati në kampin e Frontit të Ri Popullor për shkak të retorikës së tij radikale dhe shpesh agresive.

Gjatë fushatës zgjedhore evropiane, Melenchon debatonte shpesh me eurodeputetin socialist Raphael Glucksmann (44) duke e ofenduar si “bashkëpunëtor” të shtetit të Izraelit. Glucksmanni e akuzon Melenchon për “brutalizimin” e politikës. Raphael Glucksmann dhe partia e tij “Sheshi Publik” i përkasin gjithashtu frontit popullor të formuar me nxitim kundër nacionalistëve të djathtë. Glucksmann tha se nuk ishte më fjala për parlamentin, por për një referendum mbi çështjen nëse Franca do të qeveriset për herë të parë në historinë e saj nga nacionalistët e djathtë.

Melenchon nuk ka shanse për kryeministër

Teorikisht është e mundur që përmes një koalicioni të të majtëve të Frontit të Ri Popullor dhe të centristëve liberalë të Presidentit Macron të parandalohet një qeveri e e nacionalistëve të djathtë të Rassemblement National. Por në praktikë kjo do të jetë e vështirë, sepse presidenti Emmanuel Macron e konsideron të majtën “katër herë më të keqe” se të djathtën.

“Ata nuk e duan laicizmin. Ata refuzojnë ligjet e imigracionit që na lejojnë ta menaxhojmë më mirë atë. Dhe duan gjëra groteske si ndryshimi i gjinisë të bëhen me dokumente vetëm duke shkuar në bashki,” tha Macron në një intervistë për gazetën Le Parisien. Pas një takimi të kabinetit ditën e mërkurë (03.07.) Macroni përsëriti edhe një herë se e përjashton një aleancë mes partisë së tij dhe Frontit të Ri Popullor.

“Parlamenti në Francë fiton peshë”

Zgjedhjet mund të riformësojnë edhe ekuilibrat politikë të Fracës, thotë profesori i sociologjisë Eric Fassin nga Universiteti i Parisit. Deri tani, presidenti, si njeriu i fortë në krye të republikës së pestë, ka qenë relativisht i fuqishëm në raport me parlamentin. “Me bastin e tij politik, Macron ka krijuar një situatë që e minon pozicionin e tij. Kjo do të rezultojë në një post presidenti që nuk do të jetë më aq i rëndësishëm.” Sipas Eric Fassin-it nëse përmes formimit të qeverisë parlamenti do të bëhet më i rëndësishëm, nuk do të ketë më nevojë për një njeri të fortë./DW

Raundi i dytë i zgjedhjeve në Francë, e djathta ekstreme shpreson në një fitore historike

Franca voton sot në një nga zgjedhjet e saj më të rëndësishme në vite, me të djathtën ekstreme që shpreson për një fitore historike, por ngërçi politik është rezultati më i mundshëm.

Kjo është hera e parë që Tubimi Kombëtar kundër imigracionit (RN) i Marine Le Pen dhe Jordan Bardella ka pasur një shans realist për të drejtuar qeverinë dhe për të marrë kontrollin e plotë të Asamblesë Kombëtare.

Por pas fitores së RN në raundin e parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën e kaluar, qindra kandidatë rivalë u larguan për t’u dhënë të tjerëve një shans më të mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme.

Votimi  Francë fillon në orën 08:00 dhe sondazhet e para do të publikohen 12 orë më vonë.

Cilido qoftë rezultati, është e vështirë të shohësh Presidentin Emmanuel Macron të dalë nga ky “pus”, raporton BBC.

Joan Didion: Pse shkruaj

Përktheu Granit Zela

Sigurisht që titullin për këtë diskutim e huazova nga George Orwell-i. Një arsye pse e huazova ishte se më pëlqen tingulli i fjalëve: Pse shkruaj. Këtu keni tre fjalë të shkurtra, krejt të qarta që ndajnë një tingull, dhe tingulli që ata kanë të përbashkët është ky: Unë, Unë, Unë.[1]

Në shumë mënyra, të shkruarit është akti i të thënit “unë”, i imponimit të vetvetes ndaj njerëzve të tjerë, i të thënit dëgjomë, shiko siç shoh unë, ndrysho mendim. Është një akt agresiv, madje edhe armiqësor. Mund ta maskosh agresivitetin e tij sa të duash me vello fjalish nënrenditëse, me cilësor dhe fjali të mënyrës lidhore, me elipse dhe aluzione, duke përdorur nënkuptime në vend të pohimeve, por nuk mund të shmanget fakti që hedhja e fjalëve në letër është taktika e një tirani të fshehtë, një pushtim, një imponim i ndjeshmërisë së shkrimtarit në hapësirën më private të lexuesit.

E huazova titullin jo vetëm sepse fjalët tingëlluan si duhet, por sepse dukej se përmblidhnin, në një mënyrë jo të pakuptimtë, gjithçka që duhet t’u them. Ashtu si shumë shkrimtarë, unë kam vetëm këtë “temë”, këtë “lëmë”, aktin e të shkruarit. Nuk mund t’u sjell asnjë raport nga ndonjë front tjetër. Mund të kem interesa të tjera: jam “e interesuar”, për shembull, për biologjinë detare, por nuk e lajkatoj veten aq sa të besoj se do të më dëgjonit të flas për të. Nuk jam dijetare. Nuk jam aspak intelektuale, që nuk do të thotë se kur dëgjoj fjalën “intelektual” zgjat dorën të kap armën, por vetëm për të thënë që nuk mendoj në mënyrë abstrakte. Gjatë viteve kur isha studente në Berkeley, u përpoqa, me një lloj energjie të pashpresë të adoleshencës së vonë, të blija një vizë të përkohshme për në botën e ideve, për të krijuar një mendje që mund të merrej me abstrakten.

Gjithçka që dija atëherë ishte ajo që nuk isha dhe m’u deshën disa vite për të zbuluar se çfarë isha. Me pak fjalë u përpoqa të mendoj. Dështova. Vëmendja ime u kthye në mënyrë të pashmangshme tek e veçanta, tek e prekshmja, tek ajo që përgjithësisht merrej parasysh nga të gjithë ata që njihja atëherë dhe për këtë çështje e kam njohur që atëherë, me periferiken. Përpiqesha të mendoja për dialektikën hegeliane dhe e gjeja veten duke u përqendruar në një dardhë të lulëzuar jashtë dritares dhe në mënyrën e veçantë se si petalet binin. Përpiqesha të lexoja teori gjuhësore dhe pyesja veten nëse dritat ishin ndezur në Bevatron, atje lart në kodër. Kur them se pyesja veten nëse dritat ishin ndezur në Bevatron, ju mund të dyshoni menjëherë, nëse merreni me fushën e ideve se po e regjistroja Bevatronin si një simbol politik, duke menduar shkurtimisht për kompleksin ushtarako-industrial dhe të tij, për rolin në komunitetin universitar, por do të gaboni. Pyesja vetëm nëse dritat ishin ndezur në Bevatron dhe si dukeshin ato. Një fakt fizik.

Pata probleme me diplomimin në Berkeley, jo për shkak të paaftësisë për t’u marrë me idetë – isha diplomuar në anglisht dhe mund të gjeja imazhet e shtëpisë dhe kopshtit në “Portreti i një zonje” të Henry James-it, si të tjerët, “imazhet” duke qenë sipas përkufizimit lloji specifik që më tërhoqi vëmendjen – por thjesht sepse kisha nënvlerësuar ndjekjen e një kursi për Miltonin. Për arsye që tani tingëllojnë si barok, më duhej një diplomë deri në fund të asaj vere, dhe departamenti i anglishtes më në fund ra dakord, nëse do të veja çdo të premte dhe të flisja për kozmologjinë e “Parajsa e humbur”, për të më vërtetuar se jam e aftë në analizën e veprës së Miltonit. E bëra.

Për disa të premte rresht mora autobusin e Greyhound-it, të premteve të tjera kapja trenin e linjës së Paqësorit Jugor në pjesën e fundit të segmentit të tij transkontinental për në San Françisko. Nuk mund t’ju them nëse Miltoni e vendosi diellin apo tokën në qendër të universit të tij te “Parajsa e humbur”, çështja qendrore e të paktën një shekulli dhe një temë për të cilën atë verë shkrova dhjetë mijë fjalë, por ende më kujtohet, ngurtësia e saktë e gjalpit në vagonin -restorant të qytetit të San Franciskos dhe mënyra se si xhamat e lyer të autobusit reflektonin  rafineritë e naftës rreth ngushticës Carquinez, në një dritë të hirtë dhe të turbullt. Me pak fjalë, vëmendja ime ishte gjithmonë në periferi, në atë që mund të shihja, shijoja dhe prekja, te gjalpi dhe autobusi. Gjatë atyre viteve udhëtoja me atë që e dija se ishte një pasaportë shumë e pasigurt, letra të falsifikuara: e dija që nuk isha banore legjitime në asnjë botë idesh. E dija që s’mund të mendoja. Gjithçka që dija atëherë ishte ajo që nuk mund të bëja. Gjithçka që dija atëherë ishte ajo që nuk isha dhe m’u deshën disa vite për të zbuluar se çfarë isha.  Isha shkrimtare.

Me këtë nuk nënkuptoj një shkrimtar “të mirë” apo një shkrimtar “të keq”, por thjesht një shkrimtar, një person i cilit orët më të zjarrta kur është më i kredhur në mendime i harxhon duke renditur fjalët në letër. Nëse arritjet e mia profesionale do të ishin në rregull, nuk do të isha bërë kurrë shkrimtare. Nëse do të kisha qenë e bekuar me qasje të kufizuar në mendjen time, nuk do të kishte pasur arsye për të shkruar. Unë shkruaj vetëm e vetëm për të zbuluar se çfarë po mendoj, çfarë po këqyr, çfarë arrij të shoh dhe çfarë domethënie ka. Të zbuloj atë që dua dhe atë së cilës i frikësohem. Pse rafineritë e naftës rreth ngushticës Carquinez më dukeshin të këqija në verën e vitit 1956? Pse dritat e natës në Bevatron digjen në mendjen time për njëzet vjet me radhë? Çfarë po ndodh në këto fotografi në mendjen time?

Kur flas për fotografi në mendjen time, po flas, konkretisht, për imazhe që shkëlqejnë. Dikur kishte një ilustrim në çdo libër të psikologjisë elementare që tregonte një mace të vizatuar nga një pacient në faza të ndryshme të skizofrenisë. Kjo mace kishte një vezullim rreth saj. Mund të shihje strukturën molekulare të prishur në skajet e maces: macja u bë sfondi dhe sfondi macja, gjithçka ndërvepronte, duke shkëmbyer jone. Njerëzit me halucinogjen përshkruajnë të njëjtin perceptim të objekteve. Unë nuk jam skizofrene, as nuk marr halucinogjene, por disa imazhe vezullojnë për mua. Shikoni aq fort sa duhet dhe patjetër do ta pikasni shkëlqimin. Aty është. Nuk mund të mendosh shumë për këto foto që vezullojnë. Thjesht afroji dhe i lini të qartësohen. Ju qëndroni të qetë. Mos flisni me shumë njerëz dhe mbani sistemin nervor që të mos rrënohet dhe përpiquni të gjeni macen në atë vezullim, gramatikën në fotografi.

Ashtu siç e kam fjalën për “vezullim” në kuptimin e mirëfilltë, po këtë dua të them me fjalën “gramatikë”. Gramatika është një piano që e luaj me vesh, pasi më duket se nuk kam qenë në shkollën gjatë vitit kur u dhanë mësim rregullat. Gjithçka që di për gramatikën është fuqia e saj e pafundme. Zhvendosja e strukturës së një fjalie ia ndryshon kuptimin, në mënyrë aq rrënjësore dhe të padiskutueshme sa pozicioni i një kamere ndryshon kuptimin e objektit të fotografuar. Shumë njerëz tani kanë njohuri për këndet e përdorimit të kamerës, por jo aq shumë dinë për fjalitë. Rregullimi i fjalëve ka rëndësi, dhe renditja që dëshiron mund të gjendet te fotografia në mendjen tënde. Fotografia dikton rregullimin. Fotografia dikton nëse kjo do të jetë një fjali me ose pa pjesë nënrenditëse, një fjali që mbaron duke kulmuar ose një fjali që vdes në rënie, e gjatë apo e shkurtër, e mënyrës veprore apo pësore. Fotografia tregon si t’i renditni fjalët dhe renditja e fjalëve të tregon, ose më tregon mua, çfarë po ndodh në fotografi. Vini re:  të tregon. Nuk jeni ti që i tregon.

Më lejoni t’ju tregoj se çfarë dua të them me fotografi në mendje. Fillova një roman “Luaj me kartat e tua”, ashtu siç kam filluar secilin prej romaneve të mi, pa asnjë nocion për “personazhin” ose “subjektin” apo edhe “ndodhinë”. Kisha vetëm dy fotografi në mendje, për një qëllim teknik, i cili ishte të shkruaja një roman aq eliptik dhe të shpejtë sa të përfundonte para se ta vije re, një roman aq i shpejtë sa zor se do të ekzistonte në faqe. Për sa u përket fotografive: e para ishte ajo e një hapësire të bardhë. Hapësirë boshe. Ishte padyshim, fotografia që diktoi qëllimin narrativ të librit – një libër në të cilin çdo gjë që ndodhte do të ndodhte jashtë faqes, një libër “i bardhë” tek i cili lexuesit do t’i duhej të sillte ëndrrat e këqija – dhe megjithatë kjo fotografi nuk më tregonte asnjë “histori”, nuk sugjeronte asnjë situatë. Fotografia e dytë e bënte. Kjo fotografi ishte e diçkaje ku kisha qenë dëshmitar. Një grua e re me flokë të gjata dhe një fustan të shkurtër të bardhë ecën nëpër kazino në Riviera në Las Vegas në orën një të mëngjesit. Ajo kalon e vetme kazinon dhe ngre receptorin e një telefoni shtëpie. E shikoj sepse e kam lexuar në gazeta dhe ia di emrin: është aktore e dorës së dytë që e shoh herë pas here nëpër Los Anxhelos, në vende si teatri dhe një herë në zyrën e një gjinekologu në klinikën Beverly Hills, por nuk jam takuar kurrë me të. Nuk di asgjë për të. Kush po e përfshin në filma? Pse është ajo këtu për të aktruar? Si ndodhi saktësisht? Ishte pikërisht ky çast në Las Vegas që bëri që rrëfimtari i romanit tim “Luaj me kartat e tua” të fillonte të më tregonte për veten, por kjo shfaqet në roman vetëm në mënyrë të tërthortë, në një kapitull që fillon kështu: “Maria bëri një listë të gjërave që nuk do t’i bënte kurrë. Kurrë nuk do të ecte vetëm nëpër lagjet Sends ose Sizër pas mesnate.  Kurrë nuk do të merrte pjesë në një festë, të bënte veprime sadomazokiste pa dëshirën e saj, nuk do të merrte hua peliçe nga Abe Lipsey, fjala – fjalë. Kurrë nuk do të mbante një Yorkshire në Beverly Hills”. Ky është fillimi dhe gjithashtu fundi i kapitullit, i cili mund të sugjerojë se çfarë dua të them me “hapësirë e bardhë”.

Më kujtohet se kisha një sërë fotografish në mendjen time kur fillova romanin që sapo mbarova, “Libri i lutjes së përbashkët”. Në fakt, një nga këto fotografi ishte e atij Bevatron-it që përmenda, megjithëse do ta kisha të vështirë t’ju tregoja një histori në të cilën bëhet fjalë për energjinë bërthamore. Një tjetër ishte një fotografi gazete e një avioni 707 të rrëmbyer që digjej në shkretëtirë në Lindjen e Mesme. Një tjetër ishte pamja e natës nga një dhomë në të cilën një herë kalovaa një javë me ethe, një dhomë hoteli në bregdetin kolumbian.

Bashkë me bashkëshortin ishim në bregdetin kolumbian duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një festival filmi (më kujtohet se e përmenda shumë emrin Jack Valenti, sikur përsëritja e tij mund të më bënte mirë), dhe ishte një vend i keq për të të kapur ethet, jo vetëm sepse sëmundja ime fyente nikoqirët tanë, por sepse në këtë hotel çdo natë nuk punonte gjeneratori. Ikën drita. Ashensori ndaloi. Im shoq vajti në festën e mbrëmjes, justifikonte mospraninë time, ndërsa unë rrija vetëm në këtë dhomë hoteli, në errësirë. Mbaj mend që rrija në dritare duke u përpjekur të lidhesha me telefon me Bogotán (telefoni dukej se funksiononte në të njëjtin parim si gjeneratori), shikoja erën e natës që frynte dhe pyesja veten se çfarë po bëja njëmbëdhjetë gradë jashtë ekuatorit me një temperaturë ethesh. Pamja nga ajo dritare padyshim shfaqet  në Libër i lutjes së përbashkët, ashtu si edhe avionit 707 që digjet, dhe megjithatë asnjë nga këto fotografi nuk më tregoi historinë që më duhej.

Fotografia që shkëlqeu dhe bëri që këto imazhe të tjera të bashkoheshin, ishte ajo e aeroportit të Panamasë në orën 6 të mëngjesit. Kam qenë në atë aeroport vetëm një herë, ishte një aeroplan për në Bogota që ndaloi për një orë për t’u furnizuar me karburant, por mënyra se si dukej atë mëngjes mbeti e mbivendosur mbi gjithçka që pashë deri në ditën kur mbarova Libër i lutjes së përbashkët. E kam përjetuar atë aeroport për disa vite. Ende mund ta ndjej ajrin e nxehtë kur zbres nga avioni, mund të shoh nxehtësinë që po ngrihet tashmë nga asfalti në orën 6:00 të mëngjesit. Mund ta ndjej fundin e lagur dhe të rrudhosur në këmbët e mia. E ndjej se si ngjitet asfalti në sandale. Më kujtohet bishti i madh i një avioni amerikan që pluskonte pa lëvizur në fund të asfaltit. Më kujtohet zhurma e një automati në dhomën e pritjes. Mund t’ju them se mbaj mend një grua të veçantë në aeroport, një grua amerikane, një norte amerikana e hollë rreth të dyzetave që mbante një smerald të madh katror në vend të unazës së martesës, por nuk kishte një grua të tillë atje.

E vura këtë grua në aeroport më vonë. E sajova, ashtu si më vonë krijova një shtet për të vendosur aeroportin dhe një familje për të drejtuar vendin. Kjo grua në aeroport as nuk po kap një avion dhe as nuk po takon njeri. Ajo po porosit çaj në kafenenë e aeroportit. Në fakt ajo nuk po “porosit” thjesht çaj, por ngul këmbë që uji të vlohet, përballë saj, për njëzet minuta. Pse është kjo grua në këtë aeroport? Pse nuk shkon askund, dhe ku ka qenë më parë? Ku e gjeti atë smerald të madh? Çfarë çrregullimi ose mosshoqërimi e bën të besojë se vullneti i saj për të parë ujin e vluar mund të fitojë? Kishte katër muaj që shkonte nga një aeroport në tjetrin, mund ta shihje me sytë e ngulitur te vizat në pasaportën e vet. Të gjithë ata aeroporte ku ishte vulosur pasaporta e Sharlotë Dagllasit do të dukeshin njësoj. Ndonjëherë te tabela në kullë lexohej “BIENVENIDOS” dhe nganjëherë lexohej “BIENVENUE”, disa vende ishin të lagështa dhe të nxehta dhe të tjera ishin të thata dhe të nxehta, por në secilin prej këtyre aeroporteve muret prej betoni ndryshken dhe njolla dhe këneta prej uji jashtë pistës ishte e mbushur me trupat e avionëve dhe uji kishte nevojë të vlohej.

“E dija pse Sharlota shkoi në aeroport edhe nëse Viktori nuk e dinte. E dija punën e aeroporteve”. Këto rreshta shfaqen afërsisht në gjysmë të librit, por i shkrova gjatë javës së dytë që punova për librin, shumë kohë përpara se të kisha ndonjë ide se ku kishte qenë Sharlotë Dagllas ose pse shkoi në aeroporte. Derisa shkrova këto rreshta, nuk kisha në mendje asnjë personazh të quajtur Viktor: nevoja për të përmendur një emër dhe emrin Viktor, më erdhi në mendje kur shkruaja fjalinë. “E dija pse Sharlota shkoi në aeroport” dukej e paplotë. “E dija pse Sharlota shkoi në aeroport edhe nëse Viktori nuk e dinte” kishte pak më shumë fuqi rrëfimore. Më e rëndësishmja nga të gjitha, derisa shkrova këto rreshta nuk e dija kush isha “unë”, kush po e tregonte historinë. Kisha synuar deri në atë çast që “unë” të mos ishte më shumë se zëri i autorit, një rrëfimtar i gjithëdijshëm i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Por ja ku ishte: “E dija pse Sharlota shkoi në aeroport edhe nëse Viktori nuk e dinte. Unë e dija punën e aeroporteve”.

Ky “unë” nuk ishte zëri i asnjë autori në shtëpinë time. Ky “unë” ishte dikush që jo vetëm e dinte pse Sharlota shkoi në aeroport, por njihte edhe dikë që quhej Viktor. Kush ishte Viktori? Kush ishte ky rrëfimtar? Pse po ma tregonte ky rrëfimtar këtë histori? Më lejoni t’ju them një gjë për arsyen pse shkrimtarët shkruajnë: po ta kisha ditur përgjigjen e ndonjërës prej këtyre pyetjeve, nuk do të më ishte dashur kurrë të shkruaja një roman. / exlibris.al


[1]  Në anglisht “Why I Write”, shënim i përkthyesit.

“E vdekur dhe e varrosur”- Kryeministri i britanik i jep fund skemës së shumë diskutuar të dërgimit të emigrantëve në Ruanda

Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe Keir Starmer ka thënë se skema e Rishi Sunak për të dërguar emigrantët në Ruanda është ‘e vdekur dhe e varrosur’, duke nënkuptuar kështu se nuk do të zbatohet.

 

Starmer, i cili fitoi zgjedhjet dy ditë më parë me një rezultat të thellë, gjithashtu ka njoftuar se do të vizitojë të katër vendet e Mbretërisë së Bashkuar duke argumentuar se ai kishte siguruar një mandat mbarëkombëtar me fitoren e tij.

Keir Steamer tha se fitorja e tij në zgjedhje që i dha fund sundimit 14-vjeçar të konservatorëve, u kishte dhënë laburistëve një “mandat të qartë për të qeverisur për të katër anët e Mbretërisë së Bashkuar”.

Kryeministri ritheksoi angazhimin e qeverisë laburiste për rritjen ekonomike, tek e cila administrata e tij po mbështetet për të ofruar investime jetike në shërbimet publike pa rritur taksat apo huazuar më shumë para.

Javën e ardhshme, Keir Steamer do të bëjë debutimin e tij në skenën ndërkombëtare kur të udhëtojë në Uashington DC për samitin e liderëve të NATO-s . Ai do të presë gjithashtu Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Mbretërinë e Bashkuar në 18 korrik.

Betejë shterruese me ligjshmëri e qytetari, jo me konspiracion e ujdi, molotov e qysqi!

Nga Azgan Haklaj

“Udhëtimi dhe prapaskenat e simboleve të PD-së!

U bënë 3 vite që demokratët shqiptarë po përballen me preçedentë e fenomene jo vetëm të pashoq por dhe të pahasur ndonjëherë juridikisht në asnjë rast dhe në asnjë vend në.
Ka qenë i pritshëm reaksioni i kastës së vjetër të diktaturës dhe i inercisë që dikton mentaliteti i saj, por kur kjo betejë e pamoral zhvendoset mu në zemrën funksionale të këtij institucioni politik siç është rasti i PD-së situata komplikohet dhe futet në mos në hullinë e vetshkatërrimit në atë të ngatërrimit marramendës.
Pa dashur të bëj parantezë të gjatë pasi kjo skenë është e njohur për gjithkënd po i qasem logjikisht e juridikisht problemit që Jo vetëm shqetëson por po tenton të çojë në vetëasgjesim PD-në institucionin e shpresës lirisë e pluralizmit që lindi 34 vite më parë.
Është fjala për lojën e çmendur revolucionare e fatkeqësisht sot edhe juridike me simbolet, siglat dhe vulën e saj të cilat janë kthyer në temë e ditës duke tentuar me strategji harresën ndaj korrupsionit e krimit shtetëror, inceneratoreve, korrupsionit të sofistikuar të jakave të bardha 5D, 3D, vjedhjet e fondeve të BE-së nga Beqaj e Krifca e deri tek bluzat e bardha që bënin biznes me ditët e fundit të njerëzve që luftonin me vdekjen, ngjarje tronditëse kjo që ka arritur majat e tejskajet e padëgjuara në një vend që aspiron integrimin europian.
Kjo situatë kulmoi nga një vendim i Departamentit të shtetit duke shpallur Sali Berishën non grata.
I parainformuar për këtë Berisha dhe enturazhi i tij i ndihmuar herë haptas e herë fshehtas nga Edi Rama dhe establishmeti i vjetër politik ndërmori një kryqëzatë kundër PD-së dhe lidershipit luajal të saj për ta shndërruar në mjet mbrojtjeje e protagonizmi për hallet e tij.
Inkursioni i Berishës filloi me retorikë linçuese e shpifëse ndaj Lulzim Bashës, pasuar me foltore, me një tubim jo statutor në stadiumin e futbollit duke e përmbyllur me antifadë në selinë e PD-së, i ndimuar dhe nga një vendim gjyqsor, sa i pa sens po aq dhe kriminal i njohur si vendimi “Zhukri”.
Tërheqja strategjike për hir të refleksionit për unitet i kryetarit të ligjshëm të PD-së Lulzim Basha i dha zemër papërgjegjshmërisë, paligjshmërisë dhe agresvitetit të Sali Berishës duke konsoliduar enturazhin e tij si “Rithemelimi” e duke vepruar deri dhe ne fushata zgjedhore me simbole e sigla të vjedhura e të falsifikuara.
Mirëpo e gjithë kjo ndodhi me dhunë dhe aspak me konfirmime juridike sepse askush nuk guxonte të ligjëronte këtë paligjshmëri ndaj Partia Demokratike zyrtare gezonte imuntitetin e saj të pacënuar juridik e elektoral duke pasur të regjistruar kryetarin e forumet e saj, vulën dhe siglat, si dhe buxhetin e komisionerët elektoralë që
ja siguronte ligji.
Kështu që formacioni revolucionar luftarak “Berisha” edhe formalisht po formëzohej në dukje si diçka tjetër jashtë PD-së.
Natyrisht që kjo solli pështjellim e ngatërresa, por ështl fakt që në 3 palë zgedhje, një të përgjithshme lokale e dy parciale Sali Berisha konkuroi me grupacionin “Rithemelim” pa e legalizuar por duke e kamufluar nën çadrën e Partisë LSI-së , sot e Lirise të Ilir Metës.
Është për tu theksuar fakti së në të tre rastet ai bëri thirrje publike mos e votoni PDSH-në e sot e ka grabitur me truke të drejtësisë Rama-Balluku!
Ndëshkimi i dytë për Berishën nga Mbretëria e Bashkuar vetëm sa e egërsoi më shumë atë dhe e futi në rrugën e sofistikimit e konsipracionit për të grabitur ç’do gjë të ligjshme në PD dhe për ta vendosur si mburojë e rrufepritës privat në ballkonin e rrugicës së “shpresës” ku gjendet i syrgjynosur nga vendimi i SPAK-ut.
Duke qënë i ndërgjegjshëm se aktiviteti politik i Rithemelimit ishte i paligjëruar dhe i paliçensuar Berisha hodhi hapin e tretë sa konspiativ po aq dhe me suport nga Edi Rama në këmbim të ujdisë e koabitacionit politik për të ruajtur të pacënuar status quonë politike 30 -vjeçare.
U gjet një trupë gjyqtarësh në Gjykatën e Apelit e cila në shkelje flagrante të ligjit rrëzoi hirarkinë gjyqsore dhe refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës së Lartë për gjykim në themel të dosjes, por mori një vendim të pjesshëm, dhe me proçedurë thjesht rrëzoi ankimimin dhe urdhëroj dorëzimin e Partisë Demokratike Zyrtare te ballkoni bunker anti-amerikan si dhe simbolet dhe legjetimitetin e kësaj force politike partnere adekuate e SHBA-së BE-së, Mbretërisë së Bashkuar.
Kështu pra qartazi kemi një përvetësim të paligjshëm të titullit zyrtar të PDSH-së nga foltorja, me falsifikim nga Rithemelimi dhe me shpërdorim detyre nga Zhukri dhe tre gjyqtaret e apelit, të cilët me vendimet e tyre kanë shkelur haptazi ligjin e partive politike konform kushtetutës.
Për këdo rrugët konsiprative anti ligjore e korruptive të vendimit absurd të Gjykatës së Apelit janë të qarta:
Edi Rama në prapaskenë e zv e tij Balluku në ballë diktuan këtë vendim kriminal i cili do të kontestohet juridikisht që nga rekursi në Gjykatën e Larte deri te kallzimi penal për shkeljet e rënda e falsifikimet që nga formularët e paçertifikuar sipas statutit, apo para një noteri dhe vulosja e tyre me një vulë të një dege lokale deri te shkeljet me qëllim të ligjit nga gjyqtarët përgjegjës.
Pra tashmë është e vertetuar se Rithemelimi ka konsumuar disa vepra penale dhe ka funksionuar si grup i strukturuar kriminal.
E përpos këtyre grupacioni “fitues” Rithemelimi Berisha nuk figuron si PD por si Rithemelim që ka uzurpuar PDSH-në.
Pra siç e kam potencuar që me 12-të qershor rruga e bunkerit dhe Bermudës për të
grabitur vulën do të përfundojë me një vulë që e ka bishtin prapa, apo si skrapi i Çuçit.
Shumëkush me dashakeqësi apo joinformim manipulon me deklarimin e Lulzim Bashës se ne i respektojmë vendimet e drejtësisë duke e përkthyer si paralizim të aktivitetit politik te PD-së.
Po po ne e respektojmë drejtesinë dhe respekti me i madh është kontesti në një shkallë më të lartë kombëtarë e ndërkombëtare i atyre vendimeve që rezultojnë haptas në kundërshtim me ligjet e vendit dhe kushtetutën.
E thënë troç beteja e vërtetë tani ka filluar.
PDSH- ja , demokratët euroatlantikë do i shkojnë deri në shterrim betejës se diktuar me ligjshmëri e qytetari dhe jo me konspiracion, ujdi, molotov e qysqi.

Jo vetëm Ilir Beqaj, por edhe vajza e tij në përgjime. Flet për punimet në restorantin GZONA

Një tjetër provë e fortë që i ka shërbyer SPAK-ut për të faktuar se Ilir Beqaj është pronar faktik i restorant GZONA janë edhe komunikimet e kryera nga punonjësit e restorantit të cilët duket se i raportojnë për largimet nga puna, siç rezulton nga bisedat e përgjuara, ku administratori Gazment Prenga ka kryer me shtetasin Vladimir Prenga (ish-punonjës në këtë restorant) për personin nën hetim Ilir Beqaj ai shprehet se “i ka tẽ giitha” dhe “çdo gjë e vendos Ermali”, duke kuptuar kështu se bisedat e komunikimet me personelin e restorantit dhe kontrollin mbi këtë subjekt ai e kryen nëpërmjet Ermal Kurtulaj.

Po ashtu rezulton se edhe familjarët e personit nën hetim, bashkëshortja dhe vajza e tij, në komunikimet e tyre flasin për “Gzonën” dhe për ndryshimet e bëra aty, fakte të cilat tregojnë për lidhjen e tyre me këtë restorant.

Në biseden dt. 07.07.2023 e siguruar nga gazetari i ORA NEWS, Edison Vatnikaj rezulton se biseda zhvillohet mbi ditën ky kontakti “Deborah Beqaj” pyet se “Si kaluat mbrëmë” ndërkohë kontakti “Ada Cuci” i pergjigjet se “Mirë shumë.

Te Gzona është bërë shumë nice me ndryshimet e reja… Oo kanë bërë shumë.

Ka ardh një çun i ri që merret aty … Është shtruar poshtë me drasa dhe është bërë me 2 pjesë”.

Trajneri i Zvicrës: Nuk e merituam eliminimin, i krijuam probleme ekipeve të mëdha

Zvicra u eliminua në çerekfinalen e Europianit pasi u mposht nga Anglia pas penalltive. Pas sfidës foli edhe trajneri Murat Jakin i cili u shpreh i zhgënjyer.

 

“Një eliminim që dhemb shumë. U përpoqëm dhe krijuam shumë raste. Jam i zhgënjyer për lojtarët e mirë dhe për të gjithë kombin zviceran. Anglia nuk shfaqi shumë rrezikshmëri. Nuk e meritonim të shkonim në shtëpi, por mund të qëndrojmë krenar. Paraqitja e mirë nuk mjaftoi për të kaluar më tutje. Penalltitë janë çështje fati, por ne nuk e kishim me vete. Në këtë Europian, i krijuam Kombëtareve të mëdha shumë probleme, kështu që largohemi nga Gjermania me kokën lart“, përfundoi Jakin.

SHBA goditet nga një valë përvëluese të nxehti, temperaturat në “Luginën e Vdekjes” deri në 54 gradë

Një valë e ngadaltë të nxehti, shoqëruar potencialisht me temperatura rekord po përhapet në të gjithë pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Meteorologjik.

Rajonet juglindore dhe ato në qendër të vendit po përballen gjithashtu me një valë nxehtësi e lagështire që pritet të zgjasë.

Në kontenë Maricopa të shtetit të Arizonës, që përfshin qytetin Phoenix, këtë vit janë konfirmuar të paktën 13 raste vdekjesh të lidhura me të nxehtin, ndërsa janë nën hetim edhe 160 vdekje të tjera, të dyshuara nga nxehtësia, sipas një raporti më të fundit.

Raporti nuk përfshin vdekjen e një djali 10-vjeçar në fillim të kësaj jave në Phoenix, i cili pësoi një “incident mjekësor të lidhur me të nxehtin” ndërsa po shëtiste me familjen e tij në një prej parqeve të qarkut, njoftoi departamenti i policisë.

Ndërkohë sipas parashikimeve temperaturat në atë që njihet si Lugina e Vdekjes në Kaliforni mund të arrijnë deri në 53.8 gradë Celsius gjatë ditës së dielë dhe më pas rreth 54.44 gradë Celcius deri të mërkurën.

Rekordi zyrtar botëror për temperaturën më të nxehtë të regjistruar në Tokë është shënuar po në Luginën e Vdekjes prej 56.67 gradë Celcius në korrik të 1913, por disa ekspertë i kundërshtojnë të dhënat dhe thonë se rekordi i vërtetë është prej 54.44 gradë Celcius, i regjistruar në korrik të vitit 2021./VOA

Lejuan përvetësimin e 7500m2 tokë me dokumente të falsifikuara, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq tre ish-zyrtarë! Ja akuzat

Prokuroria e Tiranës çoi  në gjyq tre ish-zyrtarët e Komunës Bërxullë për ‘Shpërdorim detyre’ si dhe një person tjetër  për ‘Falsifikim të dokumenteve’

 

Sipas prokurorisë, tre ish zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë në Bërxullë nga shtetasi K.A., i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë.

Punonjësit, sipas prokurorisë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.

Njoftimi i Prokurorise

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet për procedimin penal nr.5783 të datës 16.09.2020 dhe dërgoi në gjyq katër persona, mes tyre tre ish-zyrtarë të komunës Bërxullë, për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’, ‘Falsifikim të dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar në nenet 248, 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, shtetasit Y.M., K.B., A.L. në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë në Bërxullë nga shtetasi K.A., i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë.

Bazuar në veprimet hetimore, deklarimet e marra, provat e mbledhura dhe ekspertimi i kryer, prokuroria arriti në konkluzionin se shtetasi K.A. ka kryer krimin e falsifikimit me pasoja të rënda për personat e tretë. Nërpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ai është pajisur me çertifikatë pronësie për pasurinë në Bërxullë 7500m2 dhe më pas në vitin 2020 e shiti duke përfituar shumën prej 10.000.000 lekësh.

Po kështu, nga hetimet rezultoi se të pandehurit, shtetasit Y.M., K.B. dhe A.L. konsumuan veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin. Këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.

Shtetasi K.B. i cili nga muaji korrik 2011 deri në shtator 2015 ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Zyrës së Mbrojtjes dhe Menazhimit të Tokës, në Komunën Bërxullë, duke ndërvepruar me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre dhe ish-kryetarin e Komunës dhe punonjësin tjetër, përpiloi shkresat për regjistrimin e pasurisë në emër të shtetasit K.A. pa kryer verifikimin e dokumentacionit.

Me kërkesë të prokurorisë, 7500m2 tokë e përfituar me  dokumente të falsifikuara është sekuestruar.